Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Pa kulturë të dialogut shoqëria ngulfatet
E hene, 26.02.2024, 07:55 PM
Ndue Ukaj:
Filozofi
dhe autori kanadez, Charles Taylor, në librin “Etika e autenticitetit”, ka një
kapitull të titulluar “Debati i paartikuluar”, në të cilin trajton problemet që
shkakton debati i sotshëm. Autori flet për konceptin e relativizmit disi të
kollajtë të çdo gjëje, e mbi bazë të cilit, “çdokush ka vlerat” e tij ose të
saj, dhe për këtë nuk ka çka të diskutohet.
Autori,
me një sërë argumentesh dhe duke u thirrë në dije empirike e vë në pikëpyetje
këtë lloj të kulturës së debatit të skematizuar, që është larg autenticitetit
dhe moralit, sepse e tkurr njeriun dhe hapësirën e tij, të cilën ia kontrollon
egërsisht ideologjia e debatit, se gjitha “vlerat” janë të barasvlershme,
ndryshe nga ç’mendonte Aristoteli, i cili dëftonte se, disa aspekte të jetës
janë të drejta e disa të gabuara, dhe disa aspekte janë më të larta e më të
mira se disa tjera.
Filozofi
Taylor për të kundërshtuar teorinë e një relativizmi të kollajtë, që ka ndikuar
në tkurrjen e lirisë së njëmend, pohon se relativizmi është gabim trashanik i
kulturës së sotme, dhe shton: “Njerëz të
pasigurtë në identitetin e tyre u drejtohen gjithfarësoj guidave dhe ekspertëve
të vetemëruar të veshur me prestigjin e shkencës a të ndonjë spirtualiteti
ekzotik.”
Kur
e lexoj këtë pohim, shoh të ravijëzuar shumë shqiptarë të trullosur, të cilët
përplasën nëpër kriza serioze identitare dhe trallisen pas gjithfarë guidash,
në emër të cilave përrallisin si të çmendur në opinion publik.
Njeriu
i sotshëm është bërë rob i disa konsensuseve publike dhe ai shpeshherë nuk
është i vërtetë me vetveten dhe as me të tjerët, sepse i mungon një ideal
moral, mendon autori Taylor.
Ky
autori, më tej e analizon çfarë nënkupton ai me ideal moral, togfjalësh ky i
cili, sipas tij është një kuadër i asaj, që do të ishte një mënyrë më e mirë a
më e lartë e jetës, ku e “mira” dhe e “larta” nuk përkufizohen me termat e asaj
çka ne dëshirojmë ose kemi nevojë, por ofrojnë një standard të asaj çka lypset
të dëshirojmë.
Duke
përsiatë rreth këtyre ideve, e shohim si në pasqyrë njeriun tonë: shpërfilljen,
shkujdesjen morale, pasigurinë, kukurisjet, që as afërsisht s’i ngjasojnë
debatit të artikuluar.
Ka
kohë që është thënë e përsëritur se debati ynë çalon dhe atë në përmasa të
frikshme. Ka kohë që është shkruar për inflacionin e fjalës dhe të ligjërimit
publik.
Debati
në shoqërinë tonë është stërkeqë tej mase, kurse dialogu, kultura e dialogut,
po thujase nuk ekziston fare.
Pa
kulturë të dialogut, shoqëria ngulfatet, e ne tash jemi në këtë fazë, gati në
asfiksi të plotë.