Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Simbolizmi
E diele, 27.09.2020, 11:01 AM
SIMBOLIZMI
Krijimi
artistik mund të jetë i kapshëm vetëm nga rrethi i zgjedhur dhe elitar i
njohësve, arti ndërkaq nuk mund t’i shërbejë asnjë qëllimi politik, shoqëror
apo moral. Asgjë nuk është më e bukur se ajo që nuk ekziston (parnasistët)
Nga
Xhelal Zejneli
Nocioni simbolizëm
ka domethënie të shumëfishtë – filozofik, linguistik, artistik, letrar. Si
shkollë dhe si drejtim letrar, simbolizmi paraqitet duke filluar nga viti 1880,
ndonëse tendencat simboliste shfaqen që në romantizëm, madje edhe
më herët. Si në teori, ashtu edhe në praktikë, simbolizmi paraqet kryesisht
negacion të realizmit dhe të natyralizmit.
Simptomat e para të rëndësishme “të revolucionit letrar” manifestohen në
shkrimet teorike dhe në poezinë e të ashtuquajturve “dekadentë”.
Fjalën “dekadent”
e përdori i pari poeti francez Teofil Gotje lidhur me poezinë e Sharl
Bodlerit. Gotje ishte edhe tregimtar, kritik letrar, arti dhe
muzike. Me përmbledhjen poetike Émaux et Camées, 1852072) dhe me
shqyrtimet kritike të mëhershme u bë përfaqësues dhe teoricien i larpurpartizmit
(l’art pour l’art – art për art).
Por, për
kundërshtarët e risisë në poezi, kjo fjalë u bë sinonim i negatives.
Për ta përqeshur rrymën e re në letërsi, gazetari Labryer (Labruyère),
më 22.9.1885 botoi në gazetën Le Figaro epigramin: Dekadenti: “Bir i
modernistit / Nip i idealistit / Djalë vëllai i parnasistëve / Në njëfarë mënyre,
kopil i realistëve / Dhe djalë motre i brezit të dymbëdhjetë i romantikut
plak”.
Letërsia e re e
cila shprehte “senzualitet shqetësues”, “pikëllim të thellë” u
manifestua sidomos te grupi i tubuar rreth poetit francez Zhan Moreas.
Ky erdhi në Paris në vitin 1875 për të studiuar drejtësinë. I frekuentonte
kafenetë dhe qarqet letrare të lagjes Latine. Shpejt u imponua si një
prej udhëheqësve të simbolistëve. Përpos Moreasit, në këtë grup bënin
pjesë edhe poetët Rene Zhil
(Ghil), Henri dë Renjie (Régnier), Stuart Merill (Merrill) etj.
Botoi dy manifeste: më 1885 në revistën “XIX” dhe më 1886 në shtojcën letrare
të gazetës “Le Figaro”. Në to i paraqiti parimet e estetikës simboliste. Në
vitin 1886 themeloi revistën “Le symboliste”.
Shënim: në vitet ’20 të
shekullit XX në grupin e simbolistëve bënin pjesë edhe Pol Valeri, Andre
Zhid (Gide) etj.
Letërsia e re u
manifestua edhe në revistën e gazetarit dhe shkrimtarit francez Anatol Bazhy
(Anatol Bajut) “Dekadenti artistik dhe letrar” (Décadent artistique et
littéraire).
Në mënyrën e
jetesës, në idetë për botën dhe artin të heroit De Esent të romancierit
dhe kritikut francez të artit Hyisman (Huysman) vërehet fryma
dekadente e një kohe. Ky dhe bashkëmendimtarët shpirtërorë të tij shfaqnin edhe
ide të filozofit dhe eseistit gjerman Artur Shopenhauer (Schopenhauer)
si dhe konceptet e kompozitorit gjerman Rihard Vagner mbi artin.
Dekadentët krijuan një klimë shpirtërore të re dhe ia përgatitën rrugën simbolizmit.
Por grup i të ashtuquajturve poètes maudits (poetë të nëmur):
Bodleri, Verleni, Rembo me pikëpamjet e tyre teoriko-letrare – me
manifeste dhe me poezi paraqitën disa premisa thelbësore të simbolizmit:
Bodleri – teorinë e
sinestezisë, analogjisë universale, të ngërthyer në poezinë “Korespondenca”
(Correspondances) në të cilën kërkon nga artisti që nëpërmjet vargjeve të
zgjidhë enigmën e “pyllit të simboleve”, të zbulojë analogjitë e thella
nëpërmjet cilave mund të shprehet më së miri thelbi i njerëzve dhe i sendeve.
Autori i “Luleve të së keqes” (Les Fleurs du mal, 1857)
tregoi po ashtu se sa poezia i ka borxh muzikës dhe paralajmëroi “romanin
vagnerian” në prozë.
Verleni me
poezinë-manifest “Arti poetik” (L’Art poétique) tregoi sesi muzika dhe
fjala bashkohen në tingull të ngjyrosur, por i cili ende shfaq një vezullim
emocional të thellë, kuptimi i të cilit mund të ndjehet dhe logjikisht të
perceptohet.
Remboja shkoi më larg:
ishte për alogjizëm, për “shfrenim të shqisave”, për “alkiminë
e fjalëve” e cila do të krijojë “botë të reja dhe lule të reja”.
