Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Leon Tolstoj
E shtune, 22.01.2022, 09:12 PM
LEON TOLSTOJ
Nga Xhelal
Zejneli
Leon Nikollaeviç Tolstoj (rus. Lev
Nikolaeviç Tolstoi, Jasna Polana, /guberni e Tulit, 9 shtator 1828 –
Astapovë/Astapovo, gubernia Rjazanska, 20 nëntor 1910), është prozator,
dramaturg dhe publicist rus. Lindi dhe vdiq në Perandorinë Ruse. Pasardhës i
një fisi të vjetër fisnikes. Q në fëmijëri jetoi kryesisht në pronën e familjes
në Jasnaja Polana (Jasnaya Polyana) si dhe në Moskë. Ishte oficer në Kaukaz dhe në Luftën e
Krimesë të vitit 1855. Ishte kont (grof). Në një natë
dimri, shkrimtari dhe mendimtari 82-vjeçar, i dëshpëruardhe i sëmurë, është
larguar nga shtëpia. Vdes në vitin 1910 në stacionin hekurudhor, në Astapovë.
Supozohet se ka vdekur nga ndezja në mushkëri. Për të kujdeseshin gruaja dhe
vajzat e tij. Se si ka mundur të largohet nga shtëpia nuk është e qartë. Mjekët
që kanë mbërritur në vendin e vdekjes, kanë ndërhyrë duke i dhënë injeksione
morfiumi. Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë një numër i madh njerëzish,
përfshi edhe mijëra fshatarë. Shumë prej tyre nuk kishin ditur sa duhet për
jetën dhe veprën e këtij realisti rus.
Në anglist, Tolstoi shkruhet dhe shqiptohet si Leo
Tolstoy. Prej vitit 1902 deri në vitin 1906 Tolstoi, çdo vit ka qenë i
nominuar për çmimin “Nobel” për letërsi, por nuk ia kanë dhënë. Në
vitet 1901, 1902 dhe 1910 ka qenë i nomunar edhe për çmimin “Nobel” për paqe,
por kurrë s’e ka fituar.
*
* *
Tolstoi lindi në Jasna Polanë, në pronën e familjes, 12
km në jug të Tules dhe 200 km në jug të Moskës. Tolstojët janë familje e njohur
e bujarisë së vjetër ruse. Konti (grofi) Nikollaj Iliç Tolstoj, veteran i
Luftës për atdheun të vitit 1812 dhe kontesha Maria Tolstoj (e lindur princesha
Maria), kishin pesë fëmijë. Leon Tolstoi (Lev Tolstoi) ishte fëmija i katërt.
Prindërit e Tolstoi vdiqën kur ai ishte tejet i ri. Për të, për vëllezërit dhe
për motrat e tij u kujdes farefisi. Në vitin 1844 u regjistrua në Universitetin
e Kazanit për të studiuar drejtësinë dhe gjuhët orientale. Mësuesit apo
profesorët e tij e përshkruajnë: “i paaftë dhe nuk tregon vullnet për mësim”.
Tolstoi e la universitetin në mes të studimeve, u kthye në Jasna Polanë. Pas
kësaj, pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Moskë dhe në Sankt Peterburg. Në
vitin 1851, pasi ishte zhytur në borxhe nga bixhozi, bashkë me vëllain e madh
vajti në Kaukaz dhe shkoi në shërbimin ushtarak. Në këtë kohë nisi të shkruajë.
Transformimi i tij prej një autori të një shoqërie
të shfrenuar dhe të privilegjuar, në një anarkist të padhunshëm
dhe shpirtëror të moshës së tij të mëvonshme, vjen si rrjedhojë e
përvojave të tij në ushtri. Kësaj i kanë kontribuar edhe dy udhëtimet në Evropë
në vitet 1857 dhe 1860-61. Po atë rrugë e kaluan edhe Aleksandar
Hercen/Gercen, Mihail Bakunin dhe Petar Kropotkin.
Shënim:
Aleksandar Ivanoviç Hercen/Gercen (Moskë, 1812 – Paris, 1870), është shkrimtar rus, një prej ideologëve të
socializmit utopist rus; ishte fëmijë i palegalizuar i një fisnikut të pasur
rus dhe i një gjermaneje nga Shtutgarti;
Mihail Aleksandroviç Bakunin (Tver
Govermorate, 1814 – Bern, Zvicër), anarkist revolucionar rus, socialist;
Petar Alekseeviç Kropotkin
(Moskë, 1842 – Dmitrov, Rusi, 1921), revolucionar anarkist rus, gjeograf,
zoolog, eseist politik i cili angazhohej për anarko-komunizëm.
*
* *
Që herët ishte i pakënaqur me pozitën
e privilegjuar të bujarëve (të fisnikëve, të aristokracisë). Kërkoi
raporte shoqërore të reja, pikësëpari ngritjen e fshatarësisë. Qëndroi larg
lëvizjeve revolucionare. Në pronën e vet zhvilloi punën iluministe, sidomos
pasi u kthye nga Evropa, i dëshpëruar nga pandjeshmëria e qytetërimit borgjez
ndaj të keqes shoqërore. Këtë e pasqyron në novelën “Luzern” (1857). Pas
viti 1861 në Rusi kemi çlirimin nga bujkrobëria. Tolstoi përjetoi një krizë të re
morale dhe në “Rrëfime” (“Ispoved”, 1879-1882) i pasqyroi parimet
e veta fetare. Kishte mendim kritik ndaj pronësisë, shtetit
dhe kishës. Synonte rimëkëmbjen morale në frymën e krishterimit
evangjelist. Besonte se ringritja është e mundshme me përsosmërinë e individit
dhe “duke mos iu kundërvënë të keqes me dhunë”. Mësimin apo
doktrinën e vet e paraqiti në shkrimet publicistike “Kisha dhe shteti”
(1882); “Me ç’ka të bëjë feja ime” (1884 ) etj.
Në veprat kushtuar çështjeve estetike
mohonte artin e shtresave të larta, sidomos në Perëndim. Kishte qëndrim
kritik ndaj vlerave kanonike dhe dukurive bashkëkohore në muzikë dhe në artin
figurativ, kërkonte art didaktik për popullin. Këto pikëpamje i
paraqiti në shkrimin “Ç’është arti” (1897-98).
