Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: ''Procesi'' - kritikë e shoqërisë moderne
E merkure, 28.04.2021, 08:47 PM
“PROCESI” - KRITIKË E SHOQËRISË MODERNE
Kafka
paralajmëroi se shoqëria moderne shkon drejt tjetërsimit dhe vetmisë gjithnjë
më të madhe të njeriut si individ.
“Te Kafka nuk na habisin objektet dhe
ngjarjet si të tilla, por fakti se qeniet e tij reagojnë ndaj tyre pa ndonjë
shqetësim, sikur të ishin sende dhe ngjarje normale.” Günther Anders
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Romani “Procesi” është një prej veprave më të
njohura gjermane të të gjitha kohëve. Kafka e shkroi në vitet 1914-1915. Romani
u botua postum, në vitin 1925 dhe ishte i papërfunduar. Megjithëkëtë, e
ka kapitullin përfundimtar i cili veprimin e çon deri në fund. Romanin e
përgatiti për botim shoku i Kafkës, Max Brodi (1884-1968). Ky e sistemoi
dhe e radhiti veprën sipas kapitujve. Në botimin e sotëm, vepra përmban dhjetë
kapituj.
Me titullin e vet, vepra flet për një veprim, në qendër
të cilit ndodhet një proces gjyqësor. Por, në të vërtetë vepra është revolta e
Kafkës kundër sistemit dhe burokracisë së kohës. Kësisoj, “Procesi” mund të
merret edhe si proces i luftës së njeriut kundër atyre që janë më të mëdhenj
dhe më të fortë se vetë ai. Gjykata e cila si një instancë e padukshme, por ekzistuese,
figuron gjatë tërë veprës, e ka dënuar dhe e ndjek individin i
cili nuk e di se çfarë faji i ngarkohet. Në këtë mënyrë, jeta e njeriut
reduktohet në një formular dhe përputhet me format e jetës robotike ku ligjet
dhe sistemi janë përmbi jetën.
“Procesi”
interpretohet edhe si pashmangshmëri e fatit, gjë që vërehet në sjelljen e
Jozef K.-së në fund të romanit, kur ai pa rezistencë i dorëzohet aktgjykimit me
vdekje. I tërë koncepti i tjetërsimit të cilin te Kafka e
hasim edhe te “Metamorfoza”, është reflektim i përpjekjes së autorit për
ta gjetur veten. Si një çifut çek i cili flet në gjuhën gjermane, në çfarëdo
mjedisi të jetë ndodhur, Kafka gjithmonë është ndjerë i huaj. Tjetërsimi shihet
më së miri në papërcaktueshmërinë e kohës, të vendit të ngjarjes, në sasinë e
personazheve (të cilët paraqiten vetëm një herë dhe përnjëherë zhduken mu në
qendër të veprimit), por edhe në ridefinimin e fajit që i imponohet personazhit
kryesor. Sidoqoftë, në situatën ekzistuese personazhi kryesor s’mund të bëjë
dot asgjë, përpos ta pranojë atë, sikundër edhe vepron në fund.
Pjesën më të madhe të personazheve e përbëjnë nëpunësit
zyrtarë, qofshin bankarë, të gjykatave apo të policisë. I neveritshëm është
edhe atmosfera e interierëve dhe e eksterierëve që i paraqet në roman Kafka.
Hapësirat gjyqësore ndodhen në tavane, në pjesët e varfra, periferike të
qytetit. Pranë hapësirave të gjykatave kryhen punë të përditshme si për
shembull larja e teshave. Ndjenjat e ankthit dhe paradoksalizmi i veprimit e
krijojnë mjedisin kafkian dhe e reflektojnë dimensionin
psikologjik të romanit. Më e keqja është se ky personazh mund të jetë cilido
njeri i botës. Të qenët e tij i rëndomtë vërehet edhe tek emri i tij. Ai nuk e
ka identitetin e plotë, por vetëm emrin dhe inicialin, në të cilin mund të
ndodhet emri i cilit do, ndaj edhe emri ynë. Këtu qëndron kanosja më e madhe e
këtij romani.
Për krejt këtë, “Procesi” i Kafkës është bërë sinonim
i situatave absurde në të cilat qëllon njeriu, pa fajin e vet dhe nga
të cilat nuk mund të nxirret nëpërmjet logjikës, por i duhet vetëm ta pranojë
gjendjen në të cilën ndodhet. Kjo është një vepër e madhe dhe e rëndësishme e modernizmit
e cila, si asnjë tjetër e tregon absurdin e shoqërisë moderne dhe të njeriut të
ngatërruar në të.
“Procesi” është
vepra më e ndërlikuar, shumështresore dhe më e njohur e Kafkës. Sikundër është
theksuar qysh në titullin e veprës, në roman nuk bëhet fjalë për fatin e
nëpunësit bankar Jozef K., për arrestimin e tij, për përpjekjet e tij për të
zbuluar fajin që ia ngarkojnë dhe në fund për vrasjen e tij, por bëhet fjalë
për procesin të cilit i është nënshtruar ai. Objekt i romanit është realiteti i
gjykatës së padukshme e cila me praninë e vet e përshkon tërë romanin.
Interpretimi –
Kafka në veprat e veta zhvillon atmosferën kafkiane, gjë që më së
miri vërehet te “Procesi”. Jozef K. është fajësuar, nuk ndjehet fajtor
dhe nuk e di përse e akuzojnë. Kështu do të ndjehen miliona njerëz të mbyllur
në kampet e përqendrimit. Pikërisht atmosfera që mbizotëron në rrethana të
tilla quhet atmosferë kafkiane. Është një atmosferë fantazmagorike e frikës
plot ankth, njerëzit shndërrohen në automatë të dëgjueshëm vetëm e vetëm për të
shpëtuar kokën.
*
* *
“Procesi” është
roman i papërfunduar, siç janë të papërfunduara edhe “Kështjella” dhe “Amerika”.
Që të tre romane nuk kanë përfunduar në pikëpamje të kompozicionit, të
përmbajtjes dhe të domethënies. Meqë mbeti në dorëshkrim, kompozicioni dhe
struktura e romanit nuk ishin të definuar. Autori nuk arriti apo edhe nuk deshi
të përcaktojë renditjen përfundimtare të kapitujve. Këtë e bëri Maks Brodi, por
studiuesit e kohëve të fundit të veprës së Kafkës i kanë bërë vërejtje një
renditjeje të tillë. Romani është i papërfunduar edhe në aspektin e përmbajtjes
për arsye se në rrëfim kanë mbetur disa plasaritje apo zbrazësi. Disa kapituj,
p. sh. i teti, kanë mbetur të papërfunduar. Jashtë dorëshkrimit të romanit kanë
mbetur disa fragmente. Në disa prej tyre konstatohet lidhshmëria me përmbajtjen
e romanit “Procesi”, në disa të tjera ndërkaq është vështirë të vërehet
një lidhje e tillë. Këtë gjendje të romanit studiuesit e shpjegojnë me faktin
se Kafka ka qenë i ballafaquar me problemin sesi t’i japë fund romanit. Ky problem qëndron te heronjtë
e romanit: Si të gjejnë ata rrugëdalje nga situata në të cilën kanë rënë. Kafka
nuk ka parë rrugëdalje, ndaj as romaneve të veta nuk ka mundur t’u gjejë fund.
Kur kemi të bëjmë me një situatë të këtillë, kur kemi para vetes një vepër të
palidhur dhe të papërfunduar, njohuritë tona për kuptimin dhe për domethënien e
veprës mund të vështirësohet, ndërsa gjykimet dhe vlerësimet tona – të
pasigurta.
Rrëfimi për Jozef. K.-në është tejet i qartë: fjalia
është e lehtë, leksiku i përditshmërisë, nuk kemi thurje të ndërlikuara të
ngjarjeve, nuk kemi monologë të brendshëm të pështjelluar, as që është
eksplikuar ndonjë filozofi abstrakte. Shprehja e Kafkës është e thjeshtë,
asnjanëse, e ftohtë. Në këtë pikëpamje u ngjan raporteve bankare afariste të
thata (të amështa). Gjuha është fare racionale dhe e qartë – pa shprehje
figurative, pa tone emocionale. Por përshkrimi i saj, si për shembull paraqitja
e ngjarjeve dhe personazheve, është mjaft e zymtë, paradoksale dhe me shumë
kuptime – gjë që lexuesin dhe studiuesin e vë në dilemë.
Ndërmjet leximit dhe të kuptuarit ekziston një dallim
thelbësor. Rrëfimi është i rëndomtë: Çka i ndodh Jozef K.-së dhe si reagon ai
ndaj asaj që i ndodh.
Të kuptuarit kërkon pikërisht atë se “çka i ndodh
Jozef K.-së” dhe sidomos “si reagon ai ndaj asaj që i ndodh”.
Pra, lexuesi nuk do të ndalet në çështjet e paraqitjes
artistike por në çështjet e domethënies së asaj që është paraqitur. Studiuesi i
Kafkës - filozofi, eseisti dhe poeti austriak/gjerman Gynter Anders (Günther
Anders i lindur Günther Siegmund Stern; Vrocuav, Poloni, 1902 – Vjenë, 1992)
shkruan: “Te Kafka nuk na habisin objektet dhe ngjarjet si të tilla,
por fakti se qeniet e tij reagojnë ndaj tyre pa ndonjë shqetësim, sikur të
ishin sende dhe ngjarje normale”.
Problemi i të kuptuarit dhe i interpretimit lind edhe për
arsye se Kafka shtron pyetje, por nuk jep përgjigje. Për shembull, kush dhe
përse e ndjek Jozef K.-në, kush e pengon fshatarin të mbrohet nga ligji. Me
këtë autori krijon hapësirë për interpretimin e ndryshëm të deponimeve, të
episodeve, të situatave, të ngjarjeve në përgjithësi. Interpretimet e ndryshme
lëvizin që nga ato autobiografike, për të vazhduar me ato teologjike,
psikologjike, sociologjike dhe politike e deri tek ato psikanalitike, alegorike
dhe mitike.
Probleme për ta kuptuar dhe për ta interpretuar veprën e
Kafkës shkaktojnë edhe elementet specifike të prosedeut krijues të tij:
papërcaktueshmëria, paparashikueshmëria, antitetizmi (që ofron antitezë),
paradoksalizmi si dhe absurditeti i dalë prej tij.
Papërcaktueshmëria –
Qyteti si lokaicon nuk është emërtuar; lokacioni i hapësirave gjyqësore është e
papërcaktuar; banesat dhe zyrat nuk janë paraqitur qartë dhe janë me pak
detaje; akuza kundër Jozef. K nuk është e qartë; nocioneve, sendeve,
procedurave dhe personave u jepen domethënie apo kuptime të kundërta: librat e
ligjeve janë libra pornografikë, gjyqtari njëherazi është edhe i akuzuari,
piktori është i ndërlidhur me gjykatën.
Paparashikueshmëria –
Hapësirat gjyqësore ndodhen kudo dhe në vende të papritura; kemi një numër të
madh hapësirash dhe korridore të shumta; nëpër korridore dhe në sallën e
gjykimit kemi një mori njerëzish; kemi dialogë të paqartë që pasqyrojnë
qëndrime të cilat e përjashtojnë njëri-tjetrin; kemi detajizim dhe mbingarkim
të përshkrimeve; e tërë kjo e ngulfat
kuptimin e përmbajtjes.
Antitetizmi (mundësia
e paraqitjes së antitezave) – Është një prej karakteristikave të pasqyrimit dhe
modelimit të Kafkës: një deponim, një thënie përjashtohet nga deponimi vijues,
një veprim i personazhit është në kundërshti me veprimin e tij paraprak etj.
Paradoksalizmi dhe absurditeti –
Hapësirat gjyqësore ndodhen në tavane dhe në bodrume; ato ndodhen në pjesët më
periferike, më të humbura dhe më të ndotura të qytetit; hapësirat gjyqësore
janë edhe hapësira private; larje rrobash në hapësirat gjyqësore; skena erotike
para njerëzve të tjerë; Jozef K ka qëndrim indiferent ndaj burgosjes dhe
procesit gjyqësor ndaj tij; burri ka qëndrim indiferent ndaj tradhtisë së gruas së vet e cila punonte në gjykatë si
shërbyese.
Njeriu dhe hapësira – Në
prozën e Kafkës, sidomos në romanin “Procesi” hapësira ka një funksion
artistik të veçantë. Kjo hapësirë, ku bëjnë pjesë hapësirat e hapura dhe të
mbyllura, është e pazakonshme dhe e pakëndshme, kurse atmosfera që mbizotëron
në të, ta zë frymën, është mbytëse. Kjo është quajtur nga studiuesit “atmosferë
kafkiane”. Nuk ka afri dhe ngrohtësi midis njeriut dhe rrethimit,
mjedisit natyror – midis njeriut dhe hapësirës së hapur nëpër të cilën lëviz,
midis njeriut dhe hapësirës së mbyllur nëpër të cilën ecën, lëviz, midis
njeriut dhe hapësirës së mbyllur si vendqëndrim në jetën private dhe publike.
Sa i përket hapësirës, çdo gjë në këtë roman është e padurueshme, e pakëndshme,
jo e shëndetshme, e ndotur, e neveritshme. Këtu, rrallëherë pasqyrohet
eksterieri ose një gjë e tillë bëhet kalimthi: eksterieri gjithmonë është i
mbushur me mjegull, me shi dhe dëborë. Rrugët janë plot ujë dhe baltë. Ajri
është i rëndë dhe i pakëndshëm, i ndotur. Kur njeriu vjen në kontakt me botën
përreth, atë e kaplon një ndjenjë e pakëndshme apo rrëqethja, lebetia, tmerri: Një
pasdite dimri, jashtë në dritë të turbullt binte dëborë. Shtëpitë janë të
errëta, rrugët plot ndotësi që ka depërtuar në dëborën e shkrirë...
Hapësira e brendshme (e mbyllur) është e llojllojshme, e
shumtë por për nga karakteristikat – e ngjashme apo e njëjtë. Në hapësirë të
brendshme bëjnë pjesë pensioni i zonjës Grubah dhe në të dhomat e saj, dhomat e
zonjushës Birstner dhe të Jozef K-së; hapësirat gjyqësore; hapësirat e bankës;
zyra e avokatit, atelieja e Titorelit; katedralja. Pjesa më e madhe e
hapësirave të mbyllura kanë diçka të përbashkët: Ato janë të mbyllura në
kuptimin e plotë të fjalës, ta zënë frymën dhe janë të papërshtatshme për jetesë.
Rëndom janë pa dritare ose kanë një dritare të vogël së cilës vështirë mund t’i
afrohesh ndaj dhe rrallë hapet. Kur kjo dritare e vetme hapet, nga jashtë
vrullshëm depërtojnë brenda bloza, tymi, mjegulla, ajri ngulfatës. Në zyrën e
Jozef K-së dritarja vështirë hapet, e kur hapet “depërtojnë në dhomë mjegulla e
përzier me tym dhe kjo e mbush dhomën me një erë të lehtë gjërash të djegura”.
Në atelien e Titorelit është një dritare që nuk hapet. Jozef K-së i zihet fryma
saqë i bie të fikët. Zyra e avokatit është e errët, e zymtë dhe ta zë frymën.
Hapësirat gjyqësore ndodhen në mansarda ose në bodrume.
Aty shkohet me vështirësi nëpër do shkallë të ngatërruara dhe të rënda, pa
kurrfarë ndriçimi. Ato janë të pakëndshme, ndaj njeriu, për shumë arsye,
ndjehet keq.
- Ato janë të mbingarkuar me njerëz dhe sende.
- Sendet nuk janë adekuate – në tavolinën e gjykatësit,
në vend të librit të kodeve ndodhen libra pornografikë dhe romane dashurie. Në
hapësirat gjyqësore i thajnë teshat.
- Destinimi i hapësirave gjyqësore është joadekuat – ato
shërbejnë edhe për banim.
- Janë tejet të vogla dhe të ngushta saqë mezi kalohet.
- Janë të ulëta: “Njerëzit kanë mundur të rinë vetëm
të përkulur, duke e prekur tavanin me kokë dhe me shpinë”. Ka të tillë që
kanë marrë me vete jastëkë për t’i vënë midis kokës dhe tavanit për t’u mos u
gërvishtur.
- Disa hapësira ndërkaq janë të mëdha dhe me tavan të
lartë saqë njeriu në to ndjehet tepër i vogël, i pashpresë dhe i humbur.
- Ato janë të parregulluara, të papastra, të errëta dhe
ta zënë frymën.
Mirëpo, proceset nuk zhvillohen vetëm në hapësirat
gjyqësore. Ato zhvillohen edhe në hapësirat private dhe publike. Kështu, si
hapësirë gjyqësore shfaqet dhoma e Jozef K-së, dhoma e zonjushës Birstner,
kthina në bankë, atelieja e Titorelit, banesa e shërbyesit gjyqësor, gurorja.
Kështu, sallë gjykimi bëhet e tërë hapësira ekzistenciale e Jozef K-së. Për
këtë arsye heroi i romanit në të njëjtën kohë është edhe i burgosur edhe
njeri i lirë. Përzierja e hapësirave zyrtare me ato private flet diçka
të papastër, të pasigurt, jolegale, të pakontrolluar dhe që i nënshtrohet
korrupsionit. Aty nuk ka rregulla dhe norma. Aty mbizotëron stuhia e anarkisë,
e arbitrarizmit, e pushtetit të pafund.
Prandaj gjykata është e paarritshme. E arritshme është
vetëm burokracia gjyqësore e nivelit të ulët. Gjykata më lartë “për ju, për
mua dhe për të gjithë ne, assesi nuk është e paarritshme” – thotë Titoreli.
Përzierja e hapësirës private dhe gjyqësore është dëshmi e mohimit të privatësisë
së njeriut dhe e tjetërsimit të tij nga mjedisi nga rrethimi. Tjetërsimi
manifestohet si një vrojtim sipërfaqësor i elementeve të hapësirës, si
mosinteresim për hapësirën, si vrojtim i kushteve jopërkatëse për jetesë në atë
hapësirë. Shfrytëzimi i hapësirës për qëllime jopërkatëse manifestohet si
shkelje e rendit të përcaktuar.
Njohja e të dhënave themelore nga jeta e Kafkës bën të
mundur që në romanin “Procesi” të vërehen disa fakte autobiografike.
Njohja e problematikës së thellë psikologjike të Kafkës dhe e disa traumave të
tij në raportet familjare mund të japë sqarime për disa pjesë të romanit, për
disa veti të personazhit Jozef K., disa përjetime të botës dhe njeriut.
Leximi i letrave dhe i ditarit të Kafkës drejtpërsëdrejti
shpie në do pjesë të romanit “Procesi”: në veprime, në karaktere, në
situata, në fotografi.
Burimi i vetmisë dhe i tjetërsimit që mbizotërojnë në
veprën e Kafkës, po edhe te “Procesi”, ndodhen në ndjenjën e veçimit dhe
të vetmisë së Kafkës si pjesëtar i popullit hebraik në një mjedis johebraik.
Kafka lindi në Pragë. U arsimua në gjuhën gjermane. Ishte shtetas i Monarkisë
Austro-hungareze. E ndjeu dhe e përjetoi disponimin antisemitist të
mjedisit.
Fakti se Kafka e vënë veten në “Proces” e dëshmon
një shënim në ditarin e tij të viti 1910: “Nuk do të lejoj të më ndalë
lodhja. Do ta filloj novelën time, qoftë edhe sikur ta përgjak fytyrën”.
Midis Jozef K.-së dhe krijuesit të tij – Kafkës
ekzistojnë shumë pika takimi. Tek emri Jozef K. vërehet mbiemri i shkrimtarit,
ndërsa emri është fshehur (Franc Jozef). Te figura e zonjushës Birstner mund të
zbulohet figura e Felise Bauer (frojlajn Birstner) me të cilën Kafka u
fejua dy herë dhe dy herë u nda. Së këndejmi buron edhe ndjenja e fajësisë.
Jozef K i imponohet zonjushës Birstner si një i sfilitur. Kjo është një prej
arsyeve të ndjenjës së fajit.
Sa u përket raporteve me femrat, këtu edhe Kafka edhe
heroi i tij Jozef K. janë plotësisht të njëjtë: që të dy nuk kanë fat me
femrat. Më mirë të thuhet, nuk ia dalin me femrat – janë të lëkundshëm, të
paqëndrueshëm dhe të pasigurt. Kafka ka pasur katër lidhje dhe asnjë prej tyre
nuk u realizua si një lidhje e përhershme. Jozef K. lehtë krijon lidhje me
femrat, por ato lidhje janë të paqëndrueshme, të rastësishme, pa emocione.
Në “Proces” kanë hyrë problemet që i ka pasur
Kafka me babanë. Kuptohet, këto probleme kanë marrë një transformim artistik,
por pjesë të caktuara nga “Letra babit” dhe romanit, janë plotësisht
identike.
Romani “Procesi” është një prej tre romaneve që
nuk u botuan sa qe gjallë Kafka. Romani është shkruar në vitet 1914-1915. pikërisht
në periudhën e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Kjo periudhë ndërlidhet
edhe me prishjen e fejesës së Kafkës me Felise Bauer, gjë që shpesh merret si
bazënisje për interpretimin e veprës. (Ka që thonë se është shkruar në vitet
1914-1923).
“Procesi” u
botua më 1925, d.m.th. pas vdekjes së autorit. Është një vepër e ndërlikuar,
shumështresore, edhe pse veprimi kryesor i tij nuk duket aq i ndërlikuar.
Thelbi i veprimit është procedura e gjykimit pothuajse imagjinar të cilit i
është nënshtruar personazhi kryesor pas akuzave për vepër kriminale, për të
cilën ai nuk di gjë. Rrethanat që sollën gjykimin si dhe epilogu i tij nuk janë
aq të rëndësishëm për këtë roman, sa është e rëndësishme vetë procesi i
gjykimit. Gjatë këtij procesi theksohet gjendja psikologjike e personazhit
kryesor. Ai është një i akuzuar i cili as që e di për se është fajësuar. Nuk di
si mund të mbrohet, ndërsa çdo mbrojtje kthehet kundër tij dhe ia rëndon
gjendjen. Paniku, frika dhe situata pa rrugëdalje e tij, shtrihen në atmosferën
e përgjithshme të romanit. Kjo situatë aq është specifike dhe shprehëse saqë
është quajtur “kafkiane” dhe filloi të përdoret në të folmen e
përditshme si shprehje e situatës pa rrugëdalje, e frikës, e imponimit të fajit
dhe e mungesës së rrugëdaljes nga një situatë e tillë, përkundër mungesës edhe
të fajit për gjendjen e tillë. Në situata të tilla njerëzit janë të gatshëm të
bëjnë çmos dhe të pranojnë çdo gjë vetëm e vetëm të shpëtojnë kokën dhe t’i
kthehen jetës dhe botës që merret si normale. Kjo është edhe një karakteristikë
e situatës kafkiane.
Situata që e përshkruan Kafka në “Proces” aq është
e pazakonshme dhe e padrejtë saqë në momente bëhet edhe morbide.
Kjo gjendje nuk pushon por vazhdon të shkojë drejt skajshmërisë saqë duket
sikur kalon nga realja në ëndërr. Të gjitha personazhet, me përjashtim të
personazhit kryesor, janë aq joreale saqë bëhen të karikuara, pothuajse
surreale, ndaj edhe situata duket e tillë.
Njeriu nuk mund të besojë se gjërat në jetën normale
vërtet mund të ndodhin asisoj, ndaj kjo shkakton ndjenjën se personazhi ndodhet
në realitetin e ndonjë ëndrre. Kafka në veprën e vet pikërisht ashtu i ka
renditur skenat. Ato krijojnë përshtypjen e pabesueshmërisë, ndonëse në të
njëjtën kohë ato janë tejet autentike, burimore dhe mjaft bindëse. Ky bashkim i
ëndrrës dhe realitetit është vizion i Kafkës për realitetin e botës që e
rrethon. Logjika që mbizotëron në realitetin e tij është e fuqishme, por ajo
lehtë mund të kthehet për së prapi. .
Për krejt këtë, romani i Kafkës mund të interpretohet si kritikë
e shoqërisë moderne, por edhe e tërë qytetërimit bashkëkohor,
modern, karakteristikë kryesore e të cilit është tjetërsimi midis
njerëzve. Tjetërsimi në këtë vepër manifestohet si: njeriu i humbur në
shoqëri; pamundësi e komunikimit me mjedisin, me rrethin; përshtatje e jetës së
njeriut kërkesave të shoqërisë; mungesë e mirëkuptimit nga të tjerët.
Këto karakteristika të personazhit kryesor të veprës
përballë qytetërimit në të vërtetë janë karakteristika të vetë Kafkës. Ai ishte
një shkrimtar i cili nuk kishte besim në vetvete, as në aftësinë e vet si
shkrimtar.
Jo vetëm që nuk besonte se është gjeni letrare, por nuk u
besonte as edhe veprave të veta. Ishte pesimist gjë që shihet në romanet e tij.
Megjithëkëtë ishte vizionar, për arsye se e parashikoi rrugën e lëvizjes së
shoqërisë moderne. Me fjalë të tjera, Kafka paralajmëroi se shoqëria
moderne shkon drejt tjetërsimit dhe vetmisë gjithnjë më të madhe të njeriut si
individ.
Ky roman u bë sinonim i romanit modern, roman i kohës
sonë. Përkundër gjetjes së lidhjeve midis Kafkës dhe ekspresionistëve,
megjithëkëtë veprat e tij dallohen prej veprave ekspresioniste. Atë që synonin
të arrinin ekspresionistët, u mishërua te “Procesi”.
“Procesi” përmban
ndarje prej formave tradicionale, pasqyrim të tjetërsimit të individit,
ndërthurje me filozofinë ekzistencialiste, deformim të
kronotropeve dhe shumë karakteristika të tjera të romanit modern. Kjo vepër
edhe sot nuk mund të interpretohet plotësisht dhe gjithmonë lë hapësirë për
gufimin e domethënieve të reja.
Është shkruar me një stil administrativ. Fjalitë janë të
përpikta. Nuk ka as përshkrime dhe zbukurime të tepërta. Kemi të bëjmë me një
tekst të zakonshëm, megjithëkëtë thelbi i tij është i pakapshëm. Madje është e
dyshimtë edhe renditja e kapitujve që i radhitur Maks Brodi sipas gjykimit
të vet.
Duke pasqyruar një botë fiktive me spektrin e ndodhive të
pazakonshme, po edhe absurde që personazhet e veprave i marrin si fare normale,
pa shkaktuar tek ata reagime që do të duhej të ndodhnin, Kafka zbulon
absurditetin e botës sonë dhe zalinë, shuarjen, letargjinë e emocioneve të
njeriut, po edhe verbësinë e njeriut që ndikon që ai të mos e sheh realitetin
përreth.
Kafka na shtyn të vetëdijesohemi, të shtrojmë pyetje, të
dalim, të tërhiqemi nga molitja, venitja, topitja e shpirtit, e frymës. Po qe
se gjatë leximit të Kafkës lexuesi sheh një situatë pa rrugëzgjidhje dhe një
padrejtësi, atëherë ai duhet t’i përqendrojë të gjitha forcat që një rrethanë
të tillë të mos ia lejojë vetes në jetën reale.
Lexuesi në vepër mund ta gjejë vetëm atë që është te vetë
ai, ndaj interpretimi i veprës varet nga fakti se në duart e kujt ndodhet ajo.
Vetë Kafka thotë se interpretimet e ndryshme të një gjëje nuk e përjashtojnë
njëra-tjetrën, madje mbase edhe e plotësojnë njëra-tjetrën. Vetë “procesi”
është përplot aluzione, paradokse, absurditete, alegori dhe simbole që i
mundësojnë njeriut interpretime nga më të ndryshme.
Pikënisjet më të ngulitura për interpretim janë jeta e
Kafkës, religjioni, filozofia ekzistencialiste, po edhe konteksti shoqëror
historik nga i cili rezulton kritika e shoqërisë. Interpretimet e këtilla
shpesh ndeshen me njëra-tjetrën, por akoma më shpesh përshkohen.