Por, teorinë parashikuese të tij (voyant) do ta anticipojë në radhë të parë
surrealizmi. Për këtë arsye, shumë më vonë ajo do të lëvdohet, të
vlerësohet dhe do të mbiçmohet shumë.
Malarmeja, duke i
kontrastuar figurat poetike sipas parimeve të kontrapunktit, u përpoq që fjalën
ta shndërrojë në “figurë plastike, në shprehje të ndonjë mendimi, në dridhmë
të ndonjë ndjenje dhe në simbol të ndonjë filozofie”. Malarmeja ngulte
këmbë sidomos për rëndësinë e muzikës
si thelb i vërtetë i poezisë. “Poezia duhet ta marrë nga
muzika të mirën e vet”, është parullë e njohur e tij. Të flasësh, të
analizosh, të përshkruash – kjo nuk është më detyrë e poezisë moderne. Vargjet
duhet të ndikojnë sikur emanacioni muzikor, jo me kuptimin por me
sonoritetin (kumbimin), jo me domethënien por me vibracionet muzikore.
Poezia bëhet lloj
i partiturës muzikore. Simbolizmi i gjendje frymës (e shpirtit), si revolucion
në poezi, në pikëpamje teorike së pari përmblidhet në manifestin e Zhan
Moreasit. Manifesti u botua në revistën letrare “Figaro littéraire”
më 18 shtator 1886. Autori i manifestit përpiqej të dëshmonte se simbolizmi
është një dukuri artistike e domosdoshme, shprehje “e evolucionit ciklik me
ndryshime të caktuara në mënyrë rigoroze”. Sipas Moreasit, paraardhës të
vërtetë të kësaj lëvizjeje duhet konsideruar Bodlerin. Malarmeja simbolizmin
e ndau nga domethënia e misterit
dhe e asaj që nuk mund të shprehet. Verleni u dha fund grindjeve
të ashpra rreth vargjeve “që i kishin zbutur paraprakisht gishtërinjtë
çudibërës të Teodor de Banvilit (Banville)”.
Simbolizmi është novatorizëm
në poezi që sjell me vete stil kompleks, fjalor të pazakonshëm, ritëm “që
ndërrohet kohë pas kohe me ritmin e qetësimeve valëzore, të pleonazmave domethënëse,
të elipseve misterioze, të anakoluteve të papërfunduara (mendime të palidhura)
tejet guximshëm dhe shumë thjesht...”
Poeti dhe
teoricieni i shquar francez i simbolizmit Rene Zhil (Ghil) insiston për
rëndësinë e simbolit i cili duhet të jetë “i vërtetë dhe sugjestiv”.
Poeti amerikan i cili shkroi në gjuhën frënge, Stjuart Meril flet për
raportin midis fjalës dhe muzikës. Sipas tij, poezia që ka vlerë
është vetëm poezia lirike. Ajo është bijë e “fjalës
destruktive dhe e muzikës kreative”.
Që nga Bodleri
deri te Valeri, drejtimi letrar i ri dëshiron të ndeshet me muzikën.
“Ta bëjmë me fjalë atë që Vagneri e bëri me nota”. Te aluzioni
dhe te sugjestioni simbolistët i kanë parë mundësitë më subtile, më
të holla, më delikate që poezia të shndërrohet në muzikë, në formë të
kulluar, e cila maksimalisht do t’i mundësojë poetit t’i shprehë mbresat që
lindin nga vështrimi i vibracioneve më të thella të psikes njerëzore. Sipas Sharl
Morisit, sugjestioni është gjuhë e korrespondencave dhe e
lidhjeve ndërmjet shpirtit dhe natyrës. Ai e shpreh atë që nuk mund të shprehet
dhe që nuk mund të sqarohet. Ai është tingull, jehonë e më intimes; vetëm
ai e ka mundësinë që me disa vija të shprehë lëvizjen e amshueshme; Sugjestioni
është mënyrë polifonike e të shprehurit me fjalë të melodive të shpirtit.
Gjuha e poezisë
simbolike është sugjestive dhe e rëndë për ta kuptuar.
Duke marrë
parasysh ambiciet plotësisht të reja të simbolizmit, teoricienët e tij kujdes
po aq të madh i kushtuan edhe çështjes së gjuhës. Poezia
tradicionale franceze, qëkur e prangosur nga ritmi i fuqishëm i vargut aleksandrin*,
nëpërmjet simbolizmit arrin cilësi të re, lirohet nga njëllojshmëria e
ritmit. Vargu i lirë poezinë tradicionale e çliron nga ligjet
e vjetra të versifikimit (të vargëzimit). Në të vërtetë, qysh Viktor
Hygoi (Hugo) i lëkundi themelet e vargut aleksandrin, por vetëm
simbolistët dëshmuan se çfarë bukurish mund të pasqyrohen me vargun e lirë.
Ky bëhet jo vetëm “formë grafike”, por në radhë të parë “raport i
vetëdijshëm”. Në këtë drejtim, Rene Zhil (Ghil) shkoi edhe më larg.
Në shqyrtimin e tij “Traktat për fjalën” (Traité du Verbe) Zhili u
përpoq të krijojë një poezi instrumentale dinamike. Në këtë rast vargu duhej të
ishte tejet fleksibil (i lakueshëm). E drejta e poetit për të shkruar një varg
dhjetë me rrokje, ndërsa një tjetër me katër, për të ndërruar ritmet për
arritjen e një muzikaliteti sa më të madh dhe për zbulimin e bukurive
platonike, u konsiderua një fitore e madhe ndaj vargut aleksandrin
“fitues” të vjetër. Sipas Zhilit (Ghil), poezia është
liruar nga simetria dhe e ka pranuar rendin e gjallë të simfonisë. Duke u
nisur nga tingëllima e njohur senzuale-ontologjike “Zanoret” (Voyelles)
e Rembosë në të cilën çdo shkronjë ka ngjyrë të caktuar, duke përpunuar
parimin e korrespondencave ndërmjet ngjyrave, tingujve dhe aromave. Pastaj,
duke i studiuar punimet dijetarit
dhe filozofit gjerman Herman fon Helmholc
(Helmholtz) dhe muzikën e Vagnerit (Wagner), Zhili (Ghil) e
krijoi teorinë e vet “të poezisë instrumentale”, në të cilën fjalët
do të ishin nota, në të cilën muzika do të ishte e dukshme, në të
cilën zëri njerëzor do të mbetej “lloj instrumenti të lirë”, “pipëz
me rezonator rezonancash të ndryshme”. Në këtë mënyrë, poeti i
dikurshëm i fjalës do të bëhej poet muzikor, ndërsa krijimi i tij
do të ishte “copë e muzikës sugjestive”, varg dinamik i figurave të
ngjyrosura të cilat do të shprehnin ekzistimin e përhershëm të emocioneve, me
një ritëm imanent për to.
Vargun e lirë e
kanë interpretuar edhe shkrimtari francez Eduar Dyzharden (Edouard
Dujardin), poeti dhe kritiku francez i artit Gystav Kan (Kahn), A.
Rete, A. Mokeli dhe të tjerë.
Gjurmimi i gjuhës
së re dhe ritmeve të reja, për t’u shprehur ajo që s’mund të thuhet, i vuri simbolistët
në një situatë që poezia e tyre të bëhet e paqartë dhe hermetike. Por.
duke qenë se poezia është mister dhe enigmë të cilën duhet zgjidhur, një dozë e
paqartësisë që ngërthen kjo poezi, përkundrazi, ndihmon që ajo të jetë
mistershëm tërheqës. “Në poezi gjithmonë duhet të ketë enigmë dhe pikërisht ky është qëllimi
i letërsisë – s’ka qëllim tjetër, përpos ta evokojë objektin. Sidoqoftë,
simbolistët ku duhet përfshirë edhe Edgar Alan Ponë (Poe) theksonin se
nuk duhet ngatërruar terrin e shprehjes me shprehjen e territ”.
Simbolizmi shpejt
i përfshiu të gjitha degët e artit, që nga muzika deri te skulptura dhe teatri.
Ai u bë, jo vetëm dukuri evropiane, por edhe tej evropiane. Në Belgjikë, në
Rusi, në Amerikë mori forma të ndryshme. Po qe se teoria dhe praktika e
simbolizmit francez, me të drejtë konsiderohen tejet të pasura, po kjo mund të
thuhet edhe për simbolizmin rus në pikëpamjet dhe në poezinë e Blokut,
Bërjusovit, Bjelit (Belyj), Merezhkovskit etj. Sipas Blokut, detyrë
e artistit është “të tregojë dhe jo të dëshmojë”. Simbolizmi është
kërkim dhe zbulim i botëve të reja, shmangie e asaj që është e sipërfaqshme e
dhe vulgare, rrugë drejt ngritjes, vetëthellim apo “biseda të shenjta” me
pafundësinë e qiellit dhe të hapësirës së gjithmbarshme. Por, pas vitit 1905
Bloku do të ketë mendime krejt të reja për shtigjet e poetit dhe të poezisë s
re. Tani Bloku shkruan: “Poeti që shkon rrugës së simbolizmit është organ i
pavetëdijshëm i kujtesës popullore. Rruga martirizuese e simbolizmit është
lëshim në stuhinë e folklorizmit, ku poeti dhe e shenjta përsëri e gjejnë
njëri-tjetrin”. Sipas Bërjusovit, simbolizmi në “fazën e artë” të vet
krijoi edhe stil të ri edhe varg të ri që dalloheshin nga stili e
vargu romantik dhe realist.
Andrej Bjeli duke u nisur nga të vërtetat shkencore të kohës së vet, i entuziazmuar nga
biologjia, nga matematika dhe nga muzika thotë: “Muzika është gur këndi i
konceptimit tonë, në muzikë kuptohet thelbi i lëvizjes.... muzika është skeleti
i poezisë. Po qe se muzika është trung i përbashkët i krijimtarisë, atëherë
poezia është kurora e tij e degëzuar”.
Poeti kroat Tin
Ujeviq thotë: “Simbolizmi bashkëpunoi me Evropën dhe në disa pika
depërtoi mbi truallin e gjuhës frënge dhe jo si një ndikim i thjeshtë, por si
një nevojë e kohës dhe e hapësirës”. Kështu për shembull, simbolizmi
francez ndikoi fuqishëm te simbolistët gjermanë: liriku Stefan Georg,
H.fon Hofmanstal, P. Geradi, Ludvig Klages etj. Simbolistët belgjianë – Rodenbah
dhe Verharen e të tjerë, te simbolizmi francez gjetën si të thuash,
natyrën e dytë të tyren. Teoria dhe praktika e simbolizmit francez ushtroi
ndikim edhe te poetët spanjollë, Azorini, Unamuno, Maçad e të tjerë. Kostis
Palmas është simbolist grek origjinal.
Me plejadën e
përmendur të simbolistëve francezë deh evropianë nuk përfundon as teoria as
praktika e kësaj lëvizjeje moderne. Në figurat e Fransis Zhamit (Jammes),
A. de Renjesë, Pol Valerisë, Klodelit (Claudel) tendencat simboliste marrin
variante dhe interpretime të reja.
Nëpërmjet teorisë
dhe praktikës së poetit belg Moris Meterlink (Maeterlinck), në
eksperimentet dhe në shkrimin e teatrit bashkëkohor ka lënë gjurmë edhe teatri
simbolist. “Neosimbolistët” ose “simbolistët e pabesë” në
radhë të parë vazhduan ta zhvillojnë dhe ta modifikojnë frytin e madh të
simbolizmit vers libre (vargun e lirë). Doktrina për vargun
e lirë që e kristalizoi në vitin 1897 G. Kan (Kahn), vazhdoi të jetë
objekt interesimi të gjallë i atyre të cilët, siç thotë Alber Tibode (Thibaudet),
kanë parë te simbolizmi një revolucion të ri të krejt poezisë moderne. Klodeli
(Claudel) për shembull, thelbin e vargut modern e përfytyron si ritëm vital
specifik, i ngjashëm me rrahjen e zemrës dhe me frymëmarrjen. Vargu i lirë
është emanacion (shprehje) e pastër e unit tonë intern,
kështu që ngjyra dhe tingujt e vargut i përgjigjen muzikës
interne të qenies së poetit. Së këndejmi, poeti duke sugjeruar figura muzikore,
nuk insiston për pamjen sipërfaqësore, por për domethënien e tyre. Njeriun si
pjesë të universit, si qenie shpirtërore të tij, e kuptojmë vetëm atëherë kur
arrijmë t’i njohim korrespondencat e thella të universit. Për dallim nga teoria
e analogjisë universale e Bodlerit, vizioni Klodelit (Claudel)
për raportet e thella të njeriut dhe të kozmosit përshkohet nga ndjenja katolike.
Në parabolën e tij të njohur “Animus et anima”, Klodeli flet për frymën
që “e ka ngulfatur shpirtin”. Poezia duhet t’i ndihmojë njeriut në
konverzionin (kthimin) e tij kah mistika e krishterë. Simbolizmi ndikoi
në mënyrë specifike te Fransis Zham (Jammes),
Pegi (Péguy), Valeri, Zhan Kokto (Cocteau), Zhak Prever dhe
të tjerë. Valeri dallohet sidomos me interpretimin filozofik të simbolizmit dhe
me poezinë e tij neosimboliste e cila u manifestua për herë të
parë te “Parka e re” (La Jeune Parque, 1917).
* * *
Simbolizmi është
tendencë apo drejtim i veçantë në poezinë moderne që paraqitet së pari në
Francë me “Manifestin” e botuar në vitin 1886 në gazetën Figaro të
Parisit. Më 1890 lë gjurmë të dukshme në të gjitha letërsitë evropiane.
Kultivon vlerën e madhe të fjalës si simbol.
Nëpërmjet fjalëve, poeti krijon një realitet të ri poetik, që dallohet nga bota
reale që na rrethon dhe që nuk varet prej saj. Thellohet në botën e fshehtë dhe
simbolike të shprehjes poetike dhe qëndron larg realitetit të përditshëm, nevojave
të drejtpërdrejta të tij. Çfarëdo lidhjeje praktike, racionale, jashtë-poetike
e poezisë me shoqërinë e zbeh, e nënçmon dhe e dobëson forcën e fshehtë dhe
vlerën e poezisë, të artit. Së këndejmi paraqitet nocioni poezi e kulluar
si model dhe qëllim i shumë poetëve të kësaj periudhe.
Simbolizmi është
kundër përshkrimit, mësimit dhe deklamimit dhe vendosmërisht ia mohon artit
qëllimin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me shoqërinë. Arti ndahet nga shoqëria,
ndërsa poeti mbyllet në kullë të fildishtë, është në kundërshti me kohën
dhe me kulturën e vet. Poetët e simbolizmit, si në asnjë periudhë tjetër,
shkaktuan konflikte të ashpra me shoqërinë e vet dhe me konvencionet
(mirësjelljet) shoqërore.
Teorikisht për
herë të parë dhe në mënyrë më të plotë formulohet dukuria e tjetërsimit ose e alienimit
të njeriut në shoqëri. Pas simbolistëve e deri në ditët tona, përfshi edhe
ditët tona, çështja do të ndërlikohet akoma më shumë dhe do të jetë një nga
çështjet më të rënda si për letërsinë ashtu edhe për shoqërinë.
