Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Federata Ballkanike
E marte, 03.08.2021, 08:30 PM
FEDERATA BALLKANIKE
Ide e majtistëve, e socialdemokratëve, e
socialistëve dhe e komunistëve si dhe interes i Bashkimit Sovjetik në Ballkan
Nga Xhelal
Zejneli
Federata Ballkanike apo Konfederata Ballkanike ka qenë projekt
politik i bashkimit shtetëror të vendeve të Gadishullit Ballkanik. Gjatë
historisë, për Federatën Ballkanike janë angazhuar kryesisht majtistët
e vendeve përreth. Kjo ide, në radhët e tyre, sot e kësaj dite i ka
përfaqësuesit e vet.
Historia e idesë së Federatës Ballkanike dhe prapavija politike - Gjatë periudhës së ekzistimit të Perandorisë Osmane
ka ekzistuar tërësia gjeografike unike, pa kufij të brendshëm. Në shekullin XIX
krijohen shtetet kombëtare dhe vendosen kufijtë ndërshtetërorë.
Shtetet kombëtare të
sapokrijuara në Ballkan kanë ndjekur strategjinë e zgjerimit të territoreve të
veta. Në shekullin XIX, në jetën politike të Ballkanit “kombi” është kuptuar si
një bashkësi etnike e cila përsëri duhet të kompozohet nga pjesët e veta
historike – para-osmane.
Greqia duhej të
bëhej “Greqi e Madhe”, Bullgaria – “Bullgari e Madhe”, Serbia ndërkaq, “Serbi e
Madhe”. Një politikë e tillë i përjashtonte pakicat kombëtare dhe ishte e
ndërlidhur me pastrime etnike.
Lindja e idesë së Federatës Ballkanike - Ideja e Federatës Ballkanike u zhvillua gjatë
shekullit XIX brenda lëvizjes socialdemokrate të vendeve të Ballkanit,
si një alternativë ndaj ekspansioneve kombëtare të shteteve të sapoformuara.
Pionierë të kësaj ideje ishin Hrristo Botevi (1848-1876) në Bullgari dhe
Svetozar Markoviqi (1846-1875) në Serbi. Njëri prej ithtarëve të parë të
Federatës Ballkanike, Svetozar Markoviqi, paralajmëroi se populli serb jeton i
përzier me popujt e tjerë të Ballkanit, pa kufij gjeografikë dhe etnografikë të
përcaktuar qartazi, ndaj po qe se synon të krijojë një Serbi të Madhe, do t’i
duhet të luajë rolin e pushtuesit. Me fjalë të tjera, të shndërrohet në
pushtues tokash të huaja. Në vitin 1893 u themelua në Selanik VMRO-ja (????????? ?????????? ?????????????? ???????????? –
Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase) e cila kishte për qëllim çlirimin dhe
bashkimin e tërë Maqedonisë (së Egjeut, të Pirinit dhe të Vardarit), e cila do të bëhej pjesë përbërëse e Federatës Ballkanike.
Në vitin 1894 u
themelua në Francë “Lidhja e Konfederatës Ballkanike”, në të cilën morën
pjesë socialistët grekë, bullgarë, serbë, rumunë dhe armenë. Kryetar i
Lidhjes u zgjodh socialisti grek Pavlos Argyriades, i cili e mbështeste
autonominë e Maqedonisë brenda Federatës Ballkanike, si një zgjidhje e mundshme
e çështjes maqedonase e cila shkaktonte mospajtime midis Greqisë,
Serbisë dhe Bullgarisë.
Federata Socialiste Ballkanike - Në fillim të shekullit XX, një numër i madh partish
komuniste vendore e pranojnë krijimin e Federatë Ballkanike si qëllim politik
të tyre. Me këtë, rritet përkrahja e kësaj ideje.
Në vitin 1909, në
Selanik, “Asociacioni Socialist i Punëtorëve”, i përbërë kryesisht prej
hebrenjve, bashkohet me dy grupe socialiste bullgare. Me këtë, u formësua
“Federata Socialiste Punëtore e Punëtorëve Otomanë”, e cila u shpërbë në vitin
1913.
Në janar të vitit
1910 u mbajt në Bullgari kongresi i parë i partive socialdemokrate
të Ballkanit, në të cilin morën pjesë pjesëmarrës nga Serbia, nga Bullgaria,
nga Rumania, nga Turqia, nga Mali i Zi, nga Maqedonia. Morën pjesë edhe
përfaqësues sllovenë dhe kroatë që ishin nën Austro-Hungarinë. Pjesëmarrësit e
kongresit u pajtuan se krijimi i bashkëjetesës ë përbashkët të kulturave dhe të
kombeve të ndryshme, ka për detyrë t’i heqë kufijtë e vënë. Të ashtuquajturën çështje
kombëtare e caktuan si një të drejtë demokratike të çdo populli për
realizimin e bashkimit të tij politik dhe kombëtar.
Ata konsideronin se
e vetmja zgjidhje e mundshme e të gjitha çështjeve kombëtare të popujve të
Ballkanit, në rajonet e Gadishullit Ballkanik, tejet të përzier në pikëpamje
kombëtare dhe fetare, është shteti federativ i përbashkët.
Federata ballkanike komuniste - Revolucioni i Tetorit në Rusi, e cila krijoi një shtet
pa simbole kombëtare, e forcoi internacionalizmin revolucionar në Ballkan. Internacionalja
e Tretë e sapoformuar (e njohur si Internacionale Komuniste apo
shkurtimisht Kominterna) i tuboi në radhët e veta socialistët revolucionarë të
të gjitha viseve të Ballkanit. Kominterna e pranoi krijimin e federatës
ballkanike si bazë të politikës së saj ndaj Ballkanit. Federata komuniste
ballkanike, deri shpërbërjen e saj në vitin 1939, u nënshtrohej interesave të
Bashkimit Sovjetik.
Gjatë Luftës së
Dytë Botërore ka ekzistuar nisma e ndërlidhjes së luftërave
“nacionalçlirimtare” të partizanëve të Jugosllavisë, të Shqipërisë, të
Bullgarisë dhe të Greqisë.
Svetozar Vukmanoviq Tempo (1912-2000), si delegat i Komitetit Qendror të Partisë
Komuniste të Jugosllavisë dhe i Shtabit Suprem të UNÇJ (Ushtrisë
Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë), në vitin 1943 veproi në Maqedoni për
formimin e Shtabit ballkanik, në funksion të luftës nacionalçlirimtare të
përbashkët të popujve të Ballkanit dhe bashkimit të ardhshëm në Federatën
Ballkanike.
Pas Luftës së Dytë Botërore,
midis autoriteteve komuniste të reja – të RPF të Jugosllavisë, RP të
Bullgarisë, të RP të Rumanisë dhe të RP të Shqipërisë, me pjesëmarrjen aktive
të BRSS-së (Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike), u shqyrtua bashkimi
në Republikën Federative Ballkanike, e cila do të përfshinte edhe Greqinë, po
qe se në luftën civile greke do të fitonin partizanët. Në këtë kohë Josip
Broz Tito punonte me të madhe për krijimin e Federatës Ballkanike.
Jugosllavia u jepte ndihmë partizanëve grekë dhe vepronte për bashkimin e
Shqipërisë me Jugosllavinë.
Në periudhën pas
Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit komunistë të Jugosllavisë dhe të
Bullgarisë, Josip Broz Tito (1892-1980) dhe Georgi Dimitrovi (1882-1949)
punuan në projektin e bashkimit të të dy shteteve në Republikat Federative
Ballkanike. Si lëshim për palën jugosllave, autoritetet bullgare u
pajtuan të pranojnë dallimin midis kombësisë dhe gjuhës bullgare dhe
maqedonasve e gjuhës maqedonase. Ky ishte një prej kushteve për Marrëveshjen
e Bledit të nënshkruar midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë, më 01 tetor
1947. Në nëntor 1947, nën trysninë e Bashkimit Sovjetik, Jugosllavia dhe
Bullgaria nënshkruan edhe marrëveshje miqësie. Qeveria bullgare përsëri ishte e
detyruar që qëndrimet e veta t’ua përshatë interesave të Bashkimit Sovjetik në
Ballkan.
Pas rezolutës së
Informbirosë në qershor të vitit 1948, me të cilën u dënua veprimi politik i
Titos, marrëdhëniet e RPF të Jugosllavisë me vendet e tjera socialiste u
ndërprenë. Me këtë u ndërprenë edhe bisedimet për krijimin e një lidhjeje
ballkanike.