Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Trazirat në Veri skenar i Beogradit
E diele, 04.06.2023, 07:58 PM
TRAZIRAT NË VERI SKENAR I BEOGRADIT
Nga Xhelal
Zejneli
Në mitingun e mbajtur në Beograd më
26 maj 2023, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiqi, midis tjerash deklaroi: “...
Serbia nuk është vend i ambasadorëve... Kujt do t’i vëmë sanksione dhe
kujt jo, kjo s’varet prej të huajve. Kjo varte nga ne...”.
Me fjalët: “Serbia nuk është vend
i ambasadorëve”, ai aludonte për ambasadorët e vendeve të Pesëshit (Quint)
– të ShBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar, të Francës, të Gjermanisë dhe të
Italisë. Lidhur me qëndrimin arrogant të tij, nga perëndimorët nuk pati
kurrfarë reagimi.
Sipas Vuçiqit, Amerika dëshiron ta
parandalojë formimin e botës multipolare. Sipas tij, sot e tutje
nuk do të kemi botë njëpolare. Ai thotë: “Mund të kemi botë
bipolare ose multipolare. Serbisë më tepër do t’i konvenonte një botë
multipolare”.
Me këtë qëndrim, ai del haptas kundër
ShBA-së. dhe rolit udhëheqës të tij në planin global. Është për t’u habitur
sesi Uashingtoni nuk reagon!
Më 16 mars 2023, në prag të takimit
me Albin Kurtin në Ohër, Vuçiqi iu drejtua publikut në Serbi. Me këtë rast,
midis tjerash deklaroi: “... asgjë nuk planifikoj të nënshkruaj...”.
Marrëveshjen e Ohrit të datës 18 mars 2023, Vuçiqi nuk e nënshkroi. Për habi,
Perëndimi heshti. Një marrëveshje e panënshkruar, s’ka sesi quhet marrëveshje.
Ndërmjet tjerash, ai deklaroi: “...fuqimisht
t’i ruajmë vijat tona të kuqe, nga kjo nuk heq dorë”. Ai disa herë ka thënë
se vija të kuqe për Beogradin janë: çfarëdo lloj njohjeje formale ose
joformale të pavarësisë së Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e
Bashkuara”. Me këtë qëndrim të tij, del se midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka
kurrfarë marrëveshjeje. Për habi, perëndimorët heshtin!
Më 28 maj 2023, Vuçiqi deklaron në
televizionin Pink të Beogradit: “Në Kosovë do të ndodhë diçka që
deri më sot nuk e kemi parë”. Pikërisht atë ditë huliganët
serbë në veri të Kosovës sulmuan pjesëtarët e KFOR-it. Ndaj kësaj
deklarate të tij, perëndimorët nuk reaguan, të paktën publikisht jo.
* * *
Serbët e Kosovës thanë: “Duam
asociacion, ndryshe do t’i lëmë institucionet”. Ata u tërhoqën edhe nga
katër bashkitë e veriut.
Qeveria e Kosovës, me pëlqimin e
ShBA-së dhe të BE-së, në katër bashkitë e veriut të Kosovës - në Mitrovicën veriore, në
Zveçan, në Leposaviq dhe në Zubin Potok, organizuan zgjedhje të reja vendore të
parakohshme. Serbët nuk morën pjesë. Domethënë, i bojkotuan.
Lënia e institucioneve të Kosovës dhe
mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të prillit u planifikua në Beograd. Me
fjalë të tjera, pas skenarit të sipërthënë qëndronte Beogradi dhe Vuçiqi. Para
këtij skenari destruktiv, perëndimorët i mbyllën sytë, pra heshtën.
Pasuan të ashtuquajturat protesta të
serbëve në veri. Këto s’ishin protesta. Ishin trazira violente, të dhunshme në
krye të të cilave qëndronin huliganët, banditët, kriminelët dhe ekstremistët
serbo-rusë. Gjatë këtyre trazirave u lënduan dhe u plagosën pjesëtarë të
policisë së Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it si dhe gazetarë të Kosovës dhe të
Shqipërisë. U dogjën dhe u dëmtuan edhe disa vetura të policisë kosovare dhe të
gazetarëve shqiptarë. Para sulmeve barbare të hordhive të sipërthëna,
perëndimorët heshtën apo reaguan me gjysmë zëri.
Bandat kriminale serbe, të
ndihmuar nga mercenarët rusë, lënduan dhe plagosën 30 pjesëtarë të KFOR-it.
Prej tyre, 19 pjesëtarë të kontingjentit hungarezë, ndërsa 11 sish, të
kontingjentit italianë. Edhe para kësaj drame tragjike, perëndimorët heshtën,
apo reaguan me gjysmë zëri! E tmerrshme.
Përkundër sulmeve barbare ndaj
trupave të KFOR-it, liderët perëndimorë rendën të takohen me organizuesin
kryesorë të këtyre skenarëve makabër – Vuçiqin. Në vend që ta izolojnë, ata e
pranojnë! Absurde!
Në ndërtesën e bashkisë së Zveçanit, ish-bashkiaku
serbo-çetnik e kishte varur fotografinë Vladimir Putinit. Perëndimorët u
hoqën sikur s’panë gjë! E tmerrshme, rrëqethëse!
Në ndërtesat e katër bashkive të
veriut, kryebashkiakët çetnikë të Vuçiqit i kishin varur flamujt e Serbisë,
ndërkaq ata të Republikës së Kosovës nuk dukeshin kund. Vallë, kështu qeveriset
pushteti vendorë?! Perëndimorët, askund të reagojnë!
Në pikëpamje formale juridike,
bashkiakët e veriut ishin dhe janë pjesë e sistemit politik dhe juridik të
Republikës së Kosovës. Megjithëkëtë, ata vepronin si pushtet paralel ose
më saktë si dorë e zgjatur e Beogradit dhe e Vuçiqit.
Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe
Londra e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, tërësinë tokësore dhe sovranitetin e
saj. Si të tillë, pavarësinë e saj e kanë njohur 116 shtete të botës.
Sistemi politik dhe juridik i Kosovës
së pavarur, demokratike dhe sovrane është ndërtuar në saje të pakos së
Ahtisarit (Martti Oiva Kalevi Ahtisaari, i lindur në Vyborg të Rusisë më
1937; ish-kryetar i Finlandës, laureat i çmimit “Nobel” për paqe).
Atëbotë, s’filtej dot për kurrfarë
asociacioni. Trashëgues të shtetësisë dhe mbartës të shtetësisë në Kosovë janë
shqiptarët. Minoritet ndërkaq, i gëzojnë të gjitha të drejtat, të parashikuara
me kushtetutë dhe me ligje.
Ideja për formimin e asociacionit
lindi më vonë me ngulmimin e Kremlinit, të Moskës, të Rusisë, të Sergej
Lavrovit dhe të birit politik të tij – Putinit.
Nuk duhet harruar se që nga vendosja
e pushtetit paralel, serbët kanë dëbuar nga veriu i Kosovës 12.000 shqiptarë.
Përse asociacion, kur 3-4 për qind e
serbëve të Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat, si asnjë minoritet në BE:
- Serbishtja është gjuhë zyrtare në
tërë territorin e Kosovës;
- Bashkitë në të cilat janë shumicë,
qeverisen prej tyre;
- Në Kuvendin e Kosovës, e kanë të
garantuar numrin e caktuar të deputetëve;
- Në organin ekzekutiv të Kosovës,
kanë të garantuar dikaster ministror;
- Kanë të garantuar shkollimin në
gjuhën amtare, që nga arsimi fillor deri në atë universitar;
- Kanë të drejtë t’i kultivojnë dhe
t’i afirmojnë vlerat kulturore si dhe traditat e veta;
- Sipas ligjeve të Kosovës, kanë të
drejtë ta përdorin edhe flamurin e vet;
- Kanë të drejtë të ushtrojnë
veprimtari ekonomike, etj.
* * *
Kosova është shtet demokratik dhe
synon integrimin në organizmat euroatlantikë. Kjo paraqet përparësi për të
gjithë qytetarët e saj, përfshi edhe pakicën serbe.
* * *
Trazirat në Kosovë që shpërthyen më
26 maj të vitit në vazhdim, u organizuan në Beograd dhe në Moskë. Në krye të
këtij skenari qëndronte kryetari Serbisë – Aleksandar Vuçiqi, i mbështetur
fuqimisht nga Sergej Lavrovi dhe nga Vladimir Putini. Kremlini është i
interesuar të ketë në Ballkan, jo trazira, por luftë, luftë si ajo në Ukrainë.
Serbët e Kosovës janë të
instrumentalizuar nga Beogradi dhe nga Vuçiqi, i cili është peng, edhe i
Kremlinit edhe i Kishës Ortodokse – fashiste – Serbe.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për
ngjarjet e ditëve të fundit në veri të Kosovës?! Kjo të përkujton rrëfimin mbi ujkun
dhe qengjin. Qengjit që ndodhet poshtë tij, ujku i thotë: Mos ma
turbullo ujin.
I dobësuar në Serbi, Vuçiqit i
nevojiten skenarë të këtilla. Si Sllobodan Millosheviqi dikur, ai luan në
letrën nacionaliste dhe ndjek politikë populiste.
Sikundër shihet nga sa më sipër, në
një anë e kemi:
- Qeverinë e Kosovës e cila synon të
ruajë rendnin dhe ligjshmërinë, kurse në anën tjetër kemi
- Beogradin, Vuçiqin, politikën
destruktive, hegjemoniste, ekspansioniste, luftënxitëse, pushtuese, retrograde,
anakronike, klerofashiste, çetnike, serbomadhe; në këtë anë bën pjesë edhe
- Rusia, Moska, Kremlini, Lavrovi dhe
Putini.
Në këtë mes, kush është fajtor, kush
duhet të mbajë përgjegjësi, kush duhet të ndëshkohet?!
Nuk zgjidhet “problemi” duke e
ledhatuar Serbinë, duke e përkëdhelur atë, duke investuar në të miliarda euro dhe
dollarë. Që nga fillimi i viteve ’90 të qindvjeçarit XX deri më sot, Serbia
ndjek politikë ekspansioniste dhe destabilizuese. Ajo ka mbetur në kohën e “Naçertanies”
(1844) të Ilija Garashaninit (1812-1874). Politika e Vuçiqit, e bazuar
në ideologjinë serbomadhe dhe në atë që sot e quajnë Bota serbe,
prodhon dhe shkakton kriza, jo vetëm në Kosovë por në mbarë rajonin – në Mal të
Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci, pa lënë mënjanë edhe Maqedoninë.
Përbrenda kemi një Serbi të udhëhequr
nga një politikë tiranike, diktatoriale, autoritare, autokratike, despotike,
totalitare, radikale. Kemi një Serbi ku grupet etnike, përfshi edhe shqiptarët
e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i janë nënshtruar një gjenocidi
të heshtur. Kemi një Serbi jodemokratike me akademikë dhe me shkrimtarë të
cilët sot e gjithë ditën jetojnë me ëndrrat romantike të shekullit XIX.
Për trazirat e bandave kriminale
serbo-ruse në veri të Kosovës, Uashingtoni dhe Parisi rendën të fajësojnë palën
kosovare, ndonëse e dinë fort mirë se kush agresori dhe kush është viktima.
Vuçiqi e ngre gatishmërinë luftarake
të ushtrisë serbe në shkallën më të lartë dhe e sjell atë mu pranë kufijve të
Kosovës. Ai e di mirë se ushtria serbe nuk mund ta kalojë kufirin e Kosovës për
arsye se aty janë të sistemuara forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Po atëherë,
përse Vuçiqi demonstron dhe kanoset me forcë?! Me këtë dëshiron t’ua bëjë me
dije Uashingtonit dhe Brukselit: “Po të mos jetë KFOR-i, unë hyjë në
veri sakaq dhe s’ka se kush më ndal”. Në këtë mes, Beogradi e ka
mbështetjen e Putinit.
* * *
Përkundër rrethanave të tilla, BE-ja
dhe Uashingtoni reagojnë me gjysmë zëri dhe e përsërisin klishenë: “Ulni
tensionet dhe kthehuni dialogut”.
Dialogu do të mund të jetë i
suksesshëm dhe efektiv kur të pushojë përkëdhelja e Serbisë dhe e Vuçiqit nga
Uashingtoni, nga Parisi dhe nga Berlini.
Për trazirat e ditëve të fundit në
veri, Uashingtoni dhe Parisi fajësuan palën kosovare. Të njëjtën e bëri edhe
Moska. Nga kjo rezulton se edhe ShBA-ja me BE-në edhe Moska, mbajnë anën e
Serbisë. Çfarë paradoksi?! Aty ku është Moska, si mund të jenë edhe
perëndimorët?! Kosova përçon interesin perëndimor në Ballkan, Serbia ndërkaq
është përçuese e interesit rus në rajon.
* * *
Amerika dhe fuqitë
evropiane duan ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e ndikimit dhe nga sfera ruse
e interesit. Dhe kjo ka një çmim, e ky çmim është formimi i asociacionit të
komunave me shumicë serbe.
Me fjalë të tjera, ShBA-ja Kosovën e
ka me vete, tani synon ta bëjë për vete edhe Serbinë. Nxjerrja e Serbisë nga
kthetrat e ariut rus do të kishte qenë një punë e mirë për rajonin, por
çmimin për këtë nuk mund ta paguajë Kosova.
Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet ta
dinë se nuk janë duke e mbështetur një Serbi demokratike, por një Serbi
millosheviqiane. “Problemi” ka zgjidhje: të përjashtohet Serbia nga Këshilli i
Evropës; të pezullohen në Serbi investimet perëndimore; t’i mbyllet Serbisë
perspektiva e integrimit në BE; t’i mbyllen Vuçiqit dyert e kancelarive
perëndimore.
Në anën tjetër, Kosova të pranohet në
Këshillin e Evropës, në BE dhe në NATO.
* * *
Kryeministri i Kosovës, Albin
Kurti nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim pa pëlqimin e SHBA-as. S’ka
Kosovë pa Amerikën!