Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Mjerë ata që u besojnë parullave e furisë së propagandës shtetërore
E premte, 29.11.2024, 07:50 PM
Ndue Ukaj:
Ndërkohë
që në Kosovë furia e propagandës shtetërore, pa e distiluar fare budullallëkun
flet për luftë e fabrika për monicion, një vend i largët si Norvegjia, themelon
Çmimin Jon Fosse për përkthyes letrarë, njëlloj nobeli për përkthime letrare,
në emër të këtij shkrimtari që vitin e kaluar ka fituar Çmimin Nobel për
Letërsi.
Një
nga arsyetimet domethënëse të këtij shteti ishte se “për një gjuhë të vogël si
norvegjishtja, puna e përkthyesve të përkushtuar është vendimtare...”
Pra,
norvegjezët, ashtu si suedezët, danezët e finlandezët, e mendojnë veten si
popuj të vegjël, prandaj i ruajnë si sytë e ballit aleancat, kurrë nuk mburren
e kurrë nuk çojnë krye dhe punët kryesore i orientojnë kah vlerat njerëzore, që
lidhen me art, shkencë, arsim, zbulime, fusha këto që sjellin progres e
përparim.
Kjo
ngjet ngaqë ata besojnë te vlerat e kulturës, pra, thënë ndryshe, ata i
zgjerojnë hartat kulturore dhe jo ato të fuqisë së propagandës e të egërsisë.
Pikërisht
kjo është arsyeja, pse në hierarkinë e vlerave botërore, kur bëhet fjalë për
mirëqenie, zhvillim e progres, këto shtete janë krye të listës.
Pra,
lajmi i Norvegjisë është i bukur dhe si i tillë i jep peshë botërore gjuhës e
kulturës norvegjeze.
Kështu
rritet një popull e kështu i zgjëron hartat e ndikimit, me vlera dhe jo me
arrogancë.
Çfarë
ndodh me ne? Çfarë lajmë prodhojmë ne? Si e mendojmë vetveten në hartën
botërore?
Si
bëhemi kaq të marrë dhe e shpërfillim faktin se këtu është aleanca më e
fuqishme botërore e sigurisë dhe flasim me arrogancë për luftë?
Dhe,
siç ka thënë George Orwell “e gjithë propaganda e luftës, e gjithë ulërima,
gënjeshtra dhe urrejtja, gjithmonë vjen nga njerëz që nuk luftojnë.”
Ky
shkrimtar, dihet, ka shkruar një vepër profetike, duke thënë të vërteta të
makthshme rreth fuqisë së pushtetit dhe propagandës shtetërore, që bluan jetët
njerëzore, e aplikuar në formën më brutale, përgjatë sundimit të perandorisë së
kuqe, ku miliona njerëz u dënuan, u vran e ndjekën pa asnjë faj.
Pra,
sa herë ka propagandë shtetërore, ajo bëhet për t'i kufizuar liritë njerëzore.
Kosova,
një vend i vogël, pa shkolla normale, me një tufë udhëheqësish thellësisht
injorantë e të armiqësuar, me një universitet në gjendje të mjerë, me tekste
shkollore për faqe të zezë, me një varfëri të gjithanshme e me njerëz që duan
të ikin në perëndim, në vend se të flasë e të angazhohet për tema që e lidhin
me vlera të përbotshme dhe i sigurojnë progres, qeveria e ndez makinerinë e
propagandës dhe flet për luftë, retorikë të cilën e shpreh me goxha egërsi.
Këta
"barinjtë politikë" që flasin
në emër të "berrave", pra popullit, e kanë vetëm një qëllim: duan berrat t'i bëjnë ushqim për epshe
politike.
Kaq
e thjeshtë është kjo punë.
Mjerë
ata që u besojnë parullave e furisë së propagandës shtetërore.