Poezia e kulluar (poésie pure) – Termin poezi e kulluar (poésie
pure) e vuri në përdorim Stefan Malarme. Poezia e kulluar (e
pastër) dëshiron të krijojë gjuhë artistike të spastruar në të cilën secila
fjalë, e sidomos tërë poezia do të kishte forcë kryekëput figurative dhe
emocionale. Për këtë arsye, simbolistët nuk u kushtojnë aq rëndësi mendimeve në
poezi sa zbulimit të bukurisë muzikore dhe figurative të gjuhës; zbulojnë
kënaqësi të reja në harmoninë e tingujve, në renditjen dhe në përputhjen e
fjalëve, në pasurinë e rimës dhe në shumësinë e ritmeve të ndryshme. Poetët i
jepen ndjenjës së vet muzikore dhe asociacioneve. Te fjalët, te lidhjet dhe
ndërlidhjet e fjalëve zbulojnë kënaqësi të panjohura të cilat poetët e më
përparshëm s’kanë mundur as t’i parandiejnë. Pol Verleni thoshte: “Në
radhë të parë muzikë.” Poetët simbolistë, në lirikë dhe në shprehjen lirike
e gjejnë atë fushë në të cilën sonorizmi (tingëllimi) dhe figuracioni i gjuhës së pari do ta
tregojë idealin e tyre të bukurisë, si dhe atë botë që është
kundërpeshë e botës së egër reale. Edhe gjuha poetike e simbolistëve
niset për një rruge të re. Gjuha e përditshme, njësoj si tematika këtu
nuk do të kenë vend. Karakteristika kryesore të simbolizmit janë metaforat e
guximshme, liritë e mëdha në ndërtimin dhe në renditjen e fjalisë, fjalori
poetik i pazakonshëm. Forma kryesore të simbolizmit janë lirika dhe drama
lirike.
Poezia e kulluar është poezi pa kurrfarë elementi “jopoetik”
(narrativ, didaktik, politik). Nuk shpreh ndonjë ide të caktuar, por vepron si
muzikë. Konceptin e poezisë së kulluar e zhvilluan Bodleri, Malarme,
Valeri të cilët e morën prej Edgar Alan Po. Përvoja dhe teoria e
ndërlidhur me të e poezisë së kulluar janë shprehje e parë, historikisht
e rëndësishme, e autonomisë së poezisë, ide e cila më vonë tejkalohet,
por nuk braktiset.
* * *
Zbulohet një rreth
i ri i temave poetike të cilat më parë kanë qenë plotësisht të
panjohura. Në simbolizëm do të mbizotërojnë motivet e vetmisë, e
kënaqësive të natës, e qetësisë, e viseve të vetmuara, e peizazheve të
vjeshtës, të gjitha të përshkuara nga një pikëllim i pashpjegueshëm. Lirika e
simbolizmit merret me njeriun e pazakonshëm dhe të veçuar i cili në botën e
sendeve dhe në natyrë lëviz kryesisht vetë.
Poetët e këtij
drejtimi letrar janë shumë më të rëndësishëm me realizimet e veta artistike
sesa me programin teorik. I zgjeruan dhe i thelluan mjetet e shprehjes të
muzikalitetit: rimën, metrin dhe ritmin, sintaksën dhe pasurinë e
fjalorit.
Me shumë koncepte
teorike dhe me shumë tendenca krijuese, pararendës i simbolistëve ka qenë poeti
amerikan Edgar Alan Po.
Përfaqësues
kryesorë të simbolizmit në letërsinë franceze janë: Pol Verleni
me përmbledhjet “Romanca pa fjalë” (Romances sans paroles, 1874)
dhe “Urtësia” (Sagesse, 1880). Ai mbronte tezën se se arti
duhet të pasqyrojë nuanca, frymën përreth sendeve, gjurmët e jetës së
ikur; Stefan Malarme me antologjinë “Parnasi bashkëkohor” (Le
Parnasse contemporain, 1866). Poezitë e përfshira aty kanë lindur
nën ndikimin e Bodlerit nga i cili e ka marrë edhe temën e ikjes nga
realiteti; me përmbledhjet poetike “Fletët e albumit”, “Disa sonete” dhe
me poemën “Pasditja e një faune” (L’Apres-Midi d’un faune, 1876).
Tendencat e simbolizmit Malarmeja i shprehu në mënyrë më të plotë në gjuhën e
re poetike duke i zbuluar cilësitë e saj që më parë as që kanë mundur të
paramendohen dhe duke caktuar synimin e poezisë së kulluar (poésie pure)
e cila do të duhej të zbulonte realitetin absolut të çliruar nga
ndryshueshmëria dhe vulgariteti i jetës së përditshme.
Në rrethin e
ngushtë të simbolistëve ndodhen Sharl Bodleri (Baudelaire) dhe Artyr
Rembo (Rimbaud).
Në letërsinë gjermane
u krijuan vepra simboliste të çmueshme. Me vëllimet “Himne” (Hymnen, 1890),
“Pelegrinazhe” (Pilgerfahrten, 1891) dhe sidomos me vëllimin “Viti
i shpirtit” (Das Jahr der Seele, 1897) Stefan George theksoi
në tendencat simboliste estetizmin dhe aristokratizmin.
Personazhet e tij janë të veçuar në vise të pazakonshme dhe në mjedis shoqëror
të veçantë i cili nuk ka dhe nuk duhet të ketë çfarëdo lidhjeje me problemet
reale të jetës. Poeti austriak Rainer Maria-Rilke, autor veprash në
prozë, për këtë periudhë është i rëndësishëm me vëllimet poetike “Libër
fotografish” (Buch der Bilder, 1902), “Poezi të reja” (Neu Gedichte, 1907-1908),
“Libri i orëve” (Das Stundenbuch, 1905). Motivet kryesore i
gjen në kujtimet nga fëmijëria dhe në jetën e fshehtë të natyrës dhe të sendeve
të vdekura. Botën e re poetike e zbulon në psiken e njeriut, në botën
misterioze të kafshëve, të dukurive të natyrës, të përmendoreve të vetmuara dhe
të ngrehinave tërheqëse. Rilke e zgjeron teknikën dhe motivet e simbolizmit me
mbresat personale të drejtpërdrejta dhe subjektive, duke lëvizur disi nëpër
shtigjet dhe botën e impresionizmit
letrar.
