Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Mbinjeriu i Fridrih Niçes
E diele, 17.07.2022, 07:51 PM
MBINJERIU I FRIDRIH NIÇES
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Termi “mbinjeriu” së pari është përdorur
në literaturën gjermane (Ubermensch),
posaçërisht te shkrimtari gjerman Johan
Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832). Me këtë term shprehet në
mënyrë konceptuale synimi i njeriut për qëllime më të larta si dhe kërkesa për
tejkalimin e gjendjes ekzistuese. Termi “mbinjeri” në përdorim më të gjerë,
por me domethënie tjetër, hyri me filozofin dhe poetin gjerman, Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche,
1844-1900).
Niçe lindi në Rëken afër Lycenit (Röcken bei Lützen),
në vitin 1844. Pas teologjisë të cilën shpejt e ndërpreu, studioi filozofinë
klasike në Bon dhe në Lajpcig. Inspirimet dhe modelet e para i gjeti në Greqinë
parasokratiane dhe dionizike. Duke u marrë me muzikë,
krijoi miqësi të afërt me kompozitorin gjerman Rihard Vagner (Richard Wilhelm Wagner, 1813-1883). Më vonë,
miqësinë me kompozitorin e famshëm e ndërpreu në mënyrë radikale, përveç
tjerash edhe për shkak se e konsideroi “tepër
dramaturg, shumë pak muzikant”. Në vitin 1869 ligjëroi si profesor në
Universitetin e Bazelit.
Në vitin 1882, 38-vjeçari Niçe u njoh me 21-vjeçaren Lu Salome* (1861-1937). Niçe përjeton dashurinë e tij të vetme të
vërtetë. Dashuria e tyre mbeti platonike.
Në një koncert të Vagnerit, ishin të pranishme Lu Salome dhe motra e filozofit,
Elizabeta. Pas mbarimit të koncertit,
Lu u ngjit në skenë dhe u hodh në këmbët e kompozitorit të famshëm. Ky gjest
nuk u prit mirë nga Elizabeta. Ajo e largoi Lu Salomen nga i vëllai, gjë që ai
kurrë s’ia fali.
Zhvillimi ideor dhe depërtimi në botën e
vizioneve të veta, gjithnjë më tepër e bën Niçen të vetmuar. Filozofët që i
kishte adhuruar dikur, si për shembull filozofin gjerman Artur Shoepenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860), tani tërësisht
i lë mënjanë.
Shumë punime i botoi në të gjallë, si
traktati “Lindja e tragjedisë nga fryma e
muzikës” (Die Geburt der Tragödie aus
dem Geiste der Musik, 1872),
rapsodia në prozë “Kështu fliste
Zaratustra” (Also sprach Zarathustra,
1883-85), përmbledhjet me skica
dhe aforizma “Matanë të mirës dhe të
keqes” (Jenseits von Gut und Böse, 1886),
“Mbi prejardhjen e moralit” (Zur
Genealogie der Moral, 1887) etj.
Fridrih Niçe vdiq në Vajmar (Weimar), në
vitin 1900, i sëmurë rëndë, dymbëdhjetë vjet me mendje plotësisht të errësuar.
Disa fragmente dhe skica i botoi pas vdekjes
motra e Niçes, Elizabeta Fërster-Niçe* në njërën prej veprave më të rëndësishme të
tij “Vullneti për të qenë i pushtetshëm”
(Der Wille zur Macht, 1901).
Elizabeta ishte ambicioze dhe me bindje raciste. Disa letra të filozofit të
madh i falsifikoi dhe i plotësoi. Është “meritë” pikërisht e saj dhe e disa
interpretuesve të tjerë fashistë, siç është filozofi gjerman, profesor i
filozofisë në Drezden, Alfred Baumler (Alfred
Bäumler, 1887-1968), që filozofia e Niçes u propagandua dhe u keqpërdor
gjerësisht në Rajhun e Tretë (Reich). Baumleri u përpoq ta paraqesë Niçen si “paraardhës të nacional-socializmit”.
Niçe e çmonte shumë rapsodinë prozaike “Kështu
fliste Zaratustra” (1883-85). Këtu glorifikohet “mbinjeriu” që pasqyrohet
në një sërë parabolash. Në kritikën e kulturës dhe të qytetërimit, Niçe
theksonte se njeriu i këtillë siç është, duhet të tejkalohet, të lihet mënjanë.
E ardhmja duhet t’i përkasë mbinjeriut për të cilin njeriu është
“ajo që është majmuni për njeriun: për të
qeshur ose turp i dhimbshëm”. Prandaj, kuptimi i botës së re është krijimi
i mbinjeriut.
Për Niçen, mbinjeriu është qenie me vullnet
të fortë dhe me instinkte të papërmbajtura. Mbinjeriu s’njeh dot dhembshuri dhe
mëshirë. Ai është qenie i cili tërësisht ka për ta flakur moralin ekzistues dhe
normat ekzistuese të sjelljes.
Ideologjia naziste e mori doktrinën e Niçes për mbinjeriun dhe ua përshtati
qëllimeve politike të veta. Sipas ideologëve nazistë, mbinjeriu është pjesëtar
i racës ariane të pastër. Vetëm njeriut të tillë i takon e ardhmja. Ai ka të
drejtë të mbisundojë mbi të gjithë popujt e tjerë që janë të racës “më të ulët”. Gjatë përshtatjes së
paskrupullt të ideve të Niçes, ideologët nacional-socialistë i kanë
shtrembëruar pikëpamjet e tij dhe e kanë shpërfillur faktin se Niçe ka qenë
kundërshtar i racizmit, i imperializmit, i militarizmit dhe i doktrinave apo i
parimeve politike të ngjashme. Për këtë arsye, për afrinë intelektuale të Niçes
me fashizmin janë zhvilluar debate të shumta në të cilat kanë mbizotëruar
mendimet se ky mendimtar nuk mund të konsiderohet paraardhës ideor i nazizmit.
“Kur ta shohësh njeriun duke u mbytur, mos ia shtrijë dorën për ta
shpëtuar. Bjeri edhe një shkelm, që të mbytet sa më parë” – kështu e interpretojnë ideologut nacional-socialistë, filozofin
legjendar. Ka pasur të tillë që e kanë quajtur Niçen mizogin (urrejtës i femrave): “A shkon te gruaja? Mos e harro kamxhikun!”
Të gjitha këto janë shtrembërime dhe interpretime të njëanshme apo tendencioze.
Dikush e ka quajtur mizogam (urrejtës i
martesës).
Niçe ushtroi ndikim të madh mbi filozofinë
dhe në letërsinë evropiane të shekullit XX.
Shënim:
Motra e filozofit, Tereza Elizabeta Niçe (Therese Elisabeth Förster Alexandra
Nietzsche, 1846-1935), filozofinë e të vëllait e ka interpretuar shtrembët.
Lu Salome (Lou Andreas-Salome, e lindur si Luiza
Pustavovna Salome; Shën-Peterburg, Rusi, 1861 – Göttingen, Gjermani, 1937)
ishte filozofe gjermane, me prejardhje ruse. Studioi në Universitetin e
Cyrihut. Në moshën 26-vjeçare u martua me orientalistin me prejardhje gjermane,
malajziane dhe armene Fridrih Andreas (Friedrich Carl Andreas; Xhakarta,
Indonezi, 1846 - Göttingen, Gjermani, 1930). Martesa e tyre zgjati deri në
vdekjen e burrit. Lu Salome e mbajti edhe mbiemrin e tij. Në vitin 1897, në
moshën 36-vjeçare, Lu Salome u lidh edhe me poetin austriak, 14 vjet më të ri
se ajo, Rajner Maria Rilke (Rainer
Maria Rilke, 1875-1926). Lidhja e tyre zgjati tre vjet. Në vitin 1911, Lu
Salome u njoh me familjen e neurologut austriak me prejardhje hebraike,
themelues i psikanalizës, Zigmund
Frojd (Sigmund Freud, 1856-1939). Ishte shoqe e vajzës së Frojdit,
psikanalistes britanike Ana Frojd (Anna
Freud, Vjenë, 1895 – Londër, 1982). Ana Frojd ishte më e vogla e gjashtë
fëmijëve të Frojdit.