Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kthehem në universin magjeps të Martin Camajt
E merkure, 12.03.2025, 06:55 PM
Ndue
Ukaj:
Sot,
në përvjetorin e 33-të të vdekjes, kthehem në universin magjeps të Martin
Camajt. Lexoj poezi të tij që i kam fort përzemër. Dhe leximi, në raste të
tilla, përveç kënaqësisë që më jep, me nxit të reflektoj, të reflektoj për
forcën që ka arti për ta bërë jetën më të kuptueshme e njëkohësisht më të
bukur; të reflektoj për forcën e atyre krijuesve të mëdhenj të kulturës, që i
dolën përballë së keqes, me art të bukur. Camaj ishte i tillë dhe mbetet
shkritmar model.
Pasi
i lexova disa poezi të tij që përherë më kënaqin, u ndala gjatë te poezia
“Frika prej dimnit të gjatë”, më saktësisht te vargjet që për mua kanë një
forcë të jashtëzakonshme:
“S’due me qenë si moti i
lig,
i vramë në shpirt
e me gjallnue me plagë
të mbulueme
nën njiqind lëkura.”
Kjo
force e madhe krijuese, mund të burojë vetëm prej një shpirti human dhe prej
një krijuesi me ndjeshmëri të thella.
Këto
katër vargje shpalosin një zemër të butë e të përvujtë, që nuk e njihte mëninë
shqiptare; janë vargje të një krijuesi të larguar nga atdheu, i shpallur
tradhtar e armik në vendin e vet. E poeti, i vramë në shpirt, nuk pranon të
bëhet i lig si moti dhe nuk bëhet pjesë e zymtësisë së asaj stine të egër
njerëzore. Kjo forcë shpirtërore është madhështore dhe e bën artin e Camajt
krejt të veçantë në letërsinë shqipe.
Camaj
vërtet është shëmbëlltyrë frymëzuese, për kohë të liga, për kohë kur, njerëzit
stimulohen që ta mësojnë “gjuhën e gjarpnit” e kur politika e egër tenton t’i
shpërfytyrojë e t’i bëjë vegla shërbyese
në funksion të fuqisë së pushtetit.
Camaj
është prej atyre shkrimtarëve që edhe jetën e ka letërsi në vetvete. Vërtet, jeta dhe vepra e tij përbëjnë një
ekzemplar të veçantë ne letërsinë shqipe dhe një rrëfim që të ngjeth trupin. I
lindur në Temal të Dukagjinit, ai shkoi në Kolegjin Saverian, ku para tij u
edukuan shumë shkrimtarë dhe dijetarë shqiptarë. Aty mori bazat e para të
formimit klasik, të cilat i thelloi, më vonë, nëpër qendra të ndryshme të dijes
dhe të kulturës.
Djaloshi
i ri, la malet Temalit, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit” dhe zbriti në
Shkodrën e kulturës, ku, në kolegj, pati fatin të kishte për rektor, eruditin
At Zef Valentini. Por shkollimi iu ndërpre në vitin 1946, kur regjimi barbar
komunist ndaloi përfundimisht aktivitet e kolegjit. Dhe, nga këtu, kaloi 4 vite
të vështira në Prekal dhe pastaj vendosi të largohej nga atdheu, për të punoi
me forcë krijuese e intelektuale tërë jetën.
Trashëgimia
letrare e Camajt, është prej më të begatshmeve në letërsinë shqipe, dhe ne,
breznia jonë, e kemi për detyrë ta ruajmë, si njëlloj farmacie, për shëndetin
tonë shpirtëror.