Përfaqësues të
shquar në letërsinë ruse janë Valerij J. Bërjusov dhe Konstantin
D. Balmont.
* * *
Shënim: Vargu i lirë është rezultat i dëshirës dhe i nevojës poetike të
brendshme që kërkimi i përjetimit të drejtpërdrejtë të varet sa më pak nga
format e jashtme, tradicionale të vargut të lidhur të letërsive të hershme.
Lindi si revoltë kundër formave metrike tradicionale me dëshirën dhe nevojën
për t’i zbuluar mbresat e reja të ritmit te elementet gjuhësore të cilat
më parë nuk janë përdorur në poezi. Këto synime paraqesin një ndihmesë të
konsiderueshme për shkatërrimin e shumë normave në krijimtarinë poetike. Për të
siguruar vendin e vet, vargu i lirë zhvilloi një luftë të gjatë kundër
formave të vjetra dhe të ngurta. Përgatitje të çmuara për vënin e tij në përdorim
hasim te vëllimi poetik “Fije bari” (Leaves of Grass, 1855) të
poetit amerikan Uolt Uitman (Whitman). Prej tij e marrin
simbolistët francezë. Vargun e lirë e kemi edhe te poezitë në prozë të Bodlerit.
Vargu i lirë ndodhet edhe në madrigalin italian, në veprën “Fabula”
(Fables, vëllimi i parë më 1668; i dyti më 1678-79) të La Fontenit (La
Fontaine), në komeditë e Molierit (Molière) etj. Në letërsitë evropiane vargu
i lirë i mirëfilltë shfaqet jo më parë se në shekullin XX. Në Itali e
zbatojnë liriku Gabriele D’Anuncio (D’Annunzio, 1863-1938) dhe futuristët.
Në Gjermani e aplikojnë ekspresionistët. Në Bashkimin Sovjetik futuristët,
ndërsa me sukses më të madh Vladimir Majakovski.
Shënim: Hermetizmi (sipas emrit të alkimistit egjiptian të shekullit III Hermes
Trisegistos; mister; mbyllje) është tendencë në lirikën moderne, por
shpeshherë edhe në format e tjera letrare që ndjenjat dhe përvojat e njeriut të
komunikohen në formë të mbyllur, në kundërshti me format stilistike
tradicionale dhe me mënyrat e kapshme të të kuptuarit. Përfaqësuesit e lirikës
hermetike heqin dorë nga kategoritë sintaksore logjike dhe e përdorin të
shprehurit e lirë e të palidhur që herë-herë bëhet në mënyrë kaotike dhe e
vështirë për t’u kuptuar. karakteristike
është përpjekja që fjala poetike të bëhet ezoterike që të përkujton gongorizmin.
Hermetistët përpiqen të gjejnë shtigje shprehëse të reja. Kur është fjala për
formën e përkryer të krijimit artistik, poeti francez Pol Valeri vuri në
plan të parë rendin e vetëdijshëm, forcën e vullnetit e të mendjes dhe mbi të
gjitha intelektin. rrjedhimisht, poezitë e tij bëhen vështirë të kapshme,
lexohen me vështirësi, ndërsa në aspektin e motivit dhe të temës i kanë
karakteristikat e hermetizmit. Me fjalë të tjera, ato janë në rrethin e
ndërlikuar dhe të mbyllur të motive poetike. Për shembull poema simboliste “Varreza
pranë detit” (Le Cimetière marin). Poeti anglo-amerikan Tamëz
Stërnz Elliët (Eliot) shprehjen poetike të tij e ndërtoi mbi bazat e
simbolizmit, duke e ruajtur karakteristikën themelore të tij – karakterin
simbolik të shprehjes – në të gjitha veprat e veta. Por, zhvilloi edhe mbylljen
e posaçme të figurave poetike të cilat në shikim të parë vështirë mund
të lidhen dhe të përjetohen. Megjithëkëtë, ndërmjet tyre ekziston një lidhje më
e thellë e ndërtuar në botën intelektuale të mbyllur të poetit. Për shembull
poema në pesë pjesë, kryevepra “Vendi i shkretë” (The Waste Land, 1922).
Të dhëna themelore për poetët e sipërthënë:
Alber Tibode (Albert Thibaudet, 1874-1936) eseist dhe kritik letrar francez; historian i
letërsisë; student i Anri Bergonit; autor i veprës “Historia e
letërsisë franceze: prej vitit 1789 deri në ditët tona”; (Histoire de la
littérature française de 1789 à nos jours, 1936; i veprës “Mendime për
letërsinë” (Réflexions sur la littérature, 1938;
Aleksandar Aleksandroviç Blok (1880-1921) lirik, dramaturg dhe eseist rus; përktheu Bajronin
(Byron), Grilparcerin (Grillparzer), Hajnen (Heine), Hamsunin etj.
Anatol Bazhy (Adrien
Joseph Bajut, i quajtur Anatole Baju, 1861-1903) gazetar dhe shkrimtar francez;
Andre Zhid (André Gide, 1869-1951) romancier dhe dramaturg francez, i njohur si
intelektuar i guximshëm dhe i papërmbajtur, përplot mendime të lira dhe dilema
për të cilat shkroi pa nguruar dhe pa rezerva; më 1949 mori çmimin “Nobel”;
Andrej Bjeli (Andrej Belyj, emri i vërtetë Boris Nikolajeviç Bugajev. 1880-1934) poet,
prozator, teoricien rus; njohës i kulturës gjermane; më 1903 kreu studimet e
matematikës; më pas studioi filologjinë; hyri në rrethin e simbolistëve;
Anri Bergon (Henri Louis Bergson, 1859-1941) shkrimtar dhe filozof francez; më 1927
mori çmimin “Nobel” për letërsi;
Artur Rembo (Jean Nicolas Arthur Rimbaud, 20.10.1854 –
10.11.1891) poet francez i njohur për
ndikimin mbi letërsinë dhe artin modern, sidomos mbi surrealizmin;
opusin poetik e realizoi në moshën 16 deri 20 vjeç; shpesh ikte nga shtëpia; njihej si njeri i shfrenuar dhe shpirt i trazuar. Lajmin
për Komunën e Parisit e pret me entuziazëm. Shpesh brohoriste “Rendi u
mund!” Në këtë periudhë bëhet anarkist, fillon të pijë, del i
leckosur, me flokë të gjatë, sillet në mënyrë të pahijshme.
Në
shtator 1871, me ftesë të poetit simbolist eminent, Verlenit prej Sharlvilit Remboja vjen në Paris.
Qëndron ca kohë në shtëpinë e tij. Ndonëse i martuar, Verleni dashurohet tek i
riu sykaltër. Lidhja romantike midis Rembosë dhe Verlenit ka
zgjatur gati dy vjet. Bëjnë një jetë të çrregulluar, përdorin apsing dhe
hashash. Në qarqet letrare të Parisit Rembonë e cilësojnë si enfant
terrible (fëmijë që s’lë dy gurë bashkë; i pashtruar). Në
shtator 1872 dy poetët nisen për në Londër. Verleni lë gruan dhe fëmijën.
Raportet ndërmjet dy poetëve bëhen gjithnjë më të ashpra. Nga Londra, Verleni
vjen në Bruksel. Më 10 korrik 1873, me ftesë të Verlenit Remboja vjen në
Bruksel. Në një zënkë midis tyre, Verleni e qëllon me revole Rembonë në dorë.
Për këtë akt dënohet me dy vjet burg. Prej Londre Rembo kthehet në Sharlvil
(Charleville). E përfundon kryeveprën e vet “Qëndrimi në ferr” (Une Saison
en Enfer) të shkruar në prozë lirike. Është një nga veprat e para që e
manifeston frymën e letërsisë së re simboliste. Këtu e tregon në mënyrë
metaforike lidhjen e tij të çuditshme (drôle de ménage) me Verlenin. Për herë
të fundit Remboja dhe Verleni takohen në vitin 1875 në Shtutgart, pasi lëshohet
nga burgu dhe bëhet katolik. Remboja jepet pas punëve dhe shëtit vende të
ndryshme të botës. Sinovitisi që i shfaqet në gjurin e djathtë i
shndërrohet në tumor kancerogjen. Më 9 maj 1891 kthehet në Francë. Shtrohet në
spitalin e Marsejës ku më 27 maj 1891 i amputohet këmba. Muajt e fundit të
jetës i kalon në Marsejë pranë së motrës Izabelë. Përjeton dhimbje të mëdha.
Vdes më 10 nëntor 1891, në moshën 37-vjeçare.
Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860) filozof dhe eseist
gjerman;
Azorini (emri i vërtetë
Jose Martinez Ruiz, 1873-1967) romancier dhe eseist spanjoll;
Bërjusov (Valerij
Jakovleviç Brjusov, 1873-1924) poet, romancier, dramaturg, kritik rus;
teoricien dhe përfaqësues i simbolizmit rus; përktheu Verlenin (Verlaine),
metrlinkun (Maeterlinck), D’Anuncion (D’Annunzio), Verharenin (Verhaeren),
Uajlldin (Wilde), Bodlerin (Baudelaire) etj.;
Dimitrij Sergejeviç Merezhkovski (Dimitrij Sergeeviç Merežkovskij, 1865-1941) poet,
prozator dhe kritik rus; në letërsinë ruse u paraqit në kohën e estetizmit;
ishte i afërt me simbolistët rusë;
Edgar Alan Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849) lirik dhe tregimtar amerikan; ndikoi fuqishëm
në poezinë evropiane të fundit të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX;
Poezinë “Korbi” (The Raven) dhe poezinë ”Anabel Li” (Annabel
Lee) i përktheu në shqip Fan Noli (1882-1965).
