E enjte, 01.05.2025, 05:24 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Kosova e sotme ndodhet në paralizë mendore

E merkure, 30.04.2025, 06:55 PM


Ndue Ukaj:

Nëse njerëzve të mirë iu jep informacione të këqija, ata do marrin vendime të këqija, vendime vetëshkatërruese, thotë  Yuval Noua Harari, historian i njohur dhe autor i librit  “Nexus.”

Popullit të Kosovës prej vitesh i janë dhënë informacione të këqija, të rreme, gënjeshtra, ndaj ai ka zgjedhë politikanë të këqij, mashtrues, dhe tani, i dërmuar, po përballet me bllokada e me vendime vetëshkatërruese.

Prandaj t’i kërkosh pushtetit të sotëm e udhëheqësit veprime të përgjegjshme e të ndërgjegjshme, është si të kërkosh prej një torullaku intepretim të “Komedisë Hyjnore” apo të “Pallatit të Ëndrrave.”

Një popull i bombarduar me informacione të këqija, ka prodhuar një klikë politike të rrezikshme dhe një lider të egër e shpërfillës ndaj demokracisë, që sillet me indiferencë të tmerrshme kundrejt realitetit dhe nuk ka as më të voglën ndjeshmëri për degradaimin e vendit, izolimin dhe sanskionet.

Një vend, për mua, nuk është normal nëse është nën sanksione, kurse turollakët tanë të tubuar tufë në oborrin e pushtetit, këtë të vërtetë e kanë relativizuar aq shumë sa nuk iu bën përshtypje fare, sepse, sipas një proverbi, të paftyrin, edhe po ta pështysh, thotë se po bie shi.

Udhëheqësi i kësaj klike, është një njeri që asnjë urë njerëzore politike nuk e ka ndërtuar me tjetrin, që nuk është si ai e që nuk i nënshtrohet. Pra, ai bashkëpunon me mendje të cekëta që i nënshtrohen për pushtet dhe i bien në gjunjë si të ishte ai një i shenjtë i madh.

Kjo mendësi jodemokratile e ka asfiksuar Kosovën.

Dhe Kosova e sotme ndodhet si në një paralizë mendore, pa shtegdalje, e përhumbur, e zymtë.

Dhe fatkeqësia është edhe më e madhe se me këta torollakë e zuzarë është lodhë perëndimi  dhe gati askush nuk do t’i trajtojë më.

Kjo klikë duhet m’u mbajtë përgjegjëse përballë historisë se e ka përlyer edhe kujtimin e bukur e punët e mrekulleshme që i kemi bërë së bashku me perëndimin. E ka përlyer historinë madhështore të Kosovës, për hesape qartësisht idiote.

Jemi vendi i vetëm i izoluar e nën sanksione në Europë (pos ndonjë diktature), sepse, udhëheqësia jonë torollake përfaqëson mendësi të izoluar dhe është e vetësanksionuar prej marrëzisë politike e nuk sheh asgjë qartë.

Dhe përballë kësaj bllokade dhe izolimit të madh, udhëheqësi sillet si torollak, rrethuar me roje e shërbëtorë që i duartrokasin sa herë u thotë “fluturon gomari”.

Kosova sot është në udhë të humbur, pa asnjë vizion si të dilet prej kësaj shtërngate vetëshkatërruese dhe përditë po i humb miqtë e aleatët.

Prandaj, këta nuk e njohin fajin e as nuk i bren ndërgjegja për kurrnjëgja, prandaj këta nuk kanë kurrfarë ndjeshmërie as kur rritet rryma, as kur rriten çmimet e jeta bëhet e zorshme për njerëzit dhe as kur i shohin shëmtitë e tyre në pasqyrë, sepse, për ta, toka e së vërtetës nuk ekziston.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx