Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Agresioni i mbështetur nga Beogradi e shndërron dialogun në teatër absurd
E enjte, 28.09.2023, 08:00 PM
AGRESIONI I MBËSHTETUR NGA BEOGRADI E SHNDËRRON DIALOGUN NË TEATËR ABSURD
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Më 24 shtator të
vitit në vazhdim, në fshatin Banjskë që ndodhet në veri të Kosovës, Policia e
Kosovës u përball me një grup serbësh të armatosur. Gjatë kësaj përballjeje, ra
në mbrojtje të tërësisë tokësore të Kosovës dhe të sovranitetit të saj,
efektivi i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, dëshmor dhe
hero i kombit. I rënë në altarin e lirisë, ai vajti në përjetësi dhe në
pavdekësi.
Bëhet fjalë me një grup
terrorist të formuar dhe të mbështetur nga Beogradi. Ky grup i
armatosur mbështetet politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht nga Beogradi,
përkatësisht nga kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi. Grupi ka edhe
mbështetjen logjistike të Beogradit. Aksioni i grupit të armatosur është agresion
ndaj Kosovës, tërësisë tokësore dhe sovranitetit të saj. Është sulm barbar ndaj
pavarësisë së Kosovës dhe rendit demokratik të saj.
Aksioni i grupit të
armatosur sfidon edhe forcat e KFOR-it që ka mandat të ruajë rendin dhe
paqen në Kosovë, e sidomos në veri të saj.
* * *
Më 26 korrik 2011,
në operacionin e Policisë së Kosovës kundër strukturave kriminale në veri të
Kosovës, afër pikës kufitare në Bërnjak, në moshën 32-vjeçare, ra në altarin e
lirisë efektivi i policisë, heroi i kombit Enver Zymberi. Ishte efektivi
i 14-të i rënë në detyrën për atdheun. Këta nuk vdesin, gjallë i
mban historia.
* * *
Aksioni dhe
agresioni i grupit çetnik serb u mbështet fuqimisht edhe nga
Rusia, nga Moska, nga Vladimir Putini si dhe nga Sergej Lavrovi.
Shpeshherë, grupeve të armatosura serbe që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe
të rajonit, u bashkëngjiten edhe mercenarë rusë.
Aksioni dhe
agresioni i grupit serb të armatosur rrezikon edhe paqen dhe qëndrueshmërinë e
rajonit.
Për aksionin e
grupit serb të armatosur, Vuçiqi thotë: “Janë rebeluar serbët e Kosovës
kundër politikës së Albin Kurtit”.
Të gjithë duhet ta
dinë se problem i Kosovës nuk është Albin Kurti. Problem i Kosovës dhe i
rajonit është Beogradi, Serbia, Vuçiqi dhe ideologjia serbomadhe.
Qëllimi i grupit
çetnik serb ka qenë krijimi në Kosovë i njëfarë ushtrie çlirimtare serbe.
Kjo farë ushtrie do të shpallte gjendje të jashtëzakonshme apo gjendje lufte.
Do të krijonte një “territor të çliruar”, në radhët e veta do të
mobilizonte dhe do të rekrutonte dhunshëm edhe një numër të caktuar të
qytetarëve serbë të veriut të Kosovës. Ndonëse të mobilizuar me dhunë, këta do
t’i quante vullnetarë. Më vijim, në lumin Ibër do të vendoste njëfarë kufiri
që do të duhej ta ndante Kosovën. Me policët serbë që e braktisën Policinë e
Kosovës, do të krijonte në veri njëfarë policie serbe. Synimi përfundimtar i
Beogradit dhe i Vuçiqit do të ishte krijimi në Kosovë i një entiteti
serb apo i një republike serbe si ajo e Bosnjës dhe
Hercegovinës. Ky farë entiteti serb, kjo farë republike serbe apo
ky farë parashteti do të shkëputej nga Kosova dhe do t’i
bashkëngjitej Serbisë.
Me këtë farë
skenari, Beogradi dhe Vuçiqi, të mbështetur fuqimisht edhe nga Putini,
dëshirojnë të krijojnë në Kosovë një realitet të ri. Dëshirojnë
ta vënë Uashingtonin, Berlini, Parisin dhe Londrën para një akti të kryer.
Vuçiqi duhet ta dijë
se skenari i sipërthënë është i parealizueshëm për arsye se Kosova i posedon
institucionet mbrojtëse – policinë dhe ushtrinë. Skenari i Serbisë për ta ndarë
Kosovën me formacione ruso-çetnike, shpie në konflikt të
armatosur. Si çdo konflikt i armatosur, edhe ky do ta kishte çmimin e vet –
humbjen e jetëve të njerëzve. Kosova është shtet dhe si i tillë vepron me
strukturat mbrojtëse të veta.
Politika e Beogradit
apo e Vuçiqit ndaj Kosovës, nuk është veçse parapolitikë apo ekstrapolitikë.
Skenari i Beogradit,
i Moskës dhe i Vuçiqit për të shkaktuar konflikt të armatosur në Kosovë është
iluzion për arsye se aty ndodhen forcat e KFOR-it, me mandat për të
ruajtur rendin dhe rregullin në tërë territorin e saj, e sidomos në veri të
saj.
* * *
Serbët e Kosovës i
gëzojnë të gjitha të drejtat: gjuha serbe është zyrtare në tërë territorin e
saj; serbët kanë të drejtë ta përdorin flamurin kombëtar të tyre, që sot
përdoret në kundërshti me ligjet e Kosovës; në Kuvendin e Republikës së Kosovës
kanë të garantuar dhjetë mandate deputetësh; në qeverinë e Republikës së
Kosovës mund të kenë një apo dy ministra; gëzojnë të drejtën e kultivimit të
vlerave kulturore serbe; gëzojnë të drejtën e arsimimit në gjuhën serbe, që nga
arsimi fillor deri në atë universitar (serbët në Kosovë ka kohë që kanë
ndërtuar sistem paralel armimi që është në kundërshti me ligjet e Kosovës); e
kanë sistemin e shëndetësisë; në komunat ku janë shumicë, kanë të drejtë për
pushtet vendor; kanë administratë në gjuhën serbe (administrata vetëm në gjuhën
serbe në veri, është në kundërshti me ligjet e Kosovës); kanë të drejtë të
integrohen në shoqëri; kanë të drejtë të zhvillojnë veprimtari ekonomike,
kulturore, sportive etj.
Atëherë, ç’kërkojnë
përtej kësaj dhe më shumë se kaq?! Të kërkosh më shumë se kaq, do të thotë të
kërkosh territor.
Në anën tjetër,
shqiptarët në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i janë nënshtruar
një gjenocidi të heshtur.
* * *
Mbi serbët në veri
Albin Kurti nuk ushtron kurrfarë dhune apo trysnie. Përkundrazi, ata janë peng
i Beogradit apo Vuçiqit. Ky i instrumentalizon ata për idenë e Serbisë së
Madhe. I ka zënë peng edhe për qëllime personale të veta. Shpeshherë, për t’i
asnjanësuar protestat kundër tij që mbahen të shtunave në shumë qytete të
Serbisë, Vuçiqi rend për të shkaktuar trazira në veri. Duke e mbajtur peng
Listën Serbe, Vuçiqi në veri të Kosovës e ka ngulfatur edhe pluralizmin
politik. Me çfarë fytyre kjo farë partie do t’i përfaqësojë sot e tutje
serbët e veriut, kur doli në shesh se nënkryetari i saj Millan Radoiçiq
(Milan Radoi?i?, 1978- ), mëngjesin e 24 shtatorit të viti 2023, në
fshatin Banjskë, ishte në krye të grupit të çetnikëve të armatosur?! Ky
kriminel, i afërt me Vuçiqin, nga ShBA-ja dhe nga Mbretëria e Bashkuar është
shpallur person i padëshiruar. Të padëshiruar janë
shpallur edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të Vuçiqit – Millorad Dodiku (1959-
) dhe Aleksandar Vulini (1972- ), i cili më 1 dhjetor 2022 u
emërua drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë (shkurtesa burimore: BIA).
* * *
Agresioni ndaj
Kosovës i grupit të armatosur të serbëve, të mbështetur haptas nga Beogradi dhe
Moska, vënë në dyshim dialogun e Brukselit. Pas rrezikimit të
sigurisë së Kosovës dhe të rajonit, dialogu i zhvilluar si deri më sot e ka
humbur kuptimin. Ai po shndërrohet në teatër absurd dhe merr
karakter grotesk. Me kë dialog?! Me Vuçiqin që shpalli ditë zie
për kriminelët vrastarë që ia shuan jetën një efektivi të pafajshëm i cili
ishte në krye të detyrës, që mbronte rendin dhe rregullin, ligjin dhe
kushtetutën, në të mirë të të gjithë qytetarëve të shtetit demokratik, më
demokratik se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor.
Për ç’dialog mund të
flitet kur Vuçiqi ditë për dite brohorit dhe buçet: “Serbia kurrë s’ka për
ta njohur Kosovën!” Të zhvillosh dialog me të, është njësoj sikur të kishe
bërë dialog me Millosheviqin apo me Voisllav Sheshelin. Me politikën
parapolitike të saj, Serbia nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes për
Kosovën apo për rajonin. Asaj duhet t’i imponohen zgjidhjet.
Serbia nuk meriton
të kesh as marrëdhënie diplomatike, e jo më Ballkan të hapur.
Kosovës viktimë, i
jepen masa ndëshkuese, ndërkaq Serbia destruktive, ledhatohet dhe përkëdhelet.
Amerikë, shqiptarët janë proamerikanë, ndërsa serbët gjatë gjithë historisë
kanë qenë dhe mbeten prorusë!
Kosova është
viktima, Serbia ka qenë dhe mbetet agresore. Është iluzion të mendosh se mund
të ketë dialog me serbomëdhenjtë që i ka shkelur koha, që gjykojnë
në kundërshti me tendencën historike.
Uashingtoni,
Berlini, Parisi dhe Londra duhet t’i thonë Beogradit: “O njihe Kosovën, o
shko në veçim!”