E diele, 13.10.2024, 11:18 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Festa e birrës në Korçë - teatër absurd!

E hene, 23.08.2021, 08:27 PM


FESTA E BIRRËS NË KORÇË – TEATËR ABSURD

Nga Xhelal Zejneli

Festa e birrës në Korçë u refuzua nga Kosova si dhe nga shumë shqiptarë të tjerë në Shqipëri, në gadishull dhe në diasporë. Shkak i bojkotimit të kësaj feste ishte pjesëmarrja e njëfarë Bregoviqi, i cili në tokën arbërore këndon në gjuhën serbe. Të këndosh në Arbëri në gjuhën serbe dhe kurrë të mos i kesh dënuar krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë apo Dardani, kjo është e papranueshme, për të mos thënë e pafalshme.

Ka të tillë që thonë se ky farë Bregoviq, na qenkësh kroato-boshnjak. Në të vërtetë, ky vjen nga një baba kroat dhe nga një nënë serbe, ndërsa gruan e ka myslimane (boshnjake). Jeton në Beograd dhe në Paris. Dikur është deklaruar jugosllav. S’ka asnjë dyshim se Bregoviqi është serb i kulluar. Ka qenë i afërt dhe vazhdon të jetë i afërt me regjisorin Emir Kusturica, i cili i takon vijës ultra-nacionaliste serbe, vijës Millosheviqit dhe të radikalit Vojisllav Sheshel. Dikur ai mund të jetë deklaruar si jugosllav, por që prej vitit 1991 e këndej, Jugosllavi nuk ka. Madje, edhe kur ka pasur Jugosllavi, ajo në të vërtetë ka qenë Serbosllavi.      

S’ka asnjë dyshim se Beogradit i shkon në dobi përçarja midis Kosovës dhe Shqipërisë, i shkojnë në dobi zënkat, mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndërshqiptare. Por kjo, kurrë s’ka për të ndodhur. Shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje – ilire, flasin gjë gjuhë – shqipen, kanë një histori dhe janë një komb. S’ka fuqi në botë që mund ta mohojë apo ta kontestojë këtë.

Në aspektin propagandistik, festën e birrës në Korçë e mbështetën disa mediume dhe studio televizive mercenare, disa gazetarë të shitur, disa analistë të tipit të Esat pashë Toptanit, të vrarë në Paris nga heroi i kombit Avni Rustemi.

Festa e birrës në Korçë nuk i bën nder fabrikës së prodhimit të birrës së Korçës. Është turp për Bashkinë e Korçës të jetë organizatore e këtij manifestimi. I riu që hodhi gazin lotsjellës në sheshin ku mbahej koncerti i Bregoviqit, për miliona shqiptarë anembanë gadishullit dhe për shqiptarët në diasporë konsiderohet hero dhe atdhetar. S’ka gjykatë në Shqipëri që mund t’i shqiptojë dënim këtij heroi dhe mëmëdhetari.

Ata që thonë se Bregoviqi është këngëtar i madh, madje me famë botërore, e kanë gabim. Ai, as është këngëtar i madh, as është i përmasave botërore. Nuk është e vërtetë se ka mbajtur koncerte në shumë vende të botës. Ajo që dihet saktë është se ai ka mbajtur koncert në Rusi, e Rusia nuk është e gjithë bota.

Ky farë Bregoviq kurrë nuk është distancuar nga krimet serbe në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Kurrë nuk i ka dënuar krimet dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Bashkia e Korçës dhe sponsoruesit e tjerë të festës groteske të birrës duhet të dinë se:

- Mbi 1000 shqiptarë ende evidencohen si të pagjetur;

- Frigoriferi me trupat e pajetë të shqiptarëve është gjetur në lumin Danub;

- Bombardimi i burgut të Dubravës nga ushtria pushtuese serbe është plagë e pashërueshme e kosovarëve;

- Përdhunimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia dhe falangat serbe janë akte barbare, të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore;

- Dëbimi i mbi një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre është një tragjedi përmasash biblike;

- Vrasja e fëmijëve të moshës së mitur troket në ndërgjegjen e kombit dhe të Perëndimit;

- Për vrasjen e Ukshin Hotit, të poetit dhe profesorit Latif Berishës në pragun e shtëpisë, të avokatit Bajram Kelmendi dhe tre djemve të tij, të tre vëllezërve Bytyçi, me shtetësi amerikane, të profesor Femi Aganit dhe shumë të tjerëve, sot e kësaj dite nuk është përgjigjur asnjë kriminel serb etj. Të luash politikanin modern në rrethana të tilla, është papërgjegjësi politike dhe sharlatanizëm politik.       

   Është indikativ fakti se Bregoviqi është ftuar pikërisht në Korçë dhe jo në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë. Në Korçë mund të ketë të tillë që e kanë në zemër Athinën dhe Beogradin, për të mos thënë edhe Rusinë. Por, të gjithë duhet ta dimë se feja e shqiptarit është shqiptaria, se dielli shqiptar lind në Perëndim, se aleate e shqiptarëve është ShBA-ja, se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Të gjithë e dinë se hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti, se krenari e kombit është Nënë Tereza, se princ i kombit në art dhe në letërsi është Ismail Kadareja, i përkthyer në 47 gjuhë të botës, në të pesë kontinentet.

Ardhjen e Bregoviqit në Korçë nuk mund ta shpjegojnë analistët apo krijuesit e opinioneve që janë pa ndjenja kombëtare. Nuk mund ta shpjegojnë as analistët sharlatanë që kanë punuar në Perëndim si djathëshitës, kamerierë, pjatalarës, ngasës kamioni dhe si taksistë.

Është për t’u habitur sesi mediume të caktuara apo studio televizive u japin hapësirë nëpër debate, pseudo-intelektualëve dhe pseudo-analistëve të cilët kërkojnë ndryshimin e historisë, të cilët thonë se pushtimi i egër turk apo osman nuk paskësh qenë pushtim, se sundimi i egër pesëshekullor turk apo osman nuk paskësh qenë sundim. Këta kuazi-intelektualë dhe kuazi-analistë, në emër të çmitizimit të historisë sonë kombëtare, shajnë dhe mohojnë kryeheroin e shqiptarëve Gjergj Kastriotin, relativizojnë rolin dhe vlerën e Nënë Terezës, e shpallin shkrimtar oborri Ismail Kadarenë, ndonëse vepra letrare e tij, fund e krye është kundër diktaturës, tiranisë, despotizmit, autoritarizmit dhe autokracisë. Romani “Pallati i ëndrrave” është kryevepër me vlera dhe përmasa universale që mund të krahasohet me “Procesin” e Franc Kafkës.

Mediumet dhe studiot televizive, bashkë me moderatorët e debateve të sipërthëna – thellësisht antishqiptare – janë mediume dhe studio televizive mercenare, në dëm të kombit dhe në shërbim të armiqve të kombit. E armiqtë e kombit dihen se kush janë. Janë ata që i mbajtën apo që vazhdojnë t’i mbajnë nën pushtim dhe nën sundim trojet etnike historike shqiptare.

Këta mbeturina të kombit, këta të ashtuquajtur çmitizues të së kaluarës do të përfundojnë në plehun e historisë. Plehu i kombit kërkon revidimin e historisë dhe krijimin e një të ashtuquajture histori integrale. Hedhurinat e kombit duhet ta dinë se historinë e shqiptarëve nuk e krijuan ata që u vunë shërbim të të huajve por ata që u flijuan për t’u çliruar nga pushtimi dhe nga sundimi i huaj.

Historinë e lavdishme dhe heroike të Kosovës nuk e krijuan katër-pesë shqiptarët e ndershëm që punuan për Serbosllavinë, që u martuan me serbe, që jetuan në Beograd dhe që vdiqën aty, për t’u varrosur në Novo Groble të Beogradit. Për të tillët, në Kosovën martire s’kishte as vend për varr. Prej këtyre shqiptarëve të ndershëm u distancuan edhe familjet dhe fisi i tyre.

Shtypi i Beogradit i quante të ndershëm ata shqiptarë të cilët shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, d.m.th. Serbosllavinë. Jugosllavi s’ka pasur kurrë. Ka pasur Serbosllavi. Serbosllavi ka pasur, si në kohën e Nikolla Pashiqit ashtu edhe në kohën e karagjorgjeviqëve, si në kohën e Aleksandër Rankoviqit ashtu edhe në atë të Millosheviqit.

