Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kampi i Përqendrimit Goli Otoku
E hene, 30.09.2024, 07:00 PM
KAMPI I PËRQENDRIMIT GOLI OTOKU
Nga
Prof.
Xhelal Zejneli
Goli
Otoku (otok – ishull. Ka të tillë që e interpretojnë si “ishull i zhveshur”
ngase në të nuk ka bimësi as faunë).
Është një ishull i vogël në kanalin e Velebitit në detin Adriatik. Ka
një sipërfaqe prej 4,54 km2 ; vija bregdetare ka një gjatësi prej
14,3 km2 , kurse ishulli ka një lartësi prej 227 metrash. Ishulli
nuk ka pasur asnjë banor. Nga magjistralja e Adriatikut e sheh nga ana
jugore e Senjit.
Pas
Luftës së Dytë Botërore Goli Otoku u shndërrua në kamp përqendrimi më i
madh i Titos.
* * *
Shënim: Gulag (Drejtoria Kryesore e Kampeve Përmirësuese - Pune dhe
e Kolonive) është sinonim për sistemin represiv gjithëpërfshirës në BRSS. Përfshinte kampet e përqendrimit për
punë të detyrueshme dhe burgjet. Numri i përgjithshëm i të burgosurve vlerësohet në rreth
18 milionë njerëz, ndërsa disa burime thonë se bëhet fjalë për 26 milionë vetë.
* * *
Kampi
politik i Goli Otokut është kamp përqendrimi famëkeqe në ishullin me të njëjtin emër për të burgosurit politikë të
Jugosllavisë. U themelua në vitin 1949 me urdhër të udhëheqjes së
Partisë Komuniste dhe të shtetit, në kuadër të “spastrimit” të madh në
radhët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë pas Rezolutës së Informbyrosë.
U caktua si kamp apo si llogore për arsye se nuk ishte e banuar dhe të
burgosurit s’kishin mundësi të iknin.
Në
kamp janë dërguar kryesisht komunistët që dyshoheshin se janë të prirë të
bashkëpunojnë me Bashkimin Sovjetik pas konfliktit të Stalinit
(Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin, 1879-1953) dhe Titos (Josip Broz
Tito, 1892-1980) në vitin 1948.
Sipas
shërbimit sekret jugosllav - UDB (Uprava državne bezbednosti
– Drejtoria e Sigurisë së Shtetit), në Goli Otok janë dërguar të dënuarit për
të cilët kanë dyshuar se bashkëpunojnë me Informbyronë.
Si
rregull, civilët janë dërguar në “riedukim” vetëm një
vendim administrativ, d.m.th. pa gjykim, ndërsa personat ushtarakë janë
gjykuar në proceset e inskenuara në të cilat janë dënuar së paku me tre vjet
deri në njëzet vjet burg të rëndë.
Regjistri
që e ka hartuar UDB-a në vitin 1963 përmban emrat e 16.101
personave të cilët prej vitit 1949 deri në vitin 1956 kanë kaluar
nëpër Goli Otok dhe nëpër llogoret e tjera për informbyroistët. Nëpër ato kampe
për informbyroistët, në mënyra të ndryshme – vrasje, vetëvrasje apo vdekje e
natyrshme – kanë humbur jetën 413 të burgosur.
Informbyroistët pothuajse pa përjashtim kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste
të Jugosllavisë (PKJ). Prej tyre, në kampe kanë përfunduar rreth 5 për
qind. Rreth 30 mijë anëtarë të PKJ-së kanë qenë të evidencuar për shkak
të manifestimit të animit kah Bashkimi Sovjetik. Si të tillë, ata kanë qenë të
mbikëqyrur dhe u janë nënshtruar kontrolleve dhe represalieve.
Në
vitet 1940-1950 komunistët jugosllavë, kolegët partiakë dhe bashkëluftëtarët i
kanë trajtuar në mënyrë brutale dhe moralisht degraduese.
* * *
Të
burgosurit e parë, 1.200 sish, kanë mbërritur në ishull më 9 korrik
1949. Në të vërtetë, ata janë hedhur nga anija në shkëmbinj për arsye se
nuk ka pasur port apo liman. Autoritetet komuniste kanë marrë masa për ta
vështirësuar konstatimin e saktë të numrit të të burgosurve. Sipas vlerësimeve,
në Goli Otok ka pasur midis 16.000 dhe 32.000 të burgosur. Prej
tyre, kanë vdekur midis 400 dhe 4000 të burgosur.
Sipas vlerësimit të ish-të burgosurit Dragoslav Mihailoviq, gjatë konfliktit
Tito – Stalin, në të gjitha kampet e internimit të informbyroistëve, kanë
vdekur deri 15.000 vetë.
Në
Goli Otok ka qenë kampi për të burgosurit meshkuj, ndërsa në Shën Gërgur (Sveti
Grgur) ndodhej kampi i femrave të burgosura.
Përgjegjës
kryesorë për formimin e kampit apo të llogores politike “Goli Otok” kanë qenë
komandanti i UDB-së për Kroacinë, gjenerali Stevo Krajaçiq (1906-1986)
si dhe bashkëpunëtori shumëvjeçar më i afërt i Titos - Edvard Kardeli (1910-1979).
Një prej komandantëve të kampit ka qenë edhe heroi i popullit i Jugosllavisë – Ante
Rashtegorac (1923-1986).
Disa
ish-të burgosur kanë shkruar libra për Goli Otokun. Dragolub Jovanoviqi
në librin “Muzeu i njerëzve të gjallë” të botuar në vitin 1990 , heroin e popullit Ante Rashtegorac e quan “bishë
në trup të njeriut”. Të gjithë ish-të burgosurit që kanë shkruar për
ishullin, heroin e sipërthënë e quajnë kriminel. Para Luftës II Botërore kishte
kryer në Sarajevë shkollë të mesme për elektromekanik. Pas luftës kishte kryer
edhe akademinë ushtarake.
* * *
Pjesa
më e madhe e të burgosurve u liruan nga ishulli në vitin 1955, pasi në Beograd
u takuan në mënyrë solemne dhe u pajtuan Titoja dhe kryetari i Bashkimit
të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) Nikita Hrushçov (Nikita
Sergejeviç Hrushçov, 1894-1971), trashëgimtar i Stalinit në pozitën e
Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Megjithëkëtë,
shumë persona ushtarakë vazhduan të qëndrojnë në kamp edhe dy vjet.
Një pjesë e të burgosurve mbeti në kamp deri në vitin 1960. Reparti i
vuajtjes së dënimit në Goli Otok veproi edhe pas vitit 1960. U suprimua në
vitin 1988. Me fjalë të tjera, kampi i përqendrimit i Goli Otokut
formalisht dhe përfundimisht u mbyll në vitin 1988.
Komunistët
e Titos e dinin mirë mësimin e demagogjisë.
Në
kampin e përqendrimit kishte një mbishkrim me këtë përmbajtje:
“Shqetësimi i Partisë për shëndetin tonë është shembull i
ndritur i humanizmit”.
* * *
Kur
në kampin famëkeq të Siberisë Gullag mbërrinte ndonjë i burgosur i ri,
të burgosurit e vjetër rreshtoheshin në dy kolona të kthyer ballë për ballë dhe
për “mirëseardhje” i binin me grushte e shuplaka derisa të alivanosej.
Po qe se gardianët konsideronin se ndonjëri prej të burgosurve nuk i ka mëshuar
sa duhet, e detyronin atë të kalonte nëpër “shtegun e përgjakshëm”.
Të
burgosurit politikë dhe disidentët i konsideronin rrezik për Jugosllavinë, për
socializmin dhe për mareshalin Tito.
Të
dënuarit vdisnin ose i vrisnin në mënyra të ndryshme, si për
shembull: gjatë tentimit për të ikur; duke i rrahur deri në vdekje; duke bërë
vetëvrasje. Këta që bënin vetëvrasje nuk kanë mundur t’u përballojnë metodave
ose nuk kanë dashur t’i durojnë metodat “e riedukimit” të UDB-s të
zbatuara prej të burgosurve më të vjetër të ngarkuar për keqtrajtimin fizik dhe
psikik të të burgosurve të ri. Ka pasur të burgosur që kanë vdekur “si
pasojë e mbytjes”, e fatkeqësisë në punë në gurore. Disa kanë vdekur
nga uria ose nga rraskapitja.
Në
radhët e të burgosurve kanë futur agjentë apo spiunë të cilët kanë krijuar
grupe. Me këtë metodë, në Goli Otok janë nxitur vrasje, duke sulmuar të
dënuarit e njërit grup, ata të grupit tjetër.
* * *
Për
ta ilustruar qëndrimin e të dënuarve në kamp, disa ish-të burgosur kanë
shkruar edhe për etikën e Goli
Otokut, d.m.th. për etikën e të burgosurve në ishull.
Ka
shumë ish-të burgosur që dëshmojnë për vuajtjet, tmerret, lebetinë dhe
llahtarinë e të dënuarve në Goli Otok. Një prej tyre është edhe Vladimir
Bobinac. Ai thotë:
“Ku qëndron tmerri i atij kampi të përqendrimit? Në
kampet e përqendrimit në Gjermani, në Siberi, në Kroaci e kanë vrarë trupin,
kurse në këtë kamp e kanë vrarë njeriun te njeriu.... Ne të gjithë jemi të
prekur thellë me atë që kemi përjetuar atje. Në ne është vrarë njeriu.
Gardianët mbikëqyrnin të mos ikte dikush, ndërsa ne i qëronin hesapet midis
nesh. Këtu qëndron tmerri. Po qe se i burgosuri i sapoardhur i drejtohej
hetuesit me fjalët: “shoku hetues”, ai i përgjigjej: “Ne nuk jemi shokë, ti
je një bandit, kurse unë jo. Me të ardhur në ishull ti e ke humbur emrin
tënd dhe je bërë ‘bandë’. Po t’i thoshe hetuesit se s’je fajtor, atëherë e
ofendon UDB-në. Domethënë ajo burgoska njerëz të pafajshëm. Në Goli Otok duhet
ta dish se je fajtor dhe duhet t’i jesh mirënjohës UDB-s që të ka mundësuar të
kuptosh se je fajtor dhe të pendohesh
për fajin bërë. Ky ka qenë parimi themelor”.
E
burgosura Vera Vinter (Vera Winter, 1923-2015) ka lindur në Zagreb. Në
Goli Otok qëndroi në vitet 1949-1952. Ajo dëshmon:
“Ai që sillte më fortë, më shpejt dilte jashtë. Ata që
nuk donin të sillnin, mbeteshin më gjatë, por të gjithëve na kanë rrahur dhe të
gjithë ne i kemi rrahur të tjerët. Të gjithë ne atje jemi lëshuar në nivelin e
ekzekutuesit. Të gjithë ne atje kemi bërë kompromis me ndërgjegjen tonë.
Prandaj është tejet rëndë të flasim për këtë. Edhe pas shumë vitesh që kemi
dalë prej atje, na ka ardhur turp të flasim. Edhe pasi kemi dalë, kemi pasur
frikë. Çdo gjë që të bënit, do të mund të përfundonte keq për ju.”
* * *
Objekti
“Vrima e Petrit” (Petrova rupa)
Ivan Kosiqi në librin “Goli Otoku, më i madhi kamp
përqendrimi i Titos” të botuar në vitin 2003, midis tjerash flet edhe për
objektin “Vrima e Petrit” (“Petrova rupa”). Për këtë në librin e vet “Muzeu
i njerëzve të gjallë” (1990) ka shkruar edhe i burgosuri Dragolub
Jovanoviq. Libri i sipërthënë i Jovanoviqit është botuar në dy vëllime.
Kjo
pjesë e kampit, mbase më e keqja, ka qenë e mbushur me 130 të burgosur “me
rrezikshmëri të lartë” të cilët në Goli Otok kanë ardhur prej pjesëve të
tjera të kampit dhe prej burgjeve të tjera, që nga korriku i viti 1950 deri në
shkurt të vitit 1951.
“Vrima e Petrit” është quajtur kështu
sipas kryetarit të Kuvendit të Republikës Popullore të Malit të Zi Petar
Komneniq (1895-1957) i cili ka qenë në grupin e parë që ishte sjellë aty.
Bëhet
fjalë për një gropë boksiti me një thellësi prej shtatë metrash dhe me
një gjerësi prej rreth njëzet metrave. Aty hyhej me shkallë. Përreth gropës ka
qenë ngritur edhe një mur me një lartësi prej tre metrave, kurse përmbi të kanë
qenë kullat e rojtarëve.
Në
“Vrimën e Petrit” (Petrova rupa) vuanin dënimin të burgosurit e veçantë,
ish-anëtarë të komiteteve qendrore, udhëheqës të lartë, ministra, gjeneralë,
luftëtarë të Luftës civile të Spanjës, ambasadorë, profesorë universitarë.
Jovanoviqi
jep vlerësim për shokët e burgut që vuanin dënimin në pjesën më të rëndë të
kampit. Rreth dy të tretat i konsideron “njerëz – shokë të mirë”, për
20% të tyre thotë se janë “njerëz me kusht”. Të tjerët (17% i konsideron
“rrahës”. Gjysma e tyre “rrahës të zakonshëm”, ndërsa gjysma
tjetër – “rrahës vrasës”. Ivan Kosiqi vjen në përfundim se shumica e të
burgosurve ia kanë dalë ta ruajnë dinjitetin njerëzor dhe korrektësinë morale
themelore, përkundër përpjekjeve të autoriteteve të kampit për t’i korruptuar
duke u thënë: “Po qe se pajtohen të bëhen ‘rrahës’, keni gjasa të dilni më
shpejt nga kampi”.
Për
trajtimin e të burgosurve mund të mësojmë nga një përshkrim i librit të
Jovanoviqit:
- Pse nuk e ngre kokën, nënën e banditit – tha dhe me
dorën e majtë e rroku për kësule që e kishte në kokë. E rroku për flokësh dhe
ia shtyri kokën prapa.
- E di se sot je pleh, por më thuaj se ç’ke qenë dikur.
Brankoja
e shikoi me qetësi drejt në sy.
- Unë
jam inxhinieri dhe gjenerali Branko Polanac, ish-shef i Shtabit Suprem
të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Gardiani
e pështyu mu në fytyrë dhe me dorën e majtë me të cilën e mbante për flokësh,
fuqishëm e shtyu mbrapa. Brankoja e humbi baraspeshën dhe ra me shpinë për
toke.
- Ja
pra, mut muti. Ky je ti dhe jo gjeneral! – ulëriti me tërbim gardiani...
Aty
pranë ndodheshin diku rreth dhjetë milicë, kurse pesë a gjashtë të tjerë ishin
do persona të veshur me do kapota të zeza.
Kur
u nisëm, vrapuan përreth kolonës. Për çast, çdo gjë ra në heshtje. Njëri prej
atij grupi, të tjerëve që ndodheshin pranë tij u foli me zë të lartë:
- Ja
pra shokë, bisedoni pak me këta banditë dhe tradhtarë. Le të shohin se si
komunistët e ndershëm sillen ndaj tradhtarëve!
Ajo
që u zhvillua atëherë në ato pesë-gjashtë minuta, nuk mund të përshkruhet.
(...).
Ata
të cilët vraponin si të tërbuar për t’u rreshtuar, të lidhur me pranga dhe të
rrahur për vdekje, ishin shokët tanë, madje shokë të luftës, bashkëluftëtarë,
aq më tepër shokë të partisë, bashkë-partiakë, komunistë.
Kush
ishte ai i cili kishte bërë prej tyre “antinjerëz” vetëm pse i kishte
veshur me do kapota të zeza lëkure dhe u kishte varur në gjoks dekorata?!
Njerëzit
rinin të lidhur me pranga në duar. Dora e djathtë, dora e majtë! Pritnin të
sulet dhe të vërshojë mbi ta hordhia e jonjerëzve.
Ndaj ithtarëve të Informbyrosë janë
zbatuar metodat më të rënda të torturës, duke përfshirë “shpalirin”,
linçin dhe famëkeqin “notim spanjoll”.
Grushte, shuplaka, çizme policore, shqelma, kondakë...
doreza pistolete ...sharje, fyerje...
Klithma!
Ofshama!
– A
ti qenke Andria, ta q.... nënën e tradhtarit... Të rrahu Vlladoja, a
s’të mjaftoi?! Do ende dajak, nënën unë ty... Mëshoja atij zeshkani... A ti
qenke Rade, tani ke për të parë se si do të ndreqë UDB-ja jote. E ti Momo
bukurosh, do ta ulësh kokën për toke, ta q... nënën katundare...
Pas
një kohe, të burgosurit e shtrirë për toke, me dhëmbë të thyer dhe gojën
plot gjak, dalëngadalë nisën të çohen. Dhëmbët e thyer bashkë me
gjakun i pështynin në shuplakën e dorës. Me gishtërinj i kthenin bebëzat e
syrit pjesërisht të dala prej gropave të përgjakura të syve, me duar e fshinin
gjakun në fytyrë, i frynin hundët e mbushura me gjak.
Personat
me kapota lëkure i vazhdonin përpjekjet e veta për t’u treguar.
Luajaliteti nuk është diçka “prej sot deri nesër”! Luajalitetin duhet ta
dëshmosh pandërprerë. Para mjedisit, para eprorëve dhe para të nënshtruarve.
Tani i kanë fshirë fytyrat e djersitura, kush me shami pak më të pastër, kush
me një të tillë të përlyer, varësisht nga rangu.
Sa
kohë duhet të kalojnë që të lahet ky turp?!
Një
prej atyre që e ka përjetuar golgotën e sipërthënë ka qenë edhe autori i librit
“Muzeu i njerëzve të gjallë” I-II, Dragolub M. Jovanoviq.
* * *
Arkivi Shtetëror i Kroacisë - Në Jugosllavi dhe në
vendet që lindën me shpërbërjen e saj, me dekada është folur për numrin e saktë
të personave të vilet prej vitit 1949 deri në vitin 1956 kanë
kaluar nëpër llogoret apo nëpër kampet e përqendrimit për
informbyroistët, kush në Goli Otok, kush diku tjetër. Spekulimet lidhur me
numrin e të burgosurve dhe të të vdekurve shpesh kanë qenë pjesë e fërkimeve
ideologjike aktuale, sidomos nga mesi i viteve ’80 të shekullit XX e këndej,
kur Goli Otoku me të madhe ka shërbyer për diskreditimin e tërë periudhës së socializmit
jugosllav. Organet kompetente kroate e kanë publikuar në mënyrë
ekskluzive listën e të gjithë të burgosurve të internuar sipas vijës së
Informbyrosë, të kryer nga UDB-ja federative. Lista ndodhet në Arkivin
Shtetëror të Kroacisë. Në listë ndodhen emrat e 16.101 personave të
burgosur: 15.173 meshkuj dhe 928 femra. Sipas kësaj
liste, në të gjitha llogoret apo kampet e përqendrimit për informbyroistët,
kanë humbur jetën në mënyra të ndryshme – vrasje, vetëvrasje dhe vdekje
natyrore - gjithsej 413 persona. Në literaturën shkencore dikur është
thënë se kanë vdekur rreth 16 mijë persona. Ky numër është konsideruar
si një apologji e fushatës së egër të regjimit kundër pjesëtarëve të burgosur të
opozitës prosovjetike.
Ka
që thonë se regjistri i informbyroistëve të burgosur i hartuar nga UDB-ja nuk
është komplet për arsye se në të nuk përmenden të paktën 28 emra dhe 3
persona për të cilët dihet saktë se kanë qenë të burgosur në Goli Otok.
Përqindja
e të burgosurve sipas përkatësisë kombëtare ka qenë si vijon: serbë 44 %;
malazezë 21,5 %; kroatë 16 %; maqedonas 5 %); sllovenë 3,5 %; shqiptarë 3 %; të tjerë 7 %.
Nga
përqindja e sipërthënë e shqiptarëve, rezulton se nga 15.173 të burgosur
meshkuj të Goli Otokut, 455 kanë qenë të burgosur shqiptarë. Këta kanë
qenë nga të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi: nga Kosova, nga Maqedonia,
nga Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), nga Mali i Zi.
* * *
Sipas
këtij regjistrimi, në periudhën e viteve 1949-1986 Goli Otok e kanë
humbur jetën në mënyra të ndryshme – vdekje e natyrshme, vrasje, vetëvrasje – 446
persona. Prej tyre, 413 persona kanë qenë informbyroistë të cilët
kanë vdekur apo janë vrarë në periudhën e viteve 1949-1960.
Sipas
të dhënave kroate apo serbe, të burgosur të njohur të Goli Otokut kanë qenë:
Dushan Bërkiq, Vlado Dapçeviq, Vicko Jelaska, Dragolub Miqunoviq, Dragosllav
Mihailloviq, Alfred Pal, Dobrosllav Paraga, Gërgo Shore, Vllastimir
Vellisavleviq.
* * *
Një
prej të burgosurve të njohur të Goli Otokut ka qenë edhe Vllado Dapçeviqi (Lubotinë,
Mali i Zi, 1917 – Beograd, 2001). Me kombësi është malazez. Është
deklaruar si ateist. Studioi në Beograd në Fakultetin Teknologji.
Revolucionar, pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, nënkolonel i Ushtrisë
Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Është vëlla më i vogël i heroit të
popullit, gjeneralit Petar “Peko” Dapçeviq (1913-1999) i cili më
20 tetor 1944, bashkë me Ushtrinë e Kuqe sovjetike merr pjesë në çlirimin e
Beogradit. Në vitin 1948 Vllado Dapçeviqi mbështet Rezolutën e Informbyrosë. I
burgosur politik në Jugosllavinë e Titos; marksist-leninist, stalinist,
kundërshtar i rreptë i “revizionistit” Tito; mbështetës i ideologjisë së
Enver Hoxhës (1908-1985). Në Glavnjaçë i kalon 22 muaj në burgun
hetimor. Në vitin 1950 dënohet me 20 vjet heqje lirie. Një pjesë të dënimit e
vuan edhe në Goli Otok. Lirohet nga burgu në vitin 1958. Po këtë vit, me një
grup bashkëmendimtarësh ikën në Shqipëri. Sipas tij, “i vetmi shtet komunist
në botë është Shqipëria, të tjerët janë revizionistë dhe renegatë”. Pas
disa muajve të qëndrimit në Shqipëri, i tërë grupi nisen për në Bashkimin
Sovjetik. Qëndron në Zvicër, në Belgjikë, në Holandë. Kudo që shkon flet kundër
Jugosllavisë dhe Titos. Në vitin 1975 arrestohet në Bukuresht dhe u dorëzohet
autoriteteve jugosllave. Dënohet me burgim të përjetshëm. Dënimi i zëvendësohet
me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1988, pas 13 vjet vuajtjeje dënimi në burgun e
Pozharevcit – lirohet dhe dëbohet nga Jugosllavia. I kalon ndalesa e kthimit në
Jugosllavi dhe më 1990 kthehet prapë. U jep intervistë mediumeve të ndryshme të
RSFJ-së. Vdes në Beograd në vitin 2001. Sipas disa të dhënave, ka vdekur në
Bruksel.
* * *
Në
Goli Otok kanë vuajtur dënimin informbyroistët, d.m.th. stalinistët
dhe mbështetësit e Bashkimit Sovjetik.
Informbyro - Asociacion ndërkombëtar i partive komuniste. Informbyro
(frëngjisht: byro informimi; Informbyro apo Kominformi) – ka qenë
organ këshillimor i partive komuniste (PK të Francës, PK të Italisë, PK të
Bullgarisë, PK të Çekosslovakisë, PK të Rumanisë, PK të Polonisë, PK të
BRSS-së, PK të Hungarisë dhe të PK të Jugosllavisë). Është themeluar në vitin
1947 me seli në Beograd. Detyrat themelore të Informbyrosë kanë qenë dhënia e
ndihmesës për zgjidhjen e problemeve aktuale të partive të veçanta, paraqitje
unike në botë, njoftimi i publikut lidhur me qëndrimin e partive komuniste për
parimet dhe për çështjet e tjera. Pas Rezolutës së qershorit të vitit 1948 të
drejtuar kundër Jugosllavisë, Partia Komuniste e Jugosllavisë pushoi të jetë
anëtare e Informbyrosë, kështu që selia, nga Beogradi u zhvendos në Bukuresht.
Rezoluta e
Informbyrosë – emërtimi i plotë “Kompartia
jugosllave në duart e spiunëve dhe të vrasësve” është emërtimi i dokumentit
të miratuar në Bukuresht më 28 qershor 1948 në të cilin Informbyroja e dënon
Partinë Komuniste të Jugosllavisë për refuzimin që t’i respektojë direktivat e
BRSS-së.
* * *
OJQ Integra ka botuar libër me
rrëfimet e njëmbëdhjetë të burgosurve politikë shqiptarë që kanë vuajtur dënimet
prej shtetit jugosllav në burgun famëkeq të Goli Otokut gjatë periudhës së
viteve 1945-1989. Në librin “Hije të shtrembëruara – libër kujtimi
me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” rrëfejnë:
Hasan Kastrati, Jeton Radoniqi, Pajazit Jashari, Sabri Novosella, Teki
Dervishi, Fadil Bajraktari, Basri Ibrahimi, Masar Shporta, Rrahim Rama, Ali
Aliu dhe Ibrahim Kryeziu.
* * *
Për
një numër shqiptarësh që e kanë përjetuar ferrin e Goli Otokut flet edhe
publicisti Fadil Lushi (1950- ) në librin “Via Goli Otok”, Tetovë
2024.
Autori
shkruan se në Goli Otok kanë vuajtur dënimin intelektualë nga Tetova, si:
Sadudin Gjura (1926-1960), Sheref Kazazi (1921-2000), Vehbi Ahmet Lushi
(1925-1999), Salajdin Efraim Huseini (1930-2007), Nijazi Fanda (1923-1979),
Xhemali Beqiri (1929-1987), Gani Selman Luma (1915-1989), Sabri Ramizi (1931-2019),
Sali Lisi, Raif Maleziu, Ismail Saidi.
Një
numër shqiptarësh janë arrestuar ngase e kanë kundërshtuar regjimin komunist
jugosllav gjatë viteve ‘50.
Pas
përfundimit të luftës dënoheshin kundërshtarët e regjimit jugosllav, kryesisht
veprimtarë të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH).
Në
vitin 1953 inteligjencia shqiptare dënoi marrëveshjen xhentëlmene midis Josip
Brozit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Fuat Kypryly
(Mehmet Fuat Köprülü, 1890-1966) për dëbimin
e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Shumë intelektualë
shqiptarë përfunduan në birucë.
Burgosjet
e radhës pasuan në vitet 1955-56 kur pushteti jugosllav e nis fushatën për
grumbullimin e armëve në Kosovë.
Vazhdoi
arrestimi i shqiptarëve me akuzën: Veprimtari kundër regjimit komunist
jugosllav gjatë viteve ’60, si pjesëtarë të Lëvizjes Revolucionare për
Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh) të themeluar nga Adem Demaçi
(1936-2018).
Pasojnë
arrestimet e shqiptarëve në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70. Të
arrestuarit ishin të përfshirë në organizata të ndryshme ilegale të kohës.
Shumë
shqiptarë u arrestuan edhe pas demonstratave të vitit 1981
Midis të arrestuarve ka pasur grupe shqiptarësh që
janë angazhuar për bashkimin trojeve shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë.
Shumë shqiptarë janë dënuar ngase janë angazhuar për avancimin e statusit të
Kosovës nga krahinë autonome në republikë të Jugosllavisë.
Të dënuarit
shqiptarë që e kanë vuajtur dënimin në Goli Otok si edhe nëpër burgjet e tjera
të Jugosllavisë nuk kanë pasur asnjëfarë lidhjeje me Informbyronë. Asnjëri prej
tyre nuk ka hyrë burg për Bashkimin Sovjetik, për Stalinin apo për stalinizmin.
* * *
E përbashkëta e të gjithë shqiptarëve të dënuar në
Jugosllavi ka qenë liria për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët në
Jugosllavi.
Shqiptarët që i kanë vuajtur dënimet në guroren
e quajtur ishull i zhveshur apo Goli Otok si dhe nëpër kazamatet dhe
zandanët e tjerë Pashiqit, të Karagjorgjeviqëve, të Rankoviqit apo të Josip
Brozit – kanë pasur një qëllim të vetëm dhe të përbashkët: drejtësi,
barazi, liri dhe demokraci për shqiptarët.