Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kalbja e trurit
E marte, 24.12.2024, 06:53 PM
Kalbja
e trurit
Nga
Ndue Ukaj
Kalbja
e trurit ose "Brain rot" është përzgjedhë si fjala e vitit 2024,
sipas Fjalorit të Oksfordit, domethënia e të cilës lidhet me shpenzimin e
tepërt ose të panevojshëm të kohës, në përmbajtje me cilësi të ulët në
internet, si video të pamend ose meme, që mund ta shkatërrojnë mendjen tonë.
Sipas
një artikulli të BBC, Casper Grathwohl, president i Oxford Languages, thotë se
duke u kthyer pas te Fjala e Vitit në Oksford përgjatë dy dekadave të fundit
mund të vërehet një shqetësim në rritje i shoqërisë “me mënyrën se si po
evoluojnë jetët tona virtuale, mënyra se si kultura e internetit po përshkruan
kaq shumë kush jemi ne dhe për çfarë po flasim."
Në
të vërtetë, njohës të fushave sociale, shkrimtarë e studiues të ndryshme, ka
kohë që kanë alarmuar për rrezikun e shëndetit mendor si pasojë e përdorimit të
pamend të rrjeteve sociale.
Në
të vërtetë, kjo fjali, sipas shpjegimeve rezulton të jetë përdorur së pari në
vitin 1854 nga Henry David Thoreau, një poet, natyralist, eseist e filozof
amerikan.
Asokohe,
ndër të tjera, ai kishte thënë:
“Ndërsa
Anglia përpiqet të kurojë kalbjen e patates, ajo nuk do të bëjë asnjë përpjekje
për të kuruar kalbjen e trurit - e cila mbizotëron shumë më gjerësisht dhe
fatalisht.”
Nëse
anglezët, amerikanët, vendet europiane, me tradita shekullore në kulturë e
arsim, me insistucione të konsoliduara, flasin për kalbje të trurit, si është
gjendja me ne, në realitetin shqiptar?
Si
komb, ne nuk e kemi kaluar asnjë fazë të pjekurisë ashtu siç ka ndodhë me
popujt tjerë perëndimorë, jemi rritë me troha kulturore, jemi të kequshqyer e
shëndetlig në punë të dijes, prandaj imuniteti ynë kombëtar është kaq i dobët
dhe çdo virus mund të futet me lehtësi.
Mjedisi
ynë kombëtar, kudo, është shumë i pashëndetshëm, dhe përballë këtij realiteti
të rëndë, pakkush kujtohet të flasë për ushqimin shpirtëror të shqiptarëve, me
çfarë e ushqejnë mendjen e shpirtin
shqiptarët e sotëm?
Ne
bëhemi sikur merakosemi për ndotjen e mjedisit, smogun, ama pak ose aspak nuk
interesohemi për mjedisin e ideve, për
ushqimin shpirtëror, për atë smogun e tmrrrshëm që po shkakton kalbje masive të
trurit. Realisht, kjo është kriza jonë e vërtetë, një krizë që ka rrënjë
kulturore e identitare e që pastaj manifestohet egërsisht e me arrogancë në
sferën politike.