E enjte, 01.05.2025, 11:03 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Dita Ndërkombëtare e Punës

E enjte, 01.05.2025, 07:00 PM


DITA NDËRKOMBËTARE E PUNËS

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Festa e punës apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve që shënohet më 1 maj, është festë shtetërore në mbi 80 shtete të botës.

Çdo vit më 1 maj, anembanë botës shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve apo Festa e Punës. Në dhjetëra shtete, 1 Maji është festë zyrtare, kurse për veprimtarët e të drejtave të punëtorëve, ka rëndësi të veçantë. Kjo ditë shënon kujtimin e luftërave të punëtorëve në të kaluarën kundër shkeljeve të panumërta të të drejtave të punëtorëve, duke përfshirë edhe ditët dhe javët e gjata të punës, kushtet e këqija në punë si dhe shfrytëzimin e punës së fëmijëve.

Përse shënohet 1 maji - Kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, sindikatat, e pastaj edhe socialistët dhe komunistët e zgjodhën 1 majin për Ditë Ndërkombëtare të Punëtorëve. Data ka qenë simbolike, në shenjë kujtimi të aferës Haymarket që kishte ndodhur në Çikago në vitin 1886.

Klasa punëtore e Amerikës, shpeshherë e detyruar të punojë deri 16 orë në ditë në kushte të pasigurta, vite me radhë ka luftuar për të punuar jo më shumë se tetë orë në ditë.

Në tetor të vitit 1884, Federata e Sindikatave të Organizuara të Tregtarëve dhe të Punëtorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë vendosi që më 1 maj 1886 të hyjë në fuqi dita e parë e ditës së punës që do të zgjatë tetë orë.

Sipas vlerësimeve të ndryshme të historianëve, atë ditë në qytete dhe rajone të ndryshme të shtetit, hynë në grevë 300.000 apo 500.000.

Në Çikago e cila ishte qendër e luftës, protestuan dhe hynë në grevë rreth 40.000 njerëz. Deri në 3 maj, greva ishte e bashkërenduar mirë dhe kryesisht nuk kishte dhunë, por me afrimin e fundit të ditës së punës, grevistët në Çikago tentuan t’u kundërvihen kundërshtarëve të grevës   në kompaninë McCornick Harvesting Machine Company. Kundërshtarët e grevës mbroheshin prej kontingjentit të madh të policisë të cilët hapën zjarr ndaj grevistëve, duke vrarë të paktën dy vetë.

Pas një dite, derisa policia tentonte t’i shpërndajë demonstruesit në sheshin Haymarket të Çikagos, ndaj tyre u hodh një bombë me ç’rast humbën jetën shtatë policë dhe të paktën katër civilë. Pas kësaj policia zuri dhe burgosi tetë anarkistë të cilët u dënuan për komplot. Shtatë prej tyre gjykata i dënoi me vdekje, ndërsa njërin me 15 heqje lirie. Katër prej tyre u ekzekutuan me varje, njëri bëri vetëvrasje, kurse dy të tjerëve, dënimi me vdekje iu zëvendësua me burg të përjetshëm. Shumë njerëz të së majtës, duke përfshirë edhe socialistët edhe anarkistët, ata që vdiqën i konsiderojnë “martirë të Haymarketit”.

Në vitin 1889, Internacionalja e Dytë – organizatë ndërkombëtare e punëtorëve dhe e socialistëve – e shpalli 1 majin Ditë Ndërkombëtare të Punëtorëve. Afera Haymarket u bë një lëvizje e gjerë e punëtorëve.

Historia e festës pas vitit 1916 – Në vitin 1916 u vendos në ShBA dita tetëorëshe e punës. Kjo u mbështet nga Internacionalja Komuniste, nga koalicioni ndërkombëtar i partive socialiste dhe komuniste si dhe nga partitë komuniste dhe socialiste të shteteve të ndryshme të botës.

Po atë vit, derisa vazhdonte Lufta I Botërore, grevat dhe konfliktet me policinë në ShBA dhe në disa shtete të Evropës ishin të nxitura nga disponimi masiv kundër luftës si dhe nga lufta për të drejta e punëtorëve.

Në vitin 1917, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën hyrjen në luftë, socialistë dhe majtistët e tjerë demonstruan kundër gjakderdhjes.

Në vitin 1936 gratë punëtore organizuan në Nju-Jork paradën e 1 Majit (New York Daily News / Archive via Getty Images).

Udhëheqësit marksistë në mbarë botën, midis të cilëve edhe Roza Luksemburg* dhe Vladimir Iliç Ulanov, i njohur si Lenin (1870-1924), thoshin se shtetet kapitaliste dhe imperialiste shkaktojnë luftëra me qëllim që pjesëtarët e klasës punëtore ndërkombëtare të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Ata thoshin se punëtorët duhet të bashkohen për të bërë luftë revolucionare kundër klasave sunduese në vendet e veta. Katër ditë pas revolucionit që e shembi pushtetin carist në Rusi, me një dekret u vendos orari tetëorësh i punës.

Shënim: Ruza Luksemburgu (Rosa Luxemburg, 1871-1919) është revolucionare, marksiste, komuniste gjermane me prejardhje hebraike, shkrimtare, filozofe dhe veprimtare kundër luftës, një prej mendjeve më të rëndësishme në kanunin e mendimit revolucionar socialist. E vranë në moshën 47-vjeçare frajkorët – formacion paramilitar djathtist i krijuar në trazirat shoqërore dhe politike pas mbarimit të Luftës I Botërore.

*   *   *

Në ShBA nuk festohet 1 Maji – Dita e Punës apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve që shënohet më 1 maj është festë shtetërore në mbi 80 vende të botës. Edhe pse kjo ditë e ka prejardhjen prej luftës së punëtorëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e njohin 1 majin si festë zyrtare të punës, por Festën e vet të punës (Labor Day) e festojnë të hënën e parë të shtatorit. Caktimi i festës së punës në atë datë ndërlidhet me Grevën e Pullmanit të vitit 1894. Kjo ka qenë një grevë e madhe e punëtorëve të hekurudhave dhe bojkot* i cili tej mase e çrregulloi qarkullimin hekurudhor në Perëndimin qendror të ShBA-së.

Presidenti amerikan i atëhershëm Stefan Grover Kleveland (Stephen Grover Cleveland, 18837-1908) u dha urdhër njësive federale që ta mposhtin grevën. Në konfliktet e dhunshme nëpër rrugët e Çikagos ka pasur shumë të vrarë. Gjatë trazirave – të cilat në fund shkaktuan ndalimin e qeverisë federale – presidenti Klevland, në shenjë kujtimi të punëtorëve propozoi përcaktimin e festës shtetërore. Zgjedhje më e mundshme ka qenë ose Festa e Punës ose 1 Maji. Por, prejardhja socialiste e 1 Majit dhe lidhja e tij me trazira të ndryshme të punëtorëve, sidomos me aferën Jaymarket në Çikago në vitin 1886, 1 Majin e bënë të papranueshëm.

Ka do paqartësi rreth faktit se si ka ndodhur kremtimi i Festës së Punës në shtator. Shumë burime i referohen udhëheqësit sindikalist Peter J. McGuire (1852-1906) i cili në vitin 1881 e themelon United Brotherhood of Carpenters. I referohen edhe Metju Meguirit (Matthew Maguire, 1842-1915), makinistit dhe sekretarit të Sindikatë Qendrore të Punës (CLU). Një prej burrave i propozon CLU-së të organizohet kremtim në nder të punëtorëve amerikanë. Më 5 shtator 1882, rreth 10.000 punëtorë, nën patronazhin e organizatës së punëtorëve “Knights of Labor” mbajti një paradë në Nju-Jork. Britannica shkruan se nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë për atë datë. McGuire thotë se ajo datë është zgjedhur për arsye se ka rënë në midis Ditës së Pavarësisë – 4 korrikut dhe Ditës së Falënderimit.

Në vitin 1884 “Knights of Labor” miratoi rezolutë që e hëna e parë e shtatorit të konsiderohet festë e punës. Ideja u përhap shpejt dhe që vitin e ardhshëm festa e punës është kremtuar në shumë shtete. Kështu është zgjedhur Festa e Punës, kurse më 18 qershor 1894 presidenti i ShBA-së  Klevland e nënshkruan ligjin me të cilin është shpallur festë federale zyrtare.

Edhe Kanadaja Ditën e vet të Punës e feston të hënën e parë të shtatorit.

Shënim: Bojkot (anglisht: boycott) – është formë e luftës politike dhe ekonomike që nënkupton ndërprerjen e plotë apo të pjesshëm të marrëdhënieve me ndonjë person, organizatë apo shtet të caktuar; nuk blen prej tyre mall të caktuar. Këtë formë lufte e kanë përdorur për herë të parë në vitin 1879 qiramarrësit irlandezë ndaj administruesit të urryer anglez të quajtur Boycott.

*   *   *

Traditat pagane – Disa shtete evropiane në ditën e 1 majit festojnë festa të tjera të cilat janë rrënjosur në traditat pagane dhe dallohen nga shteti në shtet. Për shembull finlandezët kanë festë që e quajnë Vappu, sipas shenjtores Walpurge, e cila është shpallur e shenjtë më 1 maj të viti 870, kurse nata prej 30n prillit në 1 maj është bërë Natë e Valpurgut. Për 1 maj finlandezët kanë ndërlidhur disa tradita në një ditë – tradita katolike, pranverën pagane dhe festat e studentëve dhe të punëtorëve.

Estonët e festojnë Ditën e pranverës e cila ka rrënjë antike dhe nënkupton kremtimin e ardhjes së pranverës pas një dimri të gjatë.

Polakët, pas rënies së komunizmit, 1 majin e festojnë si festë shtetërore por jozyrtarisht quhet Festë e Punës. Një maji e përcjell Ditën e Kushtetutës e cila shënohet më 3 maj. Këto dy data bashkërisht shpesh rezultojnë me një fundjave të gjatë të quajtur Majówka, e cila mund të zgjasë deri nëntë ditë, prej 28 prillit deri në 6 maj, me kusht që mund të merren vetëm tri ditë të lira. Njerëzit shpesh udhëtojnë, ndërsa jozyrtarisht Majówka në Poloni konsiderohet fillim i stinës së pjekjes së mishit në skarë.

Britani e Madhe dhe Irlanda e festojnë si  festë të hënën e parë pas 1 majit.

Më 1 maj Kazakistani e feston Ditën e Unitetit Popullor të Kazakistanit, ndërsa festa e punës shënohet në javën e fundit të shtatorit.

Japonia nuk e shpallur zyrtarisht 1 majin festë shtetërore, por duke qenë se ndodhet midis festave të tjera shtetërore, për shumicën e punëtorëve ajo është ditë e lirë.

Shtetet e rajonit më 1 maj e shënojnë Ditën e Punës si e vetmja festë zyrtare e trashëguar nga koha e RSFJ-së, ku ajo ka qenë një prej festave kryesore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx