Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Pushtimi i Osetisë Jugore nga Rusia, Lufta Ruso-Gjeorgjiane
E shtune, 05.03.2022, 10:49 PM
PUSHTIMI I OSETISË JUGORE NGA RUSIA
LUFTA RUSO-GJEORGJIANE
Nga
Xhelal Zejneli
Lufta në Osewtinë Jugore shpërtheu në gusht të
vitit 2008. Pas përleshjeve të ashpra disaditëshe në këtë rajon, midis ushtrisë
gjeorgjiane dhe forcave të Osetisë Jugore, më 7 gusht 2008 ushtarët gjeorgjianë
u përpoqën për ta marrë qytetin kryesor të Osetisë Jugore, Shinvali (Chinvali).
Osetia Jugore është rajon i shkëputur i Gjeorgjisë, i papranuar nga faktori
ndërkombëtar. Luftimet filluan me zjarrin e snajperëve dhe të artilerisë. Për
të nesërmen u caktuan bisedimet e paqes, por gjatë natës luftimet u
intensifikuan. Të nesërmen, më 8 gusht 2008, Rusia dërgoi trupa shtesë në
Osetinë Jugore. Sipas kryetarit të Rusisë Dmitrij Medvedev, Rusia e
paskësh ndërmarrë këtë hap për t’i mbrojtur civilët në Osetinë Jugore,
“shumica” prej të cilëve paskan shtetësi ruse. Në anën e Osetisë Jugore
luftonin edhe vullnetarë nga Abhazia. Më 8 gusht 2008, kryetari i
Gjeorgjisë Mihail Shakashvili fajësoi Rusinë se është duke kryer agresion
ndaj vendit të tij dhe se forcat ushtarake ruse po e bombardojnë popullsinë
civile. Me rastin e shpërthimit të luftës, Rusia pohonte se në Osetinë
Jugore janë vrarë mbi 2.000 civilë. Këtë pohim Human Rights Watch e hodhi
poshtë. Më vonë vetë Rusia e pranoi se numri i të vrarëve dhjetë herë është më
i vogël.
Shënim: Dmitrij Medevedev (Dmitry Medvedev, 1965-) kryetar i
Rusisë, prej 7 maj 2008 deri më 7 maj 2012.
Mihail Shakashvili (Mikheil Saakashvili, 1967-) kryetar i Gjeorgjisë në vitet 2004-2007 dhe
2008-2013; guvernator i Odesës në Ukraninë, në vitet 2015-2016.
* * *
Raporti i Bashkimit Evropian i datës 30.09.2009.
për shpërthimin e luftës në Osetinë Jugore fajësoi Gjeorgjinë për shkak të
sulmit në Shinvali (Chinvali), por shtoi se ky sulm pasoi vetëm pas
“provokimeve disamujore nga ana e Osetisë Jugore”. Sipas raportit, Rusia ka
pasur të drejtë të mbrojë personelin e vet në Osetinë Jugore, por jo edhe të
ndërmarrë ofensivë ushtarake kundër Gjeogjisë, as të shkaktojë shkatërrim të
tillë masiv dhe përndjekjen apo dëbimin e gjeorgjianëve. Raporti dënoi
Rusinë edhe dhënien masive të pasaportave shtetasve të Osetisë
Jugore dhe të Abhazisë. Sipas raportit, kjo paraqet shkelje
të së drejtës ndërkombëtare. Sipas disa ekspertëve, pasaportat qysh më
herët e kanë lehtësuar shkëputjen e Abhazisë dhe të Osetisë Jugore nga
Gjeorgjia dhe afrimin e tyre Federatës Ruse. Po ashtu, pas luftë në Ukrainën
lindore në vitin 2014, për këtë luftë filloi të shfaqet një perspektivë tjetër.
Disa ekspertë konsideronin se lufta e Rusisë kundër Gjeorgjisë ishte vetëm
fillimi i një plani të gjerë të Rusisë për të dominuar ndaj ish-hapësirës
perandorake pas-sovjetike.
Prapavija e
konfliktit: Konflikti midis Gjeorgjisë
dhe Osetisë dhe Lufta e Osetisë Jugore – Osetia Jugore u shkëput
nga Gjeorgjia në luftën e Osetisë Jugore të viteve 1991-1992. Misionet paqësore
me nga 500 ushtarë të Rusisë, të Osetisë Veriore-Alanisë (pjesë e Rusisë) dhe
të Gjeorgjisë, e mbikëqyrin armëpushimin që prej vitit 1992. Sot, shumica e
popullsisë së Osetisë Jugore ka pasaporta ruse.
Kronologjia e
konfliktit – Fillimi i
konflikti 1 gusht – 7 gusht 2008; Konfliktet ndërmjet ushtrisë gjerogjiane dhe
forcave paramilitare të Osetisë Jugore shpërthyen në mëngjesin e hershëm të
datës 1 gusht të vitit 2008. Në këto konflikte u vranë gjashtë vetë, ndërsa 21
të tjerë u plagosën. Për fillimin e konflikteve, të dyja palët fajësuan
njëra-tjetrën. Autoritetet e Osetisë Jugore deklaruan se gjashtë vetë janë
vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur, kur forcat gjeorgjiane kanë hapur zjarr
dhe pas kësaj e kanë bombarduar kryeqytetin e Osetisë Jugore – Shinvali
(Chinvali). Komandanti i forcave paqësore ruse deklaroi se
ushtari i Osetisë Jugore është vrarë nga gjuajtja me snajper, nga stacioni
policor nën kontrollin e Gjeorgjisë. Ai shtoi se në Shinvali (Chinvali), nga
gjuajtja me snajper janë vrarë të paktën tre vetë. Pala e Osetisë Jugore pohon
se gjuajtjet dhe bombardimet kanë vazhduar edhe gjatë natës së 2 gushtit të
vitit 2008. Ministri i Mbrojtjes i Gjeorgjisë Mamuka Kurashvili (1970-)
deklaron se Gjeorgjia ka hapur zjarr si përgjigje ndaj granatimit të
fshatrave gjeorgjiane. Ministri i Punëve të Brendshme i
Gjeorgjisë deklaron se gjatë granatimit janë plagosur gjashtë civilë dhe
një polic gjeorgjian. Ministri i Mbrojtjes i Gjeorgjisë – Kurashvili deklaron
se në granatimin e fshatrave kanë marrë pjesë forcat
paqësore ruse. Pala gjeorgjiane deklaroi po ashtu se pesë policë janë
plagosur, kur automjeti i tyre është qëlluar me dy mjete shpërthyese.
Më 3 gusht 2008, qeveria ruse
u ka lejuar qytetarëve të Osetisë Jugore të evakuohen në Rusi, kështu që ditën
e parë, 20 autobusë me refugjatë u larguan nga Osetia Jugore.
Më 7 gusht dhe më 8 gusht 2008 pason
sulmi i Gjeorgjisë. Sulmet snajperiste u intensifikuan më 7 gusht, ndërsa gjatë
ditës filloi edhe veprimi i artilerisë gjeorgjiane. Granatat qëllonin viset
kufitare të Osetisë Jugore, dujke përfshirë sakaq edhe kryeqytetin Shinvali
(Chinvali), i cili ndodhet në zonën kufitare. Pas kësaj, Gjeorgjia shpalli armëpushim
të njëanshëm. Por, gjatë mesnatës, sipas kohës lokale, sulmet u ripërtërinë.
Sulmi i ri ishte më i ashpër. U përdorën të gjitha mjetet e artilerisë, midis
tyre raketahedhës – kaqusha, mjete të blinduara me zinxhirë, por edhe aeroplanë
luftarakë. Sulmi vazhdoi edhe mëngjesin e së nesërmes. Për të bërë të mundur
tërheqjen e refugjatëve, në mesditë u shpall një armëpushim triorësh. U
vlerësua se bëhet fjalë për rreth 30.000 refugjatë. Numri i të vrarëve u shtua
në rreth 1400 sish. Ndërkohë, Gjeorgjia e fajësoi Rusinë për agresion, duke
pohuar se në zonën e kontestuar kanë vepruar bombarduesit e saj. Rusia u
përgjigj me kundërofensivë.
Më 8 gusht 2008 pason angazhimi i
drejtpërdrejtë i Rusisë në luftë. Në orët e hershme të pasdites
ndërmorën kundërofensivë tanket dhe mjetet e blinduara ruse. Ata u nisën nga
kufiri verior i Rusisë. Sulmi rus u quajt “mision për përforcimin e
paqeruajtësve të sulmuar”. Në orët e pasdites mbërritën në Shinvalin
(Chinvali) pothuajse tërësisht të shkatërruar. Forcat gjeorgjiane u detyruan të
tërhiqen. Pjesa e forcave që mbeti në qytet, u sulmua dhe deri në mëngjesin e
së nesërmes, u asgjësua ose u tërhoq. Duke mësuar për këtë, Shakashvili
fajësoi Rusinë për fillimin e luftës, duke paralajmëruar se gjatë natës do
të vendos gjendje lufte. Autoritetet gjeorgjiane njoftuan në mbrëmje se është
bombarduar porti i tyre Poti në Detin e Zi.
Më 9 gusht 2008, në Gjeorgji
dhe në Abhazi u vendos gjendje lufte. Në orët e paradites,
Shakashvili nënshkruan vendimin për gjendje lufte, që e vërteton Kuvendi i
Gjeorgjisë. Në të njëjtën kohë, në rajonin tjetër të kontestueshëm, Abhazi,
kryhet mobilizimi dhe evakuimi i pjesshëm i një pjese të popullsisë, në kufi me
Gjeorgjinë. Gjatë ditës, gjendja e luftës shpallet edhe në pesë rajone të Abhazisë.
Zyrtarët e Abrhazisë paralajmërojnë se do të bëjnë çmos për t’i ndihmuar
popullit të Osetisë Jugore. Në orët e pasdites fillojnë
luftimet në grykën e Kodorit, të vetmen pjesë të Abhazisë që e kontrollon Tbilisi.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë vërteton se Shinvali
(Chinvali) i shkatërruar, tanë ndodhet nën kontrollin e rusëve,
duke shtuar se ushtria gjeorgjiane ende ndodhet në Osetinë Jugore. Mediumet
njoftojnë se në mbrëmje, forcat ajrore luftarake ruse e kanë bombarduar
Gori-n, qytet në veri të Gjeorgjisë qendrore, si dhe përsëri portin Poti.
Më 10 gusht 2008 në luftime u
angazhua flota ruse e Detit të Zi. Gjatë ditës, komanda supreme ruse
vërteton se flotës së Detit të Zi i është dhënë urdhër të niset nga porti
i Sevastopolit (Ukrainë), drejt bregut të Abhazisë, për ta bllokuar
kinse furnizimin e Gjeorgjisë, me armë nga Ukraina. Ukraina ndërkaq,
paralajmëroi se flota ruse nuk është e mirëseardhur. Këtë qëndrim Ukraina e
mori me arsyetimin se “nuk dëshiron të përfshihet në konflikt”.
Por, Rusia tha se do t’i kthejë anijet në Sevastopol, ngase marrëveshja e
mirëpritjes me Ukrainën skadon në vitin 2017.
Pas vizitës që ua bëri refugjatëve në
Osetinë Veriore-Alani, Vlladimir Putini deklaroi se “...
pas krejt kësaj që ndodhi, është vështirë të besohet se Gjerogjia do të mund
t’i kontrollojë territore e kontestueshme të saj”.
Gjatë ditës, në Osetinë Jugore u
ripërtërinë luftimet sporadike, por trupat gjeorgjiane kryesisht u tërhoqën. Në
orët e natës, marina ruse në Abhazi dogji një anije të vogë gjeorgjiane, të
armatosur me raketa. Sipas burime perëndimore, u bombarduan Gori, porti Poti,
aeroporti ushtarak dhe impianti i radarëve në Tbilisi. Ndërkohë, numri i
refugjatëve nga Osetia Jugore arriti në mbi 30.000 – rreth gjysma e popullsisë
së Shinvalit (Chinvali). Medvedevi deklaroi se kjo nuk mund të
karakterizohet ndryshe përpos si gjenocid. Ai kërkoi krijimin e një tribunali ad
hoc për krime lufte.
Më 11 gusht 2008 shpërthyen luftime
jashtë territoreve të kontestueshme. Rusia bombardoi
dhe pushtoi Gori-n. Gjatë natës, Rusia i dha ultimatum Gjeorgjisë që
deri në orën tetë të paradites, të datës 11 gusht 2008, t’i çarmatosë të gjitha
trupat në Abhazi. Gjeorgjia e hodhi poshtë ultimatumin, ndërsa në grykën
e Kodorit, luftimet u ripërtërinë.
Brenda ditës, aviacioni luftarak i
Rusisë bombardoi disa objektiva në Gjeorgji, duke rrezikuar edhe kryeqytetin,
Tbilisin. Sipas burimeve perëndimore, në orët e pasdites ushtria ruse
filloi sulmin, duke çelur dy fronte jashtë territoreve të kontestueshme:
nga Osetia Jugore kah Gori-t dhe jashtë Abhazisë kah Poti. Në mbrëmje,
Gjeorgjia pohoi se atë kanë rënë në duart e rusëve, ndërsa Shakashvili doli
me dy deklarata dhe tha: “... Më tepër se gjysma e Gjeorgjisë ndodhet nën
kontrollin e Rusisë” dhe “... Gjeorgjia është përgjysmuar”.
Deklaratat e Shakashvilit, Rusia i përgënjeshtroi. Megjithëkëtë, disa ushtarë
gjeorgjianë i deklaruan për rrjetin britani “Skaj” se “... ndodhen në
tërheqje të plotë kah Tbilisi” .
Më 11-13 gusht 2008 pasoi armëpushimi.
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Bernar Kushner (Bernrad Kouchner,
1939-) dhe një diplomat finlandez u nisën për në Tbilisi, për t’i dhënë
mbështetje tërësisë së tokave të Gjeorgjisë. Me këtë rast, Shakashvili
e nënshkroi propozimin francez për armëpushimin, me të cilin
të gjitha palët tërhiqen nga fushëbetejat. Në mbrëmje, bashkë me presidentin
francez, Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy, 1955-), vajtën në Moskë për ta
bindur Dmitrij Medvedevin për ta bërë të njëjtën. Në seancën e pestë të
njëpasnjëshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, propozimi u hedh poshtë.
Dukej sikur Medvedevi nuk do ta pranojë propozimin e armëpushimit dhe të
tërheqjes nga fushëbetejat. Megjithëkëtë, mëngjesin e së nesërmes ai urdhëroi
ndërprerjen e zjarrit. Gjatë ditës, Shakashvili deklaroi se bombardimi i
Gjeorgjisë vazhdon. Luftimet në Abhazi vazhduan, ndërsa trupat
gjeorgjiane u sprapsën. Më 13 gusht 2008, trupat ruse u larguan nga Gori dhe u
nisën kah jugu. Lindi dyshimi se ata do të shkojnë drejt Tbilisit. Megjithëkët,
pas disa orëve u pa se ata vetëm e kanë çarmatosur dhe e kanë asgjësuar bazën
gjeorgjiane, rreth 16 kilometra në jug të Gori-it. Pas kësaj, u shpall tërheqja
nga territori i Gjeorgjisë.
Pas shpalljes së armëpushimit, trupat
e Abhazisë, më 13 gusht 2008 morën në dorë grykën e Kodorit dhe i dëbuan
forcat gjeorgjiane. Armata ruse, ende ndodhet në Abhazi dhe në Osetinë Jugore,
si “garantë e sigurisë”. Në të vërtetë, ato janë pushtuar nga Rusia.
Si pasojë, gjeorgjianët u dëbuan
nga Osetia Jugore. Në luftë u vranë gjithsej 602 vetë. Në anën gjeorgjiane
u vranë 405 vetë apo 67,3% e numrit të përgjithshëm të të vrarëve. Prej tyre,
220 civilë dhe 169 ushtarë. Në anën e Osetisë Jugore u vranë 197 vetë apo 32.7%
e numrit të përgjithshëm të të vrarëve. Prej tyre, 133 civilë dhe 64 ushtarë.
Sipas UNHCR, për t’iu shmangur luftës, 192.000 u shpërngulën nga vatrat dhe nga
trojet e veta dhe u shndërruan në refugjatë. Prej tyre, 127.000 vetë apo 66,1%
nga numri i përgjithshëm janë refugjatë në anën gjeorgjiane; 30.000 vetë apo
15,6% janë refugjatë në Osetisë Jugore, ndërsa në Osetinë Veriore ka shkuar
35.000 vetë apo 18.2%.