Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Xhorxh Gordon Bajroni
E diele, 21.04.2024, 07:59 PM
Lord
Byron-i me veshje shqiptare, nga Thomas Phillips, 1813
XHORXH GORDON BAJRONI
Me
rastin e 200-vjetorit të vdekjes
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Xhorxh Gordon Bajroni (George
Gordon Noël Byron, Londër, 1788 – Missolonghi/Greqi, 1824), ose shkurtimisht
Lordi Bajron, është poet anglez, me prejardhje skoceze. Rrjedh nga një familje aristokrate.
U shkollua në shkolla elite. Në moshën 24-vjeçare trashëgoi titullin e lordit
dhe hyri në Dhomën e Lartë të Parlamentit britanik. Fjalimin aderues në këtë dhomë ia kushtoi mbrojtjes së
punëtorëve që i shkatërronin makinat. Edhe më vonë e ngriti zërin për t’i
mbrojtur të shtypurit, duke i mbështetur në Itali karbonarët, ndërsa në Greqi –
kryengritësit antiturq. Ana tjetër e personalitetit të tij ishte sjellja
kaotike, ekscentrike, sjellja e dhunshme e trashëguar nga të dy prindërit,
skandalet dhe zvetënimi apo shfrenimi.
* * *
Jeta – lindi në rrugën Holles të Londrës. Që nga lindja ka lindur
me probleme në këmbë, ndaj edhe ka çaluar. I ati Xhon Bajron (John Byron) ka
qenë me prejardhje nga një familje normane. Anëtari më i vjetër i
familjes, Ralf de Bajron (Ralph de Buron), bashkë me Vilim Pushtuesin, ka
ardhur në Angli. I ati i Bajronit për herë të parë është martuar në vitin 1778
me markezën nga Camartheni, Lady Conyers. Më vonë ajo ndahet prej tij. Kanë pasur
dyvajza. Njëra vdes herët, ndërsa tjetra, Augusta, ka qenë më jetëgjatë. Kjo
është simotër e Bajronit, përkatësisht motër nga baba. Gruaja e parë e babait
të Bajronit, Lady Conyers, vdes dy vjet pas lindjes së vajzave të sipërthëna.
Grua e dytë e Xhon Bajronit (John Byron) ka qenë Ketrin Gordon (Catherine
Gordon) prej Gighti. Ajo ka qenë pasardhëse e Jakobit I të Skocisë. Nga martesa e saj me Xhon Bajronin (John Byron)
ka lindur romantiku i famshëm Xhorxh
Gordon Noël Bajroni. Gjyshe dhe gjysh i Bajronit nga vija e babait kanë
qenë nën-admirali John “Foulweather Jack” Byron dhe Sophia Trevanion. Për ta
fituar të drejtën mbi pronat e gruas së tij të dytë në Skoci, babai i Bajronit
e merr mbiemrin plotësues “Gordon” dhe bëhet “John Byron Gordon”. Edhe Bajroni
e ka përdorur atë mbiemër dhe në shkollën në Aberdeen është regjistruar si
“Georg Byron Gordon”. Në vitin 1786, për t’iu shmangur kreditorëve, Ketrin dhe
burri i saj (prindërit e Bajronit), shkojnë në Francë. Kah fundi i vitit 1787
kthehen, me qëllim që fëmijën ta lindte në tokën angleze. Bajroni lindi më 22
janar në një bujtinë në rrugën Holles Street në Londër. Në vitin 1790 Ketrin
shpërngulet në Aberdeenshire, ku Bajroni e kaloi fëmijërinë. Babi i tij iu
bashkua në rrugën Queen Street, por çifti shpejt u nda. Babi i Bajronit bëri
një udhëtim në Valensien (Valencienes) të Francës ku vdiq në vitin 1791. Në
vitet 1790-1794 Bajroni jetoi në Aberdeen. Tani shfaqen vështirësitë e para me
këmbën e deformuar. Në moshën pesëvjeçare dashuron çupën Mary Duff. Në moshën
dhjetëvjeçare, pas vdekjes së një daje më 21 maj 1798, e trashëgon titullin e
tij baron,
duke u bërë Baroni i 6-të nga Rochdale, “Lord Byron”. Prej tij trashëgon
shtëpinë “Newstead Abbey” në rrethin Nottinghamshire. Megjithëkëtë, Bajroni me
të ëmën vazhduan të jetojnë në Aberdeen. Në vitet 1801-1805 Bajroni u shkollua
në Harrow. Këtu u dashurua në mbesën Margaret Parker, pastaj në Mary Anne
Chaworth. Një natë, ajo i thotë dados së saj: “A mendoni se unë mund të ndje ndonjëherë diçka ndaj atij djaloshit të
çalë”. Këto fjalë i hyjnë në vesh edhe Bajronit, duke lënë gjurmë të thella
në psikën e tij. Dhjetë vjet më vonë, në liqenin e Gjenevës, në poezinë “Ëndrra” (The Dream), Bajroni flet për këtë dashuri të tijën të hershme. Pas
përfundimit të shkollimit në Harrow, në vitet 1805-1808 Bajroni studion në Kembrixh
(Cambridge) në Trinty Colleg.
Një vit para mbarimit të shkollimit, Bajroni boton përmbledhjen “Orë përtacie” (Hours of Idleness),
version i korrigjuar i përmbledhjes rinore “Juvenile
Poems”. Tani Bajroni ishte 18-vjeçar. Përmbledhjen e nënshkroi me
pseudonimin “I mituri” (A. Minor). Libri hasi në kritika të ashpra të kritikëve
të atëhershëm. Në vitin 1809 Bajroni bëhet anëtar i Dhomës së Lartë. Po atë
vit, si përgjigje ndaj kritikave të këqija drejtuar përmbledhjes së tij të
parë, bajroni shkruan satirën “Poetët anglezë dhe kritikët skocezë”
(English Bards and Scott Reviewers). Në qershor të viti 1809, shkon në
Portugali, në Spanjë, në Greqi, në Shqipëri dhe në Lindjen e Afërt. Në Janinë
fillon të shkruajë poemën romantike “Çajld Harold” (Childe Harold). Pas dy vitesh Bajroni kthehet në Angli. Mbërrin
një ditë pas vdekjes të së ëmës, më 2 gusht 1811. Po atë vit shohin dritën “Këshilla nga Horaci” (Hints from Horace) dhe
“Mallkimi i Minervës” (Course of Minerva).
Në vitin 1813, lordi i ri njihet me Anna
Issabelle (Annabelle) Milabanke
dhe ia kërkon dorën. Pas një viti i botohen veprat: “Pirati” (The Corasair), “Ode për rënien e Napoleon Bonapartit” (Ode on the Fall of Napoleon Bonaparte) dhe “Lara”. Në
saje të veprave të lartpërmendura, popullariteti i Bajronit rritet në mënyrë
marramendëse. Atë vit në Londër, brenda një dite janë shitur 13.000 kopje të “Piratëve” (The Corasair). Të njëjtin
vit, d.m.th. më 1814, Anabela e
pranon ofertën martesore të Bajronit. Vitin vijues (1815), poeti legjendar
martohet me të zgjedhurën e vet. Në nëntor të të njëjtit vit lind vajza e
poetit – Augusta. Shpejt pas lindjes së foshnjës, bashkëshortja Anabela e lë
Bajronin, duke e fajësuar për dashuri incesti me simotrën (motrën nga
babai) – Augustën. Në vitin 1816, d.m.th. një vit pas lidhjes së martesës,
Bajroni ndahet nga bashkëshortja dhe më 25 prill 1816, nën trysninë e publikut,
e lë Anglinë. Shkon në Zvicër. Në liqenin e Gjenevës takon poetin e famshëm
anglez Persi Bish Sheli (Percy Bysshe Shelley, 1792-1822)*.
Shënim: Sheli ishte dëbuar nga Universiteti i Oksforsit për shkak të ateizmit
dhe radikalizmit politik. Ndonëse i martuar, më 1814, Sheli iku në Itali me
16-vjeçaren Mery Wollstonecraft, më
vonë Meri Sheli (Mary Shelley, 1797-1851).
Kjo ishte bijë e filozofit social W. Godwin dhe e sufrazhetes M. Wollstonecraft.
Me Persi Bish Shelin e lanë Anglinë dhe u vendosën në Itali. Me ta ishte edhe
motra e Meri Shelit, Jane Clairmont.
Më 1816 u martuan, pas vetëvrasjes së gruas së Persi Bish
Shelit. Në Itali qëndruan në vitet 1818-1822, kur romantiku i madh Persi Bish
Sheli u mbyt në përmbytje të stuhishme. Autorja e romanit “Frankeshtajni apo Prometheu
modern” (Frankestein, or The
Modern Prometheus, 1818), me të
birin u kthye në Angli. Ky roman paraqet arritje kulmore e zhanrit të
romanit gotik dhe deri në ditët tona ka qenë objekt i interpretimeve psikanalitike
dhe kulturologjike.
* * *
Motra e prozatores Meri Sheli, Klara Klermont (Claire Mary Jane Clairmont,
1798-1879) qysh në Londër e dashuronte Lordin Bajron. Në vitin 1817, nga kjo
lidhje e tyre lindi vajza Alegra Bajron
(Allegra Byron; Bath, Mbretëri e Bashkuar, 12.01.1817 – Bagnacavallo, Itali,
20.04.1822). Pas kësaj, Bajroni u vendos në Venecie. Atje poeti çon dashuri me
vajzën 22-vjeçare të tregtarit të Miletit. Pas kësaj edhe me Margarita Kogni
(Margherit Cogni). Kjo ishte grua e një bukëpjekësi, e pashkolluar dhe xheloze,
Në vitin 1817 Bajroni ndodhet në Ferrari. Vitin vijues, sërish në Venecie. Në
prill të viti 1819 këtu takon konteshën 16-vjeçare Teresa Guiccioli, e lindur
Gamba, e martuar me kontin 60-vjeçar Guccioli. Që këtu, Bajroni shkon në Raven.
Pas një viti, d.m.th. më 1820, shkruan tragjedinë “Marino Faliero” dhe poemën “Profecia
e Dantes” (The Prophecy of
Dante) të cilën ia dedikon të dashurës Teresa
Guiccioli. Më 1821 poeti shkon në ravenë në Pisë. Ndërkohë konti Guiccioli
ndahet nga gruaja Teresa Guiccioli. Kjo e fut Bajronin në rrethin e karbonarëve.
Për shkak të lidhjeve me karbonarët, Bajronin e dëbojnë nga Pisa. Në shtator të
viti 1822 kalon në Gjenovë. Po atë vit, përpos veprave të tjera del “Vizioni i gjykimit të nesërm” (The Vision
of Judgement) – parodi e poezisë me të njëjtin titull e bashkëkohësit të
Bajronit Robert Southey, i cili në
hyrje të poezisë së vet “Vizioni i
gjykimit të nesërm” (A vision of Judgement, 1821) kërkon nga qeveria angleze t’i ndalojë
librat e Bajronit, ndërsa Bajronin e quan “themeluesi
dhe kreu i shkollës satanike”. Pas 14 korrikut të vitit 1823, prej Gjeneve
Bajroni niste për në Greqi dhe më 4 gusht zbret në Cefaloni për t’iu
bashkëngjitur kryengritësve grekë. Bajroni shkruan: “Këtu do të vdesim ose marcialisht ose moçalisht”. Këtu i kalon
pesë muaj. Pas kësaj, në Missolughi i bashkohet udhëheqësit të kryengritjes –
Maurocordatit.
Në vitin 1824 Bajroni shkruan këngët XV
dhe XVI të “Don Zhuanit” dhe poezinë “Sot i bëj 36 vjeç” (On this Day I Complete My Thirtysixth Year). Poezia
është shkruar më 22 janar të viti 1824. Më 19 prill të atij viti poeti
legjendar vdes prej etheve që e kishin përlarë dhjetë muaj më parë. Trupi i tij
u dërgua në Angli. U varros në Hucknell, një fshat i vogël afër Newstead
Abbey-it. Simotra e tij, Augusta ia vuri mbi varr pllakën me mbishkrimin:
“Nën këtë hark / Ku prehen shumë paraardhës të Tij /
Dhe e ëma / Të varrosura / Ëndërrojnë mbetjet mortore / Të GEORGE GORDON NOËL
BYRONIT / Lord Bajronit nga Rochdate / Në kontenë Lankaster / Autor i
pelegrinazhit Çajld Harold / I lindur / më 22 janar 1788 / Vdiq në Missolonghi
në Greqinë perëndimore / Më 19 prill 1824 / Në veprimin fisnik / Për ta
rivendosur rrugën e lirisë së kamotshme / Dhe për ta madhështuar.
