Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Zhan-Pol Sartri
E premte, 28.06.2024, 07:09 PM
ZHAN-POL SARTRI
Ferri, janë të tjerët / L’enfer, c’est les
autres - Zhan-Pol Sartrë
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
“Mos
e burgosni Volterin!” –
gjenerali Sharl Dë Gol, me rastin e arrestimit të Sartrit gjatë protestave
studentore në Sorbonë, në maj të vitit 1968.
Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Charles Aymard Sartre, Paris, 21 qershor 1905 –
Paris, 15 prill 1980) është romancier, filozof, dramaturg dhe kritik. Është
themelues i ekzistencializmit ateist.
Në vitin 1964 iu dha çmimi “Nobel” por e refuzoi për arse morale. Ishte
bir i oficerit të marinës Zhan-Batist
Sartrë (Jean-Baptiste
Sartre, 1874-1906) dhe e gruas së tij An-Mari
Shvajcer (Anne-Marie Schweitzer; Alzas, Francë, 22 korrik 1882 – 18 janar
1969). Nëna e Sartrit është me
prejardhje gjermane-alzase. Ka qenë fise e laureatit të çmimit “Nobel” për
paqe, Albert Shvajcer (Albert
Schweitzer, Kaysersberg-Vognoble, Francë, 1875 – Lambarene, Gabon, 1965).
Kur
Sartri ishte 15 vjeç, i vdiq babai. Që atëherë, atë e edukoi gjyshi nga nëna, Sharl Shvajcer (Charles Schweitzer,
1844-1935), i cili ishte profesor i gjuhës gjermane. Në moshë të hershme e
njoftoi Sartrin me letërsinë klasike. Si i ri, në vitin 1920 e këndej, pasi e
kishte lexuar shkrimin “Ese mbi të dhënat
e drejtpërdrejta të vetëdijes” (Essai sur
les données immédiates de la conscience, 1889) të filozofit dhe shkrimtarit francez Anri Begson (Henri Louis Bergson, Paris, 1859 – Paris, 1941), Sartri
filloi të interesohet për filozofinë.
Shënim: Në vitin 1927 Anri
Begsoni e mori çmimin “Nobel” për letërsi.
Sartri u shkollua në
liceun Anri IV, në Cours Hattmer, në liceun Luigji i Madh (Grand Louis). Pasi e
kreu gjimnazin, studio në
?cole Normale Supeérieure, institut i arsimit të
lartë ku ishin shkolluar të gjithë mendimtarët
dhe intelektualët francezë të
asaj kohe. Ishte i inspiruar nga filozofia perëndimore. Ushqehej me idetë e filozofit
gjerman Emanuel Kant (Emmanuel Kant,
1724-1804), të filozofit gjerman Georg
Vilhelm Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) dhe të filozofit
gjerman Martin Hajdeger* (Martin
Heidegger, 1889-1976).
Shënim: Kur të famshmin filozof
gjerman Edmund Huserl (Edmund
Husserl, 1859-1938), për shkak të prejardhjes çifute e larguan nga
universiteti, vendin e tij e zuri Martin
Hajdegeri. Këtë akt të filozofit të madh të ekzistencializmit, Hajdegerit,
ia kanë zënë për të madhe shumë filozofë të tjerë. Ia kanë zënë për të madhe
edhe disa fjalime dhe paraqitje publike, sidomos Rektoratsrede-n e tij, në të
cilat gjatë shtrirjes së nazizmit e glorifikonte “thirrjen historike të
Gjermanisë” . Më vonë Hajdegeri e ndërpreu angazhimin aktiv për Rajhun
e Tretë. Hajdegeri ka ushtruar ndikim të dukshëm mbi shumë filozofë në mbarë
botën.
* * *
Në vitin 1929, në ?cole Normale Supeérieure Sartri u njoh me Simon
dë Bovuar (Simon de Beauvoir,
Paris, 1908 – Paris, 1986), e cila studionte në Sorbonë. Ajo ishte edukuar në
frymën katolike, por e braktis fenë dhe bëhet kritikuese radikale e dogmave dhe
e miteve të qytetërimit. Deri në vitin 1945 ishte profesoreshë e
filozofisë në universitet. Pastaj i përkushtohet letërsisë. U bë intelektuale e
shquar, prozatore dhe themeluese e feminizmit dhe e filozofisë feministe. Me
Sartrin kishte miqësi të ngushtë dhe lidhje dashurie të hapur. U bë
bashkudhëtare jetësore e tij.
