Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Vetëdija jonë për shtetin është në gjendje foshnjore
E hene, 21.08.2023, 07:55 PM
Ndue Ukaj:
Me
gjasë vetëdija jonë për shtetin është në gjendje foshnjore, aq foshnjore sa të
flasësh për ide e ideale ngjan njëlloj si të flasësh me një shurdh e memec,
përndryshe s'ka se si të shpjegohet krejt kjo amulli mes nesh.
Tanimë
në vendin tonë është betonuar indiferentizmi dhe s'na bëhet vonë për asgjë,
përndryshe si do të gëlltitej me aq lehtësi fakti i makthshëm se vendi ynë
është nën sanksione të perëndimit e me siguri jo për faj të perëndimit, por për
shkak të sjelljeve dhe mendësisë thellësisht joperëndimore të institucioneve
tona.
Sfera
publike është vërshuar prej mediokreve e egërshanëve, veprimet e të cilëve janë
anomali të pastra e çoroditje të pashpjegueshme.
Patriotizmi
në këto kushte është veç deklarativ, po veç deklarativ, mburojë sa për t' i
dehë turmat dhe s'përbën kurrfarë vetëdije me dashtë vetveten pa pasë nevojë me
urrejtë tjetrin.
Po,
edhe dashuria për vendin është veç deklarative dhe tani më kujtohet Fishta i
madh dhe pezmatimi i tij tek shihte shqiptarët e trullosur që s'çajnë krye për
vend të vet.
E
në këtë mishmash politik e kulturor e vërteta ngjan në një tokë të largët, të
paarritshme, aq sa po duket se po krijohet një brezni e rrenave të mëdha.
Sepse,
gënjeshtrat, egërsia e propaganda janë kthyer në norma ushqyese dhe këto i
transmeton afshëm e me gulçima pushteti i sotëm i cili është duke e betonuar të
keqen mes nesh.
S'ka
korrupsion e krim ma të madh në një shoqëri se sa kur mbillet një ide e keqe,
një ide e keqe që prish politikën dhe deformon identitetin e një vendi.
_________
Sikur
pushteti i sotëm të besonte vërtet në një vlerë politike dhe sikur të kishte
një vizion politik, me siguri s’do të sillej kaq egërsisht kundrejt qytetarëve
të vet dhe s’do të shndërrohej në pushtet mllefi, propagande e parullash, por
do ta dinte rrugën e vet dhe do të ecte me vetëdije përpara.
Por
jo.
Pushteti
i sotëm është kryekëput një mishmash anomalish e çoroditjesh pafund.
Në
fakt, ka kohë që kur një përçudni e frikshme mbizotëron në Kosovë dhe ngjan në
një mjegull të tmerrshme që s’i lejon njerëzit të shohin qartë.
Sepse,
propaganda ka betonuar gënjeshtrën dhe në këso kohësh, e vërteta mbetet një
tokë e pashkelur.
Kjo
gjendje kaq e rënduar në të cilën ndodhet vendi ynë, duhet ta trondiste secilin
njeri normal - ta zgjonte prej letargjisë, ta kthjellte mendjen, ta pastronte
shikimin dhe të shihte në çfarë rruge të keqe është vendi.
Që
vendi ynë është në një gjendje të keqe, këtë na tregojnë të gjitha parametrat
politik e ekonomik. Na tregojnë miqtë tanë perëndimorë, në tregojnë aferat e
përditësuara.
E
në krejt këtë mishmash, më e keqja është fara e pabesisë e cila po mbillet mes
nesh, pasojat e së cilës, po s’u ndërgjegjësuam mund të jenë të pallogaritshme.
_________
Një
paçavure terri e Albin Kurtit tregon në ç'terr të madh është katandisë Kosova.
Këto
paçavure, s'kanë të bëjnë asgjë me mendësinë perëndimore e demokracinë si
sistem vlerash, ato janë pjellë e pastër e deduksioneve orientale, pra e
mendësisë së urrejtës- shkollë kjo rrënimtare.
Që
Kurti është udhëheqës rrënimtar e destruktiv, këtë e ka provuar qartësisht, në
opozitë e pushtet, por që çohet peshë dhe në një paçavure terri u drejtohet
"qytetarëve të dashur" dhe brenda të njëjtës paçavure pështyn
sistemin e drejtësisë, historinë 20-vjeçare të Kosovës, opozitën, mediat,
çdokënd që s'rrrshtohet... sepse, me togfjalëshin "qytetarë të
dashur", ai nënkupton veç kopenë e tij.
Mjerë
Kosova, kush e udhëheq.
_________
Mid'hat
Frashëri thonte se "shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet
dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij:
i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër", - e kësaj analize as sot s'ke
çka i shton e as s'mund t'ia heqësh asnjë fjalë.