-
E motra, fisnikja
AUGUSTA MARY LEIGH
E vendos këtë pllakë në kujtim të Tij.
Shënim:
Mbishkrimi në pllakë është shkruar në formën vertikale.
* * *
Poemën romantike “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Piligrimage,
1812-1817) Bajroni e ka shkruar në
bazë të përshtypjeve nga udhëtimet e tij në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër,
Itali etj. Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur dhe
të robëruar. Në këngën II të poemës poeti u këndoi traditave dhe zakoneve
burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për liri.
Më 1955 poema e sipërthënë u përkthye në gjuhën shqipe prej publicistit dhe
përkthyesit, veprimtarit të arsimit dhe të shkollës shqipe, Skënder P. Luarasit (1900-1982).
Bajroni i çmonte lartë shqiptarët. Lidhur me këtë kanë shkruar shumë studiues
dhe kritikë letrarë. Midis tyre edhe historiani Kristo Frashëri (1920-2016) në
librin "Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali
Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)", botuar më 2009. Respekti i
poetit ndaj shqiptarëve shihet edhe te letrat që ia dërgonte ai
të ëmës si dhe në shënimet që i ka mbajtur bashkudhëtari i tij i kulturuar Xhon Kem Hobhauz (John Cam Hobhouse, 1786-1869). Për Bajronin Shqipëria ishte një vend me
bukuri natyrore të rralla. Shqiptarët – njerëz të pashëm, trima, krenarë, me
fustanella të bardha. Ali Pashë Tepelena
(1740-1822) ishte një kapedan i egër por jo mizor, vezir por i pavarur,
figurë e tretë historike pas Aleksandrit
të Madh (356 para K. – 323 para K.) dhe
pas Gjergj Kastriotit (1405-1468).
* * *
Vepra: Dy këngët e para të
epit udhëpërshkrues “Shtegtimet e
Çajld Haroldit” panë dritën në vitin 1812. Ato janë pjellë e përvojës nga udhëtimet
e poetit në Portugali, në Spanjë, në Greqi dhe ishujt e saj, në Shqipëri. Kënga
e tretë doli në vitin 1816, ndërsa e katërta – më 1818. Kjo i solli famë
poetike dhe adhurimin nga femrat e shoqërisë së lartë. Por ai u martua me një
vajzë inkompatibile, nga e cila shpejt
u nda. Fjalët lidhur me incestin me simotrën (motër nga
babai) Augusta Leigh, e cila lindi edhe fëmijë, qëndrimin e tij në shoqërinë
bujare dhe aristokrate e bënë të pamundur, kështu që në vitin 1816 përgjithmonë
largohet prej Anglie. Viziton Vaterlonë (Waterloo). Vazhdon nëpër Rajnë, nëpër
Zvicër, mbërrin në Itali. Këtu i kryen edhe dy këngë të “Çajld Haroldit”. Me tregimet në vargje si: “Kauri” (The Giaour,
1813), “Nusja nga Abidosi” (The Bride of Abydos, 1813), “Pirati” (The Corsair, 1814) “Lara” (1814) etj. - u bë poet i
popullarizuar në mbarë Evropën. Në to krijoi tipin e vetmitarit tërheqës, por
të errët, melankolik, misterioz me ndjenja të thella, por edhe hakmarrës i
pamenduar, luftëtar për drejtësi dhe kundër tiranisë (më së shpeshti tiranisë
turke). Me këtë e mishëroi mitin që e krijoi për vete me paraqitjet publike në
Angli. Në vetëdijen e lexuesit, personaliteti i poetit shkrihet në atë të
heronjve të tij: mëkatar, faktor për krimin që nuk u zbardh kurrë; njëherazi
edhe viktimë e shoqërisë që e urrente, por kur e dëbuan që andej – vuajti. Veshja
në stilin lindor është pjesë e
pasqyrës së bajronizmit, siç quhet lidhja midis gjestit patetik publik
teatral të heroit dhe shprehjes poetike të pëlqyer.
Personazhi bajronik paraqitet edhe në
romantizmin e letërsive të tjera. Madje, sa më zemërak, tekanjoz dhe cinik, ai
është dashnor burrëror, i papërballueshëm.
Në letërsinë angleze, Bajroni kurrë nuk
mori mirënjohje për poezinë e tij. U çmua lart në kulturat e tjera evropiane.
Në pjesën kontinentale të Evropës u çmuan tregimet e tij. Madje drama “Manfred” (1817) u krahasua me
tragjedinë “Fausti” të shkrimtarit
gjerman Johan Volfgan Gëte (Johann
Wolfgang Goethe, 1749-1832).
Në Itali ku qëndroi disa vjet, shkroi
një varg veprash poetike siç janë portretet psikologjike “Julian dhe Madalo” (Julian and Maddalo, 1824) për veten dhe Persi Bish
Shelin, “Vajtimi i Tasos” (Lament of
Tasso, 1817); satirat dramat
poetike “Marino Faliero” (1820), “Kaini” (1821) etj.
Në vitin 1822, bashkë me Persi Bish
Shelin dhe L. Huntom botoi revistën “The Liberal” dhe mori pjesë në rezistencën
ilegale kundër policisë austriake në Italinë veriore.
Gjuha kolokviale dhe toni ironik, të
përkryera në poezinë narrative komike “Beppo”
(1817) i kanë ndihmuar për ta shkruar veprën e tij më të madhe dhe më të
gjatë, epin komik të papërfunduar “Don
Zhuani” (Don Juan, 1819-1824). Heroin e vet disi pasiv, por për gratë tejet
i adhurueshëm, prej vendit të lindjes, Sevilës, me anijen që ka pësuar avari, e
çon në përqafime idile në ishullin grek, pastaj në haremin e Kostandinopojës,
më pas, me fatin e luftës, në pallatin rus të Katarinës së Madhe dhe më në fund
ndër bujarët anglezë. Në këtë vepër nuk janë thelbësore aventurat por komentet
ironike të tregimtarit, bukuria e të cilëve është produkt i skemës së
ndërlikuar të vargjeve në strofat e formës rima
attava.
Me ftesë nga Greqia, bajroni duke
dërguar ndihmë të pasur, u shkon kryengritësve që me autoritetin dhe famën e
vet në botë, t’u ndihmojë në luftën për liri. Atje, i dëshpëruar nga mungesa e
rendit dhe nga zënka midis grekëve, pas tre muajve vdes prej etheve. Për ta njohur jetën e këtij
shkrimtari, rëndësi të veçantë kanë letrat dhe ditarët e tij.
Jeta e Bajronit, lidhje e shpirtit
liberal në dashuri dhe në gjykimin politik, pjesë e emocionales dhe
shpirtërores në tonin e poezisë së tij, kanë marrë veçori mitike dhe kanë lënë
gjurmë në romantizmin e popujve të tjerë. Nën ndikimin e Bajronit shkruajnë: në
Poloni, Adam Mickieviç (Adam
Mickiewicz, 1798-1855); në rusi Aleksandar
Sergejeviç Pushkin (1799-1837) dhe romantiku rus, i njohur si “poet i Kaukazit” Mihail Jurjeviç Lermontov (1814-1841); poeti, romancieri dhe dramaturgu francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802-1885). Bajroni ka ushtruar
ndikim edhe ndër poetët e tjerë të kulturës evropiane.
Anglezët e kanë çmuar lartë Persi Bish
Shelin dhe jo Bajronin, ndërsa në pjesën kontinentale të Evropës është e
kundërta. Është çmuar lartë autori i “Çajld
haroldit” dhe shumë më pak Sheli.
“Çajld Haroldi” fillon
me “Këngën e lamtumirës”. Poeti
vajton: “Nuk më dhimbset se e lë atdheun,
nënën, natyrën dhe timen bijë të vogël. Më dhimbset fakti se s’kam për kë
derdhi, qoftë edhe një pikë të vetme loti”!
Prej Bajronit buron edhe nocioni poetik bajronizëm
që do të thotë “dhimbje botërore” d.m.th. “për
të keqen në botë nuk ka bar”. Poetët
gjermanë e kanë përdorur termin “Weltschmerz”.