Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shqipja dhe shqiptarët në studimet e studiuesve të huaj
E diele, 16.08.2020, 08:05 PM
SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ
Nga Xhelal
Zejneli
Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra
incognita për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u
bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për
arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e
rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti
më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane.
Lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe, në literaturën
shkencore relevante kanë mbizotëruar pesë hipoteza:
1. Teza ilire: më
1774: historiani suedez, Hans Tunman (Hans Erick Thunmann, 1746-1778); 1811:
ushtaraku, diplomati, studiuesi anglez Uiljam Martin Lik (William
Martin Leake, 1777-1860); 1854: diplomati gjerman, Johan Georg fon Han
(Johann Georges von Hahn, 1811-1869); 1861: gjuhëtari slloven Franc Miklosiç
(Franz Miklosich, 1813-1891); 1882: gjuhëtari gjerman, indoevropianist,
albanolog me emër Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900); 1894:
gjuhëtari danez Holger Pedersen, 1867-1953); 1973: gjuhëtari polak,
indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski (Waclaw Cimochowski, Kursk,
Rusi, 1912- Gdynia, Poloni, 1982); gjuhëtari
gjerman, ilirolog Hans Krahe (Hans Krahe, 1898-1965) etj.
Të gjithë dijetarët e gjuhësisë shqiptare, në krye me Eqrem
Çabejin (1908-1980) mbrojnë tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe,
prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e shqiptarëve në të gjitha
hapësirat në Gadishullin Ballkanik.
2. Teza trake:
më 1891: filologu gjerman Karl Pauli (Carl Pauli, 1839-1901);
1893: filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek (Wilhelm
Tomaschek, 1841-1901); 1898: filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt
(Hermann Hirt, 1865-1936); 1921: gjuhëtari ruso-gjerman Maks Fasmer (Max
Julius Friedrich Vasmer, 1886-1962); 1927: gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand
(Gustaw Weigand, 1860-1930); 1938: gjuhëtari austriak-çek Julius Pokorni
(Julius Pokorny, 1887-1970); 1954: gjuhëtari kroat, ballkanolog e albanolog Henrik
Bariq, (1888-1957); 1957: 1994: historiani gjerman Gotfrid Shram
(Gottfried Schramm, 1929-2017).
3. Teza
iliro-trake: më 1911: Norbert Jokl (Norbert Jokl) 1925: Paul
Kreçmer (Paul Kretschmer); 1940: linguisti italian Vitore Pisani
(Vittore Pisani, 1889-1990); 1950: filologu e ballkanologu serb Milan
Budimir (1891-1975); 1988: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, keltolog,
sllavist, u mor edhe me shqipen, mik i shqiptarëve Rolf Këderiç (Rolf Kdderitzsch, 1941-2020).
4. Teza dako-mizike:
më 1960: gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986).
5. Teza për
zhvillimin e pavarur (autonom): më 1964: indogjermanisti
gjerman Valter Porcig (Walter Porzig, 1895-1961), “Das Albanische und
die Vergleichende Indogermanisch Sprachwissenschaft”; 1966:
linguisti amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt Hamp, 1920-2019); 1987:
gjuhëtarja ruse, albanologe Agnia Vasiljevna Desnickaja (1912-1992).
Sipas studiuesve shqiptarë, Desnickaja i përmbahej mendimit për prejardhjen
ilire të shqipes.
* * *
Historian bizantin, i vetmi athinas të cilin
e njeh historia e letërsisë bizantine, Laonik HALKOKONDILI (Laonici
Chalkokondylas, 1423-1490) është autor i veprës “Tregime historike në dhjetë
libra”. Mendohet se ka lindur në Athinë në një familje fisnike, ndër më të
dëgjuarat në shekullin XV. Në veprën e tij ka përshkruar ngjarjet e viteve
1298-1487, duke u mbështetur në ato që kishte parë e dëgjuar vetë si dhe në
burime të tjera të shkruara. Halkokondili ndoqi modelin e Herodotit dhe
të Tukididit. Vepra e Halkokndilit ka rëndësi edhe si burim për
historinë e Shqipërisë, përmban të dhëna për ilirët, për
prejardhjen e shqiptarëve, për pushtimet e para të osmanëve në
Shiqipëri, për zotërimet e Gjon Kastriotit dhe të Gjergj Arianitit, për luftën
e Gjin Zenebishit (? – 1417/18) kundër osmanëve, për kryengritjen e
shqiptarëve në Gjirokastër në vitin 1433, për luftën e Sfetigradit, për
rrethimin e dytë të Krujës dhe disfatën e sulltan Muratit II (1403/1404
– 1451), për marrëveshjet e Gjergj Kastriotit (1405-1468) dhe të Gjergj
Arianitit (?1383 – rreth vitit 1462/63) me udhëheqësin ushtarak
hungarez, me prejardhje rumune Janosh Huniadin (1407-1456), për
ekspeditat e Gjergj Kastriotit në Itali, për luftërat dhe kryengritjet e
shqiptarëve të Peloponezit në vitet 1432, 1454 etj.
Në paraqitjen e ngjarjeve, në krahasim me autorë të tjerë, Halkokondili
mban një qëndrim më objektiv. Megjithëkëtë, në disa raste në veprën e tij
përzihen ngjarjet, lartësohen pa vend pushtimet osmane etj.
Shënim: Herodoti (rreth 484 ose 490
– 424/25 para K.) është historian i Greqisë së lashtë, i quajtur baba i
historisë. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Gadishullin Ballkanik vizitoi
edhe Ilirinë, Trakinë dhe Maqedoninë. Është autor i veprës “Historia”
me 9 libra. Vepra përmban të dhëna edhe për pellazgët. Është i pari
autor që zë në gojë emrin e ilirëve.
Tukididi (460 - vdiq pas vitit 400 para K.)
historian grek. Ngjarjet historike i shpjegon me mjaft realizëm, ndaj është
quajtur historiani i parë i vërtetë. Në veprën e tij ka të dhëna për luftën
civile të Epidamnit të vitit 436 para K. si dhe për pjesëmarrjen e Taulantëve
në këtë luftë.
* * *
Koncepti i familjes gjuhësore
indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga orientalisti
dhe juristi anglez Uilljëm Xhons (William Jons, 1746-1794) rreth 80 vjet
pas letrës së Lajbnicit.
Për shkak të mungesës së të dhënave
për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjetës (shekulli VI deri
XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt
i një debati të gjatë shkencor. Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në
përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe
matematikanin gjerman Lajbnic.
Studimi i parë
gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të
shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij Vilhelm Gorfrid
LAJBNIC (Gottfried Wilhelm Lajbniz, 1646-1716). Këtë përpjekje ia kishte
kërkuar miku i tij M. V. La Krozë (La Crose) i cili ishte
krye-bibliotekist i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte
themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe
Lajbnici bën fjalë në tri apo në pesë letrat që njihen si “Letra
shqiptare” të cilat ia dërgonte krye-bibliotekistit, e që janë shkruar
nga 24.06.1704 deri më 15.03.1715. Në to shtroi problemin e prejardhjes së
shqipes, e përkimeve, takimeve dhe marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera
(indoevropiane). Theksoi nevojën e dallimit të fjalëve me burim vendas nga
huazimet. Vuri në dukje përkime dhe analogji të fjalëve shqipe me fjalë të
gjuhëve gjermane, latine etj. Theksoi se shqipja është gjuhë e veçantë, e
dallueshme nga sllavishtja, hungarishtja, greqishtja, turqishtja.
Në letrën e dytë të
datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të
lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë
në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina
e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe “Fjalori
latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum) (Romë 1635) i Frang
Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip
operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më
vonë. Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit.
Ndër të parët që do
të merret me shqiptarët është Hans Erih TUNMAN (Hans Erich
Thunmann, 1746-1778). Ai del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në
historinë e shqiptarëve. Kishte vënë në dorë “Fjalorin latinisht-shqip”
të F. Bardhit dhe përkthimin shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi.
Hans Tunman është historian suedez, një nga albanologët e parë, profesor në
Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Njohja me studentë e tregtarë nga
vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, midis tyre edhe me shqiptarë, ia nxiti
interesin për ta studiuar gjuhën dhe historinë e atyre vendeve.
Në veprën “Untersuhungen
über die Geschichte der östlichen europäischen Völker” (Kërkime për historinë e
popujve të Evropës Lindore, Lajpcig 1774), H. Tunman bëri
përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të
gjuhës së tyre. Vepra ka të bëjë me historinë dhe me prejardhjen
e shqiptarëve dhe të rumunëve. Në bazë të argumenteve historike të nxjerra nga
burimet greko-latine e bizantine, H. Tunman arriti në përfundimin se
shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike të ilirëve,
e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve,
as nuk u zëvendësua në viset e veta nga një popullsi e mëvonshme e dyndur
këtu. Duke u mbështetur në burimet bizantine, ai jep historinë e shqiptarëve
mesjetarë, si një formacion etnokulturor unitar dhe si faktor
politik më vete. Si provë të gjuhës së këtij populli, për të cilin
shprehte simpati për shkak të gjendjes së tij të robëruar, H. Tunman përfshiu
në këtë vepër fjalorin e mendimtarit dhe filozofit iluminist Theodor
Kavaliotit (Voskopojë, 1718 – Voskopojë, 1797) që ia kishte dorëzuar
nxënësi i tij Konstandin Xhehani*, një voskopojar i ditur, me të
cilin u takua në Hale. Vepra e H. Tunmanit përbën një ndihmesë për të vënë mbi
baza shkencore problemin e formimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.
Shënim: Konstandin
Xhehani (emri i plotë Konstadin Haxhi Jorgji Xhehani (1740-1822) ishte
filozof, mësues, matematikan, poet voskopojar i shekullit XVIII. Lindi në vitin
1740 në qendrën e famshme mesjetare të Shqipërisë, Voskopojë. Ishte nxënës i
pedagogut të shquar të asaj kohe Theodor Kavalioti në Akademinë e Re në
Voskopojë. Studioi në disa universitete evropiane: në Modra të Sllovakisë,
Halle të Prusisë (Gjermani), në Kembrixh, në Leiden të Holandës. Ishte njohës i
mirë u kulturës greko-romake dhe asaj evropiane.
* * *
Filozofi, shkrimtari
dhe teoricieni i historisë i shekullit XVIII Johan Gotfrid HERDER (Johann
Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij “Ide për historinë e
njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të
botës. Herderi në këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të
huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon
autoktoninë e popullit shqiptar. Për të shqiptarët janë popull me
histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve. Është autori i tretë
gjerman ( njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire
të shqiptarëve.
Në kohën kur është
botuar vepra e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja
që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të
tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth
1425-1490) dhe historianëve kishtarë Mishel Le-Quien (Michel Le Quien,
1661-1733) dhe Xhuzepe Simone Asemani (Guiseppe Simone Assemani,
1687-1768) që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e
Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit. Në vijën e tyre ishte
edhe teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në të cilën, nga pozita
antishkencore, ai përpiqet të argumentojë ardhjen e shqiptarëve nga Albania e
Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët
kishtarë një shekull para tij.
Në vitin 1807,
gjeografi dhe gazetari danez-francez Konrad MALTE-BRUN (Conrad
Malte-Brun, emri i lindjes: Malthe Conrad Bruun. Thisted, Danimark, 1775 –
Paris, 1826) botoi në frëngjisht studimin “Essai sur l’origine, les moeurs
et l’état actuel de la nation albanaise” (Ese për prejardhjen, zakonet
dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha
shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të
gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc Bopi, profesor në
Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri.
Më 1850, gjuhëtari gjerman August
Shlajher (August Schleicher, 1821-1868), i njohur si themelues i teorisë së
pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe
rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, vërtetoi
karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt
me greqishten.
Më 1855 Bopi e hodhi poshtë
pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky
ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë
Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës
së megali idesë rreth një lidhjeje të lashtë prejardhjeje të
përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët.
Gjuhëtari dhe
albanologu gjerman Franc BOP (Franz Bopp, Mainz, 1791 – Berlin, 1867)
është themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane.
Profesor në Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese
indoevropiane studioi edhe gjuhën shqipe. Që në vitin 1843, në një kumtim në
Akademinë e Berlinit, analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe
dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre, duke konfirmuar përfundimin
e gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon Ksilander (
Xylander), libri i të cilit “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren”
(Gjuha e shqiptarëve, 1835) doli nga shtypi më 1835. Në vitin 1854,
Bopi botoi studimin “Uber das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen
Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”, ku u
bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa
elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Franc Bopi zbuloi një varg elementesh
të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në
mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane,
ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Franc Bopit qe një gur
themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe. Është autor i veprës “A
Comparative Grammar of the Sanskrit, Zend, Greek, Latin, Lithuanian, Gothic,
German, and Sclavonic languages”, (1833-1852) në 3 vëllime (Gramatika
krahasuese e sanskritishtes, zendishtes, greqishtes, latinishtes, lituanishtes,
gotishtes, gjermanishtes dhe e sllavishtes së vjetër).
Shënim: Zend
është gjuhë e vjetër iraniane me të cilën është shkruar “Zend-Avesta”,
libri i shenjtë i religjionit të Zaratustrës. Predikuesi dhe filozofi
iranian Zaratustra jetoi midis shekujve VII dhe VI para K. dhe është themelues
i religjionit të vjetër persian, mazdaizmit.
* * *
Në fillim të
shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike,
ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë
edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk
kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në “klubin” osman
të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet ‘40 të
shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj
konsullorë.
Studimet rreth
Shqipërisë e shqiptarëve hyrën në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve
shqiptare – autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit,
Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më
komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe
krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të
gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht
autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të
shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur
Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një
objekt hetimi për Evropën shkencore.
Në pashallëkun e Ali
pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive
të mëdha, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet
shqiptare bashkëkohore dhe të së kaluarës.
Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën
vetëm Pukëvili dhe Liku. Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të
kundërta. Studiuesi francez, Pukëvil pranon pikëpamjen fantastike të autorëve
bizantinë - Laonik Halkokondilit, të teologut, përkatësisht historianit
kishtar francez Mishel Le Quien dhe të historianit kishtar Xhuzepe
Simone Asemani të mesit të shekullit XVIII, që i bënin shqiptarët të ardhur
gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e
Kaukazit.
Konsull i përgjithshëm i Perandorisë, më pas edhe i
Mbretërisë franceze në Janinë dhe në Patra ishte akademiku,
diplomati, shkrimtari, fizikani, historiani dhe arkeologu francez Fransua
PUKËVIL (François Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ndoqi nga
afër veprimtarinë e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), themeluesit të
pashallëkut faktikisht autonom të Janinës. Njihet si historiani më i
rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës.
Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në
Shkodër. Në veprat e Pukëvilit
jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Është autor i veprave “Voyage
de la Grèce” (Udhëtim nëpër Greqi, Paris 1820) dhe “Histoire
de la régénération de la Grèce, prej 1740 deri më 1824”) (Historia e
ringjalljes së Greqisë, Paris 1825). Në to jep të dhëna të çmueshme
për vendin, për shqiptarët dhe për shtresat shoqërore të Shqipërisë së Jugut.
Ndonëse ishte armik politik i vezirit të Janinës, provoi më së miri synimet e
tij për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Vlerësimet e Pukëvilit për ta
nxirë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar
kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Vepra e tij përshkohet nga
një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.
Në fillim të shekullit XIX, përfaqësues politik i
qeverisë angleze pranë oborrit të sundimtarit të fuqishëm në Shqipërinë Jugore,
Ali pashë Tepelenës caktohet ushtaraku anglez Martin Uiljam
LIK (Martin William Leake, 14.1.1777 – 6.1.1860). Është autor i dy
veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në
Greqi, 1854) dhe “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e
Veriut, 1835, në katër vëllime).
Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me
karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik me interes për Shqipërinë, jep edhe
shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga
mësuesi Estra Vithkuqari. Liku jep shënime edhe për një fjalor të
gjuhës shqipe.
Në veprën e dytë sjell materiale përshkruese më të
pasura, sidomos për ekonominë, për shoqërinë dhe gjendjen politike të
Shqipërisë së Jugut nën sundimin e Ali pashë Tepelenës, si dhe për vendburimet
arkeologjike. Liku mbështeti prejardhjen ilire të gjuhës shqipe.
Me punimet e Pukëvilit
dhe të Likut bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të
pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë
së tij.
* * *
Për qëllime njohëse
dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglez Xhorxh
Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kem
Hobhaus* (1786-1869) deri te etnografi francez Ami Bue (Ami
Boué, 1794-1881) dhe arkeologu francez Leon Hezej (Léon Heuzey,
1831-1922). Në këngën e dytë të poemës së vet “Shtegtimet e Çajld Haroldit”
(1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe
mikpritjen e shqiptarëve.
Shënim: Xhon Kem
Hobhaus (John Cam Hobhouse, më vonë Lord Broughton, 1786-1869) ka qenë
personalitet politik dhe letrar anglez, mik i ngushtë i poetit Xhorxh Gordon
Bajron, të cilin e shoqëroi në udhëtimet e tij në Shqipëri, në Greqi dhe në
Turqi. Përshkrimin e këtij udhëtimi edha në veprën “A journey through
Albania and other provences of Turkey in Europa and Asia.....during the years
1809-1810” (Udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë
dhe Azi.....në vitet 1809-1810, Londër 1813, botim i ripunuar më 1855).
Udhëtimi i Xhorxh Hobhausit në Shqipëri përfshin jugperëndimin deri në
Tepelenë. Midis tjerash, ai shkruan: “Kur banorët e viseve të tjera të
Ballkanit pyeten se cilët janë, ata përgjigjen: “jemi muhamedanë” ose “jemi të
krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “jam shqiptar”.
Në fund të librit, Hobhaus boton në anglisht edhe gramatikën shqipe të
studiuesit arbëresh Fraçesko da Leçe* (Francesco da Lecce,
vdiq më 1718) dhe disa këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë, të mbledhura
nga vetë ai.
Shënim: Françeskani
arbëresh At Françesko da Leçe është autor i veprave “Dittionario
italiano-albanese” (Fjalor italisht-shqip, 1702, 228 f.); “Osservazioni
grammaticali nella lingua albanese” (Vështrime mbi gramatikën e gjuhës shqipe, Propaganda
Fide, Romë 1716).
*
* *
Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku
të grekëve të vjetër – Falmerajer
Më 1855 u botua teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në
Universitetin e Hajdelbergut në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet
të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e
Kaukazit në periudhën e mesjetës.
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në
vitin 1857 nga historiani dhe helenisti apo bizantinisti i shquar
austriak i mesit të shekullit XIX, Jakob Filip FALMERAJERI (Jakob
Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe
fantastik të punimit në fjalë. Udhëtoi në vende të Lindjes, në Turqi, në
Maqedoni si dhe në Greqi, ku u njoh me popullsinë arbëreshe. Në veprat e tij,
për prejardhjen grekëve thotë: “Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të
grekëve të vjetër, është një përzierje shqiptarësh dhe sllavësh, në kulturën e
tij popullore nuk ka asnjë gjurmë vazhdimësie të trashëgimit kulturor antik”.
Kjo pikëpamje e bëri atë një nga figurat më të luftuar në Greqi.
Ishte i pari që dëshmoi
në mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi. Në veprën e tij në dy vëllime “Geschichte
der Halbinsel Morea wahrend des Mittelalters” (Historia e Gadishullit të Moresë
gjatë mesjetës, Munih 1830-1836) si dhe “Das albanesische
Element in Griechenland” (Elementi shqiptar në Greqi, Munih 1857-1861) përshkruan
situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na
dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë
mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit.
Në to trajton edhe historinë e mërgimit dhe të përhapjes së gjerë të
shqiptarëve në trevat greke. Historinë e shqiptarëve në trevat nga u nisën, në
kuadrin e Perandorisë Bizantine dhe në ndeshjen e tyre me osmanët, e
quan një “tragjedi historike”.
Falmerajeri zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të
jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin
shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në
gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë. Shqiptarët
janë një popull ”fantastikisht liridashës” – thotë ky
dijetar i madh.
*
* *
Kur më 1835 Uilliam
Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime në Greqinë e
veriut”, në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit dhe
albanologut bavarez Jozef Riter fon KSILANDER (Josef Ritter
Xylander,1794-1854) “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e
shqiptarëve, 1835), në të cilin duke u mbështetur në 3500 fjalë të
shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë
indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare
ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e
ilirishtes dhe shqiptarët – pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se
shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane.
Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e
gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa
e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami BUE (Ami
Boué, 1794-1881), gjatë udhëtimeve nëpër Ballkan, vizitoi edhe Shqipërisë.
