Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Metodat e Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve
E marte, 22.08.2023, 08:34 PM
METODAT E ÇUBRILLOVIQIT PËR DËBIMIN E SHQIPTARËVE
-
memorandumi famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” -
Nga
Xhelal Zejneli
Memorandumin “Dëbimi i
shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) akademiku dhe politikani serb Vasa
Çubrilloviq e ka shkruar në vitin 1937 për qeverinë e kryeministrit të
Mbretërisë së Jugosllavisë Millan Stojadinoviq (1888 – Buenos-Aires,
1961).
Në këtë memorandum apo
elaborat, Çubrilloviqi i propozon mënyrat e zgjidhjes së “problemit
shqiptar” me pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve.
Memorandumin e sipërthënë, Çubrilloviqi ia paraqit qeverisë së Beogradit më 7
mars 1937. Ky program, i cili të lë mbresën e një varianti të zbutur të
procesverbaleve të Konferencës naziste të Vanze-it (Wannsee) më 1942,
parashikonte një fushatë energjike për të shpopulluar Kosovën nga banorët
shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar me kolonë serbë dhe malazezë.
* * *
Shënim: Vasa
Çubrilloviqi (1897-1990) ka qenë historian dhe
politikan gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë. Ka qenë pjesëtar i organizatës “Mlada
Bosna”. Në vitin 1914 ka marrë pjesë në atentatin ndaj pretendentit të
fronit Austro-Hungarez, arqidukës Franc Ferdinand (Archduke Franz
Ferdinand, 1863 – Sarajevë, 1914). Ka qenë sekretar i Klubit Kulturor Serb*
me seli në Beograd. Në vitet 1945-1950, në qeverinë e RPF të Jugosllavisë bëhet
ministër i bujqësisë, më pas i pylltarisë. Më vonë bëhet dekan i Fakultetit
Filozofik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1961 bëhet anëtar i rregullt
i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.
* *
*
Memorandum të ngjashëm për “zgjidhjen”
e çështjes së pakicave etnike në Jugosllavi, Çubrilloviqi hartoi edhe kah
fundi i Luftës II Botësore për nevojat e pushtetit të ri komunist,
duke i sqaruar atij se pikërisht tani është çasti i volitshëm për dëbimin e
pakicave. Të njëjtën e bën edhe BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste
Sovjetike). Po këtë janë gati ta bëjnë edhe vendet e tjera të Evropës që kanë pakicë
gjermane të konsiderueshme.
Si duket, pushteti komunist i dëgjoi
këshillat e Çubrilloviqit dhe në vitin 1945, nën akuzën se paskëshin qenë
kolaboracionistë, dëboi nga Jugosllavia, kryesisht nga Vojvodina, rreth
gjysmë milioni gjermanë apo Folksdojçerë.
Ai thotë: “Mund të mbahet vetëm ai
territor që është i banuar me popullin tënd. Është detyrë imperativë e
shtetit të mos lejojë që territorin e tij me rëndësi strategjike ta kenë
në dorë elementet e huaja, e që ndaj nesh janë armiqësore”.
Çubrilloviqi e kritikon kolonizimin
serb të deriatëhershëm të Kosovës, duke thënë se ka qenë joefektiv. Propozon
metoda më efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare dhe
thotë: “Gabimi themelor i pjesëmarrësve përgjegjës ka qenë fakti se
problemet etnike në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm kanë dashur t’i
zgjidhin duke zbatuar metoda perëndimore”. Në vend të kësaj, propozon që
problemi të zgjidhte në mënyrë ballkanike:
“Është e pamundur që
arnautët të luftohen vetëm me kolonizim gradual... E vetmja mënyrë dhe i vetmi
mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë
pikëpamje, ndaj tyre, ne gjithmonë kemi qenë në epërsi”.
Çubrilloviqi i propozon mjetet
e pastrimit etnik. Ai niset nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efektive e
zgjidhjes së çështjes shqiptare është “shpopullimi masiv i arnautëve”,
d.m.th. shpërngulja masive apo dëbimi masiv i tyre. Për t’u realizuar
shpërngulja masive, ai i propozon mjetet e trysnisë, si:
Krijimi i psikozës – Kushti i parë i trysnisë për shpërnguljen apo për dëbimin
e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë apo në Jugosllavi është krijimi i
psikozës. Për këtë arsye, së pari duhet gjetur agjitatorë të cilët
do të agjitojnë për shpërngulje, duke e bërë për vete klerin
shqiptar dhe njerëzit me ndikim të parisë, ose me
para ose duke iu kanosur.
Trysnia e aparatit
shtetëror – Mjet tjetër i
parashikuar nga Çubrilloviqi është trysnia e aparatit shtetëror.
Shteti, deri në skajshmëri duhet t’i shfrytëzojë ligjet në mënyrë që “sa
më tepër ta vështirësojë ekzistencën e arnautëve te ne”. Për këtë
qëllim ai i propozon qeverisë jugosllave: gjoba, burgosje, zbatim të
pamëshirshëm të të gjitha rregullave policore, dënim të kontrabandës, dënim për
prerjen e pyjeve, ndërsimin e qenve, punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që
mund t’i përdorë një polici praktike.
Përpos trysnive policore,
Çubrilloviqi propozon edhe trysni ekonomike, si: mospranimi i
tapive të vjetra; pezullimi i punës së kadastrave; caktimi i pamëshirshëm i
tatimeve dhe i të gjitha borxheve - publike dhe private; sekuestrimi i
kullotave shtetërore dhe i kullotave komunale; heqja e koncesioneve, e lejeve
të punës për kafenetë, për tregtizat dhe për zanatet; sekuestrimi i lejeve
monopoliste, largimi nga shërbimi shtetëror, nga shërbimi privat dhe nga ai vetëqeverisës, etj.
Për ta shtuar trysninë mbi popullatën
shqiptare, ky akademik gjakpirës parashikon edhe masa sanitare,
siç janë: zbatimi i dhunshëm i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpitë e
shqiptarëve; shembja e mureve si dhe e mureve rrethuese të larta përreth
shtëpive; zbatimi i përpiktë i masave veterinare me të cilat do të parandalohej
nxjerrja e bagëtisë në tregje, etj.
Çubrilloviqi propozon po ashtu edhe
trysni që kanë të bëjnë me ceremonitë apo me ritualet fetare, siç
janë: përndjekja e klerikëve; prishja e varrezave; ndalimi i poligamisë dhe
zbatimi i përpiktë i ligjit që vajzat të shkojnë në shkollë.
Sipas Çubrilloviqit, përpos trysnisë
shtetërore, duhet të ushtrohet edhe trysnia private. Në këtë mes,
mund të bëjë shumë edhe nisma private. Ai propozon që kolonëve
serbë dhe malazezë t’u jepet armë dhe që në Kosovë të fillojë aksioni
i çetnikëve.
Në vijim, ky kriminel propozon që
ndërmjet malazezëve dhe shqiptarëve në Metohi të shkaktohen konflikte.
Të shkaktohen edhe rebelime lokale të cilat “me mjete efektive
do të shuheshin në gjak”, jo aq me ushtri, sa me kolonët, me fiset
malazeze dhe me çetnikët.
Një prej masave të këtij
pseudo-akademiku është edhe djegia e vendbanimeve. Përveç mjeteve
të lartpërmendura të trysnisë mbi popullsinë shqiptare civile, ai propozon edhe
një mjet tjetër – djegien sekrete të fshatrave dhe të lagjeve të
arnautëve nëpër qytete. Ai thotë se “këtë lloj trysnie, Serbia e ka
përdorur në mënyrë tejet praktike pas viti 1878”.
* * *
Për shkak të gjendjes ekonomike dhe
rrethanave në politikën e jashtme, memorandumin e Çubrilloviqit, qeveria e
Millan Stojadinoviqit nuk ka mundur ta zbatojë tërësisht. Jetësimin e tij e
ndali lufta e prillit e viti 1941 dhe shkatërrimi i Mbretërisë së Jugosllavisë.
Për këtë arsye, memorandumi mbeti në arkiva dhe për të, vite me radhë nuk ka
ditur kush, përpos një numri të vogël njerëzish.
Ide të ngjashme, përkatësisht plan që
do t’i përfshinte të gjithë popujt josllavë të Jugosllavisë, në vitin 1944
Çubrilloviqi u ofroi edhe autoriteteve të reja komuniste.
Plani u zbatua vetëm ndaj pakicës
etnike gjermane, e cila u dëbua për një, për të sjellë në vend të tyre
popullsinë sllave, kryesisht serbë dhe malazias.
Më vonë, Çubrilloviqi u bë anëtar i
Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Elaborati i tij “Dëbimi i shqiptarëve”
(Iseljavanje Arnauta) u shlye nga biografia zyrtare e tij. Në biografinë
e tij nuk përmendet as memorandumi i ngjashëm i mëvonshëm që iu prezantua
autoriteteve komuniste.
Për memorandumin e Çubrilloviqit, opinioni
ndërkombëtar mësoi për herë të parë në vitet ’60 të shekullit XX. Në këtë kohë,
ky elaborat ra në duart e autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet jugosllave e
mohuan ekzistimin e tij, por ai filloi të qarkullojë në radhët e historianëve,
sidomos atyre kroatë.
Për “Dëbimin e shqiptarëve” të
Çubrilloviqit, opinioni në Jugosllavi mësoi për herë të parë kur disa pjesë të
tij u publikuan në janar të viti 1988 në gazetën “Borba” të Beogradit.
Pak më vonë, memorandumi i sipërthënë u publikua edhe në revistën “Start”
të Zagrebit.
Publikimi i memorandumit shkaktoi
skandal në opinionin jugosllav, për arsye se me këtë dëmtohej jo vetëm
reputacioni i Çubrilloviqit, por edhe i nobelistit Ivo Andriq (1892-1975),
i cili në vitet ’30 të shekullit XX i ka mbështetur planet antishqiptare të
historianit.
Më vonë, teksti shpesh është cituar
si një prej dokumenteve themelore të ideologjisë serbomadhe
të shekullit XX, përkatësisht si bazë e metodave që u përdorën gjatë
shpërbërjes së Jugosllavisë nga autoritetet serbe për pastrimin etnik të
shqiptarëve, të boshnjakëve dhe të kroatëve.
Disa autorë konsiderojnë se planin e
Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, Millosheviqi tentoi ta
realizojë në vitin 1999 gjatë operacionit ”Patkoi”. Vojvoda i çetnikëve Voisllav
Sheshel (1954- ) deklaronte zëshëm: “Shqiptarët do t’i dëbojmë përtej
Bjeshkëve të Nemuna”.
* * *
Shënim: Klubi Kulturor Serb ka qenë organizatë politike
serbe me orientim patriotik dhe kombëtar. U formua në Mbretërinë e Jugosllavisë
në vitin 1937. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e saj paraqiste ideologjinë
jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, që ishte lëvizje çetnike.
Klubi u formua prej intelektualëve të njohur. Shkas për formimin e kësaj
organizate ka qenë “pozita gjithnjë më e pabarabartë e serbëve në shtetin
jugosllav”. Kuvendi i parë i Klubit u mbajt në Beograd më 4 shkurt
1937. Një prej parullave të tij ka qenë: “Serbizëm i fuqishëm në Jugosllavi
të fuqishme”. Klubi i lartpërmendur thotë: “Vetëm hapësira etnike serbe
në Jugosllavi nuk është shënuar me kufij. Është koha që kjo të bëhet, meqë
s’është bërë në vitin 1918. Hapësira serbe që do të shënohej me kufij, do të
kishte kufij të ngjashëm me kufijtë e Serbisë së Madhe”. Anëtarët e Klubit
ishin të pakënaqur me “shpërfilljen e identitetit serb në favor të kombit
jugosllav” si dhe me krijimin e Banovinës së Kroacisë. Kryetar i Klubit
ishte profesori dhe akademiku Sllobodan Jovanoviq (Novi-Sad, 1869 –
Londër, 1958). Sekretar i Klubit ishte Vasa Çubrilloviqi. Në maj të
vitit 1939, Klubi kishte rreth 500 anëtarë. Sllobodan Jovanoviqi ka qenë
jurist, historian, letrar dhe politikan serb. Në vitet 1941-1942 ishte
nënkryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë. Në vitet
1942-1943 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë
në Londër. Në vitet 1897-1940 – profesor në Universitetin e Beogradit, kryetar
i Akademisë Mbretërore Serbe, rektor i Universitetit të Beogradit, profesor i
të drejtës publike dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd.
Shumë pikëpamje të Memorandumit
famëkeq të viti 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve përputhen
plotësisht me ato të Klubit Kulturor Serb. Ati shpirtëror i Memorandumit të
ASShA-së të vitit 1986 ishte akademiku Dobrica Qosiq (1921-2014), i
konsideruar pater patriae.
Akademikët serbë vendnumërojnë. Të
verbuar me të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, ata ndodhen në anën e
kundërt të demokracisë.