Në vitin 1964 Sartri adoptoi vajzën Arlet
Elkaim-Sartrë (Arlette Elkaïm-Sartre, Constantine, Algjeri, 1935 - 16
shtator 2016). Ishte përkthyese dhe redaktore franceze.
* * *
Sartrë dhe Simon dë Bovuar i vunë në dyshim
premisat kulturore dhe sociale të edukimit të vet të cilin e quanin edukim
borgjez. Konflikti midis konformizmit
opresiv (shtypës) që shkatërron
shpirtin (mauvaise foi, keqbesimi,
qëllimi i keq) dhe qenies autentike,
u bë temë kryesore e veprave të Sartrit, duke përfshirë edhe veprën e tij
filozofike “Qenia dhe asgjëja” (L'Être
et le Néant, 1943).
* * *
Në filozofinë e Sartrit mund të hyhet me
veprën “Ekzistencializmi është humanizëm”
(L'Existentialisme est un humanisme, 1946). Në fillim, ky punim u prezantua si ligjëratë. Në këtë
vepër ai e mbron ekzistencializmin prej kritikëve. Në vitin 1965 Sartri
deklaron se botimi i kësaj vepre ka qenë një gabim.
Në vitin 1929
Sartri diplomon në ?cole Normale Supeérieure me doktoratën
nga filozofia. Në vitet 1929-1931 ishte në shërbim ushtarak në ushtrinë
franceze.
Sartri studioi shkollën filozofike të ekzistencializmit dhe të marksizmit. Tregoi interesim për metafizikën, epistemiologjinë, etikën, politikën, fenomenologjinë, ontologjinë.
Ide të tij janë: “Ekzistenca i prin esencës”, “Asgjëja”.
* * *
Sartri
ishte profesor i filozofisë në Le Havre dhe në Paris., studioi dhe përktheu
veprat e filozofëve gjermanë Martin Hajdegerit dhe të Karl Jaspersit,, veproi
në lëvizjen e rezistencës; pas Luftës II Botërore e la punën e profesorit dhe
në vitin 1945 themeloi revistën “Les
Temps modernes”. Është një prej
intelektualëve më të njohur me angazhim të
majtë, simpatizues dhe “bashkudhëtar”
i komunizmit, kurrë s’ka qenë anëtar i
Partisë Komuniste të Francës, dënoi luftën e amerikanëve dhe të pushtuesve
të tjerë në Vietnam (1955-1975) dënoi ndërhyrjen sovjetike në Hungari dhe në
Pragë, mbështeti luftën çlirimtare të
popullit algjerian kundër kolonialistëve francezë (1954-1962), mbështeti
protestat studentore në Francë dhe në Evropë, në maj të viti 1968, mori
pjesë në themelimin e gazetës “Libération”
(1973).
Si
filozof, ishte i preokupuar me çështjet ekzistenciale të lirisë së njeriut, të
përgjegjësisë së njeriut, të zgjedhjes, të kuptimit të jetës dhe të historisë,
të angazhimeve shoqërore dhe politike.
Duke u
marrë me filozofin gjerman, me prejardhje çifute, Karl Marksin (Karl Marx, 1818-1883), me psikologun dhe psikiatrin austriak, me prejardhje çifute,
themelues i psikanalizës, Sigmund
Frojdin (Sigmund Freud, 1856-1939), me fenomenologjinë dhe me ekzistencializmin,
Sartri u përqendrua në çështjet e përcaktimit të pozitës së njeriut që ndodhet
në bashkëmarrëdhënie paradoksale të lirisë së vet dhe të lirisë së tjetrit. “Duke marrë parasysh tërësinë shoqërore, çdo
njeri është edhe i lirë edhe ndodhet në situatë të caktuar”.
* * *
Sartri ushtroi ndikim: mbi filozofen dhe prozatoren
franceze Simon dë Bovuar (Simon de
Beauvoir, 1908-1986), mbi shkrimtarin dhe
filozofin francez Alber Kamy (Albert
Camus, 1913-1960), mbi psikiatrin, filozofin politik dhe marksistin francez
afro-karibian nga kolonia franceze Martinik Franc Omar Fanon (Frantz Omar Fanon, 1925-1961), mbi prozatoren
irlandeze Ajris Merdok (Iris
Murdoch, 1919-1999), mbi psikiatrin skocez Ronald
Dejvid Leing (Ronald David Laing, 1927-1989), mbi filozofin francez Zhil Delez (Gilles Deleuze, 1925-1995),
mbi psikanalistin francez Feliks Gyatari
(Pierre-Félix Guattari, 1930-1992),
mbi filozofin francez Alen Badju (Alain
Badiou; Rabat, Maroko, 1937- ).
* * *
Pasi i kreu studimet,
Sartri punoi një kohë në Avrë (Avre) si profesor i filozofisë. Pastaj vajti në
Berlin ku studioi Edmund Huserlin dhe Martin Hajdegerin. Me t’u kthyer në Avrë,
botoi esetë filozofike “Transcendenca e
egos dhe imagjinata” (La
Transcendence de l’ego, 1936) dhe “Skicë e teorisë së emocioneve” (Esquisse d’une
theorie des émotions, 1939) me të
cilat solli në Francë fenomenologjinë gjermane dhe ekzistencializmin
gjerman. Pas udhëtimit në Itali në vitin 1936, ia ofroi shtëpisë
botuese “Gallimard” romanin “Melankolia”.
Botuesi i njohur e refuzoi. Në vitin 1938 kjo vepër u bë roman filozofik i
filozofisë ekzistencialiste me titullin “Neveria”
(La Nausée).
Që
atëherë e deri në fund të jetës, Sartri do të veprojë në tre fronte: filozofik,
letrar dhe politik.
Vepra
filozofike më të njohura të tij janë “Qenia
dhe asgjëja” (L'Être et le Néant, 1943), romani në tre vëllime, i
papërfunduar “Rrugët e lirisë” (Les Chemins de la liberté, I-III, 1945-1949):
“Mosha e pjekurisë” (L’Âge de raison); “Shtyrja” (Le Sursis); “Shpirtrat e
vrarë” (La Mort dans l’âme); dhe “Kritika e arsyes dialektike” (Critique
de la raison dialectique, 1960),
* * *
Pjesët teatrore të Sartrit: „Pas dyerve të mbyllura“ (Huis clos, 1945)*; “Duar të ndyra“ (Les Mains sales, 1948) dhe „Djalli dhe Zoti i mirë“ (Le
Diable et le bon Dieu, 1951) kanë
marrë famë botërore.
Shënim: Drama me një akt dhe vetëm me tre personazhe „Pas dyerve të mbyllura“ apo „S’ka dalje“, në anglisht është botuar
me titullin „No Exit“.
* * *
Prej veprave në prozë, përpos romanit „Neveria“ (La Nausée, 1938), është
e njohur edhe përmbledhja me novela „Muri“
(Le mur, 1939) dhe proza
autobiografike „Fjalët“ (Les Mots, 19964).
* * *
Ese më të mira të Sartrit janë: „Bodleri“ (Baudelaire, 1947),
„Shën Zhene, artist dhe martir“ (Saint
Genet, comédien et martyr, 1952, për poetin, romancierin dhe dramaturgun
francez Zhan Zhene* (Jean Genet,
Paris, 1910 – Paris, 1986).
Shënim: Poeti Zhan Zhene kurrë nuk i njohu prindërit.
Fëmijëria në Shtëpinë ndëshkimore-përmirësuese përjetësisht la gjurmë në anën
psikologjike të tij të mbërthyer midis ligësisë dhe të madhërishmes. U end
nëpër Evropë, vodhi, u përndoq dhe shkoi pas lavireve. Në vitin 1942, filloi të
shkruajë poezi në burg. Kritikët e përfshijnë në radhët e përfaqësuesve të
teatrit
absurd.
Vepër e fundit e Sartrit është studimi monumental „Idioti i familjes“ (L’Idiot de la famille, 1971) për romancierin francez Gystav Flober (Gustave Flaubert,
1821-1881).
* * *
Sartri ishte anëtar i Lëvizjes së Qëndresës (Mouvements
Unis de la Résistance). Gjatë Luftës II Botërore u zu rob. Një kohë ishte i
afërt me komunistët, por u shkëput prej tyre qysh në vitet ’50. E
kundërshtoi ndërhyrjen ushtarake sovjetike në Hungari në vitin 1956, doli kundër
luftës në Vietnam dhe luftës së Francës në Algjer, në vitin 1968 e kundërshtoi
invadimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik. E mbështeti lëvizjen
studentore të vitit 1968. Ishte një prej intelektualëve të rrallë të
Perëndimit i cili i vizitoi vendet komuniste: në vitin 1954 – Bashkimin
Sovjetik; në vitin 1956 – Kinën; në vitin 1958 – Jugosllavinë; dhe në vitin
1960 – Kubën.
“Për punën
e vet të pasur me ide dhe me plot shpirt lirie dhe kërkim të së vërtetës,
ushtroi ndikim të gjerë në kohën tonë”, tha midis tjerash juria e
çmimit “Nobel”. Në vitin 1964 Sartrit u vlerësua me çmimin “Nobel”, por ai
refuzoi ta pranonte, me arsyetimin e se gjithmonë i kishte refuzuar nderimet zyrtare
dhe se nuk dëshironte të vihej në një rrafsh me institucionet.
* * *
Kur të pasurit bëjnë luftë,
vdesin të varfërit, thotë Sartri.
Solipsizmin e tij Sartri e kapërcen me
një lloj rituali. Vetëdijes i nevojitet “tjetri”
që të tregojë dhe të vërtetojë ekzistencën e vet. Ajo ka një dëshirë mazohiste për të qenë e kufizuar, d.m.th. e kufizuar nga vetëdija reflektuese e një subjekti tjetër. Kjo shprehet në mënyrë metaforike në fjalinë e njohur
të dramës „Pa dalje“ apo „Pas dyerve të mbyllura“ të Sartrit, „Ferri, janë të tjerët, pasi unë varem nga gjykimi
i tyre“.
„Neveria“ dhe ekzistencializmi – Në vitin 1983 filozofi legjendar – Sartri, botoi romanin „Neveria“ (La Nausée) i cili në njëfarë dore shërbeu si manifest
i ekzistencializmit. Ky roman edhe sot konsiderohet si një prej veprave
më të mira të tij. Bazuar në gjurmët e fenomenologjisë gjermane, Sartri
pohonte se idetë tona janë produkt i përvojës nga jeta reale dhe se dramat dhe
romanet që i paraqesin përvojat e tilla themelore apo fundamentale, vlejnë po
aq sa edhe esetë diskurzive (arsyetuese) që shërbejnë për elaborimin e teorive
filozofike.
Me një mendim të
këtillë, veprimi i romanit e dërgon hulumtuesin Antuan Rokanten në qytezën që i
ngjan Avrit, ndërsa ai dalëngadalë bëhet i vetëdijshëm se sendet dhe situatat,
duke mos qenë të gjalla, plotësisht janë indiferentë ndaj ekzistimit të tij. Si
të tilla, tregohen rezistente ndaj çdo kuptimi që mund t’ua japë vetëdija e
njeriut. Nocioni i neverisë është
marrë nga rapsodia në prozë “Kështu
fliste Zaratustra” (1883-1885) e Fridrih
Niçes, i cili e ka përdorur në kontekstin e cilësisë së ekzistimit,
shpeshherë neveritës.
Njeriu
është i dënuar të jetë i lirë, për të treguar indiferencën e botës ndaj
individit.
Shënim: Është thënë se romani “I huaji” (L’Étranger, 1942) i Alber Kamysë është imitim i romanit “Neveria” (La Nausée, 1938) të Sartrit. Gjykimet e tilla Kamy i
hedh poshtë duke botuar në vitin 1942 esenë “Miti
i Sizifit” (Le Mythe de Sisyphe).
* * *
Tergimet nga përmbledhja „Muri“ (Le Mur, 1939) theksojnë
aspektin arbitrar të situatave në të cilat ndodhen njerëzit dhe absurditetin e
përpjekjeve të tyre për t’u ballafaquar me to nëmënyrë racionale. Më vonë nga
kjo u zhvillua një shkollë e tërë e letërsisë së absurdit.
* * *
Sartri dhe Lufta II Botërore – Në vitin 1939 Sartri u mobilizua në ushtrinë franceze ku shërbeu si
meteorolog. Në vitin 1940 ushtria gjermane e zuri rob në qytetin Pad. Nëntë
muaj i kaloi si rob lufte, më vonë në
Nansi dhe në fund në Trir. Këtu e shkroi pjesën e parë teatrale „Bariona ose biri i bubullimës“ (Bariona ou
le Fils du tonnerre, 1940), dramë
për Krishtlindjet. Duke qenë shëndetlig,
në prill të vitit 1941 e liruan nga robëria. Të parit e dobët ia çrregullonte
baraspeshën. E mori statusin civil dhe punoi si profesor në Lycée Pasteur afër Parisit. U vendos në
hotel pranë Monparnasit (Montparnasse) dhe u angazhua si profesor në Lycée Condorcet ku e zëvendësoi profesorin hebre të cilit
iu ndalua të ligjërojë.
Në maj të viti 1941 Sartri u kthye në Paris ku bashkë me Simon dë Bovuarin, me filozofin
francez, profesor në Sorbonë, Moris Merlo-Ponti
(Maurice Merleau-Ponty, 1908-1961), me gazetaren, historianen, eseisten dhe
prozatoren franceze Dominik Desanti (Dominique
Desanti, 1919-2011) dhe të tjerë, formuan shoqërinë e fshehtë Socializmi
dhe Liria (Socialisme et Liberté). Në gusht të po atij viti, Sartri dhe
Bovuar kërkojnë mbështetjen e romancierit, eseistit, dramaturgut dhe poetit
francez, laureat i çmimit “Nobel” (1947), Andre
Zhid (André Gide, 1869-1951) dhe
të romancierit dhe eseistit francez Andre Malro (André Malraux, 1901-1976).
Këta dy u treguan të pavendosur. Shoqata Socializmi dhe Liria (Socialisme et
Liberté) u zhbë. Sartri vendosi t’i përkushtohet më tepër letërsisë se qëndresës aktive. Në këtë periudhë i shkroi veprat: “Mizat”
(Les Mouches, 1942); “Qenia dhe asgjëja” ((L'Être et le
Néant, 1943) dhe “Pas dyerve të
mbyllura” ose “Pa dalje” (Huis clos, 1944).
Asnjërën prej këtyre tri veprave gjermanët nuk e ndaluan.
Botonte, si në revistat letrare ilegale, ashtu edhe në ato legale. Pas gushtit
të vitit 1944 dhe çlirimit të Parisit, Sartri bashkëpunoi në revistën “Combat”
që e kishte themeluar në fshehtësi shkrimtari dhe filozofi Alber Kamy (Albert Camus), i cili kishte pikëpamje të ngjashme me
ato të Sartrit.
Sartri dhe Simon dë Bovuar kanë qenë në raporte miqësore me Kamynë,
derisa ai nuk ishte larguar nga komunizmi. Marrëdhëniet miqësore midis tyre
morën fund në vitin 1951, kur Alber Kamy botoi esenë e madhe “Njeriu i
revoltuar” (L’Homme révolté, 19151).
* * *
Më vonë, kishte të tillë që e kritikuan Sartrin si
pjesëtar të lëvizjes së rezistencës.
Filozofi dhe muzikologu francez Vladimir
Jankeleviç (Vladimir Jankélévitch, 1903-1985) ia zuri për të madhe Sartrit
angazhimin politik të pamjaftueshëm gjatë pushtimit gjerman të Francës, ndërsa
përpjekjet e tij të mëtejshme për liri, i interpretoi si përpjekje për shëlbim apo shpagim.
Pas përfundimit të luftës, Sartri themeloi revistën letrare
politike mujore “Les Temps Modernes“ (Kohët moderne), duke u bërë kësisoj shkrimtar me orar të plotë
dhe e vazhdoi angazhimin e vet politik. Në këtë periudhë i punoi skicat nga
përvoja e luftës, për triologjinë e vet „Rrugët e lirisë“ (Les Chemins de la
Liberté).
Sartri dhe komunizmi – Periudhën e parë të karrierës së Sartrit e shënon vepra „Qenia dhe asgjëja“ (L'Être et le Néant, 1943). Me këtë ia çeli rrugën fazës së dytë në të cilën Sartri u bë veprimtar
politik dhe intelektual. Vepra e tij „Duar
të ndyra“ (Les Mains Sales, 1948) e problematiznte sidomos
intelektualin politikisht aktiv. Sartri e përqafoi komunizmin, ndonëse zyrtarisht nuk u anëtarësua në Partinë
Komuniste të Francës. Angazhohej me të madhe për çliriin e Algjerit nga
kolonizimi francez. U bë mbase mbështetësi më eminent i luftës së Algjerit për
pavarësi. Në vitin 1964 adoptoi një vajzë algjeriane të quajtur Arlet Elkaim (Arlette Elkaïm, Constantine,
Algjeri, 1935 - 16 shtator 2016). Më vonë u quajt Arlette Elkaïm-Sartre. Kishte
studiues që thoshin se vajza e adoptuar u bë dashnore e tij.
Në vitin 1967, si
kundërshtar i luftës së Vietnamit, bashkë me filozofin dhe prozatorin anglez Bertrand Rasel (Bertrand Russel,
1872-1970) dhe të tjerë, organizoi tribunalin në të cilin duhej të
demaskoheshin krimet e luftës të kryera nga amerikanët. Ky tribunal njihej si “Tribunali i Raselit”. Efektet e tij
ishin të kufizuara.
Shënim: Filozofi dhe prozatori anglez Bertrand Rasel (Bertrand Russel) studioi në Kembrixh matematikën dhe filozofinë. Në vitet 1910-1916
ishte ligjërues në këtë universitet. Në vitin 1950 mori çmimin „Nobel“ për letërsi.
* * *
Gjatë një pjese të jetës së tij, Sartri u përpoq t’i
pajtojë idetë ekzistencialiste mbi lirinë e vullnetit me parimet
komuniste.
Sipas atyre ideve, forcat socio-ekonomike jashtë kontrollit tonë individual të
drejtpërdrejtë, luajnë rol vendimtar në formësimin e jetëve tona. Vepra e tij
kryesore e kësaj periudhe „Kritika e
arsyes dialektike“ (Critique de la
raison dialectique) u botua
në viotin 1960.
Theksimi i vlerave humaniste në punimet e hershme të Karl Marksit nga Sartri, në vitet ’60 e solli atë në konflikt me
intelektualin komunist kryesor të Francës, filozofin dhe sociologun Lui Altiser (Louis Althusser, 1918-1990)
i cili thoshte se idetë e Marksit të ri kanë rënë në mënyrë bindëse nën hijen e
sistemit shkencor të Marksit të vonshëm.
* * *
Në vitet ’60 Sartri vajti në Kubë për të takuar Fidel Kastron (1926-2016) dhe Çe Gevarën* (1928-1967). Pas vdekjes
së Çe Gevarës, Sartri deklaroi se ai ka qenë qenia njerëzore më komplete e
kohës së tij.
Shënim: Ernesto "Che" Guevara (Rosario,
Argjentinë, 14 qershor 1928 – La Higuera, Bolivi, 9 tetor 1967), ka qenë
revolucionar dhe politikan marksist argjentino-kuban. Lindi në një familje
qytetare, të pasardhësve spanjollë, baskë dhe irlandezë. Mbiemri Guevara është
nga baskishtja. Pasi kreu studimet e
mjekësisë, udhëtoi nëpër Amerikën Jugore. Aty pa mjerimin e punëtorëve dhe të indianëve. Për këtë i fajësoi
kapitalistët amerikanë dhe regjimet autoritare të mbështetur prej tyre.
Në Kubë u emërua ministër. Në vitin 1965 dha
dorëheqje në të gjitha pozitat që i mbante. Planifikonte të organizojë
revolucion në mbarë Amerikën Jugore dhe në Afrikë. Ekspedita e tij dështoi. U
kthye në Kubë. Sakaq, me një numër luftëtarësh u nis për në Bolivi për të
ngritur atje kryengritje guerile. Nuk gjeti mbështetje ndër fshatarët
bolivianë. Edhe kjo përpjekje e tij dështoi. Çe Gevara dhe guerilët
përndiqeshin nga ushtria boliviane e cila
mbështetej prej amerikanëve dhe stërvitej prej tyre. Të mbetur pa ushqim
dhe pa barna të nevojshme për astmë,
tentuan të tërhiqen. Më 8 tetor 1967, ushtria boliviane i rrethoi. I plagosur
në këmbë, Çe Gevara u zu rob. E morën në pyetje koloneli bolivian Andres Selih (Andres Selich) dhe
agjenti i CIA-s, kuban amerikan, Feliks
Rodrigez (Felix Rodrigez). Shpejt u erdhi urdhri për ekzekutimin e Çe Gevarës.
Ekzekutimin e kreu ushtari bolivian Mario
Teran i cili për këtë akt u paraqit vullnetarisht. Çe Gevara u qëllua me
pushkë gjysmë-automatike, më 9 tetor 1967, në orën 13 e 10 minuta. Ishte jo më
shumë se 39 vjeç. Trupi iu ekspozua në spitalin e qytetit Vallegrande. Për t’ia
verifikuar gjurmët e gishtërinjve, ia ishin prerë shuplakat. U varros në një
varr të pashënuar si të guerilëve të tjerë të vrarë. Në vitin 1997 u zbulua
lokacioni i varrit të Çe Gevarës. Mbetjet mortore të tij u dërguan në Kubë.
* * *
Sartri dhe letërsia – Në vitet ’40 dhe ’50, ekzistencializmi u bë filozofi e admiruar e brezit
Bit. Shumë
drama të tij janë të pasura me simbolizëm dhe shërbenin si medium
të filozofisë së tij. Më e njohura midis tyre “Pas dyerve të mbyllura” ose “Pa
dalje” (Huis-clos) e përmban fjalinë e njohur “Ferri, janë të tjerët” (L'enfer, c'est les autres).
Përpos ndikimit
evident të romanit „Neveria“ (La Nausée),
kontributi më i madh i Sartrit për letërsinë ka qenë trilogjia „Rrugët e lirisë“ (Les Chemins de la Liberté) ku flitet se si Lufta II Botërore ka ndikuar në idetë e Sartrit. „Rrugët
e lirisë“ i japin ekzistencializmit një qasje më pak teorike dhe më tepër
praktike. Romani i pari i trilogjisë “Mosha e pjekurisë” (L'âge de raison, 1945)
është vepër e Sartrit e cila ka zgjuar interesim më të gjerë.
Sartri pas letërsisë – Në vitin 1964 Sartri
u tërhoq nga letërsia me veprën “Fjalët”
(Les Mots, 1964), në të cilën, në
mënyrë spirituale dhe sarkastike (thumbuese) i përshkruan gjashtë vitet e para
të jetës së vet. Është një autobiografi
intelektuale. Libri është një kundërsulm ironik ndaj romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922)
i cili sillej në qarqet borgjeze, artistike dhe aristokratike mondane.
Reputacioni i tij papritmas e nxori në plan të dytë atë të romancierit,
eseistit, dramaturgut dhe poetit francez Andre
Zhid (André Gide, 1869-1951). Andre Zhidi, i cili në vitin 1947 mori çmimin
“Nobel”, për brezin e Sartrit ishte model i
letërsisë së angazhuar. Sartri thotë se letërsia është zëvendësim borgjez
për përkushtim të njëmendët në jetë. Po atë vit, Sartrit iu dha çmimi “Nobel”,
por ai e refuzoi duke deklaruar se gjithmonë i kishte refuzuar dekorimet
zyrtare dhe se kurrë s’kishte dashur t’u bashkohej institucioneve.
Tani ishte i njohur në të katër anët, siç ishte
ekzistencializmi në vitet e trazuara ’60. Megjithëkëtë, Sartri mbeti njeri i
rëndomtë me pak pasuri, deri në fund të jetës aktivisht i përkushtuar ndaj
idealeve. Këtë e dëshmoi edhe në protestat studentore në Paris të mbajtura në
maj të vitit 1968. Sorbona u mbyll. Protestat u përhapën edhe në universitet e
tjera të metropoleve të kontinentit të vjetër. Pozita e rëndë e punëtorëve në
Evropën e viteve ’60 të përkujtonte skenat e shekullit XIX të pasqyruara në
veprat e realistëve anglezë - Uilliam
Thekëri (William Makepeace Thackeray, 1811-1863) dhe Çarls Dikens (Charles Dickens, 1812-1870).
Policia franceze e arrestoi
Sartrin për mosbindje civile.
Ndërhyri presidenti i Francës, gjenerali Sharl
dë Gol (Charles André Joseph Marie de Gaulle; 22 nëntor 1890
- 9 nëntor 1970). E amnistoi dhe tha: „Cili është ai shtet evropian që mund ta
burgosë Volterin. Të lirohet menjëherë“). Si pasojë e protestave
studentore që e tronditën Francën dhe mbarë Evropën, qeveria franceze ra.
* * *
Në vitin 1975 e
pyetën Sartrin: “Për çka do të dëshironte
ta kujtojnë brezat e ardhshëm”. Midis tjerash, ai tha: “Do të doja që brezat e sotëm dhe të ardhshëm t’i dinë mjedisin dhe
rrethanat historike në të cilat kam shkruar dhe kam vepruar”.
Ateizmi i Sartrit ishte bazë e ekzistencializmit të tij. Në mars të vitit 1980, një
muaj para se të vdiste, Sartrin e intervistoi asistenti i tij, çifut
nga Algjeri, Bernar-Anri Levi (Bernard-Henry
Lévy, 1948- ). Sartri shfaqi interesim për judeizmin.
Disa studiues këtë e interpretuan si
konvertim fetar të tij. Por atij i interesonte vetëm karakteri etik dhe
metafizik i fesë hebraike. Sartri edhe më tej e mohonte idenë e ekzistimit të
Zotit.
Çështjet e krijimit dhe të Krijuesit i preku edhe në
intervistën që ia dha në vitin 1974 bashkudhëtares së vet, Simon dë Bovuarit.
Për shkak të ritmit
të papërballueshëm në punë, përdorte amfetaminë.
Ishte duke shkruar veprën „Kritika“
(Critique). Gjendja fizike e tij
shkonte duke u përkeqësuar. E lodhi tej mase edhe projekti i fundit i jetës së
tij, biografia analitike vëllimore e romancierit francez Gystav Floberit (Gustve Flaubert, 1821-1880) – „Idioti i familjes“ (L'idiot
de la famille, 1971).
Që të dyja veprat mbetën të papërfunduara.
Zhan-Pol Sartri vdiq në Paris më 15 prill 1980, në moshën 75-vjeçare,
nga edemi pulmonar (ndezje e mushkërive). Sartri u varros në varrezat Monparnas (Montparnasse)
të Parisit. Në varrim morën pjesë mbi 25.000 vetë. Ka burime që thonë se kanë
marrë pjesë 50.000 vetë. Organizuesit e varrimit e refuzuan ndihmën e policisë
për të mbajtur rendin. Nekrologun mbi
arkivolin e tij e lexoi Simon dë Bovuar. Ajo vajti në pavdekësi pas gjashtë
vjetëve, më 1986. Që të dy janë varrosur në të njëjtin varr.
* * *
Sartri
për terrorizmin – Në Olimpiadën të
mbajtur në Munih (Münich) të Gjermanisë në vitin 1972, organizata palestineze „Shtatori i Zi“ vrau 11 sportistë
izraelitë. Për terrorizmin Sartri tha: „Terrorizmi
është një armë e tmerrshme, por varfanjakët e shtypur armë tjetër s’kanë“.
Gazetat franceze dhe një pjesë e opinionit publik masakrën e Munihut e cilësuan
si një skandal të patolerueshëm. Por për Sartrin, skandaloz ishte gjykimi dhe
vlerësimi i tyre.
* * *
Në vitet ’70 vepronte
në Gjermani organizata Fraksioni i Armatës së Kuqe (Red Army Faction),
përkatësisht grupi „Bader-Majnohof“.
Autoritet gjermane e cilësonin si grup terrorist. Udhëheqës të grupit ishin Andreas Bader dhe Ulrike Majnhof. Ishin arrestuar dhe vuanin dënimin në
burgun Stammheim të Shtutgartit dhe nëpër burgjet e tjera gjermane. Gjatë një
greve urie kolektive, udhëheqësin e grupit, Andreas Baderin, e vizitoi Sartri.
Të gjithë anëtarët e grupit ishin të arsimuar.
Shënim: Në grupin “Bader-Majnhof”,
midis tjerëve bënin pjesë: Andreas Baader
(1943 – burgu Stammheim, Shtutgart, 18 tetor 1977); Ulrike Marie Meinhof (1934 – burgu Stammheim, Shtutgart, 9 maj
1976); Jan-Carl Raspe (1944 – burgu
Stammheim, Shtutgart, 18 tetot 1977): bija e një kapitalisti gjerman e cila
luftonte kundër kapitalizmit, Gudrun Ensslin,
1940 – burgu Stammheim, Shtutgart, 18 tetot 1977); Holger Meins (1941-1974) etj.
Për të gjithë të
lartpërmendurit që vdiqën në burg, autoritetet gjermane thanë se kishin bërë
vetëvrasje.
Në vitet ’70 të
shekullit XX, grupe të ngjashme ka pasur edhe në Itali, në Francë etj.
* * *
Veprat
Romanet dhe novelat: „Neveria“ (La Nausée, 1938); “Muri” (Le Mur, 1939); trilogjia “Rrugët e lirisë” (Les Chemins de la liberté, 1945-1949); “Mosha e pjekurisë” (L'âge de raison, 1945; „Shtyrja“ (Le Sursis, 1947);
“Shpirtrat e vrarë” (La
Mort dans l'âme, 1949); ???????? ??????? (La Dernière chance,
pjesa e katërt e ciklit e cila kurrë nuk u përfundua);
Autobiografia: “Fjalët” (Les
mots, 1964);
Dramat: “Mizat” (Les Mouches, 1943); “Pas dyerve të mbyllura” (Huis clos, 1944 ); “Të vdekurit e pavarrosur” (Morts sans sépulture, 1946); “Lavirja e denjë për
respekt” (La putaine respectueuse, 1946); “Duar
të ndyra” (Les Mains sales, 1951); “Djalli dhe Zoti i
mirë” (Le Diable et le Bon Dieu, 1951); “Të burgosurit nga Altona“ (Les Séquestrés d' Altona, 1959);
Veprat filozofike: “Imagjinata” (L'Imagination, 1936); “Qenia dhe asgjëja” (L'Être et le Néant, 1943); “Kritika e arsyes
dialektike” (Critique de la raison dialectique, 1960);
Esetë dhe kritikat: „Ekzistencializmi është humanizëm” (L'Existentialisme est un humanisme, 1946); “Situatat” I-X (Situations I-X, 1947-1974); “Ç’është letërsia?” (Qu'est-ce que la littérature?, 1947); “Bodleri” (Baudelaire, 1947);
“Shën Zhene, artist dhe
martir” (Saint Genet, comédien et martyr, 1952); “Idioti i familjes” (L'idiot de la famille, 1971-1972).