Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në vitet 1877-1878
E hene, 16.09.2024, 06:55 PM
GJENOCIDI SERB NDAJ SHQIPTARËVE NË VITET 1877-1878
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Në vitin 1876-1878,
me mbështetjen dhe nxitjen e Rusisë, në sanxhakun e Nishit shpërtheu konflikti
midis Serbisë dhe Malit të Zi kundër ushtrisë osmane. Këto luftëra, bashkë me Luftën
ruso-osmane të viteve 1877-1878, përfunduan me disfatën e ushtrisë
osmane. Territoret shqiptare të sanxhakut të Nishit, të zaptuara nga ushtria
serbo-malazeze, me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), iu
dhanë Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi.
Para se të
shpërthente konflikti, popullsia shqiptare e Sanxhakut të Nishit ishte kompakte
dhe kryesisht rurale. Gjatë luftës, shqiptarët i rezistuan hyrjes së forcave
serbe në Sanxhakun e Nishit. Një pjesë e tyre u strehuan në malet përreth,
ndërsa një pjesë tjetër u vendos në Kosovë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve u
dëbuan nga forcat serbe, ndërsa një numër i vogël qëndruan në trojet e veta në luginën
e Jabllanicës. Një numër i refugjatëve shqiptarë u vendosën në më se
tridhjetë vendbanime në pjesë qendrore dhe juglindore të Kosovës.
Dëbimi i popullsisë
shqiptare nga këto vise paraqet pastrim etni dhe gjenocid.
Refugjatët shqiptarë të sanxhakut të Nishit që u vendosën në Kosovë, nga
shqiptarët vendës u quajtën muhaxhirë. Nga ngjarjet e sipërthëna,
konflikti midis shqiptarëve dhe serbëve do të ashpërsohet, ndërsa marrëdhëniet
ndërmjet tyre do të jenë të tensionuara sot e kësaj dite.
Gjatë konfliktit
midis Malit të Zi, të mbështetur nga Rusia, në një anë dhe forcave osmane, në
anën tjetër, ushtria malazeze ia doli të pushtonte disa zona përgjatë kufirit,
por hasi në qëndresën e fuqishme të shqiptarëve në Ulqin, si dhe të forcave
shqiptar-osmane në rajonet Podgoricë-Shpuzë dhe Plavë-Guci. Përfitimet
territoriale të Malit të Zi qenë të vogla. Më vonë, shqiptarët që jetonin pranë
kufirit, u dëbuan nga Podgorica dhe nga Shpuza. Në vitin 1880 Ulqini iu dha
Malit të Zi. Një numër shqiptarësh u vendosën në Shkodër.
Shqiptarët e dëbuar
me dhunë nga serbët prej sanxhakut të Nishit, u vendosën në Kosovë, ndërsa një
numër shqiptarësh të dëbuar me dhunë nga malazeztë, u vendosën në sanxhakun e
Shkodrës.
* * *
Shumë toponime të
sanxhakut të Nishit dëshmojnë se prania e shqiptarëve në viset e Toplicës dhe
të Moravës jugore që ndodhet në verilindje të Kosovës së sotme, datojnë
që nga koha e mesjetës.
Para konfliktit
midis ushtrisë serbe, të mbështetur nga Rusia, në një anë dhe ushtrisë osmane,
në anën tjetër, një popullsi e madhe shqiptare banonte në rrethin e Nishit,
Pirotit që në atë kohë quhej Shehirköj, Vranjës, Leskocit, Prokuples dhe
Kurshumlisë. Pjesët rurale të luginave të Toplicës,
Kosanicës, Pustarekës dhe Jabllanicës, si dhe viset fqinje gjysmëmalore
ishin të banuara nga një popullsi shqiptare kompakte.
Sipas disa
studiuesve, në ato zona serbët jetonin pranë grykëderdhjeve të lumenjve dhe në
shpatet malore. Shqiptarët dhe serbët banonin edhe në rajone të tjera të
pellgut jugor të Moravës. Në disa qendra urbane ka pasur edhe turq. Një
pjesë e tyre kanë qenë me prejardhje shqiptare. Myslimanët në Nish dhe
në Shehirköj (sot Pirot), kanë qenë turqishtfolës; në Vranjë dhe
në Leskoc kanë qenë turqishtfolës dhe shqipfolës, ndërsa në Prokuple dhe
në Kurshumli kanë qenë shqipfolës. Në afërsi të kufirit të atëhershëm të
rrethinave të Nishit ka pasur edhe një numër refugjatësh çerkezë
që ishin vendosur aty nga osmanët gjatë vitit 1860. Me përbërjen
etnike të rajonit të Toplicës dhe të Moravës në kufijtë e
pas vitit 1878 është marrë gjeografi dhe hartografi anglo-gjerman Ernst
Georg Ravenshtajn (Ernest Georg Ravenstein, 1834-1913. Studimi i tij u
botua më 1880. Me përbërjen etnike të vitit 1876, në kufijtë pas
vitit 1878 është marrë edhe gjeografi gjerman Hajnrih Kipert (Heinrich
Kiepert, 1818-1899). Studimi i tij u botua më 1882).
Studimet botoheshin në “Andrees Allgemeiner Handatlas”. Ky
ishte atlas hartografik i përgjithshëm i publikuar në disa botime gjermane
dhe të huaja në vitet 1881-1937. Emrin e mori nga gjeografi dhe hartografi
gjerman Riçard Andri (Richard Andree, 1835-1912).
Numri i popullsisë - Burime të ndryshme japin të dhëna të ndryshme për
numrin e popullsisë. Historiani dhe demografi amerikan, profesor në Universitetin
e Luisvillit/Louisville Xhastin
MeKarti (Justin McCarthy, 1945-) thotë se në vitin 1876 në sanxhakun
e Nishit kanë jetuar 131.000 myslimanë, ndërsa në vitin 1882, jo më shumë se
12.000. Të tjerët janë dëbuar nga Serbia. Historiani anglez Ser Noel Malkolm
(Noel Robert Malcolm, 1956-) thotë se para konfliktit midis ushtrisë serbe,
të mbështetur nga Rusia dhe ushtrisë osmane, në këto vise kanë banuar 110.000
shqiptarë.
Historiani shqiptar Sabit
Uka (1920-2006) thotë se numri prej 110.000 shqiptarëve është një
vlerësim i pasaktë, i bazuar në statistikat Austro-Hungareze. Sipas tij, para
konfliktit në ato anë kanë jetuar rreth 200.000 shqiptarë. Historiani dhe
turkologu shqiptar Skënder Rizaj (1930-2021) dhe historiani turk Bilal
Shimshir (Bilal ?im?ir; Osmanpazari, Bullgari, 1933-), thonë se numri i
refugjatëve shqiptarë nga këto vise lëviz midis 60.000 – 70.000.
Albanologu gjerman Robert
Elsie (Vancouver, British Columbia, Kanada, 1950 – Bon, Gjermani, 2017) numrin
e refugjatëve shqiptarë e vlerëson në rreth 50.000 vetë. Gjeografi dhe etnologu
serb, akademiku Jovan Cvijiq (Jovan Cviji?, 1865-1927) thotë se numri i
refugjatëve shqiptarë nga rajoni i sanxhakut të Nishit ka qenë rreth 30.000
vetë. Këtë shifër e mbështet edhe historiani dhe diplomati serb Dushan
Batakoviq (Dušan Batakovi?, 1957-2017). Ky numër u pranua nga
historiografia serbe dhe mbeti i padiskutueshëm për gati një shekull. Duke u
bazuar në arkiva dhe në dokumente të udhëtarëve serbë, historiani Milosh
Jagodiq (Miloš Jagodi?, 1975-) thotë: “Numri i shqiptarëve dhe i
myslimanëve që u larguan nga sanxhaku i Nishit ka qenë shumë më i madh”. Studiuesi serb Gjorgje
Stefanoviq (?or?e Stefanovi?) thotë: “Nga të paktën 71.000 myslimanëve
të larguar nga zona, 49.000 kanë qenë refugjatë shqiptarë”.
* * *
Mëkëmbësi,
historiani, diplomati, akademiku serb, përfaqësues i Principatës së Serbisë në Kongresin
e Berlinit (1878), Jovan Ristiq (Jovan Risti?, 1831-1899)
rajonin e sanxhakut të Nishit të banuar me shqiptarë e shihte si një zonë me
rëndësi strategjike. Ky rajon në të ardhmen do t’i shërbente Serbisë si një
bazë për t’u shtrirë në Kosovë dhe në Maqedoni. Gjenerali serb Kosta Protiq (Kosta
Proti?, 1831-1892) i cili ishte në krye të
ushtrisë serbe gjatë luftës së vitit 1877-1878, i shihte shqiptarët si
një shqetësim të mundshëm për sigurinë e Serbisë. Pikëpamjet e Kosta Protiqit
për dëbimin e popullsisë myslimane, përfshi edhe shqiptarët, u mbështetën nga
shumica e oficerëve të lartë të ushtrisë serbe si dhe nga vetë princi Millan
Obrenoviq (Milan Obrenovi?, 1854-1901), i cili në vitet 1882-1889 ishte
mbret i Serbisë.
* * *
Me kërkesën e
Rusisë, më 15 dhjetor 1877 Serbia hyri në luftë kundër ushtrisë osmane. Pas
rrethimit të Nishit, forcat serbe u drejtuan në jugperëndim, nëpër
luginën e Toplicës. Në ditën e tretë të luftës, serbët e morën Prokuplen.
Shqiptarët u larguan nga shtëpitë e tyre drejt malit Posjaçë. Një pjesë
e tyre u nisën për në Kurshumli. Shqiptarët që ishin strehuar nëpër
male, refuzuan të dorëzohen, duke u bërë ballë forcave serbe. Pas Prokuples,
serbët shtinë në dorë edhe Kurshumlinë. Refugjatët shqiptarë arritën në
malet e Kopaonikut. Pas marrjes së Nishit nga ushtria serbe, shqiptarët
e luginës së Topëicës, të strehuar në malet përreth, s’kishin sesi të
ktheheshin në fshatrat e veta. Forcat serbe u nisën për në jug nëpër luginën e
Moravës për të arritur në Leskoc. Ushtria serbe e mori qytezën Shehirköj
(sot Pirot), ndërsa banorët turq ikën për në Kosovë, në Maqedoni dhe në
Trakë. Më 10 janar 1878 ushtria serbe e mori Nishin.
Popullsia myslimane u nis për në Prishtinë, Prizren, Shkup dhe Selanik. Forcat
serbe vazhduan ekspeditën ushtarake në jugperëndim, për të hyrë në luginat e Kosanicës,
të Pustarekës dhe të Jabllanicës. Ushtria serbe vazhdoi rrugën
për në Vranjë. Synim kishin hyrjen në Kosovë. Këtu hasën në
qëndresën e madhe të shqiptarëve vendas, të strehuar në viset malore Raden dhe
Majdan, e që synonin të mbronin fshatrat e tyre. Fshatrat
shqiptare ranë duart e pushtuesve serbë. Shqiptarët vazhduan të tërhiqen në
drejtim të Kosovës. Ushtria serbe e luginës së Moravës u nis për në jug në
drejtim të grykës së Gërdelicës dhe të Veternicës. Gryka e
Gërdelicës ndodhet ndërmjet Vranjës dhe Leskocit. Pasi
morën Gëredlicën, forcat serbe morën edhe Vranjën. Popullata
shqiptare u dëbua prej këtyre viseve. Shqiptarët, para se të tërhiqeshin për në
malin Gallap, e mbrojtën grykën e Veternicës. Shqiptarë kishte
edhe në rajonin e Masuricës. Sipas disa të dhënave, gjenerali serb Jovan
Belimarkoviq (1827-1906) paska
refuzuar urdhrat e Beogradit për dëbimin e tyre.
* * *
Pas kësaj lufte
pushtuese që u zhvillua në trojet e banuara me shqiptarë, Serbia e viteve
1838-1878, i zgjeroi territoret e veta. Kongresi i Berlinit (1878)
i njohu zgjerimet territoriale të Serbisë. Këto pushtime serbe u quajtën “Krahina
të reja” (Novi krajevi apo Novi oblasti). Një numër i vogël i
shqiptarëve qëndruan aty, por jo në vendbanimet e mëparshme. Ata u përqendruan
në tre rajone: Toplicë, Masuricë dhe Jabllanicë pranë qytezës së Medvegjës.
Në vitet në vijim, edhe ata pak shqiptarë që kishin mbetur në rajonet e
pushtuara u detyruan të shpërngulen për në Kosovë dhe për në Turqi. Shqiptarët
e dëbuar prej viseve të sipërthëna u vendosën në zonën e Llapit. Një
pjesë e madhe e të dëbuarve apo e refugjatëve shqiptarë u vendosën në mbi 30
vendbanime të mëdha rurale në Kosovën qendrore dhe juglindore. Një numër
refugjatësh shqiptarë u vendosën në qendrat urbane.
* * *
Në vitin 1878
diplomatët perëndimorë raportuan se një numër i konsiderueshëm familjesh
shqiptare ishin vendosur në Maqedoni, ndërsa në Kosovë ishin strehuar
60.000-70.000 refugjatë shqiptarë të viseve të sipërthëna. Sipas diplomatëve
perëndimorë, numri i përgjithshëm i refugjatëve shqiptarë është 120.000-130.000.
Sipas guvernatorit osman të vilajetit të Kosovës, numri i refugjatëve në vitin
1881 arrin në 65.000. Disa janë vendosur në Shkup dhe në Pazar të Ri
(Jeni Pazar apo Novi Pazar). Një pjesë e refugjatëve shqiptarë u vendosën edhe
Perandorinë Osmane, në Samsun të Detit të Zi.
Kalvari i
shqiptarëve të viteve të sanxhakut të Nishit i viteve 1877-1878, do të lë
pasoja të rënda për marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Synimet
ekspansioniste, hegjemoniste, kolonialiste të serbomëdhenjve nuk pushojnë me
kaq. Këto synime s’kanë pushuar sot e kësaj dite.
Për të parandaluar
dhënien e trojeve etnike historike shqiptare Serbisë dhe Malit të Zi, tri ditë
para se t’i fillonte punimet Kongresi i Berlinit (13 qershor
1878), u mbajt kuvendi i Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878).
Diplomacia britanike
i kërkoi Serbisë që t’i lejonte refugjatët shqiptarë të kthehen në shtëpitë e
tyre. Më vonë, kjo farë trysnie u shua.
* * *
Golgota shqiptare e viteve 1877-1878 dhe indiferenca e Fuqive të Mëdha të
Evropës – Në prill të vitit
1878 konsulli austro-hungarez Emil Jelinek (1853-1918) raporton
për refugjatët e vendosur në rajonet e Prizrenit dhe të Gjakovës. Ai e
përshkruan gjendjen e rëndë të tyre. Në gjysmën e dytë të vitit 1878, konsulli
i përgjithshëm britanik në Beograd Gerald Francis Gould i raporton zotit
Salisbury për dëbimin e shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit. Ai thotë se “banorët
paqësorë dhe të zellshëm të luginave të Toplicës dhe të Vranjës
u dëbuan prej pronave të veta pamëshirshëm nga serbët”. Ai shton
se refugjatët shqiptarë ishin të rraskapitur dhe të uritur. Ai u ngarkua nga
autoritetet britanike të ushtronte trysni ndaj Serbisë për të lejuar kthimin e
tyre në shtëpitë e veta. Por kjo s’ndodhi. Nënkonsulli i Rusisë në Kosovë,
historiani dhe diplomati Ivan Jastrebov (1839-1894) ishte kundër kthimit
të refugjatëve shqiptarë nga Kosova në vendbanimet e veta në sanxhakun e
Nishit, nga ku ishin dëbuar forcërisht. Mësuesi serb Josip H. Kostiq (1848-1900)
flet për ikjen e refugjatëve shqiptarë në dimrin e acartë të vitit 1877. Ai
thotë se shumica e refugjatëve ishin larguar prej shtëpive të veta me
veshje që s’i mbronte nga i ftohti. “Që nga gryka e Gërdelicës
deri në Vranjë dhe Kumanovë, ju mund të shihni kufoma të braktisur
fëmijësh si dhe pleq të ngrirë deri në vdekje”. Gazetari dhe shkrimtari
serb Manojlo Gjorgjeviq (Manojlo ?or?evi? / ??????? ????????, 1851-1896) i dënoi veprimet e shtetit serb.
Në vitet e
mëvonshme, lidhur me gjenocidin serbomadh ndaj shqiptarëve kishte edhe mendime
të tjera. Mësuesi dhe shkrimtari serb Janiqije Popoviq (Jani?ije Popovi?
/ ???????? ???????,
1883-1951) thotë se “luftërat e viteve 1876-1878 e trefishuan urrejtjen e
shqiptarëve dhe të turqve, sidomos të refugjatëve ndaj serbëve, për shkak të
akteve të dhunës ndaj tyre”. Në vitin 1900, juristi dhe politikani serb Zhivojin
Periq (Živojin Peri? / ??????? ?????, 1868-1953) thotë: “Sikur Serbia t’i kishte lejuar shqiptarët
të kthehen në tokat e veta, nuk do të ishim në armiqësi me ta”. Në vitin
1909, historiani dhe etnografi serb Jovan Haxhi-Vasileviq (Jovan
Hadži-Vasiljevi? / ????? ???? ?????????, 1866-1948) thotë: “Nëpërmjet spastrimit të rajoneve prej
popujve që nuk ishin krishterë, Serbia synonte të krijojë një komb të pastër
serb”.
* * *
Emrat toponomastikë
dhe onomastikë të shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga sanxhaku i
Nishit në vitet 1877-1878 dëshmojnë për vendin e prejardhjes së tyre.
* * *
Në periudhën e
sipërthënë, serbët kryen gjenocid ndaj shqiptarëve. Kryen pastrimin
etnik të trojeve etnike historike shqiptare. Shqiptarët u dëbuan prej
vatrave të veta, pa kurrfarë faji. Në atë kohë s’kishte mjete njoftimi dhe
komunikimi për ta sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar. Shqiptarët i
lanë shtëpitë, djepat, enët, orenditë shtëpiake, kafshët, bagëtinë, arat,
karrocat, kuajt, livadhet, bjeshkët. Vargu i pafund i ikanakëve përbëhej nga
gra, foshnja, fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, pleq, të sëmurë. Ishte dimër i
një dhjetori të acartë, të veshur hollë, të unët, nëna me foshnja dhe fëmijë
krahëve, nën kanosjen e tytave të armëve të barbarëve, të lodhur, të
rraskapitur. Shumë foshnja, fëmijë, pleq e plaka dhe të sëmurë vdiqën rrugës
për të arritur në Kosovën shpëtimtare. Popullsi civile e paarmatosur. Krerët
serbë pa fije mëshire. Sjellje barbare që s’e has dot as në mesjetë.
Fuqitë e Mëdha të
Evropës – Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia nuk ndërmorën
asgjë për ta ndaluar kalvarin shqiptar, golgotën shqiptare. Përkundrazi, në Kongresin
e Berlinit (1878) ia njohën Serbisë dhe malit të Zi trojet shqiptare të
pushtuara, duke i shpallur ato edhe shtete të pavarura. Pushtimi i trojeve
etnike historike shqiptare nga serbo-malazeztë, gjenocidi ndaj shqiptarëve dhe
pastrimi etnik i trojeve shqiptare u nxit dhe u mbështet fuqimisht nga Rusia.
* * *
Lufta serbo-osmane e
viteve 1876-1878 janë përfshirë në tekstet shkollore të historisë të të gjitha
cikleve të arsimit, që nga ai fillor deri tek ai universitar. Për dëbimin e
shqiptarëve prej vatrave të tyre, në to nuk mund të gjeni as edhe një rresh të
vetëm.
* * *
Tragjedia e
shqiptarëve të sanxhakut të Nishit, e viteve 1877-1878 duhet të shqyrtohet në
OKB. Duhet të miratohet një rezolutë e cila do ta dënonte gjenocidin serb nda
shqiptarëve. Një gjenocid të ngjashëm kanë kryer edhe grekët ndaj çamëve.
* * *
Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur, i viteve 1877-1878, duhet të mësohet në shkolla, në të gjitha ciklet e arsimit, që nga ai fillor dhe i mesëm deri tek ai universitar.
Më 26 gusht 2022