Veprat e tij me interes për Shqipërinë janë “La Turquie d’Europe” (Turqia
evropiane, Paris 1840), në katër vëllime; dhe “Recueil
d’itinéraires dans la Turquie d’Europe” (Përmbledhje udhëtimesh në Turqinë
evropiane, Vjenë 1854) në dy vëllime. Megjithëse ka dhënë disa të
vlerësime të diskutueshme, të dhënat e tij kanë vlerë historike njohëse. Në
veprën gjeologjike “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe” (Përshkrim
gjeologjik i Turqisë evropiane, Paris 1840), ndër të tjera ka folur
për vendburimin e serës së Selenicës, për ujërat termale të Dibrës e të
Fushë-Krujës dhe për gjipsin e Vlorës.
Një nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, babai
i albanologjisë Johan Georg fon HAN (Johann Gerge von Hahn, 1811-1869)
ka qenë albanolog austriak me prejardhje gjermane, i lindur në Jenë. Gjatë udhëtimit
në Shqipëri dhe Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsull
i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t’i kushtojë
thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i
cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës
monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi “Albanesische
Studien”(Studime shqiptare, Jena, 1954). Përpos veprës së
sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki”
(Udhëtim nga Beogradi në Selanik, 1858) dhe “Reise durch die
Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të
Vardarit, 1867-1869).
Vëllimet II e III të
“Studimeve shqiptare” u kushtohen çështjeve të gjuhës. E shtroi
shumë më gjerë se paraardhësit çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe të
shqipes. Shfrytëzoi burimet antike që flisnin për karakterin jogrek të ilirëve,
të epirotëve dhe të maqedonasve. Duke ndjekur rrugën e H. Tunmanit
shfrytëzoi edhe toponomastikën dhe shpjegoi përmes shqipes shumë
toponime ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vijuese e
drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe u bë një
mbrojtës i vendosur i tezës së autoktonisë së shqiptarëve në viset e tyre të
sotme. Sipas Hanit, ilirishtja është gjë gjuhë pellazge në
kuptimin e gjerë të fjalës. Sipas tij, ilirët ishin një nga degët themelore të
popullsisë paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër. Mendimi i tij ishte në
kundërshti me tezën e përhapur në shek.. XIX se “shqipja lidhej me greqishten
si gjuhë motra, për shkak të prejardhje së përbashkët të shqiptarëve dhe
grekëve prej pellazgëve”. Mendimi Hanit u shërbeu rilindësve shqiptarë
të cilët kërkonin që shqiptarët të njihen si një popull më vete, me rrugë
historike të veçantë.
Në veprën “Studime
shqiptare” Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen
ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që
kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq
i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm
janë banorët e hershëm parasllavë të atij vendi.” Më 1868 Hani boton në
Vjenë veprën “Udhëtim nga Beogradi në Selanik”. Ai riformulon pikëpamjen
e tij për autoktoninë e shqiptarëve. “Ne mund të pranojmë në
mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të
epirotëve të lashtë” (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan
vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh
prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e
banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i
autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana
e kundërshtarëve të autoktonisë.
Në veprën e dytë “Udhëtim
nga Beogradi në Selanik” përshkruan trevat lindore të banuara prej
shqiptarëve, në një kohë kur ende nuk kishte filluar shpërngulja e tyre nën
trysninë e shtetit serb. Në veprën e tretë “Udhëtime nëpër viset e Drinit
dhe të Vardarit” jep material të pasur dhe me vlerë për kushtet e jetesës
të popullsisë së malësive, për institucionet juridike-shoqërore dhe për
kulturën e saj.
Më 1864 botoi në
gjermanisht dy vëllime me përralla greke dhe shqiptare “Griechische und
Albanesische Märchen”. Pason vepra “Sagwissenschaftliche Studien”
(Studime për gojëdhënat, Jenë 1872, 1876, në dy vëllime). U
mor edhe me mitet dhe besimet popullore, me poezitë popullore, me gojëdhënat
dhe me përrallat shqiptare. Në fushën e etnologjisë dha i pari një
paraqitje të “Ligjit të Maleve”, Kanunit të Malësisë së Madhe. Vërejti “Kanunin
e Dukagjinit” për viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” për
Matin e Dibrën.
Profesori slloven i
Universitetit të Vjenës, akademik në Austri, Franc MIKLOSIÇ (Franz
Miklosich, 1813-1891) ka qenë sllavist, ballkanolog dhe albanolog, Ka botuar
edhe studime për gjuhën shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime
shqiptare) I, II. Për shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die
slavischen Elemente im Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është
autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen Sprachen” (Gramatika
krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime (1852-1875); mbahet si
themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka përkrahur
tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.
* * *
Në vitin 1877 në Gjermani del studimi
i parë antropologjik për shqiptarët dhe me të bashkë, fillon antropologjia
e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një
figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologu
Rudolf VIRHOV (Rudolf Ludwig Carl Virchov,1821-1902) i njohur si
themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin “Mbi
kraniologjinë e ilirëve”. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat
studiuar, Virhovi i identifikon me ilirët.
Nga fundi i shekullit të XIX HELBIG-u
zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste
janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të
Adriatikut.
Mesapët ishin një fis joitalik që në
Italinë Jugore, në pjesën lindore të Gadishullit të Apenineve, kishin emigruar nga Epiri dhe
Iliria. Ata ishin një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t’i
deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen.
Studiuesi gjerman S. BUGE në vitet ‘90 të shekullit XIX botoi punimin “Mesapishtja
dhe shqipja“ ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së
mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.
Në vitin 1861, arkeologu dhe natyralist francez Leon
HËZEJ (Léon Heuzey, 1831-1922) vizitoi Shqipërinë për të studiuar terrenin
ilir dhe maqedonas të përshkruar nga prijësi ushtarak romak, shkrimtar dhe
burrë shteti Kaj Jul Cezar (Caius Julius Caesar, 100-44 para K.)
në luftën me gjeneralin romak dhe burrin e shtetit, Pompeun (Gnaeus
Pompeius Magnus, 106-48 para K.). U kushtoi vëmendje të veçantë qyteteve
dhe monumenteve arkeologjike. Zbuloi i pari gërmadhat e Orikut dhe planimetrinë
e parë të mureve rrethuese të Apolonisë. Kopjoi të gjitha mbishkrimet greke,
latine e bizantine që ndeshi në këtë udhëtim dhe paraqiti në vizatime një tog
pjesësh arkitektonike dhe skulpturash nga Apolonia dhe Durrësi. Monumentet më
me vlerë historike e artistike, ndër to edhe mbishkrimin e fshatit Arapaj që
bën fjalë për ujësjellësin e Dyrrahut (shekulli II) i nisi për në muzeun e Luvrit
(Louvre). Bashkë me arkitektin Honore Dome (Pierre Jérôme
Honoré Daumet, 1826-1911) botoi dy vëllime me titullin “Mission
Archeologique de MacedoineI (Mision arkeologjik në Maqedoni, Paris 1867).
Vepra tjetër “Les Operations militaires de Julius Cesar” (Veprimet ushtarake
të Jul Cezarit, Paris 1886) në pjesën më të madhe zhvilluar në
truallin ilir, ka edhe interes gjeografik e folklorik për gjendjen e trevave
përkatëse në shekullin XIX.
*
* *
Nga mesi i shekullit XIX në
historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej
historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor MOMSEN-it (Theodor
Mommsen, 1817-1903). Ky laureat i çmimit “Nopbel” është autor i veprës
voluminoze “Römisch Geschichte”
(Historia e Romës, Lajpcig 1854-1856).
Në punimin e vitit 1850 “Dialektet e Italisë së Jugut” ai arriti në
përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen.
Në veprën madhore të tij “Historia e Romës”, epirotët e lashtë të prirë
nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të lashtësisë”. Jemi tani në
kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet
e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.
Për shqipen ky moment arrin kulmin me
botimin në vitin 1891 të “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe“ nga albanologu austriak me prejardhje gjermane, një
nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, Gustav MAJER (Gustav
Mejer, 1850-1900). Ka qenë profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në
Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka botuar veprën monumentale “Etymologisches
Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Strasburg
1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische Studien”, I – VI,
(Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Në vëllimin III trajton temën Fonetika
e pjesës indoevropiane të shqipes, që është e para fonetikë historike
gjuhës shqipe. Në vëllimin V flet për të folmet shqipe në Greqi. Ka botuar edhe “Kurzgefasste albanesische
Grammatik” (Gramatikë e përmbledhur e shqipes, Lajpcig 1888), Vuri
në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke.
Falë punës së tij, faktet eshqipes zunë më shumë vend në gjuhësinë
krahasuese indoevropiane. Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe
vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë një vend më vete në rrethin e gjuhëve
indoevropiane.
Historiani çek, profesor në Universitetin e Pragës, e më
pas në Vjenë, Konstantin JIREÇEK (1854-1918) është autor i një vargu
studimesh për vendet e Ballkanit, ndërmjet tyre disa edhe për Shqipërinë.
Bashkë me L. Taloçin dhe M. Shuflajin botoi “Acta et diplomata res Albaniae
mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështjet e
Shqipërisë Mesjetare) vëll. I-II, Vjenë 1913-1916.
Gjuhëtari, ballkanologu dhe albanologu gjerman Gustav
VAJGAND (Gustav Weigand, 1860-1930) është i njohur sidomos si studiues i
gjuhës rumune. Hartoi atlasin e parë dialektor të rumanishtes*.
U mor edhe me studimin e gjuhëve të tjera të Evropës Juglindore, sidomos me
gjuhën shqipe dhe me bullgarishten. Dukuritë e përbashkëta të këtyre tri
gjuhëve i lidhi me një substrat të përbashkët trak. Ishte përfaqësuesi
kryesor i tezës se gjuha shqipe buron nga trakishtja. Këtë tezë e shtroi
në artikullin: “A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakasve”
të botuar në vitin 1927. Po atë vit, gjuhëtari Aleksandër Xhuvani
(1880-1961) artikullin e përktheu në shqip dhe e botoi në revistën “Dituria”.
G. Vajgandi ka botuar një gramatikë të gegërishtes jugore me titull “Albanesische
Grammatik im südgegischen Dialekt” (Gramatike e shqipes së gegërishtes
jugore, Lajpcig 1913). Kjo gramatikë mbështetet në materialet e të
folmeve të Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit. Përpos shpjegimeve
gramatikore, libri përmban edhe ushtrime, copa leximi dhe përralla. Ka botuar
edhe një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip: “Albanesisch-Deutsches
und Deutsch-Albanesisches Wörterbuch”, Lajpcig 1914.
Shënim: Atlasi
dialektologjik i gjuhës shqipe është vepër sintetike themelore e
dialektologjisë shqiptare që paraqet tiparet gjuhësore të dialekteve të gjuhës
shqipe me metodën e gjeografisë gjuhësore dhe gjendjen e studimit të tyre.
Vepra përfundoi së hartuari në vitin 1990 nga një grup dialektologësh të
Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHSH, si: gjuhëtari e dialektologu
Jorgji Gjinari (1931-2020) – drejtues shkencor; gjuhëtari Bahri
Beci (1936); studiuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe Gjovalin
Shkurtaj (1943), studiuesi e dialektologu Xheladin
Gosturani (1942-2000). Bashkëpunuan: gjuhëtari Menella Totoni (1935)
dhe gjuhëtari Anastas Dodi (Vlorë, 1933 – Filadelfia, 2008). A.
Dodi është autor i veprës “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe”,
Tiranë 2004, botuar nga ASH. Vëllimi i parë i “Atlasit dialektologjik të
gjuhës shqipe” u botua në vitin 2007 nga departamenti i studimeve të
Evropës Lindore në Universitetin e Napolit (Universitä degli Studi di Napoli
L’Orientale).
*
* *
Me shqipen është marrë filologu,
neogramatikani dhe romanisti me prejardhje zvicerane Vilhelm MAJER-LYBKE (Vilhelm
Meyer-Lübke, 1861-1936). Është autor i studimit të gjatë “Rumänisch,
romanisch, abanesisch”. E ka ripunuar studimin e albanologut austriak Gustav
Majerit (Mejer) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet
latine në shqip). Është autor i veprës madhore “Grammatik der
Romanischen Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj.
Një nga themeluesit e arkeologjisë ilire është arkeologu
dhe historiani austriak Karl PAÇ (Carl Patsch, 1865-1945). Prej viti
1921 ishte profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i Institutit
Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi edhe mbi
Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das
Sandschak Berat in Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë
1904). Në vitet 1922-1924 punoi në Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet
për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy libra: “Ilirët” dhe
“Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë
1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake
në trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për
përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga studimet
e mëvonshme.
Për ilirishten dhe shqipen ka shkruar edhe
gjuhëtari austriak me prejardhje gjermane, indoevropianisti dhe grecisti i
njohur Paul KREÇMER (Paul Kretschmer, 1866-1956). Ka qenë një prej
profesorëve të Eqrem Çabejit në Universitetin e Vjenës.
Ndihmesë të vyer për historinë e popullit shqiptar ka
dhënë historiani rumun me prejardhje shqiptare Nikolla JORGA (Nicolae
Iorga, 1871-1940). Në vitet 1915-1916 botoi në Bukuresht, në gjuhë të huaja
disa vëllime me titull “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së
kryqëzatave të shekullit XV”. Aty jep një material të pasur dokumentar për
luftërat kundërosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së Gjergj Kastriotit.
Në vitin 1915, në Bibliotekën Laurentiane të Firences zbuloi dokumentin e parë
të gjuhës shqipe “Formula e pagëzimit” të vitit 1462, shkruar nga
kryepeshkopi i Durrësit, bashkëpunëtor dhe këshilltari i Gjergj Kastriotit, Pal
Engjëlli (rreth 1417-1470). Në vitin 1915 N. Jorga e botoi Formulën e
pagëzimit. Në vitin 1919 botoi veprën “Brève histoire de l’Albanie et du
peuple albanaise”), (Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit
shqiptar”, Bukuresht 1919). Më pas botoi veprën “Histori e
shteteve të Ballkanit deri më 1924”, Paris 1925) ku çështje të
historisë së Shqipërisë zënë një vend të dukshëm. Jorga u vra nga forcat
fashiste rumune Garda e Hekurt.
Në fillim të shekullit XX pasuan
studime të tjera për shqiptarët, si ato të studiuesit italian Françesko RIBEKO
(Francesco Ribezzo, 1875-1952).
Gjuhëtari dhe albanologu i shquar austriak me prejardhje
çifute Norbert JOKL (Norbert Jokl, 1877-1942) lindi në Bzenec të
Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si autodidakt. Si kryebibliotekist
në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për
shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më 1972, me
rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u organizua një
konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë
jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Punoi në fushën e
etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të
shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të
saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen
Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe
fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische
Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë
gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe
studime të tjera. I çoi përpara gjurmimet etimologjike shqiptare, hodhi
dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin
vendës të mjaft elementeve të mbajtura si huazime.
Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe
në organin vjetor ndërkombëtar “Indogermanisches Jahrbuch” (1916-1940),
ku paraqiti sistematikisht të gjitha botimet albanologjike të atyre viteve.
Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së
pavarësisë, vizitoi Shqipërinë. Hulumtoi problemin e burimit të shqipes. I
shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me
ilirishten dhe trakishten. Shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së shqipes, duke
bërë një sintezë të tezave ilire dhe trake. Mbrojti autoktoninë e
shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë,
Kosova e sotme.
Gjuhëtari dhe albanologu austriak Maksimilian LAMBERC (Maximilian
Lambertz, 1882-1963) studioi dialektet arbëreshe, ndarjen dialektore të shqipes, folklorin.
Gjatë Luftës I Botërore bëri një udhëtim studimi në Shqipëri, mblodhi lëndë
folklorike e dialektore dhe mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe*.
Ka botuar disa vepra për folklorin. Studime themelore të tij
janë “Die Volkspoesie der albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë
1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen
Volkskunde” (Përralla shqiptare dhe tekste të tjera nga folklori shqiptar, Vjenë
1922), “Shqipëria rrëfen”, (1956), studimin për ciklin shqiptar të
kreshnikëve “Epika popullore shqiptare”, (1958). Pas vdekjes u botua
punimi “Mitologjia shqiptare” (1969). Më 1914, në fushën e sintaksës,
botoi një monografi për periudhën hipotetike të shqipes. Pas Luftës II Botërore
u vendos në RD Gjermane. Botoi “Fjalor shqip-gjermanisht” (1954),
“Antologji shqipe” (1955), “Gramatikë” (1959). Shkroi artikuj dhe
recensione për botime gjuhësore dhe letrare shqipe. Përktheu në gjermanisht dhe
botoi poemën “Lahuta e malcís” të Gjergj Fishtës (1871-1940), si
dhe dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, 1916-2002).
Shënim: Komisia
Letrare Shqipe (1916-1918) është komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh që u
ngrit në Shkodër më 1916 pranë Drejtorisë së Arsimit me nismën e një grupi
intelektualësh shqiptarë dhe me mbështetjen e konsullit të përgjithshëm të
Austro-Hungarisë e të Komandës ushtarake austriake në Shkodër, për të zgjidhur
probleme të arsimit dhe gjuhës letrare pas Kongresit të Manastirit (1908). Në
të morën pjesë Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Hil Mosi, Sotir Peci, Mati
Logoreci, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Ndre Mjeda, Ambroz Marlaskaj,
Ndue Paluca, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi, Luigj Naraçi, Josif Haxhimima
të cilët e vunë punën e KLSh në shërbim të çështjes kombëtare. Kryetar u caktua
Gjergj Pekmezi.
*
* *
Studiuesi i historisë së gjuhës shqipe Henrik BARIQ (Henrik
Bari?, Dubrovnik, 1888 – Beograd, 1957) ka qenë gjuhëtar kroat, ballkanolog dhe
albanolog. Në vitin 1906 i filloi studimet në Grac dhe në Vjenë. Studioi
gjuhësinë e përgjithshme, gramatikën krahasuese, romanistikën dhe sllavistikën.
Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Vjenë. Më 1920, docent, më 1923
profesor inordinar, ndërsa më 1930, profesor ordinar në Universitetin e
Beogradit. Pas Luftës II Botërore, profesor ordinar edhe në Universitetin e
Sarajevës. Në vitet 1923-1926 botoi revistën “Arhiv za arbanasku starinu,
jezik i etnologiju“ (Arkivi i lashtësisë, i gjuhës dhe i etnologjisë shqiptare).
Është autor i veprave: „Älbanorumänische Studien I“ (Studime
rumune-shqiptare, Sarajevë 1919), „Ilirske jezi?ne studije I“ (Studime
gjuhësore ilire I, Zagreb 1948), „Poreklo Arbanasa u svetlu
jezika“ (Prejardhja e shqiptarëve në dritën e gjuhës, Sarajevë 1954),
„Hymje në historinë e gjuhës shqipe“ (Prishtinë 1955), botuar në Sarajevë
më 1959 edhe serbisht-kroatisht. Ka botuar edhe një varg artikujsh. Ndërmori
një fjalor serokroatisht-shqip nga i cili u botua vetëm pjesa e parë „Re?nik
srpskoga ili hrvatskoga i arbanaškoga jezika“, Zagreb 1950. Në shqyrtimet
etimologjike të tij, H. Bariqi e shtoi fondin e njohur indoevropian të shqipes
dhe trajtoi disa dukuri të fonetikës historike të saj. Trajtoi përkimet
gjuhësore ndërmjet shqipes dhe rumanishtes dhe mbështeti tezën trake të
prejardhjes së gjuhës shqipe.
Në vitet ‘30 të shekullit XX pasuan
studimet e gjuhëtarit gjerman Albreht fon BLUMENTAL (Albrecht von
Blumenthal, 1889-1945), kurse në vitet ‘60 të atij shekulli – studimet e O. HAS-it.
Historiani kroat Millan SHUFLAJ (Milan Šufflay, 1897-1931) është studiues i
historisë mesjetare shqiptare. Pas një udhëtimi në Shqipëri u vra barbarisht
nga policia jugosllave. Bashkë me historianin hungarez Ludovik Taloçi (Lajos
ose Ludwig Thalloczy, 1854/56-1916) dhe historianin çek Konstantin Jireçek (1854-1918)
botoi më 1913 dhe 1918 vëll. I e II të përmbledhjes “Acta et diplomata res
Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë
çështje të Shqipërisë mesjetare, vëll. I-II, Vjenë 1913-1916). Me
bashkautorët e mësipërm botoi përmbledhjen me studime “Illyrisch-Albanische
Forschungen” (Studime iliro-shqiptare, I-II, Lajpcig 1916). Më 1924
u botua nga Akademia e Shkencave e Vjenës vepra “Städte und Bürgen Albaniens
hauptsächlich während des Mittelalters” (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë
kryesisht gjatë Mesjetës). Pasojnë punimet “Povijest sjevrnih Arbanasa”
(Historia e shqiptarëve të Veriut) dhe “Srbi i Arbanasi” (Serbët dhe
shqiptarët). Më 1920, me pseudonimin Alba Limi, botoi romanin historik me
temë shqiptare Konstantin Balsha”. Historia e shqiptarëve është
për të, histori e një entiteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta
autoktone dhe vazhdimësi të pandërprerë, me aftësi të madhe rigjenerimi. Ajo
përfaqëson thelbin autentik të historisë së Ballkanit të lashtë.
Gjuhëtari gjerman, indoevropianist Hans KRAHE (1898-1965)
u mor me zbërthimin e venetishtes dhe të ilirishtes, e në mënyrë
të veçantë me problemin e gjuhës në kohën parahistorike, kryesisht në bazë të
emrave të lashtë të ujërave (hidronimisë). Studioi emrat ilirë të vendeve dhe
të njerëzve. Është autor i veprave “Die alten balkanillyrischen
geographischen Namen” (Emrat e vjetër gjeografikë të ilirishtes ballkanike, Hajdelberg
1925); “Lexikon altillyrischer Personennamen “ (Fjalor i emrave të
vjetër vetjakë ilirë, Hajdelberg 1929); “Die Sprache der Illyrier”
(Gjuha e ilirëve, Visbaden 1955). I ndikuar edhe nga teza e “panilirizmit”,
e përhapur që nga fundi i shek.. XIX, ai besonte se kishte gjetur mbetje të
ilirishtes në të gjithë Evropën, duke arritur në përfundim se këto ishin gjurmë
të përhapjes së dikurshme të ilirëve. Ky koncept sot quhet i tejkaluar. Vetë H.
Krahe e pati rishikuar këtë tezë në studimin “Vom Illyrischen zum
Alteuropäischen” (Nga ilirishtja në evropianishten e vjetër) të vitit 1964.
Në të, emrat e diskutueshëm të vendeve ia atribuon një substrati të vjetër
indoevropian të përbashkët.
Gjuhëtari italian Karlo TALJAVINI (Carlo
Tagliavini, 1903-1982) ishte romanist, ballkanolog e albanolog. Profesor në
Universitetin e Padovës, ku mbajti vite me radhë ligjërata për gjuhën e për
letërsinë shqipe. Botoi studime dhe artikuj për çështje të dialektologjisë, të
leksikologjisë historike, të historisë së gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë
shqiptare. Prej vitit 1941 mbajti për disa vjet rubrikën bibliografike për
albanologjinë dhe ballkanistikën në organin “Indogermanisches Jahrbuch”.
Në veprën “L’albanese di Dalmazia” (Shqipja e Dalmacisë, Firence
1937) flet për të folmen shqipe të Borgo Ericos (Arbëneshit) të afër
Zarës. Në punimin “Stratificazzione del lessico albanese. Elementi
indoeuropei” (Shtresëzimi i leksikut të shqipes. Elementet indoevropiane, Bolonjë
1965) ka dhënë ndihmesë për studimet etimologjike në fushë të shqipes.
Hartoi monografinë dialektologjike “Le parlate albanesi di tipo Ghego
orientale (Dardania e Macedonia nordocidentale)” (Të folmet shqipe të tipit të
gegërishtes lindore. Dardania dhe Maqedonia veriperëndimore, Romë 1942)
në të cilën dha edhe disa tipare të të folmeve të Kosovës e të Maqedonisë. Në
vëllimin “Stratificazzione del lesicco albanese” (1943, 1965) u botua
një pjesë e kursit për gjuhën shqipe të mbajtur prej tij.
Gjuhëtari rumun, ballkanolog dhe albanolog Haralamb
MIHËESKU (Haralambie Mihaescu, 1907-1985) për gjuhën shqipe flet në veprën “Les
elements latins de la langue albanaise” (Elementet latine të gjuhës shqipe, 1966).
Ka sjellë ndihmesa në kritikën shkencore me recensionet për vepra rreth gjuhës
shqipe. Ka marrë pjesë në veprimtari shkencore albanologjike. Ka sjellë
argumente për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe autoktoninë e hershme të
popullit shqiptar në trevat e tij të sotme.
Gjuhëtari bullgar, indoevropianist, ballkanolog dhe
albanolog Vladimir GEORGIEV (Vladimir Georgiev, 1908-1986) studioi në
Sofje filologjinë klasike. Në vitet 1932-1934 kreu një specializim në Vjenë. U
mor me probleme të gjuhëve ballkanike, të gjuhësisë indoevropiane dhe të
gjuhëve sllave. Në kuadër të studimeve ballkanologjike trajtoi gjendjen
gjuhësore të Ballkanit në lashtësi, probleme të etnogjenezës së popujve të
Ballkanit sipas të dhënave gjuhësore, lidhjet ndërmjet popujve të lashtë të
këtij gadishulli – ilirëve, trakasve dhe grekëve,
probleme të substratit ballkanik dhe të lidhjes gjuhësore ballkanike.
Mbrojti tezën se në pjesën lindore të këtij gadishulli banonin trakasit
në jug dhe dakogetët në veri. Gjuhën shqipe, për nga burimi, e mendonte
të afërt me dakomizishten. Është autor i disa veprave studimore. Midis
tyre edhe vepra “Introduction to the History of the Indo-European Languages”
(Hyrje në historinë e gjuhëve indoevropiane, Sofje 1981). Tregoi interesim
për gjuhët e vdekura, si pellazgjishtja, hetitishtja, etruskishtja.
Në vitin 1963 u themelua Shoqata Ndërkombëtare e
Studimeve për Evropën Juglindore (Association Internationale d’Études du
Sud-Est Européen - AIESEE). Sekretariati i Përgjithshëm e ka selinë në
Bukuresht. V. Georgiev u zgjodh kryetar i parë i saj.
Gjuhëtari dhe albanologu francez Anri BUASËN (Henri
Boissin, 1910-1975) diplomoi për anglishten, për disa gjuhë ballkanike,
fino-ugrike dhe më 1949 edhe për shqipen. Me kursin e tij “Hyrje në
albanologji” (1949) mund të merret si themelues i mësimit të shqipes në
Francë. Degën e shqipes e drejtoi deri në vitin 1968. Me disertacionin “Le
dialect guégue parlé à Arbanasi en Dalmatie” (Dialekti gegë që flitet
tek arbanasit në Dalmaci) solli ndihmesë të re në studimet dialektore.
Vepra kryesore e tij është “Grammaire de l’albanais moderne” (Gramatikë e
shqipes së sotme, Paris 1975). Për shqipen dhe letërsinë shqipe ka
shkruar një varg artikujsh. Më 1962, mori pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve
Albanologjike të mbajtur në Tiranë.
