Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Të dehur në tema politike
E merkure, 16.08.2023, 07:56 PM
Ndue Ukaj:
Sikur
shoqëria jonë të tregonte ndjeshmëri për libra dhe vlera estetike, siç gulçon pas
udhëheqësve të trullosur e sharlatanë, me siguri s'do të kishte mes nesh kaq
shumë trazime shpirtnore, rrëmujë e shëmti politike dhe punët tona publike me
siguri do të shkonin shumë më mbarë.
Politika
- shqiptarëve ma shumë u ka sjellë idhnim, izolim se sa hapje, mirëqenie e
përparim.
Prej
shumë shekujve, mezi gjen katër periudha në shenjë të politikës shqiptare dhe
prej krejt udhëheqëseve mezi dallon sa numëron me gishtat e njërës dorë.
Atëherë
pse kjo dalldisje?
Thjesht,
kjo dalldisje, na paraqet si popull të dehur në tema politike, e të dehurit
kurrë s'kanë vetëdije me vendosë mirë e drejtë.
Pastaj,
kjo dalldisje, nuk është rrjedhojë e as pasqyrë e një edukimi cilësor politik,
nuk shpreh as vetëdije politike, sepse në këto punë ne si komb jemi fort të
varfër, por kjo dalldisje duket qartë se është pasojë e një çedukimi të gjatë
me konceptin për shtetin, temë të cilën e ka trajtuar me mprehtësi Ismail
Kadare të romani "Viti e mbrapshtë."
Shqiptaret
flasin për gjithçka, por sidomos për politike, thonte mendimtari Paulin
Margjokaj te libri shumë i vlefshëm “Kush janë anmiqt e Shqipnisë?” dhe
vazhdonte "natyrisht, sa me pak te dijë njeriu, aq ma shumë flet. E për
politikë, nuk ashtë kush qi flet aq shumë sa Shqiptarët. E me pvetë, nder 100
vetë ndoshta memzi njani din se ka vjen fjala politik e shka shenjon e shka don
me thanë."
___________
Një
kryeministër sharlatan që s'e vlerëson kush në perëndim e s'e takon kush në
Uashington, Berlin, Londër, Romë e Paris, natyrisht se ka me gjetë ujna të
cekëta ku ka me tentue me notue- e ky i yni i turpnum njëherë në Shqipëri, i
turpnum përballë votuesit në Kosovë, ka fillue m'u hedhë në ujnat e panjohuna
të politikës së shqiptarëve të Maqedonisë veç sa me thanë po noton diku. Ama
prapë ka me dalë i turpnum, e në krejt këtë cirk, ajo që dihet sakt është se ma
së shumti ka me pësue Kosova, rrita e së cilës është ndalë.
___________
Zef
Pllumi thonte se koncepti oriental i qeverisjes jep ato fuqi të cilat, mund
thomi, në nji farë mënyre, nuk i ka mbajtë për vedi as Zoti-Krijues.
Pllumi
si njeri e intelektual e frat që kishte kaluar nëpër rrathët e ferrit oriental,
s' jepte mendime kutur, por e provonte një të vërtetë tragjike tek tregonte me
çfarë mendësie kriminale qeverisnin dishepujt e kësaj dogme në Shqipëri.
Dhe
si gjykatës i drejtë e mendjembrehtë i historisë, ai thonte se në "mendjet
e ktyne sundimtarve nuk kanë vend as të drejtat njerzore, as mendimi i lirë.
Këta supozojnë se me marrjen e pushtetit në dorë, u jepet e drejta e pronësisë
mbi pasunitë, veprimet, mendimet, jetën e secilit nenshtetas."
Lexuesit
mendjehollë i gjejnë analogjitë me realitetin e sotëm krejt lehtësisht, kurse
mendjeshkretit dhe të infektuarit me ideologji do të vazhdojnë avazin e tyre
deri kur të përplasen një ditë hundë e buzë e të rrëtohen përtokë.
___________
Këta
që sot qenkan mërdhezë dhe paskan gulçu kundër deklaratës së BE-së se
"Kosova pati sjellje jo-europiane", duhet ta bëjnë një ekskursion të
shkurtë - për të gjatë me gjasë s'janë -
në gjuhën e vrazhdë ideologjike të pushtetit të sotëm kundrejt
perëndimit, gjuhë kjo që polli një sërë anomalish të cilat po i paguajmë me
sanksione.
Thjesht,
nëse për një punë pushteti i sotëm është treguar i vërtetë dhe do të mbahet
mend, pa dyshim, kursi jo europian është
në krye të listës, prandaj të kota i keni kukurisjet dhe më e keqja ato
s'iu bajnë punë fare e s' dëgjohen më larg se tek tufat e militantëve.
Të
gjithë ata që kanë një grimë mend e dinë se për shkak të këtyre sjelljeve
tipike jo perëndimore, Kosovës i është ndalë rrita dhe më e keqja mes nesh
është mbjellë fara e pabesisë.
___________
"Njerëzimi
pa lexues, i painfektuar nga letërsia, do të ishte si një bashkësi belbanësh
dhe të sëmurësh nga afazia, me probleme të jashtëzakonshme komunikimi për shkak
të fjalive të pakuptimta si e foluara e foshnjave. Natyrisht, e njëjta gjë
është e vërtetë për individët. Njerëzit që s’lexojnë, lexojnë pak ose thjesht
lexojnë gjëra pa vlerë, mund të flasin shumë, por thonë shumë pak, sepse kanë
repertor shumë të kufizuar dhe të pamjaftueshëm me fjalë për të shprehur veten.
S’ kemi të bëjmë vetëm me kufizim verbal; por edhe me kufizim intelektual dhe
imagjinativ. Kjo zbulon varfërinë e mendimit dhe të njohurive, sepse idetë dhe
konceptet përmes të cilave kuptojmë realitetin ekzistues dhe të fshehtat e
gjendjes sonë s’ekzistojnë jashtë fjalëve përmes të cilave vetëdija jonë i njeh
dhe i përkufizon ato."
(Mario
Vargas Llosa, Leximi i letërsisë së mirë, përktheu Granit Zela)
___________
Me
engjëjt rojës të Kosovës, siç kishte me thanë Ibrahim Rugova, në Stubllën time
të bukur.