Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Ku e ka burimin kjo parahati e jona me Europën?
E enjte, 24.10.2024, 07:59 PM
Shpeshherë i bëj pyetje vetes:
Ku
e ka burimin kjo parahati e jona me Europën?
Nga
Ndue Ukaj
Pse
mendojmë se Europa gjithmonë kërkon zgjidhje të këqija për ne? - kur kemi prova
të pafundme, tash e tri dekada, që çdo propozim që ka ardhë prej Europe, na ka
sjellë dritë e përparim?
Ndaj,
kjo parahati e jona me Europën është e pakuptimtë dhe e pabazë. Në një aspekte,
mbase, mund të lidhet me trashëgiminë dhe një llavë historike, që e ka pasë
thellë në zemër sundimin osman dhe gjakim shkëputjen e shqiptarëve prej Europe.
Por,
si është e mundur, që mes nesh, ka ende mendje të mykta e të paajrosura, që
vazhdojnë të ushqehen me disa vargje të Fishtës e t'i përdorin si parulla
kundër Europës?
Dhe
kurrë nuk e përmendin Fishtën, kur fliste për lartësitë e këtij qytetërimi dhe
vajtonte fatin e mjerë të shqiptarëve, që jetuan ndaras tij. Fundja, krejt
përpjekja e tij intelektuale e krijuese, i lidhte me një qëllim madhor, të
rilidhte edhe njëherë kombin e tij me oksidentin ose siç thonte Zef Pllumi, ta
konsolidonte arsimin e kulturën oksidentale të popullit.
Të
kujtojmë vetëm fillimin e "Lahutës së Malcis" dhe vajtimin e Fishtës
për fatin e zi të shqiptarëve, dhe atëherë, po deshëm, mund ta kthjellojmë pak
shikimin.
Prandaj,
kjo energji antiperëndimore, e përqafuar frikshëm nga sundimtarët e sotëm të
Kosovës dhe një tufë injorantësh të bashkuar rreth pushtetit, nuk ka lidhje me
interesat e Kosovës, prandaj përbën rrezik shumë të madh për vendin tonë,
sepse, në këto hapësira të serta e pa vlera të konsoliduara politike, sa herë
pakohet liria perëndimore, rritet despotia lindore.
E,
në mendjet e sundimtarëve joperëndimorë, nuk ka liri e mendje të lira, nuk ka
drejtësi e barazi.
Pra,
ka veç nënshtrim e fuqi të pushtetit, i cili pretendon se zotëron të vërtetën e
drejtësinë, të cilat i shpalos e mbron si të ishin dogma qiellore.
Pushtetet
e tilla, të lidhura me qeveri populiste, empirikisht dihet se e shkretojnë
jetën e qytetarëve, prapa lënë shumë mjerim, teksa marshojnë në maratonën e
çmendurisë, për të shenjtëruar udhëheqësin dhe sistemin e tij të qelbur.
Pak
a shumë, diçka e tillë po ndodh në vendin tonë, ku, një sistem i tërë mundohet
ta shenjtërojë udhëheqësin dhe sistemin e tij.
Dhe
këtu kemi një mospërkim të thellë me demokracinë perëndimore dhe filozofinë e
këtij qytetërimi që beson te “maksima sokratiane se fillimi i mençurisë qëndron
te njohja e injorancës dhe kjo ka rëndësi të thellë për të kuptuarit tonë ndaj
shoqërisë" siç shkruan nobelisti F. H. Hayek te libri monumental
“Kushtetuta e lirisë”.
Prandaj,
te ky qytetërim është ngjizë dëshira përhershme për perfeksionim, ecje përpara,
kritika si formë e mendjes së pjekur.
Prandaj,
ky qytetërim u ka dhënë vlerë, njohjes së injorancës, të metave, limiteve,
kërkimfaljes, pendesës.
Më
duket sikur parahatia e jonë me Europën, ka sajuar tema që krijojnë heneqe.
Dhe
kam frikë se, këtë parahatinë tonë me perëndimin, kundërshtarët po e
kapitalizojnë në mënyrën më të mirë.
Kosovës,
rreziqet më të mëdha i vijnë nga brenda, ku, një prej krye rreziqeve është
parahatia jonë me perëndimin.