Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Volteri, autoriteti shpirtëror më i madh i Evropës iluministe
E merkure, 16.02.2022, 08:55 PM
VOLTERI
Autoriteti shpirtëror më i madh i Evropës
iluministe
Shekulli XVIII në Evropë u quajt shekull i
Volterit
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Volteri jetoi në
Francën e shekullit XVIII, në kohën e mbretit Luigji XV (Louis XV). Është
shekull i iluminizmit, në të cilin mbizotëron mendimi filozofik.
Letërsia është antifeudale dhe antireligjioze.
Mbizotërojnë motivet qytetare (borgjeze) dhe kritika e shoqërisë dhe e
politikës. Proza e zëvendëson poezinë. Në çdo trajtesë të iluministëve
bëhet fjalë për njeriun dhe për natyrën njerëzore. Iluministët
francezë luftuan kundër absolutizmit, besëtytnive, paragjykimeve, kundër
trysnive ndaj ideve dhe vetëdijes dhe për lirinë intelektuale e politike.
Në këtë mes, rol të madh luajti Enciklopedia e drejtuar nga Deni
Didëro e cila solli njoftime për shkenca të ndryshme, artikuj dhe polemika
kundër koncepteve të vjetra, rendit të vjetër, bindjeve apo besimeve të
vjetruara. Afirmoi pikëpamje filozofike të reja dhe frymën e pavarësisë.
Mohoi autoritetet dhe traditat e fesë. Afirmoi besimin ndaj arsyes
dhe përparimit. Bashkëpunëtor i Enciklopedisë ishte edhe Volteri. Ishte
i pari në Francë që e përcaktoi drejtimin e filozofisë iluministe. Krijoi lloje
letrare të ndryshme: tragjedi, vargje epopeje, epigrame, vepra historike.
Ironizoi sistemet filozofike dhe metafizike të filozofit, matematikanit dhe
fizikanit francez Rene Dekart (René Descartes, 1596-1650), të filozofit
holandez me prejardhje hebraike (sefard i Portugalisë) - Baruh
de Spinoza (Baruch de Spinoza, 1632-1677), të filozofit dhe matematikanit
gjerman Lajbnic (Leibniz, 1646-1716). I pranoi idetë e themeluesit
modern të empirizmit – të filozofit dhe mjekut anglez Xhon Lok
(John Loock, 1632-1704) dhe të deistëve anglezë.
Filozofia iluministe ushtroi ndikim mbi Revolucion francez (1789) si dhe në
ndërtimin e Evropës qytetare.
* * *
Volteri (emri i vërtetë
Fransua-Mari Arue - François-Marie Arouet; Paris, 21 nëntor 1694 – Paris, 20
maj 1778) është shkrimtar, historian dhe filozof francez. Figurë qendrore e iluminizmit
në Francë. Krahas Deni Didëroit*, d’Alamberit* (d’Alembert),
etj., ishte pjesëtar i rrethit francez të enciklopedistëve.
Renomenë e autoritetit shpirtëror kryesor të Evropës iluministe e fitoi qysh në
të gjallë.
Lindi në një familje
të pasur të Parisit. Ishte fëmija i katërt i pesë fëmijëve të prindërve të tij.
Ndoqi në Paris gjimnazin prestigjioz jezuit Lycée Louis-le-Grand.
Këtu mori një arsimim humanist të shkëlqyer. Filloi të studionte drejtësinë,
por pas një kohe i la studimet. Si shkrimtar i talentuar i epigrameve, kozer
spiritual dhe satirik, herët hyri në sallonet mondane të Parisit, në qarqet
mondane të disidentëve të kohës, sidomos në strehën e libertinëve
(koteria Société du Temple*). Krenohej me përkatësinë qytetare
të vet. Ishte mbështetës i ndërmarrësisë. Ithtar i të drejtës mbi pronën. Nuk u
shmangej fitimeve të majme. Herë-herë ushtronte edhe veprimtari monetare të
dyshimta. Me sukseset e para letrare e entuziazmoi aristokracinë e ngeshme.
Tragjedia “Edipi” (Oedipe, 1718) e dëshmoi lidhjen e tij me temat
klasore.
Te Volteri herët u
shfaq tendenca për marrëdhënie të lira, të papenguara si dhe për
pikëpamjen skeptike mbi botën.
* * *
Për fyerjen e
regjentit Filipit të Orleanit*, e mbyllën në qelitë e Bastijës, ku i
kaloi 11 muaj. Në qeli e shkruan tragjedinë “Edipi” (Oedipe). U
popullarizua që me shfaqjen e parë. Që tani nisën ta konsiderojnë si
trashëgimtar të dramaturgëve francezë Pjerë Kornej (Pierre Corneille,
1606-1684)) dhe Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699). Në
vitet 1717-1726 përjeton në Paris suksese të mëdha letrare. Nëpër oborre dhe në
popull është nderuar si poet i parë i Francës. Ra në konflikt me kalorësin de
Rohan*. Ky i urdhëroi lekejtë e vet që ta rrihnin. Shkrimtari u detyrua të
largohej nga Franca.
* * *
Qëndrimi në Angli (1726-1729) – Në vitin 1726 shkon në Angli ku njihet me idetë
filozofike të poetit dhe të kritikut anglez Alikzandër Pëup (Alexander
Pope, 1688-1744), të Isak Njutnit* (Isaac Newton), të Xhon Lokut* (John
Loocke) dhe të Shaftsberit* (Shaftesbury). Në Angli entuziazmohet
me pozitat e larta që zënë atje artistët, filozofët dhe dijetarët. Më vonë,
në çdo rast do të theksojë se në Angli Xhon Loku (Loock) dhe shumë të
tjerë kanë ushtruar funksione shtetërore të rëndësishme dhe kanë gëzuar respekt
të madh, ndërsa në Francë, shkrimtarët kanë jetuar nga lëmosha e mjerë që e
kanë marrë prej mbretërve dhe oborrtarëve. Filozofët ndërkaq,
pothuajse gjithmonë kanë qenë nën syrvejimin e policisë.
Në këtë kohë e
shkruan veprën filozofike “Letra për anglezët” (Lettres sur les Anglois)
të cilën gjykata e Parisit e shpalli si një libër skandaloz që e skandalizon
religjionin, që është në kundërshti me të dhe që nuk tregon respekt ndaj pushtetit.
Gjykata urdhëroi që libri të digjet.
Në Angli realizoi
botimin e plotë të epit “Henriada” (La Henriade) në të cilën flet për
luftërat fetare të kohës së mbretit të Francës Henriku IV. Botimi i parë
i epit, i vitit 1723 ka titull tjetër.
Është një ep heroik polemizues i drejtuar kundër fanatizmit fetar.
Në këtë ep e ngre lartë Henrikun IV*, i cili ishte mbështetës i
tolerancës dhe prototip i sundimtarit “të arsimuar”.
I lartësuar në
qarqet politike dhe letrare, qëndrimin e vet në Angli, Volteri e shfrytëzoi për
studimin e një qytetërimi tjetër, d.m.th. të shoqërisë moderne. U
përgatit për të shkruar edhe shumë vepra të tjera lëmenjsh të ndryshëm, siç
janë tragjeditë e llojit shekspirian “Bruti” (Brutus, 1730),
“Zaire” (Zaïre, 1732), studimi historiografik tejet i dokumentuar “Histoia
e Karlit XII” (Histoire de Charles XII, 1731), vepra e njohur
“Letra filozofike” (Lettres philosophiques, 1734) e njohur edhe me
titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises). Botimin e këtij
reportazhi anglofil, të guximshëm dhe të shkruar me
spiritualitet, Volteri e ka përgatitur me kujdes. Në vitin 1733 doli në Londër
kopja e tij me titullin “Letra për kombin anglez” (Letters Concerning
the English Nation).
Në Angli, Volteri u
entuziazmua nga racionalizmi praktik i filozofisë angleze, nga toleranca
fetare dhe nga organizimi i shoqërisë
liberale të re. Njëherazi Volteri sulmon këtu çdo
gjë që është franceze, që nga kartezianizmi (filozofia karteziane), shqyrtimet
fetare deri te parazitizmi i shtresave të privilegjuara.
* * *
Formimi filozofik, Sirej (Cirey) – Në vitin 1729 kthehet në Paris. Ishte pa
të ardhura dhe e kishte të ndaluar
hyrjen në pallatin në Versajë (Versailles). Qëndrimi në Angli e nxiti
transformimin e Volterit si shkrimtar dhe si mendimtar, saqë disa thanë se “nga
Franca u largua si poet, ndërsa u kthye si mendimtar”. Në vitin 1733
shkruan epin spiritual-frivol (të lehtë) për Joanën e Orleanit*, “Virgjëresha”
(La Pucelle), me plot skena të vogla
erotike në të cilat vihet në rrezik virgjëria e heroinës.
* * *
Pas djegies së veprës “Letra filozofike për anglezët”
(Lettres philosophiques sur les Anglais), qëndrimi në Paris përsëri iu
pamundësua. Volteri shkon në Sirej (Cirey), në kështjellën e zonjës dë
Shatële (de Châtelet)* në krahinën Shampanjë (Champagne). Me
markezen e arsimuar, ishte në lidhje dashurie. Aty ndenji dhjetë vjet. Qëndrimi
në Sirej (Cirey) është periudha më e frytshme e krijimtarisë së Volterit. Këtu
u mor me studime historike, filozofike dhe të shkencave të natyrës. Pasojnë
veprat dhe trajtesat, si: “Elemente të filozofisë së Njutnit” (Éléments de
la philosophie de Newton); “Trajtesë për metafizikën” (Traité de Métaphysique),
„Diskurs për njeriun“ (Discours sur l'homme). I shkruan tragjeditë e veta
të njohura „Zaire“ (Zaïre), „Alzire“ (Alzire), “Merop“ (Mérope) , “Muhamedi“
(Mahomet).
Ishte i entuziazmuar
me Isak Njutnin (Isaac Newton), me sprovat shkencore dhe me shfaqjet
teatrore të pjesëve të veta, si “Vdekja e Cezarit” (La Mort de César, 1735);
“Muhamedi” (Mahomet, 1741); “Meropa” (Mérope, 1743); “Tankred”
(Tancréde, 1760). Volteri e popullarizon filozofinë natyrore të
Njutonit (Newton), “që është e kapshme për çdokënd”, siç figuron në nëntitullin
e veprës “Bazat e filozofisë së Njutonit” (Éléments de la philosophie de
Newton, 1738). Krahas kësaj, Volteri gjithnjë më tepër i kthehet
studimit të historisë së përgjithshme dhe historisë së Francës.
Këmben letra me mbretin e Prusisë, Frederikun e Madh (Friedrich
der Große, 1712-1786). Në vitin 1743 qëndroi në Berlin tek mbreti. Në
vitin 1744 përsësri kthehet në Paris, ku emërohet si poet dhe si historian
oborri i mbretit Luigji XV (Louis XV). I rrethuar nga favoret e oborrit
dhe nga kurtizanat, shkruan libretin për operën “Princesha e
Navarës” (La princesse de Navarre). Edhe pse këtë vepër e kishte quajtur
farsë (gjë qesharake) panairi, në qarqet
aristokrate ajo i solli famë më të madhe se veprat artistike më të mira të tij.
Në vitin 1745 u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze.
Së shpejti, për
shkak të natyrës së vet liberale dhe sarkastike, u ballafaqohet me probleme. Ra
në mosmarrëveshje me dashnoren e mbretit, markezen dë Pompadur* (Pompadour),
e cila dikur ishte mbrojtëse e tij. Ngatërrestarët ia kishin përcjellë asaj do
batuta të Volterit në llogari të saj, ndaj në vitin 1750 përsëri iu desh të
largohej nga Parisi. Po këtë vit, me ftesë të mbretit të Prusisë, Frederikut
II (Frederikut të Madh - Friedrich II) vajti në Potsdam, në pallatin
Sans-Souci (Pa Brenga), ku qëndroi deri në vitin 1753, si mentor retorike i
mbretit. Aty takoi bashkatdhetarët e vet, iluministët Mopertyi* (Maupertuis)
dhe Lametri* (Lamettrie). Këtu Volteri luante rolin e këshilltarit
shpirtëror të Frederikut të Madh. Me mbretin iluminist kishte një miqësi
të ngushtë. Shpesh shkonin në shëtitje dhe në darka. Mbreti i kërkoi Volterit
t’ia korrigjonte shkrimet. Por, marrëdhëniet midis tyre shpejt u ftohën. Pas
përndjekjes nga Frederiku, Volteri rreth një muaj qëndroi i mbyllur në
Frankfurt. Me sarkazëm, këtë e quajti “mikpritje tipike gjermane”. Në
vitin 1753, Volteri u largua nga Potsdami. Pasi u largua nga Frederiku II,
jetoi në Gjenevë. Prej vitit 1758 u vendos në Fernej (Ferney), në kufi të
Zvicrës dhe të Francës.
Në vitin 1778, tre
muaj para vdekjes, Volteri triumfalisht kthehet në Paris. Parisienët e presin
me lule dhe me duartrokitje. Gjatë shfaqjes së tragjedisë së tij “Ierna”
(Iréne), busti i tij në skenën e hapur ishte mbështjellë me kurorë
dafine.
Më 17 shkurt 1778,
në praninë e 250 vëllezërve masonë, hyn në lozhën e masonëve të
Parisit “Les Neuf Soeurs” (Nëntë Motrat). Me këtë rast mjeshtri i madh i
lozhës iu drejtua Volterit me fjalët: “Shumë i dashur im vëlla, ju keni qenë
murator i lirë, para se ta merrnit këtë simbol dhe ju i keni plotësuar
detyrimet përkatëse, para se t’i merrnit prej nesh”.
Tre muaj më vonë, më
30 maj 1778, vdes. Për t’iu shmangur protestave, e varrosin fshehurazi. Por, në
vitin 1791 revolucionarët trupin e Voleterit e mbartin në Panteon (Panthéon).
Qysh i gjallë, fitoi famën e autoritetit shpirtëror më të madh të Evropës iluministe.
* * *
Qëndrimin e vet
kundër klerit e shpreh haptas, si në veprat e veta, ashtu edhe në publik.
Klithma e tij Écrasez l’imfâme! (Dërmojeni ...) u shfaq për herë të parë
më 23 qershor 1760 në letrën që ia dërgoi d’Alamberit në të cilën thotë:
“...kjo çështje ka rëndësi vendimtare (...) dhe ky është shërbimi i madh që
mund t’i bëhet gjinisë njerëzore”. Volteri edhe letrat nisi t’i nënshkruajë
me fjalët Écr. l’inf. Ai shkruan:
“Të gjitha letrat e mia i përfundoj me fjalët Écr. l’inf, siç ka thënë Katoni*
“...Kartagjenën duhet rrënuar”.
