E marte, 15.10.2024, 07:09 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Përdorimi i shkronjave të mëdha (II)

E diele, 21.02.2021, 11:39 AM


PËRDORIMI I SHKRONJAVE TË MËDHA

(vazhdimi)

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Emërtimet gjeografike e territoriale-administrative, si edhe emrat e tjerë të vendeve shkruhen me shkronjë të madhe:

Adriatiku, Joni, Labëria, Luma, Mirdita, Myzeqeja, Sazani, Gjakova, Prizreni, Ulqini, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Manastiri etj.

Pjesët përbërëse të një emërtimi gjeografik a të një emri vendi prej dy a më shumë fjalësh shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave, lidhëzave e parafjalëve): Amerika Latine, Azia e Vogël, Bjeshkët e Nemuna, Bregu i Fildishtë, Deti i Kuq, Deti i Vdekur, Deti i Zi, Drini i Bardhë, Gadishulli Ballkanik, Gadishulli Iberik, Guineja e Re, Guri i Hasit,  Gjiri Persik, Kepi i Gjelbër, Kepi i Shpresës së Mirë, Lëndina e Lotëve, Lugjet e Verdha,  Malësia e Madhe, Malësia e Mbishkodrës, Mali i Zi, Oqeani i Ngrirë i Veriut, Poli i Jugut, Poli i Veriut, Qafa e Thanës, Rrafshi i Dukagjinit, Sheshi i Flamurit, Shkëmbi i Kavajës, Toka e Zjarrtë, Ura e Shtrenjtë, Vau i Dejës, Vendet e Ulëta, Zelanda e Re etj.

Shënim: Emrat e përgjithshëm gjeografikë si breg, buzë, çukë, det, fushë, gadishull, grykë, gji, hundë, istëm, ishull, kanal, kep, kodër, krua, liqen, lumë, majë, mal, ngushticë, përrua, qafë, qytet, sukë, shkretëtirë, shpellë; tropik, vargmal etj., kur nuk janë pjesë përbërëse e një emërtimi të përveçëm, por përdoren si përcaktues të një emri gjeografik ose përcaktohen prej tij, shkruhen me shkronjë të vogël: çuka e Ajtojt, deti Adriatik, deti i Kinës Jugore, fusha e Korçës, fusha e Myzeqesë, gadishulli i Ballkanit, gryka e Këlcyrës, gjiri i Vlorës, hunda e Karaburunit, istmi i Korintit, ishulli i Sazanit, kanali i Korfuzit, kanali i Myzeqesë, kanali i Suezit, kepi i Rodonit, kroi i Zejmenit, liqeni Balaton, liqeni i Prespës, liqeni i Shkodrës, lumi i Matit, maja e Korabit, mali i Dajtit, ngushtica e Bosforit, ngushtica e Gjibraltarit, përroi i Munellës, qafa e Llogorasë, qyteti i Fierit, shpella e Dragobisë, tropiku i Gaforres, vargmali i Andeve etj.

Shënim: Mbiemrat që janë pjesë përbërëse të emrave gjeografikë, sikurse shihet edhe nga shembujt e mësipërm, shkruhen kurdoherë me shkronjë të madhe: Drini i Bardhë, Drini i Zi, Kanali i Madh, Kurveleshi i Poshtëm, Malësia e Madhe, Mali i Zi, Myzeqeja e Vogël, Prespa e Madhe, Prespa e Vogël etj.

Shënim: Të gjitha pjesët përbërëse të emërtimeve zyrtare të shteteve fillojnë me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave): Principata e Arbërisë, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Mbretëria e Nepalit, Perandoria Osmane, Perandoria Romake e Lindjes, Perandoria Romake e Perëndimit, Principata e Lihtenshtajnit, Republika Franceze, Republika e San-Marinos etj.

Shënim: Emrat e anëve të horizontit dhe mbiemrat e formuar prej tyre shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjës), kur përdoren si emërtime njësish territoriale (gjeografike ose historike) ose si pjesë të këtyre emërtimeve: P. sh.: Shqipëria e Veriut (Veriore), Shqipëria e Jugut (Jugore), Shqipëria Veriperëndimore, vallet tona të Jugut, popujt e Lindjes, Lindja e Largët, Lindja e Mesme, shtetet e Perëndimit, kryengritjet e malësorëve të Veriut etj.; Amerika e Jugut, Italia e Jugut, Poli i Jugut, Evropa e Veriut, Irlanda e Veriut, Koreja e Jugut, Poli i Veriut etj.; Amerika Jugore, Evropa Jugore,  Evropa Juglindore, Azia Juglindore, Evropa Lindore, Mesdheu Lindor, Evropa Perëndimore, Afrika Veriore, Amerika Veriore etj.;

Kur emrat dhe mbiemrat e mëposhtëm përdoren për të shënuar një drejtim ose një pikë të horizontit, shkruhen me shkronjë të vogël: u nisën drejt veriut; era fryn nga lindja; në drejtim veriperëndimor etj.

Shënim: Emërtimet gjeografike shkruhen me shkronjë të madhe, edhe kur përdoren me kuptim të figurshëm: Vaterlo (beteja).

Emërtimet e periudhave, të ngjarjeve, të akteve e të dokumenteve historike me rëndësi kombëtare ose ndërkombëtare, të monumenteve historike e të monumenteve të kulturës shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese): Çlirimi (i Kosovës), zhvillimi ekonomik pas Çlirimit (të Kosovës), Reforma, Rilindja, Rilindja Kombëtare Shqiptare, Tanzimati etj.; Komuna e Parisit, Konferenca e Ambasadorëve,  Konferenca e Paqes, Konferenca e Pezës, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Kongresi i Lushnjës, Kongresi i Manastirit, Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Vlorës, Nata e Shën Bartolomeut, Qeveria e Përkohshme e Durrësit, Reforma Agrare, Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, Traktati i Londrës, Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Versajës etj.; Dekreti i Paqes, Karta e Kombeve të Bashkuara, Karta e Madhe e Lirive, Kushtetuta e Kosovës etj.; Kalaja e Gjirokastrës, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Manastiri i Ardenicës etj.; Monumenti i Shpalljes së Pavarësisë, Monumenti i Luftëtarit Kombëtar,  Monumenti i Skënderbeut (Prishtinë, Dibër, Shkup, Tiranë, Krujë) etj.

Shënim: Emërtimet e epokave gjeologjike, historike e të formacioneve historiko-shoqërore që nuk janë emra të përveçëm, shkruhen me shkronjë të vogël: diluvi, jura, kuaternari etj.; koha e re, mesjeta, neoliti, paleoliti etj.; feudalizmi, komuna primitive, kapitalizmi, etj.

Emërtimet zyrtare (të sotme ose historike) të institucioneve të shtetit, si edhe emërtimet e organizatave shoqërore e të njësive ushtarake kryesore shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare: Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Tregtisë, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Universiteti i Tiranës, Biblioteka Kombëtare, Banka e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Fakulteti  Filozofik, fakulteti Filologjik, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Matematikës dhe i Shkencave të Natyrës, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe i Baletit, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor etj.

Shënim: Emërtimet e kategorive të mësipërme, kur përdoren si emra të përgjithshëm, shkruhen me shkronjë të vogël: ky universitet nuk ka fakultet mjekësie etj.

Në rastet kur një pjesë e emërtimit zyrtar të një institucioni, organizate etj. përdoret për të përfaqësuar gjithë emërtimin, kjo pjesë shkruhet me shkronjë të madhe: ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Jashtme etj.

Kur në një kontekst të caktuar një emërtim i tipave të përmendur më sipër rishfaqet me anë të fjalës së parë, kjo shkruhet me shkronjë të madhe, si përfaqësuese e një emri të përveçëm: forcat e Lidhjes (e Lidhjes së Prizrenit); mësimet e Komunës (e Komunës së  Parisit); institutet e Akademisë  (e Akademisë së Shkencave të Republikës së Kosovës);

Shkruhen me shkronjë të madhe pjesët përbërëse të emërtimeve të festave kombëtare e ndërkombëtare: 29 Nëntori, 8 Marsi ose Tetë Marsi, Dita e Mësuesit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, Viti i Ri etj.

Shënim: Emrat e festave fetare shkruhen me shkronjë të vogël: bajrami, kërshëndellat, mevludi, nata e mirë, pashkët, e premtja e zezë, ramazani, rrëshajët, ujët e bekuar etj.

Te titujt e gazetave, të revistave e të librave, të cilët vihen kurdoherë ndërmjet thonjëzash, shkruhet me shkronjë të madhe vetëm fjala e parë dhe emrat e përveçëm që hyjnë në përbërjen e titullit: "Zëri i rinisë", "Republika", "Studime filologjike", "Gjurmime albanologjike", "Revista pedagogjike" etj.; "Bagëti e bujqësia", "Gramatika e gjuhës shqipe", "Historia e Skënderbeut" , "Historia e letërsisë shqipe", Komedia hyjnore", "Drejtshkrimi i gjuhës shqipe", "Zëri i arbëreshëve" etj.

Po kështu shkruhen titujt e botimeve në gjuhët e huaja, kur jepen me alfabetin e shqipes: "I foni tis Alvanias", "L'albanese d'ltalia" etj.

Shënim: Jeronim de Rada boti të parën gazetë në gjuhën shqipe. Në vitin 1848 themeloi gazetën L’Albanese d’Italia (Shqiptari i Italisë), ndërsa në vitin 1883 themeloi revistën mujore dygjuhëshe Fiàmuri Arbrit (La bandiera dell’Albania).

Shkurtimet e emrave të shteteve, të partive, të organizatave, të shoqërive, të institucioneve, të ndërmarrjeve etj., shkruhen me shkronja te mëdha, pa vënë pikë as ndërmjet, as pas tyre: RSh, RK, ShBA, OKB, KS i OKB-së, NATO, (NATO-ja, NATO-n, NATO-s), BE, BE-ja, BE-në, BE-së, UNESKO, OBSh, FIFA, UEFA etj.; ATSH, TEC, AFP, MENA, FMN, BBRZh, BERZh, etj.

Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përgjithshëm, kur përdoren për të shënuar qenie të personifikuara (në fabulat, përrallat e në krijime të tjera letrare): Plaku i Vitit të Ri; O Prill, o im vëlla!; Përralla gjet një ditë të Vërtetën (N. Frashëri); Të lumtë, o Arbër, se na zbardhe faqen! (Kostandin Kristoforidhi) etj.

Mund të shkruhet me shkronjë të madhe një emër i përgjithshëm për qëllime të veçanta stilistike, për të theksuar me forcë a me ngjyrim të veçantë një nocion, një njeri a një ide të caktuar: Atdheu, Mëmëdheu, Liria, Komandanti (Adem Jashari), Njeriu, Marsi  (protestat e studentëve në Kosovë, më 11 dhe 26 mars 1981 etj.):  "Të duam Mëmëdheun!";

Përemri vetor ju dhe përemrat pronorë juaj, (i, e) tij, (i, e) saj, në shenjë nderimi për personin të cilit i drejtohemi, ose për të cilin flasim, mund të shkruhen me shkronjë të madhe.

Me shkronjë të madhe mund të shkruhen edhe emërtimet e bartësve të funksioneve shtetërore e shoqërore, kur u drejtohemi atyre: Po ju drejtohem Ju me shpresë që ta shqyrtoni këtë rast ...; Zoti Ministër!; Shpresoj, Zoti Kryetar, se do të marr nga Ju një përgjigje të shpejtë etj.

Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet shkencore të tipave, klasave, rendeve, familjeve e gjinive të botës bimore e shtazore në trajtën latine të tyre; te emërtimet e llojeve e të nënndarjeve të tyre shkruhet me shkronjë të madhe vetëm fjala e parë: Chordata, Protozoa, Mammalia, Pisces, Rodentia, Turdus, Mugil, Canis lupus, Lacusta viridis etj.; Dicotyledones, Monocotyledones, Leguminosae, Pinaceae, Larix, Abies, Castanea sativa, Salvia etj.

Shkruhen me shkronjën e parë të madhe simbolet e elementeve kimike: Cl, Fe, H, Mg, Mn, N, Na, O, S etj.

Emrat e përgjithshëm si: rrugë, bulevard, stadium, shesh, lagje, hotel, kinema, teatër, ndërmarrje, hidrocentral, anije, shkollë, klub, gazetë, revistë, roman, poemë, dramë, opera, balet, këngë, etj., që përcaktohen nga një emër a emërtim i përveçëm në rasën emërore, i vënë ndërmjet thonjëzash *, shkruhen me shkronjë të vogël:

Emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse nuk vihen në thonjëza. Por shkruhen, si vijon: bulevardi "Zahir Pajaziti", rruga "Kongresi i Lushnjës", bulevardi "Daut Haradinaj", bulevardi "Donika Kastrioti", rruga “Edit Durham”, stadiumi "Fadil Vokrri", sheshi "Nënë Tereza", sheshi "Skënderbeu"; hotel "Tirana", kinema "Xhon Belushi”, teatri "Aleksandër Moisiu", anija "Durrësi", shkolla "Ernest Koliqi", klubi "Shëndija", revista "Dielli", drama "Toka jonë", opera "Skënderbeu", baleti "Halili dhe Hajrija", kënga "Valsi i rinisë" etj.

Kur emërtimet e mësipërme përdoren më vete (jo në fjali) në tabelat, dokumentet e shpalljet zyrtare, shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë.

Me shkronjë të madhe shkruhen gjithashtu emrat e shesheve, të rrugëve, të lagjeve etj., kur ata janë pjesë e emërtimit të përveçëm përkatës: Rruga e Trimave, Sheshi i Flamurit, Klubi i Manastirit etj.

Emrat e popujve dhe të banorëve të një vendi, të një krahine, të një qyteti etj. shkruhen me shkronjë të vogël: pellazgët, ilirët, shqiptarët, arbëreshët, amerikanët, gjermanët, austriakët, italianët, zviceranët, kroatë, afrikanët, kurdët, baskët, katalonasit, algjerianët, evropianët, francezët, hungarezët, polakët, etj.; beratasit, dibranët, elbasanasit, gjirokastritët, kosovarët, kolonjarët, matjanët, myzeqarët, shkodranët, gjakovarët, tetovarët, preshevarët, ulqinakët, vlonjatët etj.

Emrat e ditëve të javës, të muajve e të stinëve shkruhen me shkronjë të vogël: e hënë, e martë, e mërkurë etj.; janar, shkurt, mars, prill, maj etj.; pranverë, verë, vjeshtë, dimër.

Në veprat poetike fjala e parë e çdo vargu mund të filloje me shkronjë të madhe ose të vogël; por në rastet kur vargjet, në citimet, shkruhen vijueshëm njëri pas tjetrit, jo secili në rresht më vete, ato nisin gjithmonë me shkronjë të madhe.

Fillon me shkronjë të madhe fjala e parë e çdo teksti të shkruar, si edhe fjala e parë e një fjalie ose periudhe që vjen pas pikës, shumëpikëshit, pikëpyetjes, pikëçuditjes dhe dy pikave, kur këto shënojnë mbarimin e një fjalie të veçantë a të një periudhe të mëparshme.

Shënim: Kur pikëpyetja, pikëçuditja ose shumëpikëshi vihet pas ligjëratës së drejtë dhe në fjalët e autorit, që vijojnë, tregohet se kujt i takon ligjërata e drejtë, pas shenjave të mësipërme, fjala e parë shkruhet me shkronjë të vogël:

- Si shkoi udhëtimi? - pyeti babai pa hyrë mirë në shtëpi;

- M'u duk djalë i mirë... - i thashë unë.

Po kështu shkruhet me shkronjë të vogël fjala e parë pas shumëpikëshit që shënon ndërprerje gjatë ligjëratës dhe jo mbarimin e fjalisë a të periudhës së mësipërme, p.sh.: Ky tavan është i ulët.. . tavani i shtëpisë sonë është më i lartë dhe i lyer me bojë të gjelbër.

Shkruhet me shkronjë të madhe fjala e parë pas dy pikave në këto raste:

a) kur fillon një ligjëratë e drejtë a një citat, që vihet ndërmjet thonjëzash: Populli ynë thotë: "Trimi i mirë me shokë shumë"; Skënderbeu ka thënë: "Lirinë nuk e solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj".

b) kur pas dy pikave radhiten, zakonisht në tekste zyrtare (statute, ligje, rregullore, urdhëresa, vendime etj.), paragrafë të veçantë që nisin me kryerresht dhe mbarojnë me pikë.

Shënim: Në të gjitha rastet e tjera teksti që vjen pas dy pikave, fillon me shkronjë të vogël: Çdo ditë bënim të njëjtat punë: mbushnim ujë, çanim drutë, gatuanim, dhe qëndisnim pajën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora