Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Hebreu që mbijetoi ferrin e Holokaustit
E hene, 09.10.2023, 06:56 PM
Ndue Ukaj:
“Nganjëherë
më qëllon që më pyesin nëse kam një përgjigje për atë ç’ka ndodhë në Aushvic.
Unë përgjigjem nuk e di, por e them gjithashtu që nuk jam i sigurtë nëse një
tragjedi e asaj përmase ka vërtetë ndonjë përgjigje. Ajo çka unë di është vetëm
që ka “një përgjigje” në formën e përgjegjësisë. Kur flasim për këtë periudhë
të së keqes dhe të errësirës, që duket aq larg dhe aq pranë, njëkohësisht fjala
kyçe është “përgjegjësia”.
Kështu
e mbyll parathënien e libri të tij Eli Vizel (Elie Wiesel), hebreu që mbijetoi
ferrin e Holokaustit dhe i la njerëzimit një dëshmi drithmuese, librin “Natë”
(përkthyer në shqip nga Edvin Shvarc). Po, ky libër është një dëshmi
tronditëse e tmerreve çnjerëzore me të
cilat u ballafaqua ai, familja e tij dhe populli hebre. Si i tillë, ky libër,
edhe sot i rri përpara syve secilit njeri si një pasqyrë që i dëfton atë që
Vizel e konsideron fjalën kyçe, përgjegjësinë.
Leksioni
i Vizelit mbi indiferencën që e mbajti në Shtëpinë e Bardhë përgjatë kohës së
bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, është një tekst që kur e lexon të kthen te
ajo fjala kyçe, përgjegjësia.
Ja
çka thotë ky autor:
“Betohem
se nuk do të hesht asnjëherë dhe kudo, kur dhe ku do të shoh që mundohen e
poshtërohen qeniet njerëzore. Ne gjithnjë duhet të mbajmë anë. Neutraliteti
ndihmon agresorin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon dëmtuesin, kurrë të
dëmtuarin”
Dhe
vërtet ky njeri i madh, në çastet më dramatike për Kosovën nuk heshti, ishte me
viktimat dhe u bë njëlloj zëdhënësi i lirisë, një zë që kumboi fuqishëm në
mbrojtje të Kosovës.
Le
të kujtojmë edhe një gjë: ky autor i rëndësishëm, me rastin e pranimit të
Çmimit Nobel për Paqe në Oslo, më 10 dhjetor 1986, ndër të tjera tha:
"Izraeli
është kombi i vetëm në botë, ekzistenca e të cilit kërcënohet
vazhdimisht."
Po,
kjo është e vërtetë që duhet të vë përpara përgjegjësisë secilin njeri.
Me
këtë fjalë rasti, ndër të tjera ai tha edhe këtë:
“Vuajtjet
njerëzore në një vend duhet të shqetësojnë burrat dhe gratë gjithandej. Kjo
vlen edhe për palestinezët, për hallin e të cilëve unë jam shumë i ndjeshëm,
por metodat e tyre, kur sjellin dhunë, më bëjnë të vajtoj. Dhuna nuk është
përgjigje e duhur. Terrorizmi është më e rrezikshmja përgjigje e mundur.”
Eli Vizel dhe Presidenti Bill Klinton