Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Cila ishte lënda e kujtesës së popullit shqiptar?
E hene, 08.07.2024, 07:52 PM
Cila ishte lënda e kujtesës së popullit shqiptar?
Nga
Ndue Ukaj
Pyetja
është e tmerrshme dhe përgjigja është po aq e pështjellët sa rrugët e një
qyteti të panjohur në një natë kur zotëron mjegulla. Kjo pyetje është një therë
e tmerrshme në zemrën e historisë shqiptare, i cili ndonëse pranohet botërisht
se është popull i lashtë i Europës, lëndën e kujtesës s’e ka aq të kthjellët
dhe aq të lashtë.
Dhe
për dreq, kujtesa e tij është plot gabime dhe harta e harresës është e madhe,
është gdhendë në gjithçka të tijën, prandaj gjithçka në jetën e tij është e
paktë: shkollat, shkrimi, vetëm vuajtjet i ka të mëdha e të pafundme. Dhe
pikërisht këtu kërkohen arsyet përse ato orët e lumturisë dhe të gëzimit, që
ndryshe
në kontinentin e madhe të historisë njerëzore njihen si orët e lirisë, i kanë
tmerrësisht të pakta, krahasuar me ato të vuajtjeve, robërisë dhe shtypjes.
Psikologët
dhe sidomos shkrimtarët kanë bërë përpjekje që të depërtojnë thellë në botën e
brendshme të Njeriut dhe kanë hulumtuar arsyet e harresës dhe ia kanë dalë të
tregojnë rëndësinë e kujtesës. Ndër debatet e shumta që lidhen me këto mistere
njerëzore, ka psikologë që thonë se ekziston njëlloj harrese e motivuar, që
lidhet me represionin – ky term është përdorë sidomos
nga
psikologët e linjës frojdiane dhe lidhet me atë që njihet si procesi i të
harruarit të diçkaje që shkakton ankth.
Dhe
shqiptarët kanë përjetuar me shekuj ankth, ata janë formuar me ankth dhe Marini
ka ankth dhe ai është rritë me ankth, dhe në realitet e reja ai frikësohet se
mund të zgjohet një ditë, dhe krejt papritë; të mos kujtojë asgjë, lënda e
kujtesës së tij të zhduket përgjithmonë dhe ai të mbetet një kontinent harrese,
i zbrazët, i cekët, i hutuar, pa qëllim. Pikërisht kjo është arsyeja pse brenda
tij është ndezë drita e alarmit, sepse sa herë Njeriu s’e di ku është dhe kah
do të shkojë, të tjerët janë
të
gatshëm ta kapnin përdore dhe ta rreshtojnë ka të duan, sepse Njeriu sa herë
harron, përherë ndodhet dikush krejt pranë tij që t’ia kapë dorën dhe ta çojë
kah të dojë.