Gjuhëtarja dhe albanologia ruse Agnia Vasilevna
DESNICKAJA (1912-1992) studioi për filologji gjermane në Leningrad. Në
vitet 1976-1988 drejtoi sektorin e studimeve krahasuese-historike të gjuhëve
indoevropiane dhe të gjuhësisë areale. Aty u shfaq interesimi për
ballkanistikën, e posaçërisht për gjuhën shqipe. Në vitin 1957, në Fakultetin e
Filologjisë të Universitetit të Leningradit, themeloi degën e gjuhës e të
letërsisë shqipe të cilën e drejtoi deri në vitin 1992. Në vitin 1946 vizitoi
Shqipërinë. Më 1957 përsëri vjen në Shqipëri, por tani për qëllime studimi. Po
këtë vit nisi botimi i punimeve të saj kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Mori pjesë disa herë në veprimtaritë shkencore të mbajtura në Prishtinë në
vitet 1974-1986. Në vitin 1990 mori pjesë në kolokuiumin e mbajtur në
Tiranë, kushtuar Naim Frashërit.
A. Desnickaja u mor me një varg fushash të studimeve
shqiptare: me historinë e gjuhës, dialektologjinë, huazimet leksikore,
strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet
ballkanike të shqipes, letërsinë shqipe dhe epikën. I përmbahej mendimit
për prejardhjen ilire të shqipes. I dha rëndësi rindërtimit të
brendshëm të gjendjes së shqipes së vjetër dhe integrimit në indoevropianistikë
të këtij vështrimi me të dhëna të reja rreth shqipes. Ka treguar disa tipare të
përbashkëta të shqipes me gjuhët gjermane. Është autore e veprës “Albanskyj
jazyk i ego dialekty” (Gjuha shqipe dhe dialektet e saj, Prishtinë
1972) dhe e përmbledhjes “Letërsia shqipe dhe gjuha shqipe”
(1987). Paraqiti një tezë origjinale për eposin shqiptar, duke pohuar se
ai u formua në etapën e fundit të rendit fisnor, por më vonë mori mbishtresa të
reja. Në veprën “Istoria vsemirnoj literatury” (Historia e letërsisë
botërore). Në këtë vepër me shumë vëllime, letërsinë shqipe e përfshiu me
tre krerë, Moskë, vëll. 5, 1988; vëll. 6, 1989; vëll. 7, 1991.
Gjuhëtari amerikan Erik Pret HEMP (Eric Pratt
Hamp, 1920/21-2019) është një nga indoevropianistët e sotm më në zë. Është edhe
albanolog. Anëtar i jashtëm i ASHSH dhe i ASHK. Është marrë edhe me studimin e
shqipes. Ka shkruar një varg artikujsh për etimologjinë e një numri fjalësh të
shqipes, për fonetikën historike, për numërorët e shqipes, për vendin e shqipes
në familjen e gjuhëve indoevropiane, për marrëdhëniet e shqipes me mesapishten,
për tiparet ballkanike të shqipes, për të folmen shqipe të arbëreshëve dhe të
arvanitasve. Është autor i studimeve “On the Arvanitika dialects of Attica
and Megarit” (Të folmet arvanitase të Atikës dhe të Megaridës, 1961);
“The Albanian dialect of Mandres” (E folmja shqipe e Mandrës,1965); “Il
sistema fonologico della parlata di Vaccarizzo Albanese” (Sistemi fonologjik i
së folmes së Vakaricit, Kozencë-Rende, 1993). Është autor i
studimeve “The position of Albanian” (Vendi i shqipes) botuar më 1966 në
“Ancient Indo-European dialcts”; “Albanian” (Shqipja) botuar më 1972 në “Current
Trends in Linguistics”, vëll. 9.
Gjuhëtari kroat Radoslav KATIÇIQ (Radoslav
Kati?i?, Zagreb, 1930 – Vjenë, 2019) është studiues i filologjisë klasike,
indoevropianist, sllavist, ballkanolog dhe indolog. Prej vitit 1977 profesor i
filologjisë sllave në Universitetin e Vjenës. Në fushën e ballkanologjisë ka
shkruar veprën “Ancient Balkan Languages” (Gjuhët e lashta të Ballkanit, 1976),
në dy vëllime. Në të, me argumente historiko-gjuhësore dhe onomastike shtjellon
tezën e prejardhjes ilire të shqipes. Hapësirën onomastike ilire
në lashtësi e ndante në tri zona të mëdha: liburne, panone dhe ilire e
mirëfilltë (Illyrii proprie dicti). Është edhe autor i një libri për
mitologjinë ilire.
*
* *
Historia dhe gjuha e
ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë
e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX, formojnë
një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve si dhe
autoktonia e tyre në të gjitha hapësirat shqiptare të Gadishullit Ballkanik,
sot është pranuar pothuajse në të gjitha qarqet shkencore të Evropës dhe më
gjerë. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve përbën ndërgjegje
kombëtare për kombin shqiptar.
LETËRSIA GOJORE SHQIPTARE DHE
STUDIUESIT E HUAJ – Përmbledhja më e hershme e
letërsisë gojore shqiptare u botua në Gjermani nga Johan georg fon Han në
trevëllimshin “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, Jenë 1854).
Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (Karl Heinrich Theodor
Reinhold, 1810-1880) shërbeu në flotën greke kur u njoh me folklorin shqiptar
nga detarët shqiptarë. Në librin “Noctes Pelasgicae” (Net pellazge, Athinë
1855) botoi një përmbledhje me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të
urta shqiptare, bashkë me një gramatikë të shqipes. Folkloristi italian Xhuzepe
Pitre (Guiseppe Pitrè,
1841-1916) në librin “Fiabe, novelle e racconti popolari siciliani”
(Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane, Palermo 1875, katër
vëllime) botoi një përmbledhje përrallash popullore nga Sicilia.
Konsulli francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891) që e kishte
selinë në Janinë e Selanik, botoi përralla dhe këngë popullore shqiptare në
librin “Manuel de la langue chkipe au albanaise” (Doracak i gjuhës shqipe
ose albaneze, Paris 1879). Pas dy vjetëve botoi librin “Contes
albanais, recueillis et traduits” (Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të
përkthyera, Paris 1881). Gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923)
botoi materiale folklorike shqiptare, ndërto një poezi, dy përralla popullore
dhe 53 fjalë të urta nga krahina e Shkodrës në librin “Prispevky ku poznani
nareci albanskych” (Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes, Pragë
1883). Albanologu austriak Gustav Majeri (Gustav Meyer,
1850-1900) botoi 14 rrëfenja shqiptare në “Albanische Märchen” (Rrëfenja
shqiptare, Lajpcig 1884) si dhe një numër rrëfenjash toske si
shtojcë e gramatikës së ti shqipes “Kurzgefaßte albanesische Grammatik mit
Lesetücken und Glossar” (Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor, Lajpcig
1888). Material folklorik botoi edhe në vëllimet V e VI të “Albanesische
Studien” të tij (Studime shqiptare, Vjenë 1896-1897).
Indoevropianisti danez Holger Pedersen (1867-1954), më 1893 vizitoi
Shqipërinë, për të mësuar gjuhën dhe për të mbledhur material gjuhësor.
Përmbledhja me 35 përralla popullore shqiptare që i regjistroi në Shqipëri dhe
në Korfuz, u botua në librin “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqipe
me fjalor, Lajpcig 1895).