Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Interesi strategjik i shqiptarëve dhe radikalizmi islamik
E shtune, 18.09.2021, 07:36 PM
INTERESI STRATEGJIK I SHQIPTARËVE DHE RADIKALIZMI ISLAMIK
Nga Xhelal
Zejneli
Në Raportin vjetor të Qeverisë amerikane për
të drejtat dhe për liritë fetare në botë gjatë vitit 2013, në kapitullin për
Kosovën, midis tjerash thuhet:
– Qeveria e Kosovës, Kushtetuta dhe politika,
marrë në tërësi, i kanë respektuar liritë fetare;
– Në mesin e predikuesve fetarë, vërehet një
rritje e gjuhës së urrejtjes mbi baza fetare;
– Fraksione të caktuara brenda Bashkësisë
Islame të Kosovës, promovojnë pikëpamje jotolerante, që janë në kundërshti me
të kaluarën tolerante, historike dhe të moderuar të shqiptarëve në rrafshin
fetar;
– Ka pasur raste kur personat të cilët kanë
bërë regjistrim të përkatësisë fetare, shumë njerëz i kanë regjistruar si
myslimanë, pa i pyetur fare se cilës fe i përkasin;
– Në qarqe të caktuara fetare vërehet një
rritje e antisemitizmit dhe një retorikë e hapur antisemitiste. Një rritje e
përgjithshme antisemitizmi është konstatuar sidomos në internet. Me këtë rast
apostrofohen edhe emrat e disa klerikëve islamikë të Kosovës, përkatësisht të
disa imamëve;
– Disa imamë i kanë akuzuar shqiptarët e fesë
katolike për urrejtje ndaj myslimanëve;
– Disa imamë kanë përdorur ndaj femrave një
gjuhë denigruese;
– Disa imamë kanë deklaruar se votimi për
parti politike të caktuara është mëkat. Predikimet e klerikëve janë shpërndarë
gjerësisht nëpër mediume dhe në internet;
– Ka pasur klerikë që i kanë quajtur të
përdala femrat, që kanë pasur marrëdhënie intime para-martesore.
– Në vitin 1999 në Kosovë ka pasur 670 xhami.
Që atëherë, e deri në vitin 1913, me lejen e autoriteteve, janë ndërtuar edhe
130 xhami të tjera, kështu që sot në Kosovë ka 800 xhami. Në Raport flitet
edhe për manipulimet lidhur me rizgjedhjen, për herë të tretë, të kreut të
Bashkësisë Islame të Kosovës.
*
* *
Dikur, një imam nga Kosova kishte thënë se Nënë
Tereza, duke qenë se nuk është myslimane, nuk do të hyjë në parajsë. Sipas
këtij kleriku, pesë miliardë e pesëqind milionë njerëz të rruzullit tokësor,
duke qenë se nuk i takojnë fesë islame, do të digjen në ferr. Kuptohet, në ferr
tanimë digjen edhe ata të cilët kanë jetuar në këtë planet, para se të lindte
feja islame në Arabi në shekullin VII. Sipas këtij kleriku, ai që nuk i takon
fesë islame, automatikisht do të hyjë në ferr, pavarësisht nga fakti në është
njeri i mirë, i drejtë, i ndershëm, punëtor, i vyeshëm, familjar, i rëndësishëm
për shoqërinë, i arsimuar, dijetar, shpikës, kirurg, etj.
*
* *
Veprimet, predikimet dhe pikëpamjet e
sipërthëna të disa klerikëve islamikë të Kosovës, janë të papranueshme nga bota
perëndimore. Të tilla predikime nuk pranohen edhe nga shumë vende të tjera të
rruzullit. Shqiptarët nuk duhet të bëjnë akte dhe veprime që mund t’i dëmtojnë
interesat e veta strategjike. Kurrë s’duhet harruar se në vitin 1999, Kosovën
prej pushtuesve serbë e çliroi UÇK-ja dhe SHBA-ja. Sipas disa studiuesve dhe
analistëve politikë, ndërhyrja ushtarake e SHBA-së për ta çliruar Kosovën prej
okupatorëve serbë, është rast që ndodh një herë në 2000 vjet.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin
2008 është bërë me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe të vendeve
perëndimore. Sovraniteti i Kosovës dhe ruajtja e tërësisë territoriale të saj
mundësohet me mbështetjen e prerë të Uashingtonit dhe të Berlinit. Shqipëria
hyri në NATO me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së. Si anëtare e Aleancës,
sovraniteti i Shqipërisë është i paprekshëm, ndërkaq zhvillimi ekonomik i saj
është i pandalshëm.
Shtrohet pyetja: Sikur shqiptarët të kishin
manifestuar pikëpamje, veprime dhe qëndrime antiperëndimore, antikrishtere,
përkatësisht antikatolike dhe antisemite, para vitit 1999, a thua do të mund ta
siguronin mbështetjen politike, ushtarake dhe ekonomike të Uashingtonit dhe të
Brukselit, në luftën e tyre të drejtë për t’u çliruar prej kolonialistëve
serbë?!
Shqiptarët kurrë s’duhet të harrojnë se janë
popull që u përkasin tre religjioneve: fesë katolike, fesë ortodokse dhe fesë
islame. Tërë bota i çmon lartë shqiptarët për tolerancën dhe harmoninë
ndër-fetare. Pikëpamjet dhe predikimet e sipërthëna të disa klerikëve myslimanë
të Kosovës, të paraqitura në Raportin vjetor të Qeverisë amerikane për të
drejtat dhe liritë fetare në botë, gjatë vitit 2013, mund të cenojnë harmoninë
ndër-fetare në shoqërinë shqiptare. Fqinjët grabitqarë të shqiptarëve do të
kishin bërë ç’mos për të parë bosnizimin dhe libanizimin
e trojeve etnike shqiptare.
*
* *
Qëndrimet antisemite të disa klerikëve
islamikë shqiptarë janë në kundërshti me interesat kombëtarë të shqiptarëve,
pikërisht për dy arsye:
– E para, hebrenjtë e SHBA-së ushtrojnë
ndikim të madh në politikën amerikane;
– E dyta, shumë politikanë amerikanë, me
prejardhje hebraike, përfshi edhe disa kongresistë, senatorë dhe nobelistë, që
nga shpërbërja e Jugosllavisë e deri më sot, fuqimisht e mbështetën kauzën
kombëtare shqiptare, e sidomos luftën për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 nga
ekspansionistët serbë.
Nga sa më sipër rezulton se antisemitizmi i
disa imamëve të Kosovës mund të vërë në dyshim një mbështetje më të prerë të
Uashingtonit ndaj shqiptarëve, e në veçanti ndaj Kosovës. Pikëpamja se
antiperëndimorët në radhët e shqiptarëve, nuk janë veçse segmente të
margjinalizuara të shoqërisë, janë të diskutueshme. Te popujt e vegjël, me
kapacitet shtetëror të kufizuar, me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik dhe
me probleme të theksuara sociale, lehtë depërtojnë ndikimet e huaja.
Pikëpamjet antiperëndimore, antikrishtere,
përkatësisht antikatolike dhe antisemite në mjedise të caktuara shqiptare, mund
të ndikojnë në mbështetjen e Perëndimit ndaj Serbisë. Ngecja pas Serbisë në
këtë pikëpamje, absolutisht nuk është në interes të shqiptarëve. Diplomacia
serbe është duke bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta fituar mbështetjen e
Uashingtonit dhe të Brukselit. Beogradi ka synime politike dhe ekonomike. Kreu
politik serb vazhdimisht e përsërit refrenin: Kurrë s’do ta pranojmë pavarësinë
e Kosovës. Beogradi bën ç’mos për ta pritur Papën në Beograd. Vizitën e dytë të
kreut të Vatikanit në Shqipëri, serbët e përjetojnë tragjikisht. Fatmirësisht,
shqiptarët nuk janë sllavë. Si të tillë, ata janë aleatë të natyrshëm të
Perëndimit. Këtë epërsi shqiptarët duhet të vazhdojnë ta shfrytëzojnë me urti.
Kosova u çlirua, por shqiptarët vazhdojnë të
kenë nevojë për mbështetjen e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes –
Uashingtonit dhe Brukselit. Kosova ka nevojë për ta ruajtur sovranitetin dhe
tërësinë tokësore, të zhvillohet ekonomikisht, të zhvillojë proceset
demokratike, të integrohet në organizmat perëndimorë. Kjo s’bëhet dot pa
ndihmën e perëndimorëve. Për ndihmën e Uashingtonit dhe të Brukselit ka nevojë
i tërë kombi shqiptar ne rajon. Zhvillimi ekonomik i Kosovës është conditio
sine qua non për stabilitetin politik, për zhvillimin e demokracisë,
për integrimin e pakicave joshqiptare në shoqëri, për ndaljen e valës së
emigrimit dhe për reduktimin e ndikimeve të huaja në segmente të caktuara të
shoqërisë shqiptare. Papunësia i detyron të rinjtë të lënë vendlindjen dhe
trojet e të parëve për të kërkuar perspektivë në vendet e zhvilluara, nga ku
nuk duan më të kthehen. Ngecja ekonomike e shqiptarëve në rajon mund të ketë
reperkusione tragjike për ta.
Nga Raporti amerikan shihet se brenda 13
viteve në Kosovë janë ndërtuar 130 xhami të reja. Shqiptarët kanë, edhe kisha
dhe xhami. Perëndimorët mund të thonë: “E çliruam Kosovën prej serbëve, për të
ndërtuar xhami, apo për të ngritur shkolla dhe fabrika dhe për të hapur vende
të reja pune?!” Një popull me shkallë të lartë papunësie, s’ka nevojë për
tempuj fetarë, por për zhvillim ekonomik. Tempuj fetarë ke sa të duash. Lutjet
fetare sot, njeriu mund t’i bëjë edhe në shtëpi. Ai që besimin në Zot e
shndërron në ideologji, nuk beson në të. Shqiptarët kanë nevojë për arsimim
cilësor, për shëndetësi cilësore, për infrastrukturë rrugore, për mjedis të
pastër, për ndërmarrje prodhuese, për bujqësi dhe blegtori bashkëkohore, për
eksport mallrash, për sjellje mjetesh devizore nga eksporti, për ndërtim të
shtetit ligjor, për luftimin e dukurive abuzive në shoqëri
*
* *
Shqiptarët nuk kanë pse të luftojnë në Siri
dhe në Irak. Shqipëria etnike s’bëhet dot duke luftuar në vende të huaja dhe
për interesa të huaj. Qëndrimet dhe veprimet antiperëndimore, antikrishtere,
përkatësisht antikatolike dhe antisemite të disa imamëve shqiptarë
propagandohen me të madhe nga qendrat antishqiptare, si: Beogradi, Athina,
Moska. Qysh në fillim të shekullit XX akademikët serbë kanë lansuar tezat se
shqiptarët janë mbetje turke në Ballkan. Si të tillë, ata nuk meritojnë të kenë
shtet kombëtar. Sot e kësaj dite, diplomacia serbe, greke dhe ruse i paraqet
shqiptarët në Bruksel dhe në kancelaritë evropiane si popull proturk, proarab,
proiranian dhe si fundamentalistë apo radikalë islamikë. Ata u thonë
perëndimorëve: “Duke i mbështetur shqiptarët, ju krijoni në prag të Evropës
së krishterë, edhe një shtet islamik, që do të përçojë në rajon ndikimin turk,
arab apo persian, që do të sjellë fundamentalizëm islamik dhe që do të
funksionojë me vlera joevropiane”.
*
* *
Kundër dënimeve për rastin Monstra
pati protestë masive në Shkup, që u ndalua nga forcat policore, të armatosura
deri në dhëmbë. Po atë ditë, shtypi i Beogradit shkroi: Filloi intifada në
Shkup! Me një fjalë, propaganda serbe dhe sllavo-maqedonase bën ç’mos që t’i
paraqesë shqiptarët para Perëndimit si proturq, proarabë, proiranianë dhe si
fundamentalistë islamikë.
Uashingtoni dhe Brukseli e dinë tanimë se
shumë serbë luftojnë në Ukrainë në anën e separatistëve prorusë. Këtë e bëri
publike edhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se bëhet fjalë për
mercenarë. Kauza shqiptare në gadishull, nuk është fetare por kombëtare.
Çështja kombëtare shqiptare, nuk ka të bëjë as me internacionalizmin proletar,
siç mendohej pas vitit 1945, e as me ideologjinë panislamiste. Shqiptarët duhet
të dëshmojnë se janë popull me ndërgjegje kombëtare të lartë, se janë popull
historik dhe politik. Interes strategjik i shqiptarëve është miqësia e
përjetshme me Uashingtonin dhe Berlinin. Popujt që s’arrijnë ta përkufizojnë interesin
e vet strategjik, pësojnë ngecje historike.
Shtator
2014