Veprat në të cilat Tolstoi braktis mësimin apo doktrinën
kishtare shpesh janë objekt censure, kështu që janë konfiskuar edhe
interpretimet e tij të motiveve evangjelistë në “Rrëfime popullore”
(1886). Në vitin 1901 Tolstoi u përjashtua nga Kisha Ortodokse
Ruse.
Në shkrimin “Nikollaj Palkin”, Gjenevë 1891,
Tolstoi u ngrit kundër autokracisë dhe autoritarizmit perandorak (carist). Në
shkrimin “Nuk mund të hesht” që u botua në vitin 1908 jashtë Rusisë,
protestoi kundër represioneve. Në shkrimin “Mbi aneksimin e Bonjës dhe
Hercegovinës” (1908), protestoi kundër politikës së Fuqive të Mëdha.
*
* *
Ishte shkrimtar, dramaturg, eseist, kritik letrar,
filozof moral, luftëtar i njohur i të drejtave të punëtorëve dhe të fshatarëve,
e mbi të gjitha pacifist dhe majtist. Leini (Vlladimir Iliç Uljanov
Lenin, 1879-1924) e ka quajtur baba të revolucionit rus.
Me idetë e veta përparimtare për qëndresë jo të
dhunshme, joviolente, paqësore
ushtroi ndikim mbi
personalitetet që u paraqitën më vonë, ndër të cilët më të njohur janë Martin
Luter King dhe lideri i Indisë, i vrarë në atentat, Mahatma Gandi (Mahatma
Gandhi, 1869-1948). Sipas votimit të 125 autorëve të njohur sovjetikë, veprat e
Tolstoit u përfshinë në radhët e veprave më të mëdha të të gjitha kohëve.
Shënim: Martin
Luter Kingu (Martin Luther King, Jr.) lindi në Atlantë të Xhorxhisë
(Atlanta, Georgia), më 15 janar 1929. U vra në atentat, më 4 prill 1968 në
Memfis të Tenesit (Memphis, Tennesse). Ishte klerik baptist afroamerikan,
luftëtar i të drejtave qytetare dhe laureat i çmimit “Nobel” për paqe.
Konsiderohet si një nga ithtarët më me ndikim të veprimit apo të qëndresës pa
dhunë. Për shumë njerëz në botë konsiderohet hero, pacifist dhe martir. Në
marshin e zezakëve në Uashington të organizuar në vitin 1963 morën pjesë
250.000 vetë. Fjalimi i Kingut “Kam një ëndërr” (“I Have a
Dream”), bashkë me atë të presidenti të gjashtëmbëdhjetë të ShBA-së, Abraham
Linkoln (Abraham Lincoln, 1809-1865) në Getisburg, konsiderohet si
një nga fjalimet më të mira në historinë e oratorisë amerikane. Për qëndresën e
padhunshme ndaj paragjykimeve racore në ShBA, më 14 tetot 1964, Kingut iu dha
çmimi “Nobel” për paqe. Në atë kohë, në moshën 35-vjeçare, Kingu u bë laureati
më i ri i çmimit “Nobel” për paqe. Në një fjalim të mbajtur më 4 prill 1967,
Kingu dënoi rolin e ShBA-së në luftën e Vietnamit. Në vitin 1968 Kingu
organizoi “Fushatën e të varfërve” e cila arriti kulmin me marshin deri
në Uashington, me ç’rast, më 3 prill mbajti fjalim lidhur me varfërinë. Të
nesërmen, më 4 prill 1968, në Memfis të Tenesit ndaj tij u krye atentat.
Në varrimin e tij morën pjesë rreth 300.000 vetë. Atentator ishte Xhejms Erl
Rej (James Earl Ray, 1928-1998), i cili në vitin 1969 u dënua me 99 vjet
burg. I shpëtoi dënimit me vdekje pasi kishte pranuar krimin. Vdiq në burg pasi
kishte vuajtur 29 vjet heqje lirie. Në atentatin ndaj Kingut kishte të tillë që
thanë se është e implikuar qeveria
*
* *
Gjatë vizitë së vet të vitit 1857, Tolstoi i pa
ekzekutimet publike në Paris. Kjo ishte një përvojë traumatike që e shënoi
pjesën tjetër të jetës së tij. Në letrën dërguar mikut të tij - eseistit,
kritikut letrar, artistik dhe muzikor rus Vasil Botkin (Vasily Petroviç
Botkin, 1812-1869), shkruan: “Është e vërtetë se shteti është komplot i
destinuar, jo vetëm për shfrytëzim, por edhe për t’i korruptuar qytetarët e
vet... Që sot, kurrë nuk do t’i shërbejë cilësdo qeveri, kudo qoftë”.
Koncepti i Tolstoit për veprim joviolent, pa dhunë apo
Ahmist u forcua pasi e lexoi versionin gjerman të veprës Tirukural.
Më vonë kjo ndihmoi që ky koncept të mbillet edhe te Mahatma Gandi,
nëpërmjet shkrimit të tij “Letër indusit”, kur Gandi i ri zhvillonte
korrespondencë me të dhe i kërkonte këshilla.
Shënim: Tirukkural
ose shkurtimisht Kural është vepër e kultivuar e letërsisë tamile.
Autor i përmbledhjes është poeti dhe filozofi tamil Thiruvalluvar. Është
tekst klasik në gjuhën tamile që përbëhet prej 1330 kupleteve të shkurtër apo
kuraleve, prej nga shtatë fjalë. Teksti ndahet në tre libra me aforizma për
etikën, sëmundjen, pasurinë, dashurinë, për çështje politike dhe ekonomike. Në
anglisht u botua në vitin 1794. Titulli origjinal është Muppal dhe është
botuar në vitin 1812.
*
* *
Udhëtimi i Tolstoit nëpër Evropë gjatë viteve 1960-1961 i
dha formë zhvillimit të tij politik dhe letrar. Pati rastin të takohej me
poetin, romancierin dhe dramaturgun francez Viktor Hygo (Victor Marie
Hugo, 1802-1885), talentin letrar të të cilit Tolstoi e ngrëntë lartë, pasi
kishte lexuar “Të mjerët” (Les Misérables, 1862) e tij që sapo
ishte botuar. Skenat e betejave të romanit të Hygosë, Tolstoi i evokon edhe në
romanin e vet “Lufta dhe paqja”, me ç’rast vërehet një lloj ndikimi i
romantikut francez.
Në filozofinë politik e të Tolstoit ka ndikuar edhe
vizita e tij që ia bëri në mars të vitit 1861 anarkistit francez Pjerë-Zhozef
Prudon (Pierre-Joseph Proudhon, 1809-1865). Prudoni ishte ekonomist dhe
filozof, anarkist i parë i vetëshpallur, federalist dhe socialist. Në këtë kohë
Prudoni jetonte në egzil, në Bruksel, me emër të rrejshëm. Gjatë këtij takimi
Tolstoi e shfletoi veprën e pabotuar të Prudonit, “La Guerre et la Paix”
(Lufta dhe paqja) në frëngjisht, titullin e të cilit Tolstoi e huazoi për
kryeveprën e vet. Që të dy biseduan për arsimin. Në shkrimet e veta për
arsimin, Tolstoi shkruan: “Gjatë bisedës me Prudonin erdha në përfundim se
ai ishte i vetmi njeri që e kuptonte rëndësinë e arsimit dhe të shtypit në
kohën tonë”. Plot entuziazëm, Tolstoi u kthye në Jasna Polanë dhe themeloi
13 shkolla për fëmijët e fshatarëve rusë, të cilët sapo ishin emancipuar prej
bujkrobërisë në vitin 1861. Parimet shkollore Tolstoi i kishte përshkruar në
esenë e vet të vitit 1862 “Shkolla në Jasna Polanë” Eksperimentet arsimore
të Tolstoit ishin afatshkurtër, pjesërisht edhe për shkak të shqetësimeve që ia
shkaktonte policia perandorake sekrete. Por, si një paraardhës i drejtpërdrejtë
i pedagogut skocez Aleksandër S. Nil Samerhil (Alexander Sutherland Neil
Summerhill, 1883-1973), shkolla në Jasna Polanë mund të merret si shembull i
parë i teorisë koherente të arsimit demokratik.
*
* *
Më 23 shtator 1862, Tolstoi u martua me diaristen Sofia
Andreevna Bers (Sophia Andreevna Tolstaya, e lindur Behrs, 1844-1919), me
prejardhje gjermane, e cila ishte 16 vjet më e re se ai. Ishte bijë e
mjekut me renome të oborrit, Andre Bers dhe stërmbesë e kontit (grofit) Petar
Zavadovski, të parit ministër të Arsimit në Rusinë cariste. Familja dhe miqtë e
thirrshin Sonja, që është deminutiv rus i emrit Sofia. Tolstoi dhe Sofia
kishin 13 fëmijë. Tetë prej tyre e mbijetuan fëmijërinë, ndërsa
pesë vdiqën që në foshnjëri apo fëmijëri.
Fëmijë të tyre ishin:
Konti Sergej Lavoviç/Lvoviç Tolstoj (10.07.1863 -
23.12.1947), kompozitor dhe etnomuzikolog;
Kontesha Tatjana Lavovna/Lvovna Tolstoj (Jasnaja Polanë,
Rusi, 04.10.1864 – Romë, 21.09.1950), piktore dhe autor memoaresh; grua e
Mihail Sergeeviç Sukhotin-it (1850-1914); prej tyre lindi vajza Tatiana
(1905-1996), e cila e mban emrin e së ëmës
Konti Ilia Lavoviç
Tolstoj (22.05.1866 - 11.12.1933), shkrimtar;
Kontesha Lav Lavovna
Tolstoj (01.06.1869 - 18.10.1945), shkrimtar dhe skulptor;
Kontesha Maria Lavovna Tolstoj (1871-1906), grua e
princit, e guvernatorit rus Nikollaj Leonidoviç Obolenski (1878-Paris,
1960); Obolenski vjen nga një familje ortodokse; më 1925 emigroi; jetoi në
Francë; në egzil kaloi në katolicizëm;
Konti Peter Lavoviç Tolstoj (1872-1973), vdiq që foshnje;
Konti Nikollaj Lavoviç Tolstoj (1874-1875), vdiq që foshnje;
Kontesha Varvara Lavovna Tolstoj (1875-1875), vdiq që
foshnje;
Konti Andrej Lavoviç Tolstoj (1877-1916), shërbeu në
luftën ruso-japoneze;
Konti Mihael Lavoviç Tolstoj (1879-1944);
Konti Aleksej Lavoviç Tolstoj (1881-1886), vdiq që në
fëmijëri;
Kontesha Aleksandra Lavovna Tolstoj (18.07.1884 –
26.09.1979);
Konti Ivan Lavoviç Tolstoj (1888-1895), vdiq që në
fëmijëri.
Sënim: Vajza
e Tostoit, Tatiana Lavovna Tolstoya, njihej me aktorin e madh shqiptar Aleksandër
Moisiun*. Kur Aleksandër Moisiu me të shoqen Johana Moisiu Terëin qëndronin
në Moskë, ishin miq të Tatianës. Në prill të vitit 1925, me ftesë të Aleksandër
Moisiut dhe të Johanna Moisit, vjen në Vjenë Tatiana Lavovna Tolstoya me të
bijën Tatiana, e quajtur Tanja, mbesë e Tolstoit, e cila e mbante
emrin e së ëmës. Si miq të A. Moisiut, ato ishin vendosur në shtëpinë e aktorit
të famshëm.
Aleksandër Moisiu ose
Alexander/Alessandro Moissi/Moisi (Trieste, 1879 – Vjenë, 1935) është aktor
austriak me prejardhje shqiptare. Babanë e kishte nga Kavaja, ndërsa nënën - arbëreshe.
Ishe i martuar me aktoren gjermane të filmit dhe të teatrit Johana Terëin (Johanna Terwin, Kaiserslautern, Gjermani, 1884 –
Cyrih, Zvicër, 1962). A. Moisiu vdiq në Vjenë. U varros në
varrezat e komunës së Morcote-s, pranë Luganos, në kantoni Tessin të Zvicrës.
*
* *
Në prag të martesës së tyre, Tolstoi ia kishte dhënë
Sofisë ditarët e vet me hollësitë e të kaluarës së vet erotike. Përpos tjerash,
në ditar shkruan se Tolstoi ka pasur një djalë me një bujkrobe në pronën e tij.
Megjithëkëtë, në fillim të martesës ata kanë qenë të lumtur. Kur Tolstoi i
shkruante romanet “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”, kishte
mbështetjen e Sofisë (Sonjës). Ajo punonte si sekretareshë, editore dhe
administruese financiare e tij. Herë-herë, punimet epike të tij, Sonja i
përshkruante me dorë. “Lufta dhe paqja” duhej t’i dorëzohej botuesit në
versionin final të pastër. Për këtë kujdesej Sonja.
Por, jetën e tyre të mëvonshme, në librin “Tolstoi:
Biografia” të botuar në vitin 1988, Endrju Norman Vilson e
përshkruan si më fatkeqe në historinë e letërsisë. Raportet e Tolstoit me gruan
e vet u keqësuan për arsye se pikëpamjet e tij bëheshin gjithnjë më radikale.
Ai dëshironte të heqë dorë nga pasuria e tij e trashëguar dhe e krijuar prej
tij, duke përfshirë edhe heqjen dorë prej të drejtave të autorit ndaj punimeve
të hershme.
Shënim: Endrju
Norman Vilson (Andrew Norman Wilson, 1950 -) është shkrimtar dhe kolumnist
anglez; shkruan biografi kritike. Është autor i librit “Tolstoi: Biografia” (1988).
*
* *
Pas revolucionit rus të vitit 1905 dhe themelimit të
Bashkimit Sovjetik, familja e Tolstoit u largua nga Rusia. Pasardhësit dhe
farefisi i tij sot jetojnë në Suedi, në Gjermani, në Mbretërinë e Bashkuaur, në
Francë dhe ShBA. Midis tyre është edhe stërmbesa e Tolstoit, këngëtarja suedeze
xhez (jazz) Luiza Viktoria Tolstoj (1974- ), bijë e Erik Klajbergut.
Me familjen e Tolstoit ndërlidhet edhe pronari suedez i
tokave Herman Kristofer Paus (Herman Christopher Paus; Norvegji, 1897 –
Herresta, Suedi, 983). Ky ishte i martuar me mbesën e Tolstoit, domethënë me
vajzën e vajzës, Tatiana Sukhotina (Jasnaja Polanë, Rusi, 1905 – 1996),
e cila ishte vajzë e vajzës së Tolstoit, Tatiana Sukhotina Tolstoya
(1864-1950).
*
* *
Krijimtaria letrare –
Tostoi është një prej kolosëve të letërsisë ruse. Verat letrare të tij
përmbajnë elementet e ideve të tij, por i tejkalojnë me forcën e presedeut
artistik shoqëror-analitik. Duke i përcjellë shkrimtarët e shekullit XVIII – Zhan-Zhak
Rusonë dhe Loren Stern-in, në trilogjinë “Fëmijëria”
(1851-52), “Djalëria” (1852-54), “Rinia” (1855-56), në lëndën nga
jeta e vet, përcjell rritjen shpirtërore dhe morale në fermë, duke soditur me
sytë e një të riu botën përreth. Shfaqet karakteri të cilin e mundojnë
problemet morale dhe etike.
Shënim: Zhan-Zhak
Ruso (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778) është shkrimtar dhe filozof
francez, pasardhës i një familjeje protestante, të vendosur në Gjenevë në
shekullin XVI. Shpirt i trazuar, pa arsimi sistematik, kaloi në katolicizëm,
përsëri u kthye në protestantizëm.
Loren Stern (Laurence
Sterne, 1713-1768) romancier anglez. Studioi në Universitetin e Kembrixhit
(Cambrdge).
*
* *
Tolstoi bën pjesë në radhët e realistëve më të
mëdhenj rusë të kohës. Njihet për dy veprat e tij më të mëdha, “Ana
Karenina” dhe “Lufta dhe paqja”, të cilat pasqyrojnë
prapavijën e thellë psikologjike dhe shoqërore të Rusisë dhe të shoqërisë së
saj në shekullin XIX. Krijimtaria e tij përfshin romanet “Lufta dhe paqja” dhe
“Ana Karenina”, që janë kryevepra të tij si dhe novelat “Haxhi -
Murati” dhe “Vdekja e Ivan Iliçit”. Temë e novelës “Sulmi” (“Nabeg”,
1853) është egërsia e ushtrisë ruse gjatë fushatës ndaj
çeçeneve. Në ciklin “Tregime të Sevastopolit” (1855)
mbizotëron dëshmia e padiskutueshme për absurditetin e luftës.
Tolstoi kridhet në dialektikën e shpirtit të personazheve të tjera. Porosi morale
dhe etike përcjellin edhe novelat e tjera të Tolstoit: “Tri
vdekjet” (1858) krahasojnë sjelljen e personazheve, në pikëpamje sociale të
kundërt dhe natyrës. “Vdekja e Ivan Iliçit”(1884-86) është akuzë e jetës
së kotë, të pafrytshme. Në novelën “Sonata e Kriojcerit” (1891)
personazhi i Tolstoit fajëson muzikën për ndikimin në ndjenja, duke e
konsideruar të dëmshëm edhe seksualitetin. Novela “Ringjallja” ka në qendër fisnikun
e penduar dhe qëndrimin e tij lidhur me gjykimin e prostitutave.
Këtu bie në sy kritika më e plotë e institucioneve shoqërore. Novela “Haxhi-Murati”
u botua më 1912, d.m.th. pas vdekjes së autorit. Këtu trajtohet tema
ekzistenciale e Kaukazit me figurën tragjike të malësorit midis çekanit të
pushtetit carist dhe kudhrës së qëndresës të popujve të Kaukazit.
Si dramaturg, Tolstoi është konsideruar “natyralist”,
përkundër moralitetit evident: mjaftonte të shfaqej në skenë jeta e vrazhdët e
fshatit rus (“Pushteti i errësirës”, 1887).
Tolstoi ushtroi ndikim të fuqishëm në mendimin dhe
letërsinë evropiane, veçanërisht me formën e romanit i cili individualen
e ndërlidh me historiken.
*
* *
Kritikat dhe vlerësimet - Bashkëkohësit
e tij e çmonin lartë. Fjodor Dostojevski e konsideronte si më të madhin
prej të gjithë romancierëve të tjerë të gjallë. Gystav Floberi, pas
leximit dhe përkthimit të “Luftës dhe paqes”, ka deklaruar: “Çfarë
artisti dhe çfarë psikologu!” Anton Çehovi, i cili shpesh e
vizitonte Tolstoin në pronën e tij në fshat, shkruan: “Kur literatura ka një
Tolstoj, është lehtë dhe e këndshme të jesh shkrimtar; madje edhe kur e dini se
asgjë s’keni arritur..., kjo s’është aq e tmerrshme, për arsye se Tolstoi arrin
për të gjithë”. Poeti dhe kritiku britanik i shekullit XIX Metju Arnold thoshte:
“Romani i Tolstoi nuk është vepër artistike, por një pjesë e jetës”.
Artin e Tolstoit vazhdojnë ta madhështojnë edhe kritikët dhe romancierët e
mëvonshëm. Virxhinia Ulf e quajti „romancier më të madh se të gjithë
të tjerët“. Xhejms Xhojsi kishte konstatuar: „Ai kurrë s’është i
mërzitshëm, kurrë i marrë, kurrë i lodhur, kurrë pedant, kurrë teatral“. Për
shpirtdëlirësinë e Tolstoit dhe për artin e tij Tomas Mani shkruan: „Rrallëherë
arti ka bërë aq shumë sa edhe natyra“. Ose: „Rrallë ka punuar si artist,
më tepër si natyralist”. Qëndrime të tilla kanë pasur edhe personalitete të
tjera si Marsel Prusti, Uilliam Fokneri dhe Vladimir Nabokovi.
Nabokovi kishte mendim të lartë për „Vdekja e Ivan Iliçit“ dhe për „Ana
Kareninën“, por ai rishqyrtoi reputacionin e „Luftës dhe paqes“ dhe
kritikoi ashpër „Ringjalljen“ dhe „Sonatën e Krojcerit“.
*
* *
Shënim: Fjodor Mihajlloviç
Dostojevski (Moskë, 1821 – Sankt Peterburg, 1881) romancier dhe
novelist rus;
Gystav Flober (Gustave
Flaubert, 1821-1880) romancier francez;
Anton Pavlloviç Çehov (Taganrog,
Rusi, 1860 – Badenweiler/Gjermani, 1904) novelist dhe dramaturg rus;
Metju Arnold (Matthew
Arnold, 1822-1888) poet dhe kritik kulturor anglez;
Virxhinia Ulf (Virginia
Woolf, 1882-1941) prozatore dhe eseiste angleze. Ndonëse me arsimim joformal,
ishte shumë e arsimuar. Përkundër prirjeve erotike ndaj femrave, kishte
marrëdhënie të afërta me burrin e vet, i cili i ndihmonte gjatë shqetësimeve
mendore. Kohë pas kohe përjetonte tronditje nervore, vuante nga depresioni dhe
melankolia. Një ditë i la bashkëshortit letër lamtumirëse. Më 28 mars 1941
kishte veshur kapotën, xhepat i kishte mbushur me gurë dhe ishte hedhur në
lumin Uz në Jorkshir. Kufoma iu gjet pas tri javësh. pas Luftës së Dytë
Botërore, popullariteti i saj kishte rënë. Iu rikthye në vitet ’70 të shekullit
XX, gjatë lëvizjes së feministëve;
Xhejms Xhojs (James
Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941) prozator dhe poet irlandez; lindi në një
familje qytetare katolike, u shkollua në shkollat jezuite;
Tomas Man (Thomas
Mann, 1875-1955) prozator gjerman. Është ndikuar nga muzika e Rihard
Vagnerit (Richard Wagner) dhe nga filozofia poetike e filozofit dhe poetit
gjerman Fidrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900) dhe filozofit dhe
eseistit gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, Danzig/Gdansk,
1788 – Frankfurt mbi Majnë, 1860). Më 1929 Tomas Mani mori çmimin “Nobel”;
Rihard Vagner (Richard
Wagner, Lajpcig/Gjermani, 1813 – Ca’Vendramin Calergi, Venecie, Itali – 1883)
kompozitor dhe dirigjent gjerman, i njohur kryesisht për operat e tij. Kur
ishte gjashtë muajsh, i vdes nga tifoja babai Karl Fridrih Vagner (Carl
Friedrich Wagner, 1770-1813). Pas një viti, e ëma Johana Rozine Vagner (Johanna
Rosine, e lindur Pätz, Wagner-Geyer, 1774-1848) rimartohet me aktorin,
dramaturgun dhe piktorin gjerman Ludvig Gajer (Ludwif Heinrich Christian
Geyer, 1779-1821) , të cilin shumë studiues e konsiderojnë baba biologjik të
Rihard Vagnerit;
Marsel Prust (Marcel
Proust, 1871-1922) romancier francez, i lindur në një famije të pasur mjekësh;
Uilliam Fokner (William
Faulkner/Falkner, 1897 – 1962), prozator amerikan. Më 1949 mori çmimin „Nobel“;
Vlladimir Vlladimiroviç Nabokov (Sankt
Peterburg, 1899 – Montreux, Zvicër, 1977) prozator dhe poet rus dhe amerikan.
Deri në vitin 1940 mbante pseudonimin Sirin. Nëntë romanet e para i
shkroi në rusisht gjatë qëndrimit në Berlin, në vitet 1922-1937.
*
* *
Punimet më të hershme të Tolstoit, novelat autobiografike
“Fëmijëria, Djalëria dhe Rinia” (1852-1856), flasin për djalin e
një pronari të pasur tokash dhe për kapërcimin e ngadalshëm të hendekut midis
tij dhe fshatarëve. Edhe pse më vonë i hodhi poshtë si sentimentale, ato
shpalosin një pjesë të konsiderueshme të jetës së Tolstoit. Ato ruajnë vlerën e
vet si shembuj të rrëfimit universal të rritjes.
Gjatë Luftës së Krimesë, Tolstoi shërbeu si nëntoger i
regjimentit të artilerisë. Për këtë shkruan në “Tregime të Sevastopolit”.
Përvojat e tij në betejë kanë ndihmuar në formimin e pacifizmit
të tij dhe i kanë dhënë material për përshkrimin realist të tmerreve të luftës
në krijimtarinë e tij të mëvonshme. Fiksioni i tij në mënyrë konzistente synon
të pasqyrojë me realizëm shoqërinë ruse në të cilën jetonte. Romani “Kozakët”
(1863), nëpërmjet rrëfimit për një aristokrat rus të dashuruar te një vajzë
kozake, përshkruan jetën e kozakëve.
Tolstoi, jo vetëm që i ka shfrytëzuar përvojat jetësore
të veta, por edhe ka krijuar personazhe sipas imazhit të vet, siç janë Pjer
Bezukov dhe princi Andrej në romani “Lufta dhe paqja”, Levini në romanin
“Ana Karenina” dhe në njëfarë mënyre Nehludof në novelën “Ringjallja”.
Tolstoi, më analitik është te romanet e mëdha. Në romanin
“Lufta dhe paqja” (1867-69, teksti përfundimtar më 1873), duke
përcjellë fatet e dy familjeve fisnike midis viteve 1805 dhe 1815, hulumton
faktorët historikë të fitores ndaj udhëheqësit ushtarak dhe politik francez Napoleon
Bonapartit (Napoleon Bonaparte, 1769-1821), që kanë qenë vendimtarë për
vetëdijen e popullit, analizon betejat dhe zhvillon filozofinë e historisë,
duke krijuar njëherazi një mori karakteresh dhe personazhesh dhe poetizon jetën
në verim. Marrë në tërësi, “Lufta dhe paqja” konsiderohet si një prej
romaneve më të mëdha të shkruar ndonjëherë, i jashtëzakonshëm për nga gjerësia
dhe uniteti i vet. Pasqyra e madhe e tij përmban 580 personazhe, shumë prej
tyre historikë, krahas atyre fiktivë, të sajuar. Rrëfimi lëviz nga jeta
familjare deri te Shtabi suprem i Napoleonit, prej kështjellës së perandorit
rus Aleksandar I Pavlloviç (1777-1825) deri te fushëbetejat e
Austerlicit dhe të Borodinit. Ideja origjinale e Tolstoit ka qenë t’i hulumtojë
shkaqet e kryengritjes së dekabristëve*, me të
cilën merret vetëm në disa kapituj të fundit. Prej aty mund të nxirret
përfundimi se djali i Andrej Bolkonskit do të bëhet një prej dekabristëve.
Romani hulumton teorinë e historisë të Tolstoit, e
sidomos parëndësinë e personave siç janë Napoleoni dhe Aleksandri. “Luftën
dhe paqen” Tolstoi nuk e ka konsideruar roman. Edhe shumë vepra të tjera të
mëdha të prozës ruse të asaj kohe nuk i ka konsideruar romane. Kjo nuk duhet të
na habitë kur të kihet parasysh fakti se Tolstoi ka qenë romancier i shkollës realiste
i cili konsideronte se romani është kornizë për ekzaminimin e çështjeve
shoqërore dhe politike në jetën e shekullit XIX. “Lufta dhe paqja” për
Tolstoin në të vërtetë është ep në prozë, ndaj dhe nuk e
ka cilësuar si roman. Roman të parë të vetin Tolstoi e ka konsideruar “Ana
Kareninën”.
Shënim: Kryengritja
e dekabristëve – Dekabristë quhen pjesëmarrësit e
kryengritjes në Rusi (në Petrograd, më vonë Leningrad). Kryengritja shpërtheu
më 14 dhjetor 1825 (rusisht: dekabr – dhjetor). U organizua
kundër despotizmit perandorak (carist) nga grupi i fisnikëve me orientim
revolucionar si dhe nga persona ushtarakë, por pa pjesëmarrjen e masave të
gjëra popullore. Qëllim i kryengritjes ishte: aplikimi i parlamentarizmit,
kufizimi apo suprimimi i plotë i pushtetit perandorak (carist), aplikimi i
barazisë për të gjitha shtresat, liria e fjalës, e shtypit dhe e të drejtës
zgjedhore. Pushteti carist kryengritjen e sheu në mënyrë të përgjakshme, ndërsa
udhëheqësit e saj i varri. Pikëpamjet e dekabristëve u formuan nën ndikimin e
idev të revolucionit borgjez francez.
*
* *
Romani “Ana Karenina” (1875-1877) përmban
rrëfime paralele për gruan kurorëshkelëse, të robëruar
nga konvencionet dhe hipokrizia e
shoqërisë dhe për filozofinë e pronarit të madh tokash
(të ngjashëm me Tolstoin), i cili punon me fshatarët në ara dhe përpiqet
ta reformojë jetën e tyre. Duke u nisur nga motivi i shkeljes së
kurorës apo tradhtisë martesore, Tolstoi te “Ana Karenina” krahason
situata të ndryshme familjare (fabulat krahasuese), dënon pabesinë
bashkëshortore, por nuk jep përgjigje për lumturinë martesore.
*
* *
Pas “Ana Kareninës”, Tolstoi u përqendrua
në temat krishtere. Romanet e tij të mëvonshme, siç janë “Vdekja
e Ivan Iliçit” (1886) dhe “Ç’duhet bërë?” zhvillojnë filozofinë
krishtere anarko-pacifiste radikale. Kjo ndikoi që në vitin 1901 ta
përjashtojnë nga Kisha Ortodokse Ruse. Përkundër të gjitha lëvdatave që i mori
për “Ana Kareninën” dhe për “Luftën dhe paqen”, gjatë jetës së
tij të mëvonshme, Tolstoi u rezervua prej dy punimeve të sipërthëna si diçka që
nuk është realitet i vërtetë.
Në romanin “Ringjallja”, Tolstoi synon të paraqesë
padrejtësinë e ligjeve të njeriut si dhe dyfytyrësinë e kishës së
institucionalizuar. Tolstoi hulumton dhe sqaron edhe filozofinë ekonomike të xhorxhizmit*,
duke u bërë kah fundi i jetës, ithtar i devotshëm i saj.
Shënim:
Lëvizja Geoizëm apo Xhorxhizëm (georgism) është
themeluar nga ekonomisti dhe gazetari amerikan Henri Xhorxh (Henry
George, Filadelfi, Pensilvani, 1839 – Nju-Jork, 1897) në shekullin XIX.
Ai propozoi një tatim për të gjithë. Kjo ishte një përpjekje që bota moderne të
rregullohet në mënyrë të drejtë, të luftohet monopoli dhe çdo njeriu t’i
sigurohet e drejta për tokë. Ideja u kundërshtua dhe u shua prej qarqeve të
pasura të cilët interesin e vet e vendosën mbi interesin e të tjerëve. Henri
Xhorxh ushtroi ndikim mbi Xhon Djuin*;
Xhon Djui (John
Dewey, Berlington, Vermont, ShBA, 1859 – Nju-Jork, 1952) filozof, psikolog
amerikan, reformator i arsimit, profesor në Universitetin e Çikagos; idetë e
tij ushtruan ndikim në arsim dhe në reformat sociale; është një nga dijetarët
më të shquar amerikan të gjysmës së parë të shekullit XX; është paraardhës i
filozofisë së pragmatizmit dhe një nga themeluesit e psikologjisë
funksionale; është përfaqësues kryesor i ideve progresive të shkollimit
popullor.
*
* *
Veprimtari letrare e Tolstoit përbëhet nga tendenca për
ta sulmuar shoqërinë ruse të cilën e pasqyroi me besnikëri, të cilës edhe vetë
ai i përkiste. Në veprën “Kozak” (1863) përshkruan jetën e kozakëve dhe
dashurinë e një aristokrati, të dashuruar te një vajzë fshatare. Vepra “Ana
Karenina” (1877) ka për temë jetën e një nëne dhe bashkëshorteje në
atmosferën e dyfytyrësisë së aristokracisë apo të bujarisë së lartë, e cila i
thyen prangat dhe në kundërshti me rregullat e shoqërisë, e fillon jetën me
njeriun që e dashuron. Në anën tjetër ndodhet figura e Levinit, bujar nga
fshati, i cili është në kërkim të besimit ndaj Zotit dhe motiveve filozofike
për jetën. Ai jeton dhe punon me fshatarët, duke u përpjekur të zbatojë reformë
dhe ta ndryshojë gjendjen ekzistuese të tyre.
Veprimtaria pedagogjike –
Tolstoi është i njohur edhe si një entuziast pedagogjik. Me punën e tij të
pazakonshme sidomos në Jasna Polanë, ndikoi pozitivisht për konceptet e reja
pedagogjike. Tërë punën letrar dhe pedagogjike ia përkushtoi demaskimit të
gjendjes shoqërore të rëndë në Rusi, duke theksuar se problemet mund të
zgjidhen vetëm në rrugën paqësore, nëpërmjet punës edukative
dhe arsimore.
Veprimtaria pedagogjike e pasur e Tolstoit mund të ndahet
në tri periudha. Periudha e parë, e viteve 1859-1862, ka të bëjë me hapjen e
shkollës në Jasna Polanë dhe me botimin e revistës “Jasna Polana”.
Periudha e dytë, e viteve 1870-1876, ka të bëjë me veprimtarinë e tij botuese
pedagogjike, kur i boton tekstet “Abetare”, “Abetare e re” dhe “Libër
leximi rus”, merret me problemet praktike të edukimit. Periudha e tretë ka
të bëjë me punën e tij përmbajtësore deri në fund të jetës së tij, kur kalon në
pozicione të misticizmit religjioz, kështu që edhe çështjet e edukimit i
trajton në frymën e interpretimit religjioz mistik të botës.
Puna praktike e Tolstoit fillon në vitin 1859, kur në
shtëpinë e vet në Jasna Polanë e çel shkollën e tij të parë. Kjo është e para
shkollë në Rusi për fëmijët e fshatarëve. Për t’i zgjeruar njohuritë lidhur me
sistemin e arsimit, Tolstoi niset në
Evropë. Viziton Gjermaninë, Anglinë dhe Francën. Atje njihet me organizimin e
sistemit shkollor, me historinë e pedagogjisë dhe me pedagogët më të njohur të
punës praktike. Vizitoi një numër të caktuar shkollash. Disa prej tyre ishin
themeluar për të gjithë fëmijët. Me këtë rast, në sistemin e arsimit të vendeve
të sipërthëna, vërejti më shumë dobësi se përparësi. Nëpër klasa mbizotëronte
frika, autoriteti i mësuesit bazohej në frikësimin e nxënësve, ndëshkime fizike
ishin praktikë e rregullt, ndërsa plan-programet mësimore fare s’kishin të
bënin me jetën dhe me problemet reale të atyre që mësonin. Në bazë të
konstatimeve të nxjerra hartoi kritikën e atyre shkollave. Tolstoi kishte
ardhur në përfundim se ato shkolla nuk çanin kokën për natyrën e fëmijës, e
pasivizonin nxënësin dhe e frikësonin. Lidhur me këtë Tolstoi ka shkruar në
revistën pedagogjike të vet “Jasna Polana” që filloi ta botonte në vitin
1861. Tolstoi vjen në përfundim se arsimi duhet të harmonizohet me përvojën
jetësore të njerëzve dhe të zhvillohet në suaza të jetës. Këtë parim e zbaton
në punën me fëmijët e Jasna Polanës. Në shkollën në të cilën mbizotëronte liria
dhe dëshira për dituri që nuk është e imponuar, mësues ishin studentët nga
Moska, por edhe vetë Tolstoi. Kuptohet, veprimtaria e Tolstoit ngjalli
mosbesimin e autoriteteve, kështu që pas bastisjes së policisë në vitin 1862,
shkolla e Jasna Polanës u mbyll. U rihap vetëm në vitet ’70, d.m.th. pas nja
dhjetë vjetëve.
Pikëpamjet pedagogjie të Tolstoit paraqiten si protestë
dhe akuzë kundër sistemit
edukativo-arsimor burokratik të kohës si dhe kundër “shkollës së
detyrueshme”, si emërtim i shkollës në Perëndim. Tolstoi u angazhua për një
shkollë e cila do t’i motivojë fëmijët për dituri më të madhe, e cila do të
mbjellë dashuri për jetën. Tolstoi është ithtar i teorisë së edukimit të
lirë (lirisë në edukim, në arsimim).
Qëndrimin tejet negativ ndaj edukimit, të cilit në fillim
nuk i kushtonte kurrfarë kuptimi jetësor, Tolstoi e arsyetonte me faktin se
shkolla shtetërore paraprakisht e kishte caktuar se çka duhet të mësonin
nxënësit dhe si do të sillet ndaj tyre. Në shkollën e tij, nxënësit nëpër klasa
kanë mundur të ulen kush ku ka dashur. Shpeshherë orët janë mbajtur edhe në
natyrë, ku nxënësit kanë qenë të rrethuar nga peizazhet e mrekullueshme. Nuk ka
pasur një plan pune apo një orar, të përcaktuar me rigorozitet, ndaj nxënësit
kanë mundur të shkojnë në shtëpi kur të kenë dashur. Megjithëkëtë, shpeshherë
nxënësit, për t’i shtuar dituritë, me dëshirën e vet kanë ndenjur më gjatë në
shkollë. Mënyra e organizimit të punës në shkollë ka qenë plotësisht e
pranueshme prej tyre. Personaliteti i nxënësit është respektuar. Për mësuesit
ka qenë e rëndësishme të dinë se ç’dëshirojnë të mësojnë nxënësit dhe përse
kanë nevojë. Nxënësve nuk u janë dhënë detyra shtëpie për arsye se fëmijët e
fshatarëve është dashur të kryenin punë të rënda në shtëpi. Në fillim,
prindërit kanë qenë kundër shkollës në të cilën mësuesit nuk i rrahin nxënësit.
Ata kanë menduar se po s’e rrahe nxënësin, ai s’ka për të mësuar gjë. Ai që ka
dashur, ka mundur ta çregjistrojë fëmijën e vet nga shkolla. Mirëpo ka
ngadhënjyer kënaqësia që e kanë ndjerë nxënësit në shkollë, në të cilën
gjithmonë ka mbizotëruar liria, por kurrë anarkia. Orët
përbëheshin nga një numër i madh eksperimentesh dhe nga të mësuarit e natyrës
duke mbajtur orë në natyrë. Fëmijët e fshatarëve për herë të parë kanë mësuar
matematikë, gjeografi, vizatim, muzikë dhe histori të cilën Tolstoi ua ka
rrëfyer në formë përralle. Përveç kësaj, në këtë shkollë janë bashkuar me
sukses njohuritë nga shkencat e natyrës dhe nga religjioni. Janë marrë njohuri
për artizanet dhe për traditën ruse, ndërsa theksi i është vënë letërsisë. Në
këtë shkollë mësimi kurrë s’ka qenë detyrim, për arsye se mësuesi Tolstoj
konsideronte se, po qe se dituria është e nevojshme, atëherë dëshira për të do
të ekzistojë natyrshëm, si uria. Kështu edhe ishte. Nxënësit e tij gjithmonë
ishin të unët për njohuri të reja.
Duke pasur frikë prej çfarëdo shablloni, në shkollën e
Jasna Polanës Tolstoi kalon në një skajshmëri tjetër. Shkollën e organizon pa
plan mësimor dhe pa orar, pa detyrim që nxënësit rregullisht ta ndjekin mësimin
dhe pa qenë të detyruar për t’i mësuar leksionet. Por, në anën tjetër kërkonte
prej mësuesve që me ligjërim të mirë të zgjojnë te nxënësit interesimin për
mësim. Shkolla e tij i kundërvihej shkollës së vjetër zyrtare. Teoria e tij e
edukimit të lirë që e kishte marrë nga Zhan-Zhak Rusoja, e çoi atë në
ndarjen e edukimit dhe të arsimimit, me arsyetimin
se edukimi është ndikim i detyrueshëm mbi tjetrin dhe se ai e prish njeriun dhe
nuk e përmirëson. Pak para vdekjes, Tolstoi hoq dorë nga ky qëndrim, duke
pranuar paqëndrueshmërinë e teorisë së edukimit të lirë. Anët pozitive të saj
kanë qenë veprimi individual me nxënësit, dashuria dhe respekti, njohja dhe
zhvillimi i personalitetit të nxënësit. Sot, pas 150 vjetësh, mënyra e punës e
Tolstoit dhe shkrimet mbi pedagogjinë njihen si ndihmesë e
rëndësishme për zhvillimin e arsimit dhe për punën me fëmijët.
Veprat - Romanet
dhe novelat: Fëmijëria (1852), Djalëria (1854),
Rinia (1856), Lumturia familjare (novelë, 1859), Kozakët (1863),
Lufta dhe paqja (1865–1869), Ana Karenina (1875–77), Vdekja e Ivan Iliçit (1887),
Sonata e Krojcerit (1889), Ringjallja (1899), Haxhi – Murati
(e shkruar në vitet 1896–1904, e botuar më 1912).
Tregimet e shkurtra: Sulm
(1852), Tregime të Sevastopolit (1855–56)
Ivani i marrë:
Rasti i humbur (1863), Polikushka (1863), I burgosuri i
Kaukazit (1872), Udhëtari: Rrëfim i një kali (1864, 1886), Sa ka
nevojë njeriu për tokë? (1886), Kozaku dhe punëtori (1895), Babai
Sergej (1898).
Dramat: Perandoria
e territ (tragjedi, 1886), Udhëheqësit e qytetërimit (komedi, 1889),
Kufoma e gjallë (1900).
Veprat shkencore dhe polemikat: Rrëfim
(1882), Në çka besoj (edhe me titullin „Feja ime“)
(1884), Wat Is to Be Done? (1886), Perandoria e Zotit
brenda teje (1894), Ungjilli në letra (1896) Ç’është
arti? (1897), Ligji i dashurisë dhe i dhunës (1940).