Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kriza e njeriut me identitet të humbur
E diele, 14.04.2024, 06:56 PM
Ndue Ukaj:
Në
kohë të amështa si kjo e jona, kur asgjë nuk duket se ka kuptim, arti mund të
shërbejë si një udhërrëfyes për të mposhtë ligështinë, për t’i dhënë oksigjen
mendjes njerëzore dhe për t’i qetësuar sadopak trazimet e mëdha shpirtërore të
brezisë sonë.
Shkrimtari
Albert Camus te “Artisti dhe koha e tij” flet për vokacionin e vërtetë të
artistit, i cili, sipas tij, duhet t'u japë ngushëllim dhe forcë atyre që
luftojnë për një botë të drejtë.
E
kriza e njeriut tonë, parasëgjithash, është krizë e thellë shpirtërore dhe
krizë e njeriut me identitet të humbur.
Dhe
si çdo herë në histori, sa herë ka kriza të kësilloji, tronditjet janë të mëdha
e rreziqet e pamatshme.
Shoqëria
jonë e brishtë, e kequshqyer me ide e ideologji, është duke u rropatë tash e sa
kohë, pa busullë, në një krizë të frikshme bjerrje, që ka atakuar çdo aspekt të
jetës.
Po,
kjo krizë ka shtrirje në krejt sistemin tonë të brishtë dhe duket sikur ka
thyer të gjitha parimet që e mbajnë një shoqëri normale në këmbë.
Dhe
për pasojë, dhuna e arroganca, sot shfaqen hapur e ashpër, shfaqen në ditë
festa e pezmi.
Në
këtë kohë ligështie, janë të shumtë ata që thonë se është folë e thënë
shumëçka, aq sa duket se më s’ia vlen të thuhet asgjë.
Megjithatë,
vlerësoj se mendimet e urta mund të shërbejnë si krua ku mund ta shuajmë etjen
në kohë trazimesh të mëdha shpirtërore.
Meqë,
sa herë jemi në pyll ose ferr, na duhet
një
Virgjië që të dalim prej tij.
Prandaj,
është mirë të kthehemi prapa dhe të dëgjojmë ç’kanë thënë intelektualët e
krijuesit, kur vetë janë sfilitë nëpër kriza të tilla.
Shkrimtari
Albert Camus, ka kaluar nëpër kriza të thella: të varfërisë, luftërave,
sëmundjeve, krizës së thellë të besimit te njeriu, pra, ka kaluar nëpër
trajektoret e vuajtjeve, absurdit, shpërfytyrimit, luftës.
Vlerësimet
për kontributin e tij letrar janë të mëdha. "Encyclopaedia
Britannica" për të thotë se ai “si romancier dhe dramaturg, moralist dhe
teoricien politik, pas Luftës së Dytë Botërore, u bë zëdhënësi i brezit të tij
dhe mentori i brezit të ardhshëm, jo vetëm në Francë, por edhe në Evropë dhe
përfundimisht në botë. Shkrimet e tij, të cilat i drejtoheshin kryesisht
izolimit të njeriut në një univers alien, largimit të personit nga vevetja,
problemit të së keqes dhe shtypjes finale nga vdekja, pasqyronin me saktësi
tjetërsimin dhe zhgënjimin e intelektualit të pasluftës.”
Sot,
në mjedisin tonë të ngulfatur me marrëzi, ku duket se janë mbyllë dyert e
dritaret për ajrosje me vlera të artit e kulturës, ku tallavaja sundon ashpër,
një këshilla e tij më tingëllon shumë e dobishme:
“Arti
ndoshta në vetvete s’mund të prodhojë rilindjen që nënkupton drejtësi dhe liri.
Por pa të, ajo rilindje do të ishte pa formë dhe, rrjedhimisht, do të ishte
asgjë. Pa kulturë dhe lirinë relative që ajo nënkupton, shoqëria, edhe kur
është e përsosur, s’është veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim i
vërtetë është një dhuratë për të ardhmen."
Po,
shoqëria pa kulturë dhe shoqëria që shpërfill atë është xhungël.
E,
shoqëria jonë duket se po kalon nëpër xhungël.
Dalja
prej saj s’është e lehtë, sidomos në këto kohë, ku ulërimat kanë peshë më shumë
se mendimet e mbarsura nëpër libra, kur turma përcakton standardet e larta e
kur “elitat” për një kockë poshtet iu nënshtrohen standardit të turmave.
Me
këto standarde të udhëve e të shesheve, kokën s’mund ta çojmë lart, që të
gjejmë rrugën e dalies nga kjo mjegllunajë e frikshme ku jemi katandisë.
Me
këto standarde të përdala, që gati i kemi normuar si vlera shoqërore, udhën e
përparimit nuk kemi me mundë me gjetë.
Ndoshta,
të ushqyer me kulturë dhe me një ideal të lartë, mund të gjejmë shtegdalje, po
me një Virgjil të urtë, mund të dalim nga ferri.
Në
të kundërtën, prej kësaj xhungle, brezi ynë zor e ka të dalë.
Breznitë
e reja, me siguri do të shkruajnë tregime tjera, por nga ne do të trashëgojnë
helm dhe cektësi. Dhe me siguri nuk kanë me qenë krenarë me parardhësit e tyre.