Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Europa
E enjte, 27.02.2025, 07:57 PM
Europa
Nga
Ndue Ukaj
Këto
ditë, i jam rikthyer një libri, për mua monumental, të Robert Scumanit, me
titull “Në emër të Europës”, përkthyer në shqip nga Besnik Mustafaj e me një
parathënie shumë të vyer të shkrimtarit e politikanit, Pjetër Arbnori.
I
jam rikthyer këtij libri, sepse, sa herë jemi në ngushtica, duhet t’iu kthehemi
klasikëve e duhet t’i kthehemi historisë, sepse është mësuese e mirë, burim i
pashtershëm për t’i njohur shumë të vërteta dhe njëkohësisht një kurë e mirë
për kohët tona.
Ropert
Schumani ishte politikan që diti ta kthejë urrejtjen në dashuri,
destruktivitetin në forcë solidariteti, një prej mendjeve më gjeniale të
politikës së shekullit të kaluar, një model frymëzimi për kohën tonë e për
secilën kohë. Vërtet, ai ia doli të krijojë një prej ideve më të shëndosha
politike në historinë njerëzore, Europën e bashkuar, në të cilën, kufijtë nuk
janë pika ku luftojnë ushtritë e bandat kriminale, po vendtakime ku qarkullojnë
idetë e njerëzit. Dhe kjo Europë, siç thotë ky autor nuk “drejtohet kundër
askujt; ajo nuk ka asnjë synim agresioni, asnjë karakter egoist apo imperialist
përbrenda gjirit të vet dhe as ndaj vendeve tjera.” Në këtë mënyrë, kjo Europë,
ia ka dalë të bëhet një kontinent i paqes, i solidaritet, ku dallgët e nacionalizmit
janë shmangë përmes fuqisë konstruktive të bashkëpunimit dhe të solidaritetit
njerëzor.
Këto
ishin premisat mbi të cilat u formua dhe ka funksionuar Eurupa e Schumanit, Di
Gasperit dhe Adenaurit, e cila, ndonëse u nis si synim për lidhje ekonomike, ajo,
siç ka thënë qartësisht Schumani, para se gjithash është një aleancë kulturore:
“Europa,
para se të jetë aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi
kulturore, në kuptimin më të lartë të kësaj fjale."
Pikërisht
ky ideal, për çka flet ky autor e politikan i shquar, nuk ka afat të
përdorimit, pra nuk është i një kohe, por një ideal historik i thadruar në
ndërgjegjen e të vetmit kontinent që ka një kohezion dhe që i ka dhënë botës
dije, art e veprat mahnitëse, prandaj, qytetërimi i sotëm i demokracisë dhe
vlerave universale, është i lidhur pashmangshmërisht me vlerat e këtij
kontinenti, si mishi me thua.
Prandaj,
Europa është Europë dhe identiteti i saj, në thellësi historike e kulturore,
është edhe identiteti i Amerikës, që
domethënë, në këto thyerje, ne, si komb i vogël, nuk duhet të trullosemi e të
sillemi si qorra, siç kemi vepruar shpeshherë në histori, të jetojmë në atë
mbretërinë e spekulimeve e të injorancës së thellë, duke sajuar një Europë
sipas dëshirave tona, një Europë që ka një mospërkim të plotë me atë që është
Europa e vërtetë.
Vërtet,
sot Europa është në krizë, ajo ka kaluar kriza të njëpasnjëshme dhe siç thotë
shkrimtari Umberto Eco, në historinë e mendimit europian, karakteristikë e
përhershme është ideja e krizës, por Europa në histori, ka treguar kapacitete
për kritika të brendshëm: për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion
drejt përparimit e përsosmërisë, duke mos pushuar kurrë së kërkuari shtigje të
reja. Më tej, Eco duke i argumentuar
idetë e veta shkruante se, këmbimet kulturore kanë kontribuar më shumë se çdo
gjë në ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa. Në këtë kontekst, ky shkrimtar
thotë se Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për
dallim nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion e kjo përmbajtje ndërlidhen me
identitetin e saj kulturor. Me pak fjalë, identiteti kulturor është thelbi i
Europës, si bashkësi kombesh e shtetesh.
Pikërisht
kjo krizë, rithekson nevojën që kontinenti të rikthehet te vlerat bazike, te
ato që e kanë ushqyer dhe mbajtë gjallë këtë qytetërim. Dhe unë jam fort i
bindur se, matanë krizës, është një Europë tjetër, e madhe, e cila ka
kapacitete dhe vlera të trashëguara ndër shekuj - vlera ripërtëritëse - që janë
më të forta se të metat që ka prodhuar viteve të fundit, sidomos, për shkak të
politikave të egra të majta, që e kanë fragmentuar dhe dërmuar idealin e saj
autentik.
Shcuman
këshillon se “bashkimi i Europës nuk do të kryhet as vetëm e as kryesisht nga
disa institucione europiane; ngritja e tyre do të ndejkë ecurinë e mendjeve.
