Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Hebreu që mbijetoi ferrin e Holokaustit

| E hene, 09.10.2023, 07:56 PM |


Ndue Ukaj:

“Nganjëherë më qëllon që më pyesin nëse kam një përgjigje për atë ç’ka ndodhë në Aushvic. Unë përgjigjem nuk e di, por e them gjithashtu që nuk jam i sigurtë nëse një tragjedi e asaj përmase ka vërtetë ndonjë përgjigje. Ajo çka unë di është vetëm që ka “një përgjigje” në formën e përgjegjësisë. Kur flasim për këtë periudhë të së keqes dhe të errësirës, që duket aq larg dhe aq pranë, njëkohësisht fjala kyçe është “përgjegjësia”.

Kështu e mbyll parathënien e libri të tij Eli Vizel (Elie Wiesel), hebreu që mbijetoi ferrin e Holokaustit dhe i la njerëzimit një dëshmi drithmuese, librin “Natë” (përkthyer në shqip nga Edvin Shvarc). Po, ky libër është një dëshmi tronditëse  e tmerreve çnjerëzore me të cilat u ballafaqua ai, familja e tij dhe populli hebre. Si i tillë, ky libër, edhe sot i rri përpara syve secilit njeri si një pasqyrë që i dëfton atë që Vizel e konsideron fjalën kyçe, përgjegjësinë.

Leksioni i Vizelit mbi indiferencën që e mbajti në Shtëpinë e Bardhë përgjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, është një tekst që kur e lexon të kthen te ajo fjala kyçe, përgjegjësia.

Ja çka thotë ky autor:

“Betohem se nuk do të hesht asnjëherë dhe kudo, kur dhe ku do të shoh që mundohen e poshtërohen qeniet njerëzore. Ne gjithnjë duhet të mbajmë anë. Neutraliteti ndihmon agresorin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon dëmtuesin, kurrë të dëmtuarin”

Dhe vërtet ky njeri i madh, në çastet më dramatike për Kosovën nuk heshti, ishte me viktimat dhe u bë njëlloj zëdhënësi i lirisë, një zë që kumboi fuqishëm në mbrojtje të Kosovës.

Le të kujtojmë edhe një gjë: ky autor i rëndësishëm, me rastin e pranimit të Çmimit Nobel për Paqe në Oslo, më 10 dhjetor 1986, ndër të tjera tha:

"Izraeli është kombi i vetëm në botë, ekzistenca e të cilit kërcënohet vazhdimisht."

Po, kjo është e vërtetë që duhet të vë përpara përgjegjësisë secilin njeri.

Me këtë fjalë rasti, ndër të tjera ai tha edhe këtë:

“Vuajtjet njerëzore në një vend duhet të shqetësojnë burrat dhe gratë gjithandej. Kjo vlen edhe për palestinezët, për hallin e të cilëve unë jam shumë i ndjeshëm, por metodat e tyre, kur sjellin dhunë, më bëjnë të vajtoj. Dhuna nuk është përgjigje e duhur. Terrorizmi është më e rrezikshmja përgjigje e mundur.”

Eli Vizel dhe Presidenti Bill Klinton