Shënim: Duhet dalluar rolin e Kishës apo të klerit në shekullin e
iluminizmit, nga roli i saj në periudhën pas Revolucionit francez. Me ndarjen e
fesë nga shteti, Kisha do të merret kryesisht me punët shpirtërore.
* * *
Pikëpamjet raciste të Volterit – Në pjesën hyrëse të trajtesës “Ese për traditat”, Volteri
thotë: “...vetëm njeriu i verbët mund të dyshojë se të bardhët, zezakët,
albinët, hotentotët, laponët, kinezët, amerikanët janë raca plotësisht të
ndryshme”. Volteri mbron teorinë poligjenetike sipas së cilës racat e
ndryshme njerëzore rrjedhin nga stërgjyshër të ndryshëm, që u ka shërbyer “evropianëve,
kuptohet edhe francezëve, që në kontinentin e Afrikës të vendosin sistem
skllavopronar. Nuk kemi të drejtë natyrore t’i prangosim banorët e
Angolës, por kemi të drejtë dakordimi...” Në trajtesën e sipërthënë
filozofi shpreh do pikëpamje që s’i merr dot letra.
* * *
Volteri me cinizëm përqeshte mbarë Evropën, mbretërit e pushtetshëm,
klerikët, filozofët që besonin se kjo botë është më e mira nga të gjitha botët
e mundshme (teori e Lajbnicit), pseudomjekët me tituj akademikë. Por,
Volteri tallej edhe me veten, me ëndrrat dhe marrëzitë e veta rinore. Ishte
kundërshtar i paepur i Kishës. Klithma radikale e tij “Dërmojeni
ndyrësirën!” (Écrasez l’infâme!)ushtoi fuqishëm gjatë tërë shekullit
XVIII.
Megjithëkëtë,
Volteri duke mbetur deist jokonsekuent, konsideronte se Zoti dhe
religjioni janë të nevojshëm: “Po të mos ekzistonte Zoti, do të duhej të
sajohej”.
Pozita paradoksale
e Volterit shihet edhe në ecurinë e jetës dhe të veprës së tij: I urrente
mbretërit dhe njerëzit e pushtetshëm, ndërsa një pjesë të madhe të jetës e
kaloi nëpër oborre mbretërore dhe në apanazhe (prona) të pasanikëve, ndërkaq
vetë ai blinte prona anembanë Francës; luftonte bashkë me enciklopedistët, por
vetë mbeti kundërshtar i materializmit.
*
* *
Nga opusi voluminoz i tij në të cilin janë përfaqësuar të
gjitha gjinitë, krahas tregimeve filozofike, dallohen edhe sprovat
historike, në të cilat historiografia e atëhershme i është afruar asaj që
më vonë do të quhet histori e civilizimit. “Shekulli i Luigjit
XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752, Berlin 1768) është e para vepër
historike e rëndësishme në të cilën figurë qendrore është kombi
dhe jo sundimtari dhe në të cilën, interesimi për traditat
ka qenë më i madh se interesimi për betejat historike. Qëllimi kryesor i
Volterit ka qenë të përshkruajë “shpirtin e njerëzve” dhe shoqërinë në të cilën
këta njerëz kanë jetuar dhe kanë vepruar, duke paralajmëruar kësisoj historinë
e mentalitetit. Shkrimin “Sprovë për historinë e përgjithshme dhe
për traditat dhe për shpirtin e kombeve” (Essai sur l’histoire générale et sur
les moeurs et l’esprit des nations, 1756) e shkroi për t’ia
lehtësuar markezës du Châtelet të kuptuarit e historisë. Në rrëfimin,
përkatësisht në romanin filozofik i përmblodh përvojat e oborrtarit të
dëshpëruar, të skeptikut dhe të filozofit.
Veprat “Zadig” (1748), “Mikromegas”
(Micromégas, 1752), kryevepra “Kandid” (Candide, 1759)
– roman filozofik dhe parodi* e shkëlqyer e romanit
aventuristik-sentimental, “I padjallëzuari” (L’ingénu, 1767),
“Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768) - janë
ilustrime të qëlluara të pyetjes: si ta gjejmë fatin te vetvetja”.
Volteri u bë i njohur edhe me esenë “Traktat mbi
tolerancën” (Traité sur la tolérance, 1763), i frymëzuar nga rasti
Kalas* (Calas), me shembullin e fanatizmit fetar. Forma e
shkurtër e artikullit enciklopedik i mundësoi që si filozof dhe praktik moralist
të flasë me një stil të qartë dhe thelbësor. Në artikujt e Volterit që kanë të
bëjnë me ateizmin, me karakteret, me fanatizmin, me përndjekjet
dhe tolerancën, me lirinë dhe tiraninë, e më së shpeshti me sulmet e ashpra
ndaj kishës dhe klerit, si dhe ndaj rendit jokushtetues – dallojmë shpirtin
luftarak të iluministit dhe stilin e gazetarit me përvojë.