Prej këtej buron rëndësia e qarkullimit të lirë të ideve dhe të njerëzve nëpër
vendet europiane.”
Një
kapitull të veçantë i kushton autori demokracisë, si rend shoqëror dhe e lidh
pashmangshmërisht me vlerat kristiane, duke e qëmtuar në thellësitë historike,
si një rrjedhë e kohëve dhe idealit të lidhur me personin e Krishtit.
“Demokracia
ia detyron ekzistencën e vet krishterimit”, thotë ky autor dhe vazhdon:
“Ajo
ka lindë ditën kur njeriut iu bë thirrje të realizonte në jetën e vet të
përkohshme dinjitetin e krijesës njerëzore, brenda lirisë vetjake, brenda
respektit të drejtave të gjithsecilit dhe nëpërmjet ushqimit të dashurisë
vëllazërore për të gjithë. Kurrë përpara Krishtit nuk ishin formuar ide të
tilla. Demokracia shfaqet kështu e lidhur me krishterimin nga ana doktrinës si
dhe kronologjike.” Më tej, autori përmend faktin se kjo filozofi është pjesë
ontologjike e kushtetutës së parë amerikane dhe flet për ndarjen mes fesë e
shtetit, ku duhet ndarë pjesa e Cezarit nga ajo e Zotit, duke treguar pastaj
sesi teokracia nuk pranon parimet e ndarjes së këtyre dy fushave. Për t’i
argumentuar idetë e tij, ai sjell në vëmendje Bergsonin i cili ka thënë se
”demokracia është me thelb ungjillor, pasi për motorr ajo ka dashurinë.”
Në
vazhdën e këtij argumenti, ai thotë se “demokracia do të jetë e krishterë ose
nuk do të jetë fare. Një demokraci antikristiane do të jetë karikaturë që do të
zhytet në tirani ose në anarki.”
Një
kapitull të veçantë autori iu kushton edhe raporteve të Gjermanisë dhe Francës,
me shpjegime të thukta për historitë e këtyre dy vendeve dhe ambiciet e tyre
politike, dhe në fund thotë se “Gjermania e ka shqisën e bashkësisë më shumë se
kushdo tjetër, në gjirin e Europës së bashkuar, ku ajo mund të luajë plotësisht
rolin e vet.”
Libri po ashtu shqyrton pozicionin e Anglisë në
rrjedhat eurpiane, duke thënë se “Europa do ta mbrojë shpirtin e vet me larminë
e cilësive dhe aspiratave të veta.”
Autori
shtjellon më tej edhe konceptet e integrimit ekonomi, që e lidh organikisht me
integrimin politik, pa të cilin i pari nuk realizohet dot.
Në
kapitullin e fundi, që është tejet me interes, autori flet për “shërbimin ndaj
njerëzimit, duke e konsideruar si detyrim njësoj si detyrimi që na dikton
besnikëria ndaj kombit, dhe shpjegon nevojën e përbashkimit, si një shtegdalje
për t’i tejkaluar përçarjet, ato që kanë brerë nga brenda Romën e Bizantin. Dhe
këshillon europianët, që ata të jenë të vëmendshëm përballë të njëjtit rrezik,
duke theksuar se “problemi i madh i paqes është problemi i marrëdhënieve mes
Lindjes dhe Perëndimit.”
Dhe
për fund, siç shkruan i urti Pjetër Arbnori, në parathënie, ne shqiptarët duhet
të ndjekim shembullin e Schumanit për të arritur zgjidhjen e problemeve përmes
integrimit shkallë-shkallë europian, e sidomos, për t’u integruar ndërmjet veti
si komb, në të cilën udhë, askush nuk është barrierë më shumë se politika e pa
mençur e vetë shqiptarëve dhe oborret e tyre të mbushura me spekulantë.
Besoj
fort se prej këtyre stuhive politike, Europa, si tërësi ose entitet e saj, do
të dalin triumfuese, Europa do të vazhdojë të shkëlqejë e të jetë kontinenti më
i admirueshëm në botë, por çështja është nëse ne do t’i hapim sytë, siç na
këshillonte Zef Pllumi, dhe do shohim realitetin ashtu siç është, ta
konsiderojmë identitetin tonë europian, në sensin siç e shpjegonte Ismail
Kadare, si lidhje natyrale apo do të vazhdojmë me marrinat tona.
Kështu
siç jemi duke u sjellë, si qorra, ne jemi në udhë pa krye.
Sepse,
me këto kapacitete kaq të mjera diturore, me kaq pak ushqim kulturor e me kaq
shumë përçudni, ne, nuk mbërrijmë askund. Kështu siç po sillemi e si po flasim,
vetëm sa e trashim budallallëkun e brendshëm dhe bëhemi faqja e zezë për
vetveten e për të tjerët. Ka vite, që ne, aftësitë solidare për të bashkëpunuar
si komb ndërmjet veti dhe me perëndimin, i kemi abortuar dhe sillemi si fëmijë
të papjekur, që kurrë nuk maturohen.