E merkure, 04.06.2025, 03:27 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: 'Alkimisti', himn i shpresës, i ëndrrave, i ardhmërisë dhe i dashurisë

E hene, 02.06.2025, 06:53 PM


“ALKIMISTI” – HIMN I SHPRESËS, I ËNDRRAVE, I ARDHMËRISË DHE I DASHURISË

parabolë shumështresore e ekzistencës njerëzore

Nga Prof. Xhelal Zejneli

“Alkimisti” (O Alquimista) i prozatorit brazilian Paulo Kuelos (Paulo Coelho, 1947- ) u botua në vitin 1988. Me rastin e përvjetorit të botimit të veprës, botuesit e Kuelos në mbarë botën shpallin botimin-dhuratë të librit. Me rastin e 25-vjetorit të botimit, ballinat e librit u zbukuruan me ilustrimet e ilustrueses dhe artistes kolumbiane, e cila prej viti 1999 jeton në Barcelonë - Ketlin Estrada (Catalina Estrada, 1974- ).

Romani i sipërthënë është një parabolë shumështresore e ekzistencës njerëzore, e cila nëpër një rrëfim filozofik shqetësues për kërkimin e suksesshëm të thesarit të fshehur i solli autorit popullaritet botëror. Kritikët letrarë do të thonë se “Alkimisti” është himn i shpresës, i ëndrrave, i ardhmërisë dhe i dashurisë i krijuar me një gjuhë tejet simbolike e cila nuk i flet arsyes sonë, por zemrës.

Dhjetë vjet, të gjitha romanet e Paulo Kuelos janë renditur në majat e listave të bestsellerëve në mbarë botën. Sipas magazinë franceze “Lire”, në mars të vitit 1999 Kuelo është renditur si shkrimtari i dytë më i shitur në botë. Nominimi është mbështetur në listat relevante bestseller në një numër të madh vendesh në të gjitha kontinentet.

Kur diçka vërtet e dëshiron, atëherë e gjithë bota përbetohet që ta realizosh atë.

Romani magjepsës i Kuelos, “Alikimsti” ka frymëzuar miliona njerëz në mbarë botën. Kjo histori e mrekullueshme, e thjeshtë dhe plot mesazhe jetësore dhe urti, flet për një bari të ri prej Andaluzie, Santiagon, i cili prej shtëpisë së tij në Spanjë niset për në shkretëtirë të Egjiptit, për ta gjetur thesarin të fshehur në piramida.

Gjatë rrugës takon: një cigane, një njeri i cili veten e quan mbret si dhe alkimistin. Ata e udhëzojnë se në ç’drejtim duhet të niset për kërkim. Udhëtimi që fillon si kërkim të mirash të kësaj bote, shndërrohet në zbulim të thesarit të brendshëm. Kjo histori e çmuar dhe motivuese për të riun Santiago dëshmon për faktin se sa e rëndësishme është ta dëgjosh zemrën tënde dhe t’u besosh ëndrrave tua ngase ato mund ta ndryshojnë jetën tonë.

Përse duhet ta dëgjojmë zemrën tonë? Duhet ta dëgjojmë për arsye se ku është ajo, aty ndodhet edhe thesari ynë.

Paulo Kuelo është një prej shkrimtarëve më me ndikim të kohës sonë. Librat e tij, të botuara në 73 gjuhë të botës dhe të shitura në mbi 135 milionë kopje, kanë prekur zemrat e shumë lexuesve në mbarë botën.

Paulo Kuelo është anëtar i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Brazilit, është zëdhënës i paqes i KB-ve, kurse në vitin 2009 u bë mbajtës i rekordit të Ginesit (Guinness) si një shkrimtar libri i të cilit – “Alkimisti” – është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Filozofia e tij, idetë dhe temat e librave të tij inspirojnë shumë lexues të cilët janë në kërkim të rrugës dhe të konceptimit të tyre të botës.

*   *   *

Romani “Alkimisti” ka fituar një audiencë të përkushtuar në mbarë botën. Historia që magjeps me thjeshtësinë e saj dhe frymëzon me mençurinë, ndjek bariun e ri andaluzian Santiago, i cili nga Spanja e tij e lindjes niset për në shkretëtirën egjiptiane për të gjetur thesarin e fshehur nën piramida.

Askush s’e di se për çfarë thesari bëhet fjalë dhe nëse Santiago do të mund t’i kapërcejë pengesat që i dalin para, por ajo që fillon si kërkim të pasurive të kësaj bote shndërrohet në kërkim të pasurive që ndodhen në vetë ne.

Magjepsëse, e gjallë dhe thellësisht njerëzore, kjo histori është një dëshmi e përjetshme e fuqisë së ëndrrave tona për të na transformuar dhe dëshmon për faktit se sa është e rëndësishme ta dëgjojmë zemrën tonë.

*   *   *

Romani “Alkimsti” i shkrimtarit brazilian Paulo Kuelo është shkruar në gjuhën portugeze dhe ka 154 faqe. Pas një kohe, libri u popullarizua dhe u përkthye në 81 gjuhë. U shit në mbi 83 milionë kopje dhe hyri në Librin e rekordeve të Ginisit si libri më i përkthyer i një autori të gjallë.

Veprimi – Subjekti fillon në Andaluzi. Flitet për bariun Santiago i cili shpesh ëndërron për të gjetur një thesar të madh. Pas një kohe, ai shkon te cigania për t’ia interpretuar ëndrrat. Ajo i thotë që të shkojë në Egjipt ngase thesari është fshehur afër piramidave. Ai me zemër të vrarë e lë kopenë dhe niset në rrugë. Në qytetin Tarifu njihet me mbretin Salem i cili e këshillon se si t’i përcjellë shenjat. Ai vazhdon rrugën, por me të mbërritur në Afrikë, e plaçkitin. Për të fituar para që të kthehet në shtëpi, fillon të punojë te një tregtar kristalesh. Shpejt ndërron mendje dhe sapo mbledh sasi të mjaftueshme parashë, vazhdon rrugën për në piramida. Rrugën e vazhdon me një anglez i cili e kishte studiuar alkiminë. Në një oazë të shkretëtirës njihet me alkimistin e vërtetë i cili vendos të niset në rrugë bashkë me të. Gjatë rrugës për në piramida, alkimisti e mësoi Santiagon si të bëjë ar prej zinku. Kur mbërriti në piramida nuk e gjeti arrin e vet. Aty u njoh me një njeri i cili i tha se edhe ai kishte parë ëndrra, se kishte ëndërruar thesar që ndodhej nën pemën e fikut egjiptian në Andaluzi. Santiagoja e dinte vendin për të cilin i fliste bashkëbiseduesi. Kthehet në shtëpi ku e gjen thesarin nën rrënjën e fikut. Tani e plotëson marrëveshjen dhe një të dhjetën e thesarit ia jep ciganes.

Gjatë rrugës e kuptoi se çdokush e ka një rrugë të vetin të cilën duhet ta ndjekë. Vendosi të kthehet në shkretëtirë, në oazë ku përpo alkimistit u njoh edhe me vashën Fatime në të cilën u dashurua.

*   *   *

Romani „Alkimisti“ i Kuelos ëndrrën nuk e interpreton si ikje por si mënyrë e njohjes së realitetit të fshehur. Për këtë arsye atë e kanë krahasuar me përrallën „Princi i vogël“ (Le Petit Prince, 1943) të shkrimtarit dhe tregimtarit francez Antuan dë Sen-Ekzyperi (Antoine de Saint-Exupéry, 1900-1944). Kjo është vepra më e njohur e tij dhe një prej librave francezë më të përkthyer në botë.

Shënim: Antuan dë Sen-Ekzyperi me profesion ishte pilot. Merrej edhe me gazetari. U zhduk gjatë një fluturimi vëzhgues mbi detin Mesdhe.

*   *   *

Në botimin e parë u shitën vetëm 900 kopje të „Alkimistit“, kështu që botuesi nuk donte ta ribotojë. Por, Paulo Kuelo gjeti një shtëpi botuese më të madhe, Rocco. Në vitin 1990 aty e kishte botuar romanin „Brida“. Ky libër zgjoi interesimin e gazetarëve dhe të kritikëve dhe në saje të vlerësimeve të shkëlqyeshme që mori, edhe „Alkimisti“edhe “Ditari i një magjistari” dolën në krye të top-listave të bestsellerëve. „Alkimisti“ është shitur në më shumë kopje se cilido libër tjetër i shkruar ndonjëherë në gjuhn portugeze. Në maj të viti 1993 botuesi Hagrer Collins sshtypi 50.000 kopje të „Alkimistit“ që është tirazhi fillestar më i madh i një libri brazilian në ShBA. Në vitin 2003 „Alkimisti“ u përfshi në listën e 100 librave më të parapëlqyer të të gjitha kohëve – të BBC-së. Në Panairin e librit në Frakfurt të mbajtur në vitin 2003, Paulo Kuelo nënshkroi kopje të „Alkimistit“ të botuara në 52 gjuhë të botës, duke hyrë kësisoj në Librin e rekordeve të Ginisit. Sipas Librit të rekordeve botërore të Gunisit, në vitin 2009 „Alkimisti“ ka qenë libri më i përkthyer në botë i një autori të gjallë.

*   *   *

“Libër i shkruar në mënyrë brilante. Ajo ka të bëjë me secilin prej nesh dhe na mëson se i gjithë thesari i botës ndodhet në zemrat tona.” - The Guardian.

“Paulo Kuelo e di sekretin e alkimisë letrare.” – Kenzaburo Oe (1935-2023), prozator japonez; në vitin 1994 u vlerësua me çmimin “Nobel”.

*   *   *

Vepra të Paulo Kuelos: “Pelegrinazhi” ( O Diário de Um Mago, 1987 / The Pilgrimage, 1987), “Brida” (1990), “Valkire” (As Valkírias, 1992), “Në breg të lumit Piedra u ula dhe qava” (Na margem do Rio Piedra eu sentei e chorei, 1994), “Maktub” (1994) dhe “Mali i pestë” (O monte cinco, 1996). Edhe veprat e mësipërme u përkthyen dhe u botuan në dhjetëra gjuhë të botës. Vepra të tjera të Kuelos janë edhe: “Veronika ka vendosur t vdesë” (Veronika decide morrer, 1998), “Doracak për luftëtarin e dritës” (O manual do guerreiro da luz, 1997), Demoni dhe zonjusha Prym” (O demônio e a Srta. Prym, 2000), “Njëmbëdhjetë minuta” (Onze minutos, 2003), “Zahiri” (O Zahir, 2005), “Magjistarja nga Portobello” (A bruxa de Portobello, 2006), “Bëju si lumi që rrjedh” (Ser como um rio que flui, 2006), “Fituesi është vetë” (O vencedor esta so, 2008), Alefi” (O Aleph, 2011), “Dorëshkrimi i zbuluar në Akrë” (Manuscrito encontrado em Accra, 2012), Shkelja e kurorës” (Adulterio, 2014), “Spiunia“, “Hipi”, ”Shigjetari”.

“O Mago: biografi e re e Paulo Kuelos” (O Mago: a incrível história de Paulo Coelho, 2015); autor është gazetari, biografi, politikani dhe shkrimtari brazilian Fernando Gomes de Morais (1946-  ). Në të zbulohet ana e egër, herë-herë e errët e shoqërisë braziliane. Aty ka gjithçka – dhunë, seks, religjion etj.

*   *   *

Në romanin “Njëmbëdhjetë minuta” (Onze minutos, 2003) Kuelo thotë: “Dashuri më e fortë është ajo që mund ta tregojë dobësinë e vet”.

Në romanin “Spiunia” të Kuelos,  spiunia më e njohur e shekullit XX – Mata Hari thotë: “Krimi im më i madh ishte se kam qenë një grua e emancipuar dhe e pavarur në një botë ku sundojnë meshkujt”.

Shënim: Margaretha Geertruida MacLeod (e lindur Zelle, Leewarden, Holandë, 07.08.1876 – Vincennes, Paris, Francë, 15.10.1917), e njohur me emrin artistik Mata Hari, ka qenë valltare dhe kurtizane. Është dënuar për spiunazh në dobi të Perandorisë Gjermane në Luftën e Parë Botërore. U pushkatua në Vincennes, lagje e Parisit lindor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx