Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shqiptarët - Lidhjet e hershme me Perëndimin
E diele, 21.08.2022, 08:04 PM
SHQIPTARËT – LIDHJET E HERSHME ME PERËNDIMIN
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Shqiptarët janë
ndër popujt më të vjetër të gadishullit ilirik. Janë bijë të ilirëve, ndërsa
shqipja – bijë e ilirishtes. Shqipja është ndër gjuhët më të vjetra të
gadishullit.
Prej shekullit V
deri në shekullin III para erës sonë, ilirët ngritën shtetet e tyre përgjatë
Adriatikut, derisa ranë pre e pushtimit romak. Ndër udhëheqësit ilirë përmenden
mbreti ilir Agroni (shekulli
III para erës sonë), i cili sundoi në vitet 250-231 para erës sonë dhe
mbretëresha Teuta e cila sundoi në vitet 230-228 para erës sonë, e që
mbretëroi në Lezhë (Lissus). Teuta u vu në krye të mbretërisë pas vdekjes së të
shoqit Agronit, birit të mbretit ilir Pleuratit. Romakët e pushtuan
mbretërinë e Ilirisë nga vitet 230 deri në 168 para erës sonë. Në vitin 168
para erës sonë, me humbjen e Gentit, mbretit të fundit ilir të Shkodrës,
i cili sundoi në vitet 181-168 para erës sonë, Iliria ra nën sundimin romak.
Shqiptarët, ndonëse ranë nën ndikimin e fortë kulturor dhe gjuhësor të
latinishtes, nuk u romanizuan.
Pas ndarjes së
përfundimtare të Perandorisë Romake në vitin 395 të erës sonë, në Perandori
Lindore dhe në Perandori Perëndimore, Iliria hyri në sferën politike e
kulturore të Perandorisë Bizantine Lindore. Në shekujt e mëvonshëm, Shqipëria u
pushtua prej fiseve shëtitëse: në vitin 459 prej ostrogotëve, në vitin
467 prej vandalëve, si dhe prej avarëve, bullgarëve dhe sllavëve.
Depërtimet e para
sllave në Ballkan ndodhën në vitet 548 dhe 586 të erës së re. Përkundër
shtrirjes së tyre në gadishull, shqiptarët do t’ia dalin t’i bëjnë ballë, si
ndikimit të kulturës bizantine, ashtu edhe ndikimit sllav.
Nga mesi i
shekullit XI normanët kapërcyen Adriatikun për të pushtuar Durrësin dhe
Shqipërinë qendrore.
Në shekullin XV
pason pushtimi turk i Shqipërisë. Sundimi turk mbi shqiptarët zgjati pesë
shekuj. Megjithëkëtë, shqiptarët ia dolën ta ruajnë gjuhën dhe identitetin e
tyre.
Sikundër shihet,
me qëndresën për jetë o vdekje, me vitalitetin e racës dhe me luftërat e
pandërprera, arritën të mbrohen nga romanizimi, nga greqizimi bizantin, nga
sllavizimi dhe nga turqizimi.
* * *
Shqiptarët në tekstet latine - Shqiptarët janë popull evropian. Për ekzistencën e gjuhës
shqipe për herë të parë flitet në fillim të shekullit XIV. Midis viteve
1285-1332 janë katër përmendje të padyshimta. Në vitin 1285 gjuha shqipe
përmendet në Raguzë (Dubrovnik). Me rastin e një hetuesie, një dëshmitar
deklaron: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca”
(Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe).
Në një tekst latin
të vitit 1308 që është quajtur Anonymi Descriptio Europae Orientalis
(Përshkrim anonim i Evropës Lindore) hasim në një përshkrim edhe për vendet
e Ballkanit. Teksti përmban një pjesë edhe për Shqipërinë ku përmendet edhe
gjuha shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis,
Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus”
(Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve,
grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të
tjerë).
Në vitin 1322, dy
pelegrinë anglo-irlandezë udhëtonin për në Tokën e Shenjtë. Duke lundruar përgjatë
bregdetit të Adriatikut, njëri prej tyre shënon: “Albanya est provincia
inter Sclavonium et Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një
provincë midis Sllavonisë dhe Romanisë / Bizantit, me një gjuhë të vetën).
Japin shënime edhe për Durrësin.
Në vitin 1332
murgu dominikan frëng Brokard (Frère Brochard ose Brocardus monacus) në
një vepër latinisht të titulluar “Directorium ad passagium faciendum”
shënon: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam,
tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët në
të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin
shkronjat latine në të gjithë librat e tyre).
* * *
Shqiptarët në periudhën e Rilindjes evropiane – humanistët shqiptarë - Në
fillim të shekullit XV, shqiptarët e dhanë ndihmesën e tyre letërsisë dhe
kulturës perëndimore. Afërsia me Italinë, djepin e qytetërimit
evropian, dha mundësi që shumë shqiptarë të përfitonin nga kultura humaniste e
Rilindjes evropiane dhe të merrnin pjesë në të.
Kësaj periudhe i
përkasin humanistët shqiptarë, si: Gjon Gazuli (1400-1465) i cili
studioi në Padovë dhe jetoi në Raguzë (Dubrovnik) ku dha mësime filozofie,
matematike dhe astronomie.
Historiani Marin
Barleti (rreth 1450-1512), i lindur në Shkodër. Përjetoi rrethimin e dytë
të qytetit nga turqit më 1478. Me rënien e Shkodrës, u vendos në Venedik, më
pas në Romë. Atje ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane.
Dokumentoi historinë e Shqipërisë gjatë pushtimit turk dhe qëndresën kombëtare
të saj nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit. Vepra e tij, e shkruar në
latinisht “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë,
rreth 1508-1510
Punën e vet,
Barleti ia dedikoi nipit të Gjergj Kastriotit, Don Ferrante Kastriotit
dhe pasardhësve të tij.
Poeti i vargjeve
katuliane të dashurisë, Mikel Maruli (1453-1500) lindi në një
familje shqiptare me prejardhje nga Morea. Në Raguzë ku ishte vendosur familja
e tij, ndjeu ndikim e qytetërimit të Rilindjes italiane. Dijetari latin me
prejardhje arvanitase Maksim Greku (1480-1556) lindi në Artë, një qytet
në Epir i populluar nga shqiptarë. Studioi në Ferrarë, Firence dhe Padovë
latinishten, greqishten, filozofinë dhe teologjinë. Marin Beçikemi (1468-1526)
është nga Shkodra. Qe mësues në Raguzë dhe në Breshia, më pas profesor i
retorikës në Universitetin e Padovës.
Shkrimtarët,
mendimtarët dhe dijetarët shqiptarë të sipërthënë u formuan në frymën e
qytetërimit perëndimor.
* * *
Qëndresa antiosmane e shqiptarëve në epokën e Gjergj Kastriotit – Për të mbrojtur lirinë e vet,
shqiptarët ndër shekuj u përleshën me stuhi luftërash. Në shekullin XV, të
udhëhequr nga prijësi i madh Gjergj Kastrioti (1405-1468), shqiptarët
luftuan kundër ushtrive të Perandorisë Osmane. Prijësi shqiptar zmbrapsi me
sukses sulmet osmane, përfshi edhe tre rrethimet e mëdha të kështjellës së
Krujës, të udhëhequra nga vetë sulltanët, Muradi II (1404-1451) më 1450
dhe Mehmeti II (1432-1481) më 1466 dhe 1467. Për qëndresën ndaj turqve,
ai gëzoi adhurimin e Evropës dhe nga papa Kalisti III (sundoi në vitet
1455-1458), iu dha titulli ‘Atleta Christi’. Qëndresa shqiptare u
mposht vetëm pas vdekjes së Gjergjit më 17 janar 1468 në Lezhë. Nën pushtimin
turk ranë: më 1478 Kruja, më 1479 Shkodra dhe më 1501 Durrësi. Pasojnë katër
shekuj të kolonizimit turk të Shqipërisë. Gjatë sundimit turk, relacionet midis
shqiptarëve dhe qytetërimit perëndimor - u shkëputën. Synimi i shqiptarëve për
të lulëzuar në djepin e qytetërimit evropian, u ndërpre. Por, kujtesa historike
e shqiptarëve, nuk u shua kurrë. Bëmat e trimave luftëtarë u kënduan me lahutë.
Gjuha shqipe u ruajt në gjirin e nënëlokes.
Gjergj Kastrioti në veprat e autorëve e huaj – Qëndresa 25-vjeçare e shqiptarëve në
këtë periudhë, jehuan në mbarë Evropën. Shqiptarët dhe prijësi i tyre, në
kryeqendrat perëndimore u cilësuan si mbrojtës të vlerave të qytetërimit
evropian. Qysh në atë kohë, për Gjergj Kastriotin, në qarqet evropiane u
shkruan vepra historike, letrare artistike, muzikore. Autorë të veprave ishin
dijetarët eminentë të asaj kohe.
Në shekujt XVI dhe
XVII vepra e Barletit “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit
të Epirit” u lexua me të madhe. U përkthye në një varg versionesh edhe në
gjuhë të huaja: në vitin 1533 në gjermanisht nga Johan Pincianus; në
vitin 1554, 1560 në italisht nga Pietro Rocca; në vitin 1567 në
portugalisht nga Francisco D'Andrade; në vitin 1569 në polonisht
nga Ciprian Bazylik; në vitin 1576 në frëngjisht nga Jaques De
Lavardin, fisnik i Plessis du-Bourrot – “Histoire de Georges Castriot
Surnomé Skenderbeu, Roy d'Albanie” dhe në vitin 1582 në spanjisht nga Juan
Ochoa de la Salde. Versioni në anglisht ishte një përkthim prej
frëngjishtes nga De Lavardin dhe Zachary Jones. U botua në fund
të shekullit XVI, me titullin “Historiku i Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur
Skënderbe, Mbret i Shqipërisë”.
Shkrimtari dhe
filozofi francez, Volteri (emri i vërtetë François-Marie Arouet
Voltaire, 1694-1778) kapitullin e tij "Marrja e Kostandinopojës"
e fillon me frazën: "Sikur Perandorët grekë të kishin vepruar si
Skënderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur." Në
shekullin XVIII Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive: “Skënderbeu” (1733)
e dramaturgut britanik Uilliam Hauard (William Havard, 1710? – 1778); “Heroi
i krishterë” (1735) e dramaturgut anglez Xhorxh Lilëu (George Lillo,
1693-1739) dhe “Skënderbeu” ose “Dashuria dhe liria”, botuar më
1747, e hartuesit anglez të historisë së teatrove Tomas Uinkop (Thomas
Whincop, 1697-1730). Nga luftërat e Gjergj Kastriotit u frymëzuan edhe poetë
dhe kompozitorë të huaj. Në shekullin XVI, një poemë për Gjergjin, shkroi poeti
francez Pjerë Ronsar (Pierre Ronsard, 1542-1585), ndërsa në shekullin
XIX, poeti amerikan Henri Uodsvërth Lonfellou (Henry Wadsworth
Longfellow, 1807-1882). Në vitin 1855, historiani francez Kamile Paganel (Camille
Paganel, 1795-1859), i nxitur prej krimeve të luftës, shkroi “Histoire de
Scanderbeg” (Historia e Skënderbeut). Kompozitori italian Antonio
Vivaldi (1678-1741) shkroi operën me titull “Skënderbeu”, të
interpretuar më 1718. Një tjetër operë me titull “Skënderbeu” ishte ajo
e kompozitorit dhe violinistit francez Fransua Frankerë (François
Francœur, 1698-1787) të interpretuar më 1763. Shkrimtari dhe filozofi danez,
themelues i letërsisë bashkëkohore daneze dhe norvegjeze Ludvig Holberg
(1684-1754) thotë se Gjegj Kastrioti është një prej gjeneralëve më të mëdhenj
të historisë.
Diplomati,
politikani dhe eseisti anglez Sir Uilliam Temple (Sir William Temple,
1628-1699) thotë se Gjergj Kastrioti është një prej shtatë prijësve më të
mëdhenj pa kurorë, siç kanë qenë: prijësi ushtarak i Perandorisë Bizantine në
kohën e perandorit Justiniani I (Flavius
Petrus Sabbatius Justininus, 482/3 - 565) – gjenerali Flavius Belisarius (Germen,
sot Sapareva Banja, Bullgari 505 – Halkedon, sot Kadiköy, Turqi, 565) i cili ia
doli të rimarrë Afrikën e Veriut nga vandalët, Italinë nga ostrogotët
dhe Spanjën nga vizigotët; gjenerali dhe burrështetasi romak
Flavius Aetius, i lindur në Silistra të Bullgarisë dhe i vrarë në një
atentat në Ravenë të Italisë në vitin 454 të erës së re; komandanti hungarez
Janosh Huniadi (János Hunyadi), i lindur në Hunyadi të Transilvanisë, në
vitin 1387 (viti i saktë i lindjes nuk dihet) dhe vdiq në Beograd në vitin
1456; prijësi ushtarak spanjoll Gonzalo Fernández de Cordoba (Montilla,
Kordoba, Spanjë, 1453 – Loja, Spanjë, 1515); fisniku italian
Aleksandër Farnese, Dukë i Parmës (Alessandro Farnese, Romë, 1545 –
Aras, Francë, 1592) i cili më 1571 luftoi kundër osmanëve në betejën e
Lepantos, pas kësaj, kryekomandant i forcave spanjolle; dhe udhëheqësi i
revoltës holandeze kundër habsburgëve spanjollë Uilliami i Heshtur (William
Taciturn, Dillenburg, Gjermani 1533 – 1584).
Në poemën epike
udhëpërshkruese “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (Childe Harold`s
Pilgrimage,1812-1819), poeti anglez me prejardhje skoceze,
i cili studioi në Kembrixh, Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron,
Londër, 1788 – Missolonghi, Greqi, 1824), i këndon Gjergj Kastriotit. Në shumë
vargje u këndon shqiptarëve. Midis tjerash edhe në vargjet e mëposhtme:
"Land of Albania! where Iskander rose,
Theme of the young, and beacon of the wise”
........
(O Shqipëri, ku lindi Iskenderi,
këng’ e rinisë, fanar i t’urtëvet!
........
Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi
Mbi ty, o nënë e rreptë burrash trima!)
Kënga II, LXV
* * *
Monumentet për heroin kombëtar të shqiptarëve - Monumenti i Gjergj Kastriotit ndodhet
në shumë qytete shqiptare si dhe në disa qytete të botës: busti në Kukës
(1939); monumenti në Krujë (1959); monumenti në Tiranë, realizuar më 1968 nga
Odhise Paskali, Andrea Mano dhe Janaq Paço; monumenti në Prishtinë (2003),
vepër e skulptorit Janaq Paço; monumenti në Shkup (2006), vepër e skulptorit
Thoma Thomai; shtatorja në Dibër (2009), vepër e skulptorëve Muharrem Turkeshi
dhe Agim Sela; bustet - në Tuz, në Preshevë, në Burrel. Monumentet në qytetet
jashtë trojeve shqiptare: monumenti në sheshin “Albania” të Romës
(1940), vepër e skulptorit italian Romano Romanelli; monumenti në Bruksel
(1968); përmendorja në Miçigan të ShBA-së (2006); busti në Ferno të Ankonës
(2007); busti në fshatin Vaccarizzo Albanese të Kozencës në Klabri; busti në
Civita të Italisë (2008); busti në San Cosmo Albanese (2010); bustet - në
Vjenë; në Budapest; buzë liqenit të Gjenevës; në Detroit etj.
* * *
Shkrimet e para në gjuhën shqipe - Shkrimet e para në gjuhën shqipe u shkruan me shkronja
latine. Formula e pagëzimit “Unë të pagëzoj në emër të
Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” (1462), e Pal Engjëllit (1417-1470),
argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Gjergj Kastriotit,
u shkruan me shkronja latine. Teksti u zbulua në Bibliotekën
Laurentiane në Firence, nga dijetari rumun Nikolla Jorga (Nicolae Iorga,
1871-1940) dhe u botua prej tij më 1915. Dokumenti tjetër i shqipes së hershme “Ungjilli
Pashkëve” ose “Perikopeja”, u shkrua me shkronja greke.
Janë pesëmbëdhjetë rreshta në dialektin toskë. U zbulua nga historiani grek Spiridon
Lampros (1851-1919) në një dorëshkrim greqisht të ruajtur në Bibliotekën
Amroziane në Milano. Dokumenti i tretë i shqipes së hershme “Fjalori i
Arnold fon Harfit” i vitit 1497 ruhet në Gjermani. Autor i tij është
kalorësi, udhëtari dhe shkrimtari gjerman Arnold fon Harf (Arnold von
Harff, rreth 1471-1505). Gjatë udhëtimit për në Aleksandri, u ndal edhe në
Durrës.
* * *
Shkrimtarët e letërsisë së hershme shqiptare – u formuan nën ndikimin e qytetërimit
perëndimor. Veprat e veta i shkruan në gjuhën shqipe dhe përdorën shkronjat latine.
Gjon Buzuku (shek. XV) ka të ngjarë të ketë jetuar në Republikën e Shën
Markut, mbase në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin
ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës në vitin 1479. Në Venedik Buzuku kishte
mundësi më të mëdha për shkollim letrar se në Shqipëri. Mbase edhe libri i parë
i shkruar në shqip “Meshari” (1555) i Buzukut, është botuar në Venedik.
Kopja e vetme e “Mesharit” u zbulua në vitin 1740 në bibliotekën e
Propaganda Fides, prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova, i
cili si Argjipeshkëv i Shkupit ishte për vizitë në Romë. Kjo kopje ndodhet sot
në Bibliotekën e Vatikanit. Ajo u nxor në dritë në vitin 1909 nga peshkopi dhe
dijetari arbëresh Monsinjor Pal Skiroi (1866-1941).
Lekë Matrënga (1567-1619) vjen nga bashkësia e arbëreshëve të Sicilisë. Ky autor i së
parës poezi të shkruar në gjuhën shqipe, në dialektin toskë, “Këngë e
përshpirtshme” (Canzona spirituale) studioi në Kolegjin Grek të Shën
Athanasit në Romë.
Autori i katër
veprave dhe i rreth 3300 vargjeve fetare të shkruara në gjuhën shqipe,
Pjetër Budi (1566-1622) është i fshatit Gur i Bardhë të krahinës së Matit.
U shkollua në Kolegjin Ilirian të Loretos (Collegyum Illyiricum) në jug
të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë. Punoi pa pushim për
t’i parë shqiptarët të lirë nga zgjedha turke.
Autori i të parit
fjalor latinisht-shqip “Dictionarium latino-epiroticum”, Romë , 1635, Frang
Bardhi (Nënshat ose Kallmet në veri të Lezhës, 1606 - 1643) studioi
në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës, e më vonë në Kolegjin e Propaganda
Fides në Romë.
Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) është nga Guri i Hasit afër Prizrenit. Ndoqi studimet në
Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës. Më pas vazhdoi studimet në Kolegjin e
Propaganda Fides në Romë, ku u diplomua doktor në filozofi dhe teologji. Më
1677 pasoi të ungjin si kryepeshkop i Shkupit. Vepra e tij “Çeta e
profetëve” (Cuneus prophetarum, 1685) është kryevepër e letërsisë së
hershme shqiptare dhe është e para vepër me tipare letrare e artistike në
gjuhën shqipe.
* * *
Veprimtaria letrare e arbëreshëve në shekullin XVIII – Krijimet letrare të arbëreshëve u
krijuan sipas formave letrare perëndimore. Pas veprës së parë të
letërsisë arbëreshe “E mbsuame e kërshterë” (1592) e Lekë
Matrëngës, pasojnë poetët arbëresh të shekullit XVIII – Nikollë Brankati (1675-1741); Nikollë Filja (1682?
– 1769); autori i tingëllimës ës parë shqiptare (1777) Nikollë Keta (1740?
– 1803), etj. Pas tyre vjen poeti i parë arbëresh vërtet i talentuar Jul
Variboba (1724-1788), etj.
Veprimtaria letrare dhe kombëtare e arbëreshëve në shekullit XIX – Ndër krijuesit
letrarë të qindvjeçarit XIX bëjnë pjesë poetët apo folkloristët, si: Kostantino
Askuri (1810-1871), Kostantin Beluçi Shalja (1796-1867); Euxhenio
Peta; Vinçenco Suli; Françesko Parrino (1754-1831); Gavril
Dara Plaku (1765-1832); babai i Gavril Dara të Riut – Andrea Dara (1796-1872)
i cili njihet si mbledhës i folklorit arbëresh dhe të tjerë.
Në shekullin e
sipërthënë krijuan art: Pishtari i romantizmit shqiptar Jeronim De Rada (1814-1903);
autori i së parës dramë të shkruar në shqip Françesk Anton Santori (1819-1894);
Gavril Dara i Riu (1826-1885); poeti lirik Zef Serembe (1844-1901).
Disa studiues
arbëresh u morën me veprimtari shkencore nga lëmi i gjuhës, i historisë etj.
* * *
Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare – Zgjimi kulturor i shqiptarëve filloi në vitet
1830-1850, me Naum Veqilharxhin (1797-1846). Zgjimi kulturor shkonte
krahas prise de conscience kombëtare dhe politike. Kjo
nënkuptonte nevojën e përdorimit të shqipes në të gjitha fushat e jetës,
sidomos në shkollim në gjuhën shqipe, të ndaluar nga Porta. Intelektualët,
luftëtarë të zgjimit kombëtar, gjatë gjithë shekullit XIX, madje edhe në të
njëzetin, do të vihen në provë.
* * *
Në gjysmën e dytë
të shekullit XIX Shqipëria po lëngonte nën kandilin që po fikej të Perandorisë
Osmane. I Sëmuri i Bosforit, dita-ditës po rrënohej. Shqiptarëve, më shumë se
kurrë, u kërcënohej asimilimi kulturor. Do të jetë lëvizja e Rilindjes, e
zgjimit kombëtar, ajo që do të shprehë vullnetin e Shqipërisë për të mbijetuar.
Rilindja kombëtare – Ideali i rilindësve ishte çlirimi i Shqipërisë nga
sundimi osman dhe themelimi i Shqipërisë së pavarur në trojet etnike. Gjatë
arsimimit të tyre, u njohën me vlerat evropiane dhe filluan t’i
rivendosin lidhjet me qytetërimin perëndimor, të shkëputura gjatë
shekujve të sundimit osman. Midis tyre bëjnë pjesë: politikani dhe ideologu i
Rilindjes, Abdyl Frashëri (1839-1892), i cili në dhjetor 1877, së bashku
me intelektualë të tjerë, themeloi në Kostandinopojë Komitetin qendror
për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare; apostulli i shqiptarizmit Naim Frashëri
(1846-1900); ideologu i mendimit politik shqiptar të periudhës së Rilindjes, Sami
Frashëri (1850-1904); figura që luajti rol vendimtar në kulturën e
Rilindjes, Pashko Vasa (1825-1892); veprimtari i shquar i çështjes së
zgjimit kombëtar, Jani Vreto (1820-1900); poeti Koto Hoxhi
(1824-1895); veprimtari Zija Prishtina (shekulli XIX), i cili në
Komitetin e sipërthënë, së bashku me të vëllain, Ali Danishin,
përfaqësoi Kosovën; figura që do të luajë një rol të dorës së parë në
themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, Pandeli Sotiri
(1843-1891); filozofi dhe dijetari nga fshati Ninat i Çamërisë (Sarandë), rektor
i parë i Universitetit të Stambollit të themeluar më 1870, Hasan Tahsini
(1811-1881).
Një numër i madh
rilindësish, përpos në Stamboll, vepruan edhe në Bukuresht, Sofje, Aleksandri,
Kajro, Selanik, Athinë etj. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të qindvjeçarit
XX, edhe në ShBA. Rilindësit tanimë dalin me kërkesa politike.
* * *
Të ballafaquar me
vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, të 3 marsit të vitit 1878,
që vendosi aneksimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare nga shteti i
porsaformuar autonom bullgar dhe nga mbretëritë tani të pavarura të Malit të Zi
dhe të Serbisë, rilindësit u vunë në shërbim të çështjes së ngutshme shqiptare.
Më 10 qershor 1878, atdhetarët shqiptarë themeluan Lidhjen e Prizrenit.
Një prej katër kërkesave ishte që shqiptarët të mos shërbejnë më në ushtrinë
osmane dhe të mos i paguajnë taksa qeverisë qendrore në Stamboll. Kongresi
i Berlinit që u mblodh më 13 qershor 1878, konfirmoi pavarësinë e
Rumanisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe një qeverisje autonome në Bullgari.
Interesat shqiptare nuk përfillën fare. Duke qenë një pjesë e shqiptarëve në
shërbim të Perandorisë Osmane, kishte pak shpresa për të gjetur mirëkuptimin e
fuqive të mëdha të kohës. Shqiptarët nuk patën as edhe një fuqi të madhe që të
mbronte interesat e tyre. As edhe qenia e tyre si popull nuk u njoh. Të ndodhur
para mundësisë së copëtimit të vendit, shqiptarët e tre religjioneve bashkë,
ndien nevojën për të vepruar në kuadrin e një lëvizjeje kombëtare. Pikërisht
për këtë u themelua lidhja e sipërthënë.
Përgjigjja e
kancelarive ishte: Shqiptarë, jeni vonuar!
* * *
Në shekullin XIX, Shqipëria ishte vendi më i pazhvilluar i gadishullit. Në
shekullin e kombeve, shqiptarët nuk kishin të formuar një borgjezi që do t’i
çonte drejt lirisë dhe pavarësisë. Një shtresë e kamur e tyre ishte në shërbim
të pushtetit osman. Copëtimi i trojeve shqiptare në dobi të fqinjëve grabitqarë, të
mbështetur nga Rusia dhe jo vetëm prej saj, do të marrë formën tragjike në Konferencën
e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1912-1913 – me arsyetimin se
shqiptarët janë mbetje turke në Ballkan.
Më parë se në
kancelaritë evropiane, fajin e vonesës së vet shqiptarët duhet ta kërkojnë në
vetvete.