Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Teoria e kombit kosovar është antishqiptare
E shtune, 15.10.2022, 08:01 PM
SHQIPTARËT – NJË GJUHË, NJË HISTORI, NJË KOMB
Teoria e kombit kosovar është antishqiptare
- ribotim-
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Kohët e fundit në
hapësirën shqiptare në Ballkan paraqiten do ide, sipas të cilave shqiptarët nuk
qenkëshin një komb por dy a më shumë sish. Fatmirësisht, numri i atyre që thonë
se ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë saj, ka dallime të
caktuara, është tejet i vogël dhe numërohet në gishta.
Shqiptarët në
Ballkan: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc,
Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, duke përfshirë dhe çamët
– janë një popull, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një
komb. Pjesë e pandarë e kombit shqiptar në Ballkan janë edhe shqiptarët
në diasporë: në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Australi…
Midis shqiptarëve,
kudo qofshin ata, nuk ka kurrfarë dallimesh të theksuara,
madje mbi kurrfarë baze. Shqiptarët janë një.
Ka individë që thonë
se ekziston kombi shqiptar në Shqipëri si dhe kombi
kosovar – në Kosovë. S’ka komb kosovar. Kosova është term
gjeografik. Ka komb shqiptar në Kosovë:
– që përbën 92% të
popullsisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës;
– që
është trashëguese e shtetësisë;
– që është mbartëse
e shtetësisë;
– që posedon
kapacitet të plotë shtetformues apo shtetndërtues;
– që ka një histori
të lavdishme;
– që ka perspektivë
euro-atlantike.
Kosova është shtet
i shqiptarëve, me të drejtat e pakicave, të garantuara me
ligj, sipas standardeve evropiane. Askush s’mund t’i detyrojë shqiptarët ta
ndërrojnë emrin, për hir të 5% serbëve. In ultima linea, a
ka forcë në botë që mund t’ia ndërrojë një populli shpirtin, zemrën,
mendjen, gjakun, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare. S’ka plan në
botë që mund ta bëjë këtë.
Ca individë, që
numërohen në gishta, thonë se shqiptarët nuk janë një komb, por dy a më shumë
kombe. Këta individë, te shqiptarët vërejnë:
– dallime historike;
– dallime gjuhësore;
– dallime kulturore;
– dallime
psikologjike;
– dallime arsimore;
– dallime në
pikëpamje të emancipimit.
Asnjë nga “dallimet” e
sipërthëna nuk është i bazueshëm.
Shqiptarët kanë një histori – Në vjeshtën e tretë të vitit 1912 Ismail
Qemali (1844-1919), të pavarur e shpalli – Shqipërinë. E
Shqipëri ishin trojet shqiptare në Ballkan që shtriheshin deri aty ku
bukës i thoshin bukë, e ujit ujë. Fqinjët grabitqarë – Serbia,
Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, të ndihmuar
nga Moska, Parisi dhe Londra,
pushtuan më tepër se gjysmën e trojeve etnike dhe historike shqiptare. Ndërkaq,
shqiptarët e viseve të pushtuara, që nga dita e parë e pushtimit e deri më sot,
kurën e kurës nuk e njohën pushtimin. Pushtuesve të egër serbë,
bullgarë, malazez, sllavo-maqedonas dhe grekë, u bënë ballë me sakrifica
mbinjerëzore.
Që nga Konferenca
e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) e deri në
ditët tona, shqiptarët e viseve të pushtuara, Shqipërinë e quajnë nënë,
e konsiderojnë të shenjtë dhe të shtrenjtë, e kanë në zemër dhe e duan me
shpirt. Dhe do ta duan deri në jetë të jetëve. Edhe pas vendimeve të Konferencës
së Ambasadorëve (1912-1913), shqiptarët në Ballkan, vazhdojnë të kenë një
histori.
Pavarësisht nga
përkufizimet e kombit që janë bërë nga sociologët borgjez dhe marksistë, kombi
është para së gjithash dhe mbi të gjitha: gjaku, zemra, shpirti, dhe
mendja.
* * *
Gjuha popullore shqipe përbëhet prej dy dialekteve kryesore,
prej disa nëndialekteve dhe prej shumë të folmeve.
Përkundër dialekteve, nëndialekteve dhe të folmeve të gjuhës popullore shqipe,
shqiptarët në Ballkan dhe kudo në botë, komunikojnë dhe kuptohen ndër vete pa
kurrfarë vështirësish. Gjermani i jugut të Gjermanisë, për shkak të dallimeve
dialektore vështirë merret vesh me atë të veriut të vendit. Megjithëkëtë, asnjë
gjerman nuk thotë se ekzistojnë dy a më shumë gjuhë gjermane dhe se brenda në
Gjermani duhet të ketë dy a më shumë kombe.
Më 20-25 nëntor 1972
u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në të
morën pjesë studiues të gjuhës shqipe nga të gjitha trojet shqiptare në
Ballkan, përfshi pra edhe intelektualët dhe akademikët nga Kosova, nga
Maqedonia, nga Mali i Zi si dhe arbëreshët e Italisë. Kanë qenë të pranishëm
edhe albanologë të huaj. Ky kongres mbylli periudhën kur gjuha letrare shqipe
funksiononte në dy a më shumë variante dhe hapi një periudhë të re,
periudhën e një gjuhe letrare të vetme, të njësuar. Kongresi
i Drejtshkrimit pati një jehonë të gjerë në jetën shoqërore e
kulturore të shqiptarëve në Ballkan dhe në diasporë dhe ndikoi për forcimin
e njësisë shpirtërore të tyre. Shqiptarët sot, kudo në
botë, flasin në gjuhën letrare shqipe. Dhe kështu do të flasin deri në jetë të
jetëve. Shqipja është një. S’ka dy gjuhë shqipe.
Nacionalistët
serbë të Beogradit nuk e pritën mirë Kongresin e Drejtshkrimit të
Gjuhës Shqipe të 1972-shit. Sipas inteligjencies serbe,
shqiptarët kanë dy gjuhë: gjuhën shqipe që flitet në
Shqipëri dhe gegërishten – që flitet në Kosovë. Rrjedhimisht
shqiptarët, sipas akademikëve serbë, meqë flasin dy gjuhë, janë dy
popuj të ndryshëm.
Këta pak shqiptarë
që thonë se ndër shqiptarë ka dallime aq të mëdha saqë bëhet fjalë për dy popuj
të ndryshëm, përkatësisht për dy kombe të ndryshme, me vetëdije apo pa të, me
pikëpamje të tilla, i shërbejnë ideologjisë antishqiptare serbe dhe greke.
Shqiptarët janë pak, për të qenë dy a më shumë kombe.
* * *
Shqiptarët:
– janë populli më i
lashtë i Gadishullit Ballkanik;
– janë pasardhës të
drejtpërdrejtë të ilirëve;
– janë popull
rrënjës (autokton) i Ballkanit.
Gjuha shqipe:
– është bijë e
ilirishtes;
– është degë e parë
e familjes së gjuhëve indo-evropiane.
Me fjalë të tjera,
prejardhja e përbashkët e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre është një prej shumë
faktorëve që i bashkon shqiptarët.
Shqiptarët në
Ballkan dhe kudo në rruzullin tokësor, kanë një krye-hero – Gjergj
Kastriotin (1405-1468), krenarinë, nderin dhe lavdinë e kombit. Shqiptarët
në rajon dhe kudo në rruzullin tokësor, i bashkon epoka e madhe e
kryezotit të mesjetës – e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Shqiptarët në rajon
dhe kudo në rruzull, e kanë në zemër epokën e madhe të Rilindjes
Kombëtare (1840-1912). Kombi shqiptar sot, përulet me
nderimin më të thellë para rilindësve, q u flijuan për dritën tonë të sotme.
Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon njëra nga periudhat më të lavdishme të
historisë politike të kombit – ajo e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881).
Shqiptarët sot, si
dikur, i bashkon Vlora e pavarësisë e vitit 1912.
Shqiptarët, sot e
një mijë vjet i bashkon himni dhe flamuri
kombëtar – shqiponja me dy krerë, në hapësirë të kuqe, që e
përdori Skënderbeu në luftërat për mbrojtjen e atdheut. Çdo shqiptar në rajon
dhe kudo në botë, e ka në zemër flamurin kombëtar. Në luftë, në beteja, në
fitore, në paqe, në ceremoni mortore, në dasma shqiptarët shkojnë me një flamur
të vetëm që e kanë në shpirt, në zemër, në gjak dhe në mendje – shqipen me dy
krerë. Flamuri dhe himni kombëtar janë një. Para tyre dhe
vetëm përballë tyre qëndron hijerëndë çdo shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë.
Shqiptarët në
Ballkan dhe kudo në rruzull, i bashkon virtyti: besa,
bujaria, fisnikëria, mikpritja, trimëria dhe mendjemprehtësia.
Shqiptarët në rajon
dhe kudo në botë, shquhen për vitalitetin e racës.
Shqiptarët pra
krenohen:
– me prejardhjen
ilire, me lashtësinë, me autoktoninë, me pastërtinë e racës, me vitalitetin e
racës, me historinë e lavdishme, me personalitetet historike, me virtytet
etnike;
– me gjuhën e tyre
që zëri i kombit - Gjergj Fishta (1871-1940) e
quajti gjuhë e Perëndisë.
Shqiptarët janë
popull solidar dhe human. Në asnjë
periudhë të historisë së vet, nuk janë paraqitur kundër fqinjëve të tyre.
* * *
Ata individë që
thonë se kombi kosovar dallohet nga ai shqiptar në Shqipëri, duhet të dinë se
shqiptarë – në troje të tyre – ka edhe në Kosovën lindore (Preshevë,
Bujanoc, Medvegjë), edhe në Maqedoni, edhe në Mal
të Zi, edhe në Greqi, edhe në diasporë.
Po qe se shqiptarët e Shqipërisë do të quhen shqiptarë, e këta të
Kosovës – kosovarë, si do të quhen vallë shqiptarët në Kosovën
lindore, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi dhe në diasporë?!
Serbia, Maqedonia,
Mali i Zi dhe Greqia janë të gatshëm për t’i quajtur serbë, maqedonas,
malazezë, grekë. Ose më saktë: serbë me prejardhje shqiptare, maqedonas me
prejardhje shqiptare, malazezë me prejardhje shqiptare etj.
Ku shpie
kjo?! Ku shpie ideja e dy gjuhëve shqipe dhe e dy kombeve shqiptare?!
Pikëpamja: “Për
të pasur shtet të pavarur dhe sovran është e domosdoshme të kesh edhe komb të
veçantë” është absolutisht e gabuar. Për hir të askujt, as edhe të
qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes, shqiptarët nuk mund ta
ndërrojnë emrin, shpirtin, zemrën, gjakun dhe mendjen.
Edhe koreanët kanë dy shtete por kurrë nuk thonë se
janë dy popuj apo dy kombe.
Solidariteti vëllazëror – Gjatë pastrimit etnik të Kosovës që e ndërmori
Serbia me forcat e saj militariste në vitin 1999, u detyruan të largohen prej
vatrave të veta rreth 1 milionë shqiptarë. Rreth 600 mijë sish u strehuan në
Shqipëri, nga veriu deri në jug. Ndërkaq, rreth 350 mijë u vendosën në viset
shqiptare në Maqedoni. U strehuan pra te vëllezërit e gjakut dhe nuk vajtën as
në Greqi, as në Bullgari. Përse?!
Shqiptarët:
– i bashkon fati
tragjik i përbashkët, armiku dhe rreziku
i përbashkët, gjatë historisë dhe sot;
– i bashkon kënga
popullore që e mbajti gjallë ndër shekuj;
– i bashkon krijimtaria
gojore e përbashkët, që nga këngët e djepit deri te epika
legjendare;
– i bashkon qëndresa e
përbashkët ndaj pushtuesve dhe sundimtarëve të huaj;
– i bashkon krijimtaria
letrare-artistike, që nga Buzuku e deri në ditët tona dhe pas nesh.
– i bashkon ideali
i përbashkët – miqësia me SHBA-në dhe integrimi në familjen
perëndimore;
Shqiptarët i
bashkon ideali i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës martire,
e cila, pas një shekull gjenocidi, kolonializmi dhe politike të aparteidit të
ndjekur nga Serbia, doli nga ferri dhe terri për të ecur drejt shtigjeve të
përparimit dhe të demokracisë.
Shqiptarët nuk
u ndanë shpirtërisht ndër vete, as atëherë kur boshti i krimit
Shkup-Beograd-Titograd (sot Podgoricë), vendosën ndër shqiptarë kufij të
hekurt.
* * *
Ndër shqiptarë sot
s’ka kufij. Edhe këta pak kufij që kanë mbetur një ditë do të hiqen. Në
hapësira ndër-shqiptare të caktuara, shqiptarët qarkullojnë tanimë, jo me
pasaporta, por me letërnjoftime. Janë edhe detet – Joni
dhe Adriatiku – bashkues të shqiptarëve. Shqiptarët i bashkon dhe rëra e
plazheve, dielli i korrikut dhe i gushtit, ekskursionet e
nxënësve, muzeu i Krujës dhe i Vlorës, kalaja e Shkodrës.
Sot shqiptarët kanë
mundësi komunikimi, si kurrë në histori. Bashkimin ua
mundëson zhvillimi i mediumeve, sidomos i atyre elektronike si dhe programet
televizive satelitore apo kabllore. Në saje të rrugës së kombit një
ditë do të rritet akoma më shumë qarkullimi i njerëzve, i mallrave, i kapitalit
dhe i vlerave kulturore.
Gjermanët, vërtet
kanë më shumë se një shtet kombëtar, siç janë Austria dhe Zvicra Mirëpo duhet
ditur se:
– Gjermania jashtë
kufijve të vet ka një përqindje të përballueshme të popullsisë
dhe të territorit gjermano-folës, ndërkaq në rastin e Shqipërisë, më
tepër se gjysma e popullsisë dhe e territoreve shqiptare, kanë mbetur jashtë
saj;
– Nacionalistët
gjermanë, si në Gjermani ashtu edhe në Austri, kurrë nuk janë pajtuar me
ekzistimin e dy shteteve gjermano-folëse. Ata gjithmonë kanë synuar bashkimin;
– Në rastin e
Gjermanisë dhe të Austrisë, mund të flitet për dy histori të
ndryshme, por në rastin e shqiptarëve kemi vetëm një histori –
atë të çlirimit nga zgjedha osmane, të krijimit të Shqipërisë së pavarur si dhe
atë të krijimit të Shqipërisë etnike dhe natyrale;
– Shqipëria
është e brishtë, pikërisht pse është e ndarë dhe e copëtuar;
– Shqipëria do të
jetë më e qëndrueshme kur t’i rikthehet gjysma që iu
shkëput në Londër (1912-13);
Derisa popuj të
tjerë, brenda kufijve të shteteve të veta, mbajnë territore të popujve të huaj,
për ca shqiptarë që numërohen në gishta, ndërmjet shqiptarëve paskësh
dallime historike, gjuhësore, psikologjike dhe kulturore…
Derisa Serbia, me
Vojvodinën, me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe me Sanxhakun
(të banuar me popullsi myslimane) krijon shtetin e madh serb,
shqiptarët në anën tjetër, jo vetëm që s’arrijnë të krijojnë Shqipëri
të madhe apo Shqipëri etnike dhe natyrale,
por akoma më keq. Ca individë gjurmojnë dallime midis shqiptarëve për të
shkaktuar ndarje dhe përçarje ndër-shqiptare dhe për të krijuar deri edhe dy
popuj dhe dy kombe shqiptare.
Shqiptarët kanë nevojë të bashkohen. Së paku shpirtërisht. Të
bashkojnë tregjet, kapitalin, pasuritë materiale dhe vlerat kulturore. Të
qarkullojnë të lirë në hapësirat brenda-shqiptare. Të paktën këtë sot s’ua
ndalon kush.
* * *
Çështja shqiptare në Ballkan përkufizohet si çështje e popullit të ndarë,
të rindarë dhe të shtypur. Me çlirimin e Kosovës (1999) nga Ushtria Çlirimtare
e Kosovës dhe nga aleanca e NATO-s, padrejtësia ndaj shqiptarëve nisi të
korrigjohet. Konstelacioni në rajon, në kontinent dhe në planin global sot –
është i favorshëm për shqiptarët. Ndaj shqiptarët nuk kanë përse të formojnë dy
kombe, por një komb të bashkuar.
A është e mundur
kjo?!
Shqiptarët janë i
vetmi popull i Ballkanit që nuk e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare. Ndonëse
ende s’e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare, shqiptarët janë i vetmi popull i
gadishullit që nuk kanë të ndërtuar një platformë kombëtare.
Paradoks! Popull me çështje kombëtare të pazgjidhur dhe pa projekt
kombëtar.
Rrjedhimisht, shqiptarët
janë populli më jo-nacionalist i Gadishullit Ballkanik. Mirëpo, nuk
mund të thuhet se shqiptarët nuk kanë vetëdije kombëtare të lartë. Mungesa
e ideologjisë kombëtare apo e një platforme nacionaliste te shqiptarët është
pasojë e mungesës së kapaciteteve të përgjithshme të kombit shqiptar në Ballkan.
Në anën tjetër,
pothuajse të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, nacionalizmin e kanë të
inkorporuar në politikën shtetërore. Nacionalizmi turk,
serb dhe grek manifestohet në çdo pore të
jetës.
Ideologjia
kombëtare nuk është çështje individësh, por e shtetit dhe e institucioneve
shkencore të kombit. Kur troket ora e madhe e historisë për zgjidhjen e
çështjes kombëtare, me atë rast nuk pyeten individët apo segmentet anacionale dhe antikombëtare të
një shoqërie. Po ta kishte përfillur Oto fon Bizmarku (Otto Eduard
Leopold von Bismarck, 1815-1898) pjesën e pavetëdijshme të popullit
gjerman, bashkimi i principatave gjermane do të zvarritej deri në mbarim të
shekullit XIX.
Zgjidhja e çështjes
kombëtare varet prej determinuesve historikë dhe sociologjikë dhe jo prej
vullnetit të lirë të individëve
Shqiptarët flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.