Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Maqedonia - dënimet drakonike ndaj shqiptarëve
E merkure, 04.08.2021, 07:00 PM
MAQEDONIA – DËNIMET DRAKONIKE NDAJ SHQIPTARËVE
Nga
Xhelal Zejneli
Para rreth 6 vjetëve,
gjyqësia e Gruevskit dhe e qeverisë së tij, për rastin “Monstra” i dënoi
me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë të pafajshëm. Dy prej tyre, mbetën
jashtë duarve të policisë dhe të gjyqësisë së ish-kryeministrit.
Kryeministri i
përtashëm z. Zaev ia bëri me dije publikut faktin se nga përgjimet rezulton
se në Maqedoni kemi procese gjyqësore të montuara, me prapavijë
politike. U dënuan me burg të përjetshëm, njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje
me vrasjet në liqenin e Smilkovës, që ndodhi më 12.04.2012, me ç‘rast
mbetën të vrarë pesë shtetas të Maqedonisë, të kombësisë etnike maqedonase.
Lidhur me tragjedinë e sipërthënë, shprehën keqardhje të thellë të gjithë
qytetarët e Maqedonisë, përfshi edhe shqiptarët.
Maqedonia e kohës
së Gruevskit dhe e qeverisë së tij ishte një shtet thellësisht antishqiptar.
Qeveria e tij, me subjektet politike shqiptare në koalicion, i
arrestonte shqiptarët, i gjykonte, i torturonte dhe si në asnjë vend tjetër të
botës, i dënonte me dënime drakonike.
Të dënuarit e
rastit të liqenit të Smilkovës, për dënimet me burg të përjetshëm,
pësuan tronditje të thellë shpirtërore, me pasoja të përjetshme.
Tronditje të thellë pësuan edhe të afërmit dhe familjarët e tyre. Dhimbja
shpirtërore e tyre nuk do të mund të kompensohet kurrë dhe me asgjë.
Tani, gjyqësia e
depolitizuar, pafajësisë së tyre sa më parë duhet t’i japë formë të prerë. Pas
kësaj, për dënimin e shqiptarëve të pafajshëm, në bankën e të akuzuarve
duhet të ulet ish-kryeministri Gruevski, bashkë me të gjithë qeveritarët e qeverive
të tij antishqiptare. Qeveritë e Gruevskit e shndërruan Maqedoninë në
burg për shqiptarët.
Në bankën e të
akuzuarve duhet të ulen edhe organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë që u
shqiptuan dënime me burg të përjetshëm shqiptarëve të pafajshëm, duke u
shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre - trauma të përjetshme.
Pasi pafajësia të
ketë marrë formën e prerë, të dënuarit shqiptarë duhet të kompensohen në
aspektin financiar. Me fjalë të tjera, për vitet e kaluara në ferr, pa pikë
faji, si dhe për dramën që përjetuan ata vetë dhe familjarët e tyre, të
dënuarve të pafajshëm duhet t’u paguhet zhdëmtim apo dëmshpërblim. Kështu
veprohet në të gjitha vendet demokratike të botës.
Duhet të
zhdëmtohen edhe qytetarët e rëndomtë të cilët, duke qenë të
ndërgjegjshëm, dolën në protesta për të kërkuar drejtësi dhe për
të luftuar padrejtësinë. Ndonëse kërkuan drejtësi, protestuesit hasën në dhunën
e forcave policore të Gruevskit dhe të qeverisë së tij, me subjektet politike
shqiptare – partnerë të bashkëqeverisjes.
Subjektet politike
shqiptare që ishin partnerë të bashkëqeverisjes që nga viti 2006 deri në vitin
2016, nuk çanin kokën për drejtësi dhe barazi. Preokupim i tyre ishin ruajtja e
kolltukëve dhe interesat meskinë - personalë dhe koniunkturalë. Demagogët e
tillë – tregtarë flamujsh, nuk janë të denjë të ekzekutojnë himnin
kombëtar dhe të ngrenë në qiell flamurin shqiptar. Gjatë
bashkëqeverisjes, subjektet politike shqiptare duhet të kenë parasysh faktin
që, nga partner koalicioni të mos shndërrohen në kuislingë dhe në kolaboracionistë.
Drejtësia duhet të
ngadhënjejë edhe në rastin e Sopotit si dhe në tragjedinë
e Brodecit. Gruevski dhe qeveritarët e tij duhet të ulen në bankën e të
akuzuarve edhe për përdorimin shpërpjesëtimor të forcës
ushtarako-policore edhe në rastin e Brodecit, duke u shkaktuar tragjedi
shqiptarëve.
Që nga viti 1991
deri më sot, pushteti sllavo-maqedonas, i ndihmuar prej kolaboracionistëve
shqiptarë, ushtroi dhunë vetëm mbi shqiptarët. Që atëherë, ndaj
shqiptarëve u ndoq një politikë diskriminuese, centraliste, monoetnike,
represive dhe opresive. Njësoj si në kohën e diktaturës komuniste të
Jugosllavisë kominterniste, avnojiste rankoviqiste
dhe serbo-komuniste të viteve 1945-1991.
Që nga viti 1991 e
këndej, Maqedonia vazhdon të jetë i vetmi shtet në Evropë, me të burgosur
politikë. Të burgosur politikë në Maqedoninë dyetnike, janë vetëm
shqiptarët. Një shtet me të burgosur politikë, nuk e ka vendin në familjen
evropiane.
Pushtetarët
sllavo-maqedonas i kanë të ushtruara vrasjet e kurdisura. Në Vreshtat e
Rashtakut, më 2 mars 2002, u ekzekutuan me pabesi dhe me gjakftohtësi
gjashtë shtetas të Pakistanit dhe një i Indisë, për të cilët thanë se kanë
pasur ndërmend të sulmojnë disa nga ambasadat e vendeve të Perëndimit. Në brez
të të rinjve të shtrirë për toke, kishin vënë nga një revole, librin e shenjtë
të fesë islame si dhe emblemën e UÇK-së.
Të vrarët ishin
djem të rinj që kishin përjetuar golgotë, në rrugën e tyre të mundimshme për
një jetë më të mirë. Në çastin e vrasjes nga policët e Lube Boshkovskit, këta
të rinj pakistanezë ishin të lodhur, të rraskapitur, të pagjumë, të mërdhirë,
të etshëm dhe të unët. Për krimin makabër, nuk u përgjigj askush.
Ky farë Lube, pas
ndërprerjes së granatimeve ndaj pozicioneve të UÇK-së në malësinë e Sharrit, në
mbrëmjen e 25 marsit të vitit 2001, me forcat ushtarake, policore dhe
paramilitare sllavo-maqedonase, u ngjit në një fshat rrëzë Sharrit dhe u tha
mediumeve:
“I çliruam fshatarët shqiptarë nga terroristët e UÇK-së”. Është
e turpshme për çdo shqiptar të fotografohet në të njëjtin resht me brat Luben,
siç kishte ndodhur para do kohësh.
Në asnjë vend të
rruzullit dhe asnjëherë në historinë e kohës më të re, nuk janë shqiptuar 746
vjet burg, siç ndodhi me të dënuarit e tragjedisë së Kumanovës.
Është detyrë e
organeve të gjyqësisë që dënimet drakonike ndaj 35 shqiptarëve të tragjedisë së
sipërthënë, t’i suprimojnë dhe duke u bazuar në fakte, rastin ta zbardhin me
drejtësi.
Gjatë tërë
periudhës së pluralizmit, sllavo-maqedonasit kanë ndjekur ndaj shqiptarëve
strategjinë bizantine: duke u krijuar shqiptarëve probleme të paqena, i kanë
detyruar ata që të merren me to, me qëllim që të shmangen prej problemeve reale
të tyre, sikundër janë ato politike, kombëtare, sociale dhe ekonomike.
Qeveria e Zaevit,
meqë ka shumicën, sa më parë duhet ta
miratojë Ligjin për përdorimin e gjuhës
shqipe, madje pa asnjë ndryshim, në mënyrë që t’i mundësojë faktorit
politik shqiptar të përkushtohet në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e viseve
shqiptare, ekonomikisht të degraduara. Ndryshe, shkollat do të mbeten pa
nxënës, universitetet pa studentë. Të rinjtë ndërkaq, “për një jetë më të
mirë”, do t’i marrin në sy - rrugët pa kthim.
Botuar më 04.12.2017 në Gazetën Dielli
dhe në mediume të tjera.