Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Teksti përfundimtar i Rezolutës për Srebrenicën
E diele, 26.05.2024, 07:56 PM
TEKSTI PËRFUNDIMTAR I REZOLUTËS PËR SREBRENICËN, DËRGUAR ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË KOMBEVE TË BASHKUARA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Propozimi përfundimtar i Rezolutës së KB-ve për gjenocidin në Srebrenicë
u harmonizua dhe iu dorëzua kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve
të Bashkuara.
“Pas shumë konsultimeve
inkluzive, Propozimi përfundimtar i Rezolutës ‘Dita ndërkombëtare e
refleksionit dhe e komemoracionit të Gjenocidit në Srebrenicë 1995” nga ‘cross-regional core
group’, iu dërgua kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve dhe të gjitha
misioneve të përhershme në KB”.
Teksti përfundimtar i propozimit të
Rezolutës:
“Duke u prirë nga Karta e Kombeve të
Bashkuara, nga Deklarata universale për të drejtat e njeriut dhe nga Konventa
për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, duke iu referuar Rezolutës
819 të Këshillit të Sigurimit të datës 16 prill 1993 me të cilën Srebrenica
shpallet zonë e sigurt, Rezolutës 827 të datës 25 maj 1993 për formimin e
Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GjNPJ) dhe Rezolutës 1966
të datës 22 dhjetor 2010 për formimin e Mekanizmit ndërkombëtar rezidual për gjykatat
penale, duke i përkujtuar të gjitha
aktgjykimet e GjNPJ-së, e sidomos tetë prej tyre të cilët përmbajnë aktgjykime
dënuese për krim gjenocidi ndaj myslimanëve boshnjakë të kryer në Srebrenicë në
vitin 1995, veçanërisht aktgjykimin e Kolegjit ankimor të GjNPJ-së të datës 19
prill 2004 (GjNPJ kundër Kërstiqit), Mekanizmin ndërkombëtar rezidual për
kolegjin ankimor të gjykatave penale, aktgjykimi i datës 8 qershor 2021 (GjNPJ
kundër Mladiqit), aktgjykimin e Mekanizmit ndërkombëtar rezidual për kolegjin
ankimor të gjykatave penale të datës 20 mars 2019 (GjNPJ kundër Karaxhiqit),
Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) të datës 26 shkurt 2007 e cila
përcaktoi se veprat e kryera në Srebrenicë paraqesin vepra gjenocidale, duke
konfirmuar kundërshtimin tonë të fuqishëm të pandëshkueshmërisë së gjenocidit,
të krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të luftës dhe të shkeljeve të tjera të
të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të të drejtës ndërkombëtare të njeriut
dhe duke theksuar në këtë kontekst përgjegjësinë e shteteve për t’i dhënë fund
pandëshkueshmërisë dhe për këtë qëllim të hulumtojnë rrënjësisht dhe të ndjekin
penalisht, në përputhje me detyrimet juridike ndërkombëtare relevante të tyre
dhe me të drejtën në vendet e tyre, personat përgjegjës për vepra të tilla, për
të shmangur përsëritjen e tyre dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme,
drejtësi, vërtetësi dhe pajtim për të cilën nevojitet pjesëmarrja e viktimave
dhe e të mbijetuarve si dhe e anëtarëve të familjeve të tyre si çështje me
peshë qendrore, duke përshëndetur përparimin e rëndësishëm që kanë bërë në
vitet e fundit gjykatat ndërkombëtare lidhur me luftën kundër
pandëshkueshmërisë dhe sigurimit të përgjegjësisë për gjenocid, për krime
kundër njerëzimit, për krime lufte dhe për krime të tjera të papara, të arritur
nëpërmjet sistemit të jurisprudencës penale ndërkombëtare, në këtë pikëpamje
çmon kontributin e posaçëm të GjNPJ-së dhe thekson rëndësinë e gatishmërisë së
bashkësisë ndërkombëtare për të ndërmarrë aksion kolektiv nëpërmjet Këshillit
të Sigurimit, në përputhje me Kartën dhe bazuar në rastin e veçantë, me qëllim
që akoma më shumë të sigurohet përgjegjësia për gjenocid dhe për parandalimin e
tij.
Duke përsëritur se përgjegjësia penale,
në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për krimin e gjenocidit, është
individuale dhe nuk mund t’i vishet cilitdo grup etnik, religjioz apo ndonjë
grupi tjetër, apo bashkësi si tërësi.
Duke marrë parasysh rolin e
këshilltarëve specialë të sekretarit të përgjithshëm për parandalimin e
gjenocidit dhe përgjegjësinë për mbrojtje; dhe duke theksuar rëndësinë e
brifingjeve të rregullta për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të së
drejtës ndërkombëtare humanitare, si dhe për gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen në
ngritjen e hershme të vetëdijes për gjenocid potencial, po ashtu duke vënë
dukje se procesuimi i personave përgjegjës për gjenocid dhe për krime të tjera
ndërkombëtare në sistemet kombëtare të jurisprudencës, përfshi edhe Gjykatën e
Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të GjNPJ-së, si dhe Mekanizmin ndërkombëtar
rezidual për gjykata penale, mbetet qendrore në procesin e pajtimit kombëtar
dhe në ndërtimin e besimit dhe për përtëritjen dhe ruajtjen e paqes në Bosnjë
dhe Hercegovinë, duke pranuar edhe më tej faktin se bashkëpunimi i fuqishëm
rajonal ndërmjet prokurorive shtetërore ka një rëndësi thelbësore për nxitjen e
paqes, të drejtësisë, të së vërtetës dhe të pajtimit midis shteteve të rajonit,
duke konstatuar se në vitin 2025 do të shënohet tridhjetë vjetori i gjenocidit
në Srebrenicë në të cilën humbën të paktën 8,372 jetë, mijëra të tjerë u
shpërngulën, ndërsa familjet dhe bashkësitë i devastuan (i shkatërruan):
1. Vendos që 11 korriku të shpallet Ditë
ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë 1995 e cila do të
shënohet çdo vit;
2. Dënon pa rezervë çfarëdo mohimi të
gjenocidit në Srebrenicë si një ngjarje historike dhe i fton shtetet anëtare
t’i ruajnë faktet e përcaktuara, duke përfshirë edhe nëpërmjet sistemeve të
tyre të arsimit, duke zhvilluar programe përkatëse, po ashtu në shenjë
përkujtimi, me qëllim të parandalimit të mohimit dhe të shtrembërimit të
fakteve dhe të dukurisë së gjenocidit në të ardhmen;
3. Po ashtu pa rezervë i dënon veprimet
të cilat i madhështojnë personat e dënuar për krime lufte, për krime kundër
njerëzimti dhe për gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë personat
përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;
4. Thekson rëndësinë e përfundimit të
procesit të gjetjes dhe të identifikimit të viktimave të tjera të gjenocidit në
Srebrenicë dhe varrosjes dinjitoze të tyre dhe bën thirrje për vazhdimin e
procesuimit të atyre kryerësve të gjenocidit në Srebrenicë të cilët pritet të
ballafaqohen me drejtësinë;
5. U bën thirrje të gjitha shteteve që
t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të veta sipas Konventës për parandalimin
dhe dënimin e krimit të gjenocidit, siç është e zbatueshme dhe të drejtës zakonore ndërkombëtare për
parandalimin dhe dënimin e gjenocidit, kundrejt respektimit të detyrueshëm të
vendimeve të ICJ-së;
6. Kërkon prej sekretarit të
përgjithshëm të përcaktojë programin e informimit me titullin “Gjenocidi në
Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar me veprimtaritë dhe me
përgatitjet e veta për 30-vjetorin në vitin 2025, edhe më tej kërkon nga
sekretari i përgjithshëm që t’ua tërheqë vëmendjen për këtë rezolutë të gjitha
shteteve anëtare, të organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe të
organizatave të shoqërisë civile për respektim përkatës;
7. U bën thirrje të gjitha shteteve
anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatave të
tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërisë civile, duke përfshirë
organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe pjesëmarrësit e tjerë
relevantë për ta shënuar Ditën ndërkombëtare, duke përfshirë shënimet dhe
veprimtaritë e veçanta në shenjë përkujtimi dhe respekti ndaj viktimave të
gjenocidit në vitin 1995 në Srebrenicë, si dhe edukimin përkatës dhe
veprimtaritë e ngritjes së vetëdijes së publikut.
Përktheu Xhelal Zejneli