E premte, 04.10.2024, 10:37 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Konservatorizmi

E hene, 23.05.2022, 08:57 PM


KONSERVATORIZMI

Nga Xhelal Zejneli

Konservatorizmi është pikëpamje që vlerëson dhe që synon të ruajë institucionet e vendosura dhe mban qëndrim kritik ndaj kërkesave për ndryshime shoqërore rrënjësore. Konservatorizmi mori trajtë për herë të parë si ideologji në kohën e Revolucionit Francez, kur mendimtarë si filozofi dhe politikani anglez Edmund Burke (1729-1787), autor i veprës “Refleksione mbi Revolucionin Francez” (Reflections on the Revolution in France, 1790) dhe filozofi francez i historisë Zhozef Mari dë Mestrë (Joseph Marie de Maistre, 1753-1821), autor i verës “Konsideratë për Francën” (Consideration sur la France, 1796) - dënuan ndryshimet revolucionare që ndodhën në Francë, duke i quajtur shkatërrimtare të shumë gjërave që kanë vlerë në shoqëri.

Që atëherë konservatorizmi u është kundërvënë kryesisht liberalizmit dhe socializmit. Konservatorët i respektojnë traditat si mishërim të urtësisë të grumbulluar gjatë kohëve dhe janë skeptikë ndaj planeve dhe politikave të paprovuara, të cilat paraqiten prej atyre që duan të jenë reformatorë. Si rregull, konservatorët janë:

- për qeverinë kushtetuese si një mënyrë për të ruajtur autoritetin demokratik pa lejuar ai të bjerë në duart e despotëve ose të diktatorëve;

- për një shoqëri të rregullt, në të cilin njerëzit t’i dinë vendet që u përkasin në hierarki;

- për fenë e ngulitur, që të integrohen njerëzit në thurimën e shoqërisë; dhe

- për familjen, si burimi parësor i vlerave morale dhe si vendi ku formohen qytetarët e përgjegjshëm.

Me kalimin e kohës, qëndrimet konservatore në ekonomi kanë ndryshuar. Në zanafillë, konservatorët ishin të prirë të mbështetnin politikat proteksioniste, në kundërshti me politikat laissez-faire (lejoni-të bëjë) që përkraheshin nga liberalët. Por në shekullin XX ata gjithnjë e më shumë iu kthyen tregut të lirë si mjeti më i mirë për organizimin e veprimtarisë ekonomike.

Kjo sintezë e pikëpamjeve konservator dhe liberale klasike mund të shihet veçanërisht në filozofinë e së djathtës së re*. Partitë politike rrallë janë përjashtimisht konservatore, politikanë me qëndrime konservatore mund të gjenden në partitë kristian-demokrate të Evropës, në Partinë republikane të ShBA-së dhe në Partinë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar.

Shënim: E djathta e re – është lëvizje intelektuale e viteve 1970 dhe 1980 që kërkonte të riformulonte bazën e opozitës së krahut të djathtë ndaj socialdemokracisë dhe socializmit. Mendimtarët e së djathtës së re, ndikimi i të cilëve ka qenë më i madh në ShBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, arritën në përfundime që ndryshojnë përkitazi me shkallën për idetë e liberalizmit dhe të konservatorizmit. Prirja libertariane shihet në mbrojtjen e tregut të lirë dhe në bindjen e tyre se roli i qeverisë ka qenë shtrirë tej mase, kështu që tani duhet të zvogëlohet. Kjo nënkupton për shembull, privatizimin e firmave dhe të industrisë që është në pronësi të shtetit, politikën monetare dhe një largim prej shtetit të përkrahjes sociale drejt sigurimit privat, si një rrugë e përballimit të sëmundjeve dhe të pleqërisë. prirja konservatore dukej në angazhimin e tyre të fuqishëm për ligjin dhe rendin dhe në bindjen se njësia familjare duhej forcuar.

*   *   *

Konservatorizmi pra, është pikëpamje, kuptimi dhe thelbi i të cilit kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen gjendjes ekzistuese. Në kuptimin politik të ngushtë, kjo pikëpamje më së shpeshti është e drejtuar kundër pikëpamjeve “përparimtare”, e sidomos lëvizjeve dhe doktrinave revolucionare.

Në aspektin historik, teoria e konservatorizmit ka lindur për t’iu kundërvënë ideve dhe praktikës së Revolucionit Francez të viti 1789, në fillim të shekullit XIX. Teoricienë më të njohur dhe më me ndikim të konservatorizmit kanë qenë: filozofi francez i historisë Zhozef dë Mestrë (Joseph de Maistre, 1754-1821), diplomati dhe shkrimtari gjerman, Fridrih fon Genc (Friedrich von Gentz, Vroclav, Poloni, 1764 – Vjenë, 1832), publicisti gjerman, kritiku letrar dhe teoricieni i shtetit, Adam Hajnrih Miler (Adam Heinrich Müller, 1779-1829), filozofi gjerman i së drejtës Fridrih Julius Shtal (Friedrich Julius Stahl, 1802-1861), filozofi dhe politikani anglez Edmund Berk (Edmund Burke, 1729-1797) etj.

Zhozef dë Mestrë (Maistre) i përkiste urdhrit katolik dhe luftonte posaçërisht kundër ideve të iluminizmit. Duke qenë se në epokën e iluminizmit ka pasur shumë personalitete të fuqishme dhe me arsimim enciklopedik, të cilët ideologjikisht e përgatitën Revolucionin Francez, Mestrë (Maistre) pohonte se shoqëria është realitet në vete, e ka pozitën e vet që është e pavarur nga individi. Shoqëria ekziston, kinse, para individit dhe ajo është krijuesja e vërtetë e qytetërimit. Gjuha, institucionet, morali e të tjerë, kanë ekzistuar para këtyre individëve. Këta individë, para tyre janë një hiç, ata nuk kanë kurrfarë të drejtash, por vetëm detyrime. Nevojitet vetëm një autoritet i cili këta individë i detyron që t’i nënshtrohen traditës.

Kontributi i Fridrih fon Gencit (Gentz) për teorinë konservatore konsistonte në faktin se e ka theksuar idenë se shteti ka natyrë organike, kurse institucionet politike dhe shoqërore përshtaten vetvetiu, kështu që revolucioni është i panevojshëm. Kjo është një pikëpamje konservatore-romantike e shoqërisë.

Zhvillimit të pikëpamjes konservatore i kontribuoi edhe punimi publicistik i Adam Hajnrih Mylerit (Adam Heinrich Müller) “Elementen der staatskunst” (1810) i cili u ndërlidh me shkollën romantike-historike në lëmin e së drejtës. Myleri angazhohej për krijimin e shtetit të krishterë-katolik universal të bazuar në autoritet dhe me karakter shtresash sociale, të cilin e mendonte si një bashkësi popullore organike, në vend të shtetit që do të mbështetej në individë të lirë, të cilët mbështeten në arsyen e vet dhe luftojnë për përparim. Sipas tij, individët mund të arrijnë sukses vetëm në kolektivat e mëdhenj siç janë kisha, populli dhe shteti, madje të shoqëruar dhe të edukuar nga tradita, me ndihmën e ndjenjës shpirtërore të lidhjes.

Filozofi gjerman i së drejtës dhe juristi, profesor në Berlin, Fridrih Karl fon Savinji (Friedrich Carl von Savigny, 1779-1861), të cilin e kanë konsideruar si përfaqësues kryesor të shkollës romantike-historike të së drejtës, e zhvilloi pikëpamjen sipas të cilës, idetë abstrakte-normative të iluminizmit, të bazuara në të drejtën natyrore, duhet zëvendësuar me përshkrimin e asaj që është dhënë historikisht. Nuk mund të flitet për zgjedhjen midis asaj që është e mirë dhe asaj që është e keqe, duke pranuar të mirën dhe duke flakur të keqen. Është e pamundur ta flakësh atë që është dhënë, ajo na mund sido që ta marrësh, ne s’mund ta ndryshojmë, por vetëm mund t’i nënshtrohemi. Ajo që është dhënë është “një e vërtetë e vërtetë”.

Në këtë mënyrë është likuiduar pothuajse çdo rol i njeriut në krijimin e kushteve për zhvillimin e vet në të ardhmen, ndërsa veprimtaria politike e tij është dehumanizuar. Kësisoj, teorikisht pamundësohet çfarëdo aktiviteti, e sidomos optimizmi aktivist. Kështu për shembull, gjatë shekullit XIX mbinë një sërë teorish të cilat konsideronin se çdo ndërhyrje njerëzore në marrëdhëniet shoqërore, krijon një gjendjeje artificiale që është në kundërshti me “rendin e natyrshëm të gjërave”. Së këndejmi burojnë, i ashtuquajturi ligj i hekurt i qirasë, fond i punës, ligji i hekurt i oligarkisë dhe postulatet e tjera teorike.

Në fund të fundit, konservatorizmi politik reduktohet apo shndërrohet në konformizëm politik. Ai reduktohet në arsyetimin politik dhe ideologjik të lëvizjes politike ekzistuese, përkatësisht në arsyetim të atyre elementeve të sistemeve politike të cilat duhet t’i kontribuojnë ruajtjes së tij.

Në masë të madhe, konservatorizmi mbështetet në ato institucione shoqërore të cilat për nga natyra e vet ushtrojnë funksione konservatore. I tillë është rasti me kishën në lëmin e religjionit. Këtu mund të përfshihen edhe zakonet në lëmin e moralit, shprehitë në fushën e psikologjisë së njeriut dhe dispozita të caktuara juridike kur veprojnë në mënyrë konservuese, d.m.th. po qe se në aspektin normativ, nuk janë funksionalë. Për shembull, parimi i legjitimitetit.

Thelbi politik i konservatorizmit mund të vijë në shprehje edhe në format e tjera të superstrukturës ideore dhe shoqërore: në filozofi, për shembull, duke aprovuar metafizikën dhe duke luftuar kundër dialektikës; në art, duke aprovuar stile përkatëse – romantizmi, klasicizmi, akademizmi, manirizmi, mitologjia etj.; në moral: pasivizmi, determinizmi, tradita, dogmatizmi etj.

Për ta kuptuar drejt konservatorizmin dhe rolin e tij historik, nuk duhet anashkaluar edhe anën pozitive të traditës si dhe nevojën dhe dobinë e qëndrueshmërisë së marrëdhënies shoqërore dhe të sistemeve juridike-politike për përparimin e shoqërisë, të shkencës, të teknikës, të kulturës, të moralit etj. Nuk duhet harruar se pa e grumbulluar dhe pa e konservuar atë që është pozitive në historinë njerëzore, nuk do të mundë të kishim as përparim, ndërsa ndryshimi “me qëllim ndryshim” nuk mund të jetë qëllim dhe mision i veprimit të njeriut.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora