Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Dita Ndërkombëtare e Përkthimit
E hene, 30.09.2024, 06:53 PM
Dita Ndërkombëtare e Përkthimit
Nga
Ndue Ukaj
Gjuha
e Europës është përkthimi, ka shkruar shkrimtari Umberto Eco, dhe më tej, duke
e zhvilluar argumentin ka thënë se këmbimet kulturore kanë kontribuar më shumë
se çdo gjë në ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa.
Sot
është Dita Botërore e Përkthimit dhe në këtë ditë me rëndësi për njerëzimin
është e udhës të falënderojmë të gjithë ata përkthyes që na kanë ndihmuar të
udhëtojmë nëpër vende të ndryshme, duke na zbuluar botë të reja e duke na kanë
bërë jetën shumë më të bukur.
Përkthimi
është një nga veprimtaritë më fisnike, pa të cilën ne të gjithë do të ishim
shumë më të varfër, shpirtërisht dhe kulturalisht, prandaj ka të drejtë Eco kur
thotë se gjuha e Europës është përkthimi.
T’i
nderojmë sot këta heronj të vërtetë të kulturës dhe të artit, që punojnë në
heshtje, të përvuajtur, por botës i japin shumë.
Ata
na ndihmojnë pafund, sepse siç thotë studiuesja franceze Jacqueline de Romilly
“gati çdo ide e jona për jetën formohet falë letërsisë; ecja nëpër shtigjet e
leximit çon drejtpërsëdrejti në formimin e njeriut. Leximet na sjellin analiza
dhe ide, por edhe përfytyrime, personazhe, mite dhe ëndrra që përcillen në
shpirtin tonë; dikur na kanë prekur telat e zemrës, atëherë kur janë shprehur
bukur apo janë përshkruar me forcë; dhe pikërisht nga kjo përvojë ushqehet vetë
përvoja e jetës sonë.”
Data
30 shtatori është kremtja e festës së Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, i
cili konsiderohet shenjtor dhe mbrojtës i përkthyesve.
Shën
Jeronimi është përkthyesi i Biblës në latinisht dhe vlerësohet si njëri prej
kontribuesve më të mëdhnj të civilizimit perëndimor.
Në
shënimet që përcjell organizata e Kombeve të Bashkuara për këtë ditë thuhet
qartë se " ai ishte me prejardhje ilire dhe gjuha e tij amtare ishte
dialekti ilir. Ai mësoi latinishten në shkollë dhe fliste rrjedhshëm greqishten
dhe hebraishten, të cilat i mori nga studimet dhe udhëtimet. Jeronimi vdiq afër
Betlehemit më 30 shtator 420."