“Fjalor filozofik ose Arsyeja në
rendin alfabetik” (Dictionnaire philosophique ou
la Raison par alphabet, 1764) është një vështrim i thuktë i
filozofisë volteriane. Si mjeshtër i ironisë dhe i
polemikës, në vitet 1745-1750 ishte historiograf i mbretit
të Francës, Luigji XV*. Në vitet 1750-1753 ishte mentor për
retorikë i mbretit të Prusisë, Fridrih II (Friedrich II) ose Friedrich
der Große. Pas një qëndrimi jo të mirë në Potsdam, gjeti strehim në Republikën
Helvetike konservatore. Suksesi i shfaqjes në Paris të pjesës “Irena”
(Irène) tre muaj para vdekjes si dhe kthimi në traditën e teatrit
klasicist, e mbyllën shtegun letrar dhe jetësor të tij.
Volteri ishte ithtar i publikimit të qartë të të
vërtetave të rëndomta, armik i veprimeve të fshehta apo tinëzare, i mistikës dhe
i mitologjizimit. Me stilin e thuktë dhe me inteligjencën lucide (të mprehtë)
tregoi një interesim të veçantë për një shoqëri të denjë për njeriun.
Me veprimtarinë e vet të gjatë, fitoi autoritet në mbarë
Evropën. Për këtë arsye, periudha e iluminizmit apo shekulli
XVIII u quajt “shekull i Volterit”.
* * *
Më shumë rëndësi ka kontributi i tij për filozofinë
e historisë: Këtë term e krijoi Volteri. Përpos kësaj, krijoi konceptin
me ndikim të historisë, si një proces i përparimit të gjithanshëm dhe të
pandalshëm që bazohet në ligjshmërinë natyrore, fillon me përparimin e shkencës
dhe të teknikës, që pikësëpari ndikon në zhvillimin e tregtisë, në rritjen e
begatisë së përgjithshme dhe në fund, në përmirësimin juridik dhe politik të
institucioneve si dhe në përsosjen morale të njeriut.
Vepra e parë historiografike e Volterit është “Historia
e Karlit XII” (Hitoire de Charles XII, 1731), ndërsa vepra kryesore
e tij nga ky lëmë është “Shekulli i Luigjit XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752).
Njëherazi, kjo është e para vepër e rëndësishme e këtij lloji, në të cilën
figurë qendrore është kombi dhe jo sundimtari dhe në të cilën traditat
pasqyrohen po aq sa edhe betejat dhe oborri mbretëror. Për të përshkruar frymën
e epokës, në mënyrë specifike paralajmëron historinë e mentalitetit.
Këtë qëndrim e ka përpunuar në trajtesën “Ese për historinë e përgjithshme
dhe për traditat dhe shpirtin e kombeve” (Essais sur l’histoire générale et sur
les moeurs et l’esprit des nations, 1756), në pasqyrën e historisë
që nga rënia e Perandorisë Romake Perëndimore, “Historia e Perandorisë Ruse
nën Pjetrin e Madh” (Hisoire de l’empire de Russie sous Pierre lë Grand, I-II,
1760-1763), në “Filozofinë e historisë” (Philosophie de l’histoire, 1765).
I rëndësishëm është edhe kontributi i tij për Enciklopedinë
të drejtuar nga shkrimtari dhe filozofi francez Deni Didëro (Denis
Diderot). Për Enciklopedinë, midis tjerash, i ka shkruar artikujt Shpirti, Eleganca,
Imagjinata, Historia, Elokuenca.
Idetë filozofike, në mënyrë alegorike dhe figurative i ka
paraqitur në novela dhe në romane që janë shembuj paradigmatikë të stilit të
tij elegant dhe klasicist të përmbajtur, të përshkuar nga ironia, pastaj të
përdorimit të litotave, të eufemizmave, të elipsave, të insinuatave: “Memnoni,
tregim oriental” (Memnon, histoire orientale, 1747), “Zadig” (1748),
“Vizioni i Babukut” (Vision de Babouc, 1748), “Mikromegas”
(Micromégas, 1752), “Kandid ose optimizmi” (Candide ou l’Optimisme, 1759),
“E bardha dhe e zeza” (Le Blanc et le noir, 1764), “I padjallëzuari”
(L’Ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768).
Në to ka
ironizuar dhe ka satirizuar filozofinë e optimizmit, sidomos
filozofin dhe matematikanin gjerman, Lajbnicin (Leibniz), rigjiditetin
(ngurtësinë) religjioze, duke përdorur formën e përgjithshme të zhanrit
pikaresk dhe shkencor-fantastik, përkatësisht të romancës
aventuriere-fantastike, të cilën po ashtu e ka parodizuar, sidomos dimensionin
utopist të saj. Në këtë vështrim, shembull kulmor është romani filozofik
“Kandid” ose Optimizmi, njëherazi edhe vepër e tij me pranim më
afatgjatë. I shkruar me ton sarkastik dhe parodik, kjo vepër është kritikë e filozofisë
së optimizmit të Lajbnicit (Leibniz).
*
* *
Volteri konsideronte
se më e natyrshme është që filozofia të pasqyrohet në vepra letrare. Në këtë
mënyrë, u bë filozofi i parë dhe më i gjithanshëm i iluministëve të shekullit
XVIII i cili bashkoi në vete filozofinë dhe letërsinë, duke e shndërruar si njërën
ashtu edhe tjetrën, në publicistikë iluministe spirituale që i ka cilësitë e të
dyja sferave të shpirtit njerëzor.
Veprat
„Ese mbi poezinë epike“ (Essay on
Epic Poetry); tragjedia “Edipi” (Oedipe, 1718); epi
heroik ”Henriada” (La Henriade, 1728), botimi i parë i
veprës, i vitit 1723 doli me titull tjetër; tragjeditë “Bruti” (Brutus, 1730);
“Zaire” (Zaïre, 1732); studimi historiografik “Histoia e Karlit
XII” (Histoire de Charles XII, 1731); vepra “Letra filozofike”
(Lettres philosophiques, 1734) e njohur edhe me titullin “Letra
angleze” (Lettres anglaises); në vitin 1733 doli në Londër kopja e
tij me titullin “Letra për kombin anglez” (Letters Concerning the
English Nation); dramat “Vdekja e Cezarit” (La Mort de César, 1735);
“Muhamedi” (Mahomet, 1741); “Meropa” (Mérope, 1743); “Tankred”
(Tancréde, 1760); trajtesa “Bazat e filozofisë së Njutonit”
(Éléments de la philosophie de Newton, 1738); “Shekulli i Luigjit
XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752, Berlin 1768) vepër historike;
trajtesa “Sprovë për historinë e përgjithshme dhe për traditat dhe për
shpirtin e kombeve” (Essai sur l’histoire générale et sur les moeurs et
l’esprit des nations, 1754-1758); veprat “Zadig” (1748); “Mikromegas”
(Micromégas, 1752); „Filozofia e historisë“ (Philosophie de l"histoire, 1756);
kryevepra “Kandid” (Candide, 1759) – roman
filozofik dhe parodi e romanit aventuristik-sentimental; “I padjallëzuari”
(L’ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768);
trajtesa “Traktat mbi tolerancën” (Traité sur la tolérance, 1763);
“Fjalor filozofik ose Arsyeja në rendin alfabetik” (Dictionnaire
philosophique ou la Raison par alphabet, 1764); përmbledhja e eseve “Letra
filozofike” (Lettres philosophiques, 1734), i njohur edhe me
titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises); tragjedia e fundit “Irena”
(Irène);
Shënime për krijuesit, për personalitetet dhe për nocionet
Agnosticizëm –
doktrinë filozofike idealiste e cila mohon mundësinë e njohjes së botës
objektive. Këtë pikëpamje e sqarojnë filozofët Dejvid Hjum
(Hume), Xhorxh Berkli (Berkeley), Imanuel Kant (Kant), Ogyst
Kont (Comte), Herbert Spenser (Spencer). Në të vërtetë nuk ka
asgjë që nuk mund të njihet; ekzistojnë vetëm gjëra dhe dukuri të natyrës të
cilat në shkallën historike të caktuar të zhvillimit të shkencës, ende nuk janë
të njohura; përvoja historike, parashikimi dhe studimi shkencor i forcave të
natyrës, njeriut ia hedhin poshtë agnosticizmin. Sipas agnosticizmit, ekzistimi
i Zotit, i hyjnores apo i mbinatyrshmes është diçka e panjohur dhe diçka që nuk
mund të njihet. Arsyeja e njeriut nuk ka aftësi për të siguruar
baza racionale të duhura që do ta arsyetonte bindjen se Zoti ekziston, apo
bindjen se Zoti nuk ekziston.
Antuan,
Mark (Marc Antoine) djali i Zhan Kalasit.
Bardhi,
Frang (1606-1643) shkrimtar i letërsisë së hershme shqiptare.
Berkli,
Xhorxh (George Berkeley, 1685-1753), i njohur edhe si Peshkopi Berkli,
është filozof anglo-irlandez. I takon shkollës së idealizmit dhe të empirizmit.
Budi,
Pjetër (1566-1622) shkrimtar i letërsisë së hershme shqiptare.
D’Alamber (Jean-Baptiste le Rond d’Alembert, 1717-1783) matematikan, fizikan dhe
filozof francez. Deri në vitin 1759, bashe me Deni Didëronë drejtuan Enciklopedinë*.
Dë Pompadur (Jeanne-Antoinete Poisson, marquise de Pompadour, e njohur si Madame de
Pompadour, 1721-1764) anëtare e oborrit mbretëror francez. Ishte dashnorja
kryesore zyrtare e mbretit të Francës, Luigji XV (Louis XV, 1710-1774),
trashëgimtar i fronit mbretëror të stërgjyshit të vet Luigji XIV (Louis
XIV, 1638-1715).
Dë Roan (Kalorësi
dë Roan) (Guy Auguste de Rohan-Chabot, 1683-1760) i njohur si Chevalier
de Rohan, ishte një fisnik francez (më poshtë se baroni), që vinte prej
familjes së vjetër dhe fisnike të Bretanjës (Huos of Rohan), që datonte nga
shekulli XI.
Didëro, Deni (Denis
Diderot, 1713-1784) filozof, kritik arti dhe shkrimtar – francez. Ishte
bashkëthemelues, kryeredaktor dhe bashkëpunëtor i Enciklopedisë.
Dy Shatëlet (Markeza dy Shatële) (Gabrielle-Émilie Le Tonnelier de Breteuil, marquise
du Châtelet, 1706-1749) filozof i natyrës dhe matematikane franceze. Në vitin
1725 u martua me markezin Florent-Claude du Chastellet-Lomont, me të
cilin kishte katër fëmijë. Ishte nën ndikimin e Iasak Njutnit dhe të Vilhelm
Lajbnicit. Në vitet 1733-1749, ishte në lidhje intime me Volterin. Vdiq nga
komplikimet gjatë lindjes së fëmijës.
Enciklopedistët – ishin një grup autorësh francez të shekullit XVIII që e
kanë hartuar enciklopedinë (Encyclopédie). Është botuar në periudhën
qershor 1751 – dhjetor 1765 përkatësisht 1780. Kryeredaktorë ishin Deni
Didërot dhe d’Alamberi. Enciklopedistët nxitën përparimin e shkencës
dhe të mendimit shekullar, mbështetën tolerancën, mendimin racional, mendjen e
hapu dhe elementet e rëndësishme të periudhës së iluminizmit.
Filipi i Orleanit (Philippe
d’Orléans, 1674-1723) ose Duka i Orleanit (Duc de Orléans) ishte anëtar
i familjes mbretërore franceze. Pas vdekjes së të atit, mbretit të Francës dhe
Navarës, Luigjit XIV (Louis XIV), u bë regjent.
Hemp, Erik Pret (Eric
Pratt Hamp, Londër, 16.11.1920 – 17.02.2019) linguist britanik/amerikan.
Henriku IV (1553-1610)
mbret i Francës. E quanin “I Madhi” (Le Grand) ose “Le Vert Galant”, në
anglisht “Good King Henry”.
Hjum, Dejvid
(David Hume, 1711-1776) – filozof, historian, ekonomist, eseist skocez i iluminizmit,
i njohur për sistemin e empirizmit filozofik, të skepticizmit dhe të
natyralizmit.
Joana e Orleanit (Jeanne d’Arc, 1412-1431) e njohur si Virgjëresha e
Orleanit, prijëse ushtarake franceze; u bë heroina kombëtare më e madhe e
Francës. Shenjtore e Kishës Katolike të Romës.
Kalas (Rasti
Kalas - Calas) – Në kohën e Volterit, d.m.th. në Francën e para
revolucionit, protestantizmi konsiderohej sakrilegj (mallkim).
Fanatikët fetarë të proveniencës katolike s’e kishin vështirë ta fajësonin
çdokënd që do të kishte pikëpamje ndryshe mbi botën. Rasti i Zhan Kalasit
(Jean Calas), për të cilin flet Volteri, është vetëm një prej shembujve. Në
tetor të vitit 1761, djali më i madh i Kalasit, Mark Antuan (Marc
Antoine) u gjet i varur në tregtizën e prodhimeve tekstile të Zhan Kalasit (Jean Calas) në Tuluz (Toulouse). Sapo u gjet
trupi, në mjediset katolike shpërtheu një histeri. Ndaj protestantit Zhan Kalas
(Jean Calas) vërshuan akuzat, duke e fajësuar për varjen e të birit ngase ai
paskësh kaluar në katolicizëm apo qenkësh konvertuar në katolik. Më 9 mars
1762, Gjykata rajonale në Tuluz e shpalli fajtor Zhan Kalasin dhe e dënoi me
torturim në rrotë, deri në vdekje. Zhan Kalasi vdes më 10 mars
1762, me trup dhe gjymtyrë të thyera. Me të mësuar për rastin, Volteri ndërmori
një fushatë për anulimin e aktgjykimit, për arsye se i pandehuri ishte dënuar
vetën në bazë të paragjykimeve fanatike ngase i përkiste një religjioni tjetër
dhe jo në bazë të provave materiale. Provat tregonin se djali i Zhan Kalasit, Mark
Antuan (Marc Antoine) kishte varur veten, për shkak të humbjeve në kumar,
borxheve dhe studimeve të papërfunduara. Ndërhyrja e filozofit pati jehonë të
madhe në Francë, ndaj në vitin 1764, d.m.th. tre vjet pas ekzekutimit të
dënimit, aktgjykimi u anulua. Zhan Kalasi, tanimë i vrarë nga torturat, u lirua
nga akuza, për t’u bërë viktimë simbolike e jotolerancës fetare.
Kalas,
Zhan (Jean Calas, 1698-1762).
Kant,
Imanuel (Immannuel Kant, 1724-1804) – filozof gjerman, një prej
mendimtarëve qendrorë të iluminizmit. Me veprat e tij në
epistemiologji, metafizikë, etikë dhe estetikë u bë figurë me ndikim në
filozofinë moderne të Perëndimit.
Katon (MarcusPorcius Cato
censorius, 234 para K. – 149 para K.) politikan, orator dhe shkrimtar romak.
Njihet edhe si Katoni i Vjetri (Cato Maior). Konsiderohet si i pari prozator
romak.
Kont,
Ogyst (Isidore Marie Auguste François Xavier Komte, 1798-1857) – filozof
dhe shkrimtar francez. E formuloi doktrinën e pozitivizmit.
Konsiderohet filozof i parë i shkencës në kuptimin modern të këtij nocioni.
Lajbnic,
Gotfrid Vilhem (Gottfried Wilhelm Leibnitz, 1646-1716) filozof dhe
matematikan, dijetar dhe diplomat gjerman. Janë të njohura tri letrat e
Lajbnicit. Më 24 janar 1705 i dërgoi një letër një bibliotekisti të
Berlinit në të cilën thotë se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave. Më 10
dhjetor 1709, pasi kishte vënë në dorë një libër në gjuhën shqipe dhe një
fjalor të shqipes, shkruan një letër tjetër ku thotë: “...kjo është gjuhë
e ilirëve të lashtë...”. Linguisti britanik/amerikan Erik Pret Hemp (Eric
Pratt Hamp) thotë se librat që i ka pasur në duar Lajbnici, janë “Fjalori
latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum, Romë 1635) i Frang
Bardhit si dhe vepra e Pjetër Budit.
Lametri (Julien Offray de
La Mettrie, 1709-1751) fizikan dhe filozof francez, një prej materialistëve më
të hershëm francez të iluminizmit. Pas largimit nga Potstadmi, Volteri qëndroi
një kohë në Gjenevë. Në vitin 1758 bleu një kështjellë në qytezën franceze
Fernej (Ferney). Deri atëherë dhe pas kësaj lindën romanet e tij “Zadig” (1747),
“Mikromega” (Micromega, 1752) dhe “Kandid” (Candide, 1759).
Në këtë periudhë shkruan pamflete dhe letra, lufton me tërë fuqinë kundër fanatizmin
të Kishës dhe i mbron të dënuarit e pafajshëm (rasti Kalas - Calas).
Trajtesat e veta antiklerikale i shkruan me pseudonime: Rabin Akiba, Aleksej,
Kryepeshkopi Novogorski, Abati Basin dhe nipi i tij, Klerikët e mbretit të
Prusisë etj.
Lok,
Xhon (John Loock, 1632-1704) filozof dhe mjek anglez. Është konsideruar si
një prej mendimtarëve ilumist më me ndikim. Është quajtur “baba
i liberalizmit”.
Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715) mbret i Francës.
Luigji XV (Louis
XV, 1710-1774) mbret i Francës. Në moshën 5-vjeçare e trashëgoi stërgjyshin, Luigjin
XIV . Derisa nuk e arriti pjekurinë në vitin 1723, mbretërinë e administroi
Filipi II, Duka i Orleanit (Philippe II, Duc d’Orléans), si regjent i
Francës.
Mopertyi (Pierre Louis Moreau
de Maupertuis, 1698-1759) matematikan dhe filozof francez.
Njutni,
Isak (Isaak Newton, 1643-1727 filozof, matematikan, astronom anglez. Tre
muaj para se të lindte, i vdiq babai. Nëna iu rimartua, e rriti gjyshja.
Parodi (greqisht
– parodeo – këndoj në mënyrë tallëse, tallem) – imitim tallës apo
qesharak i ndonjë vepre letrare, duke ruajtur formën e jashtme dhe tonin e saj;
imitim i jashtëm, duke shtrembëruar thelbin; shëmtim, shtrembërim, deformim,
prishje e formës, gjymtim; parodizoj – të shkruash parodi letrare për
dikë, për diçka; përqesh, paraqes në formë qesharake, shëmtoj, deformoj,
shtrembëroj.
Pëup, Alikzandër (Alexander
Pope, 1688-1744) poet dhe kritik anglez.
Société du Temple (Shoqëri
e Tempullit) ka qenë një shoqëri letrare dhe filozofike, që u paraqit në Francë
në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII.
Spenser,
Herber (Herbert Spencer, 1820-1903) – filozof, biolog, antropolog dhe
sociolog anglez, i njohur për hipotezën e darvinizmit social,
sipas së cilës historinë e harton fuqia fizike superiore.
Sheftsberi (Anthony Ashley-Cooper, 3rd Earlot Shaftesbury, 1671-1713) filozof anglez.