Deklaratat se shqiptarët në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare e paskan adhuruar muzikën serbe, janë të pavërteta, janë gënjeshtra të kulluara. Shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare e kanë kultivuar muzikën e vet popullore, ndërsa grupet muzikore të të rinjve shqiptarë e kanë kultivuar muzikën bashkëkohore shqipe.

Ka që thonë se në koncertin e gruas së kriminelit të luftës – Zhelko Razhnjatoviq Arkanit, kanë marrë pjesë shumë shqiptarë nga Kosova, është një gënjeshtër e madhe. E vërteta është se në koncertin e saj në Shkup nuk ka marrë pjesë as edhe një shqiptar nga Kosova apo nga Maqedonia.

Bashkia e Korçës duhet ta dijë se këngët “Kuq e zi” dhe “Xhamadani vija-vija” nuk shkojnë bashkë me Kallashnjikovin e Bregoviqit. T’i përziesh këngët e sipërthëna me praninë e Bregoviqit, nuk është veçse demagogji. Simboli i flamurit kombëtar, i bërë me dy duar dhe kënga në gjuhën serbe e Bregoviqit, nuk shkojnë bashkë. Kjo është hipokrizi, është dyfytyrësi. Me demagogjinë, hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e manifestuar, organizuesi i festës groteske dëshmon se është fajtor.  

*   *   *

Politikën e Tiranës nuk duhet ta imponojnë qendrat majtiste globale, që përhapin multikulturë. Edhe Josip Brozi e provoi me vëllazërim-bashkimin por Jugosllavia e tij u zhbë në gjak. S’mund të ketë vëllazërim-bashkim midis shqiptarëve, në një anë dhe sllavëve të jugut, në anën tjetër. Kjo është një utopi.

Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:

- Kosova është zemra e shqiptarisë;

- Kosova ndodhet në vijën e parë të frontit përballë armikut të rrezikshëm – Serbisë;

- Kosova kreshnike e Adem Demaçit, e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit është mur mbrojtës i Shqipërisë, përballë synimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë së kryekriminelit të Ballkanit – Aleksandër Vuçiqit;

- Kosova krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroike, lavdiplote dhe legjendare nuk shtrohet dhe nuk nënshtrohet para hordhive të egra barbare çetnike dhe serbomadhe; 

- Kombi shqiptar i ka borxh Kosovës, për arsye se ajo ballafaqohet me hienën gjakpirëse – Serbinë;

- Politikën serbe e dikton Akademia Serbe, Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe Rusia e Vlladimir Putinit.

Politika e Tiranës zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:

- Që nga viti 1991 e deri më sot, nga 600 mijë shqiptarë të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare vijnë në bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet e verës;

- Me ndërtimin e Rrugës së Kombit, shqiptarët e Kosovës çdo të shtune dhe çdo të diele, vijnë në Shqipëri për t’i kaluar ditët e fundjavës.

- Shumë të rinj nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare i ndoqën studimet dhe vazhdojnë t’i ndjekin studimet në Universitetin e Tiranës;

- Tregu i Kosovës gjithmonë ka qenë i hapur dhe vazhdon të jetë i hapur për mallrat e Shqipërisë;

- Nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës dhe të viseve të tjera, ekskursionet e veta i organizojnë dhe i realizojnë në Shqipëri.

Në kohën kur Shqipëria u godit nga tërmeti vdekjeprurës, i madh e vogël, në Kosovë dhe në viset e tjera, u ngritën në këmbë, aq sa mundën dhe aq sa ditën, për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë. Por kjo nuk duhet të përmendet për arsye se këto janë sjellje dhe veprime vëllazërore.

Në vitin 1999 kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u përball me ushtrinë, me policinë dhe me falangat paramilitare serbe, 600 mijë shqiptarë të Kosovës gjetën strehim në Shqipëri. Strehim gjetën, nga veriu deri në jug. Strehim gjetën edhe në Korçë, aty ku më 22 gusht të vitit në vazhdim, në prani të ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, këndoi Bregoviqi.

S’ka të drejtë Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës t’i trazojë ndjenjat e dy milionë shqiptarëve të Kosovës.

Shqiptarët jashtë Shqipërisë, Shqipërinë e kanë përjetuar dhe e përjetojnë si vend mëmë. Dhe kjo nuk mund të merret si naivitet. Të ballafaquar me hetues, me gjyqe dhe gjyqtarë, me dënime drakonike, me gardianë, me qelitë e burgut, me dëbime nga puna, me të ashtuquajtura diferencime ideopolitike, me përndjekje të vazhdueshme, me konfiskim librash të botuar në Tiranë - ndër shqiptarët e Kosovës dhe të troje të tjera është akumuluar ndjenja flaktë e flijimit për liri, për pavarësi dhe për demokraci. Shqiptarët u ndeshën me shkopinjtë e gomës të policëve fashistë serbë, sllavo-maqedonas dhe malazezë. Akuzë e vetme ishte: “Ju e doni Shqipërinë dhe punoni kundër Jugosllavisë. Ju punoni për bashkim kombëtar dhe për shpartallimin e Jugosllavisë”.

Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë duhet të njihen më mirë me historinë dhe me gjeografinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të viseve të tjera. Qëndresa e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze përballë armiqve serbë, grekë, sllavo-maqedonas dhe malazezë duhet të mësohet dh të studiohet nëpër shkolla dhe universitete. Madje jo një vit, por katër vjet me radhë. Jo një semestër por tetë semestra. Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, përfshi edhe mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe pedagogët e Korçës ku këndoi Bregoviqi, duhet ta dinë çdo cep të trojeve etnike shqiptare, çdo qytet dhe fshat të banuar nga shqiptarë, në të kaluarën dhe sot.

Raportuesja e një mediumi prestigjioz të Tiranës thotë: “... dy të mbyturit janë nga Bitola e Republikës së Maqedonisë së...”. Kjo gazetare nuk e di se në toponomastikën shqiptare fjala Bitola nuk ekziston. Është Manastiri, qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe, i Kongresit lavdiplotë të alfabetit të shqipes. Raportuesja mund edhe mos ta dijë një gjë të tillë, por redaksia e studios televizive patjetër duhet ta dijë, duhet të reagojë dhe ta përmirësojë.

Po si mund të arrihet kjo kur mbi 60% e të rinjve të Shqipërisë synojnë t’i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit.   

Tirana zyrtare duhet ta dijë se asnjë akt politik dhe ekonomik me Beogradin nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Prishtinës. Asnjë akt pra.

Shqiptarët e përjetojnë Shqipërinë si Piemont të botës shqiptare. Ndaj vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës, Tirana zyrtare duhet të tregohet e përmbajtur. Një shtet që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk ka përse ta çojë mirë me Shqipërinë.

Në kohën kur Kosova duhej të pranohej anëtare e Interpolit, përfaqësuesi i Rumanisë, lëre që votoi kundër Kosovës, por doli në foltore dhe foli keq për të. Ndërkohë, ambasadori i Rumanisë deklaroi: “Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera”. Kujt i duhen vallë këso marrëdhëniesh të shkëlqyera?!

Çdo ministër i Shqipërisë, në çdo takim me përfaqësuesit e shteteve që s’e kanë njohur Kosovën, ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, fjali të parë duhet ta ketë Kosovën dhe kërkesën për njohjen e saj. Deri më sot, Shqipëria fare pak ka punuar në drejtim të njohjes së Kosovës nga shtetet që akoma s’e kanë njohur atë.

Politika kombëtare kërkon idealizëm dhe jo korrupsion e nepotizëm, jo pasurim brenda nate. Politika kombëtare kërkon studime dhe veprime nga institucionet arsimore dhe shkencore të kombit dhe jo letargji apo indolencë prej tyre. Politika kombëtare nënkupton ndërtimin dhe përkufizimin e interesit kombëtar apo mbarëkombëtar dhe jo politikë teatrale. Politika kombëtare nuk është ekzibicionizëm politik. Politika teatrale nuk është veçse simulim dhe imitim politik, nuk është veçse politikë groteske.

Politika kombëtare nuk bëhet duke e anashkaluar Kosovën. Asnjë vendim në botën shqiptare, lidhur me Kosovën, nuk mund të merret pa miratimin e Prishtinës. Çdo vendim i tillë do të ishte llogari pa hanxhiun. Politikani shqiptar që tenton ta anashkalojë apo ta margjinalizojë Kosovën do ta ketë mallkimin e historisë.

Politika e Tiranës duhet ta dijë se s’ka shqiptarizëm pa Kosovën. Le ta harrojë Beogradi dhe i tërë rruzulli tokësor se mund të shkaktojë mosmarrëveshje ndërmjet shqiptarëve.           



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora