Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Llumi ideologjik është duke udhëheqë Kosovën e Ibrahim Rugovës
E diele, 16.07.2023, 07:56 PM
Ndue Ukaj:
Çfarë
llumi ideologjik është duke udhëheqë Kosovën e Ibrahim Rugovës, njeriut që edhe
në kohë lufte e terrori fliste për paqe, vlera demokratike e shpirt të
tolerancës - kjo duhet ta bëjë të ndihet të turpëruar çdo njeri normal.
Sot,
secli njeri normal duhet të ndihet i turpëruar e me faj përballë kësaj
katandije, përballë kësaj gjuhë të përdalë të pushtetit që tenton të përlyej
çdo kënd që s'rreshtohet prapa tij.
Në
të vërtetë kjo ideologji tash e gati 20-vjet ka tentuar t'i përlyej vitet më të
bukura të Kosovës: vitet e lirisë, pavarësisë dhe rimbkëmbjes.
Thjesht,
kjo që po ngjet me ne, s'është krizë, është dritë kuqe e alarmit dhe duhet ta
tmerrojë çdokënd.
Kjo
është shkallë kritike kur njeriu- siç do të thonte Zef Pllumi- lehtësisht mund të shtazifikohet.
Sepse,
kjo gjuhë e përçarjes dhe propagandës e stimuluar me epsh pushteti, veç gjuhë
njerëzore s'është dhe veç Kosovës s'i shërben.
Nesër,
me siguri kanë me pyetë breznitë e reja: si bani vaki që vendi i Anton Çettës,
Ibrahim Rugovës e mijëra e mijëra studentëve paqëdashës, e luftëtarëve të
paepur për liri, të katandisët në duar të një tufë injorantësh kaq mendjekëqij?
_________
Një
njeri i kulturës, nëse vërtet është i tillë, përherë duhet të jetë me pakicat,
me të dobëtit dhe kundër forcës absolute të pushtetit.
Një
njeri i kulturës, nëse vërtet beson te forca e artit, zor bëhet militant, zor
rreshtohet verbërisht prapa pushteteve, zor e ngrit zërin në mbrojtje të
pushtetit, siomos jo të atyre pushtetëve dogmatike, të cilat s' besojnë në liri
politike, në tolernancë, por ethshëm angazhohen për liri ideologjike.
E
liria ideoligjike është e kundërta e lirisë dhe këtë njerëzit e kulturës, nëse
vërtet janë të tillë, duhet ta
kuptojnë.
Mjerisht,
vendi ynë sot është në duar të njerëzve të paditur e të armatosun me urrejtje,
prandaj askush s'flet për tema të bukura e humane dhe kjo dëshmon se larg
qytetërimit jemi dhe në çfarë dergje jemi katandisë.
_________
Kur
i shoh këto turma të shpërfytyruara si janë marrosë nga dëliri i pushtetit dhe
e mbrojnë epshëm atë e kryeministrin, më shumë se lirinë e tyre, seç me sillet
ndërmend Faik Konica dhe një tekst i tij i shkruar në vitin 1897, plot pezëm, kur donte t’iu tregonte
shqiptarëve se ç’është liria.
“Janë
nj'a 50 Shqiptarë që e kuptojnë ç' është liria...Po të tjerët janë
gomarë."
Sot
duke e parë forcën rrënimtare në këtë vend, s’ke çka të shtosh pos të
përsëritësh me mërzi atë që thonte Konica.