Eduar Dyzharden (Edouard Dujardin, 1861-1849) shkrimtari francez, nxënës
i Malarmesë; Në romanin Dafinat janë prerë” (Les lauriers sont
coupés, 1887) përdor teknikën narrative monologu i brendshëm,
një prej prosedeve moderne kryesore; është ndër të parët që e përdori këtë
teknikë letrare që do ta arrijë kulmin me Marsel Prustin (Marcel Proust,
1871-1922), Xhejmz Xhojsin (James Joyce, 1882-1941), Virxhinia Ulfin (Virginia
Woolf, 1882-1941);
Emil Verharen (Émile Verharen, 1855-1916) poet simbolist dhe dramaturg belg i shprehjes
gjuhësore franceze; opusi i tij mban gjurmët e fin du siècle (fundit
të shekullit);
Fan Stilian Noli (1882-1965) poet, dramaturg, klerik, politikan, përkthyes
veprash letrare, figurë e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, e kulturës, e
jetës fetare dhe politike shqiptare;
Franc Grilparcer (Franz Grillparzer, 1791-1872) dramaturg, lirik,
tregimtar, shkrimtar epigramesh;
Fransis Zham (Francis Jammes, 1868-1938) poet francez;
Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) lirik, romancier dhe dramaturg
italian; e ka quajtur Gjergj Fishtën (1871-1940) “poeti më i madh i
popullit të lavdishëm të Shqipërisë”;
Gystav Kan (Gustav Kahn, 1859-1936) poet dhe kritik francez arti; A. Rete,
A. Mokeli,;
Gjergj Fishta (1871-1940) poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, klerik i lartë; e
kanë quajtur Homeri shqiptar; për lirikat e tij, e kanë quajtur Tirteu
shqiptar;
Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856) poet dhe eseist gjerman me prejardhje çifute;
Henri dë Renje (Henri François Joseph Régnier, 1864-1936) poet dhe romancier francez, me
prejardhje fisnike;
Herman fon Helmholc (Hermann von Helmholtz, emri origjinal Hermann Ludwig
Ferdinand Helmholtz, 1821-1894) shkencëtar dhe filozof gjerman;
Hugo fon Hofmanstal (Hugo von Hoffmannstal, 1874-1929) romancier, poet,
dramaturg, eseist austriak;
Hyisman (Joris-Karl
Huysmans, emri i lindjes Charles Marie George Huysmans, 1848-1907) shkrimtar
dhe kritik francez arti;
Konstantin D. Balmont (1867-1942) poet simbolist rus;
Kostis Palmas (1859-1943) simbolist grek; në poezinë të privuar nga ndikimi grek,
synonte të ringjallë thelbin e neohelenizmit, duke e lidhur Heladën me
traditën popullore dhe erudite të letërsisë bizantine dhe greke të re;
Knut Hamsun (mbiemri i vërtetë Pedersen, 1859-1952) shkrimtar norvegjez pa ndonjë
arsimim formal të madh; dy herë qëndroi në ShBA;
Ludvig Klages (Ludwig Klages, 1872-1956) filozof, psikolog dhe teoricien gjerman;
Maçad poet spanjoll;
Moris Meterlink (Maurice PolydoreMarie Bernard Maeterlinck, 1862-1949)
dramaturg, poet simbolist dhe eseist belg i shprehjes gjuhësore franceze; më
1911 mori çmimin “Nobel”;
Miguel de Unamuno (1864-1936) tregimtar, eseist dhe poet
spanjoll; profesor i gjuhës greke; për idetë e lira, në kohën e diktaturës së
M. Prima de Rivera u përndoq dhe u vendos në Francë;
Oskar Uajlld (Oscar Fingal O’Flahertie Wills Wilde, Dublin,1854 – Paris, 1900)
dramaturg, poet dhe prozator irlandez; studioi në Dublin dhe në Oksford;
P. Geradi, poet francez;
Pol Klodel (Paul Claudel, 1868-1955) poet dhe dramaturg francez; përfaqësues
diplomatik në Japoni, në ShBA, në Belgjikë;
Pol Valeri (Paul Ambroise Toussaint Valery, 1871-19450 poet dhe eseist francez; një
prej përfaqësuesve më të rëndësishëm i hermetizmit* në poezinë
evropiane;
Pol Verlen (Paul Marie Verlaine, 1844-1896) poet dhe eseist francez; Më 1851 vjen në
Paris ku u shkollua dhe u punësua; më 1871 u njoh me Artyr Rembonë dhe nisi një
jetë plot shqetësime; midis tyre kishte një miqësi intime; në
Bruksel, në gjendje të dehur, qëlloi me revole Rembonë; për këtë vuajti dy vjet
burg në Mons; duke mos qenë i aftë për ta zgjidhur konfliktin intim
midis senzualitetit të vet dhe dëshirës për jetë të qetë, më 1874 iu kthye katolicizmit;
Rainer Maria Rilke (1875-1926) poet austriak;
Rene Zhil (Réne Ghil, mbiemri i vërtetë Ghilbert, 1862-1925) poet francez, teoricien
i shquar i simbolizmit;
Rihard Vagner (Wilhelm Richard Wagner, 1813-1883) kompozitor gjerman;
Stefan Georg (Stefan George, 1868-1933) lirik gjerman; përfaqësues i estetizmit
simbolist;
Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) poet francez; punoi si mësues i gjuhës
angleze;
Stjuart Merill (Stuart Fitzrandolph Merill;
Hempstead, Nju-Jork, 1863 – Versajë, 1915) poet amerikan i cili shkroi
në gjuhën frënge; i kontribuoi simbolizmit francez;
Sharl Bodleri (Charles Baudelaire, 1821-1867) lirik francez, kritik letrar dhe kritik
arti, figurë poetike më e rëndësishme e poezisë evropiane moderne;
Sharl Moris (Charles William Morris, 1901-1979) filozof dhe semiotik amerikan;
Sharl Pegi (Charles Péguy, 1873-1914) poet dhe eseist francez;
Tamëz Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965) poet, kritik dhe
dramaturg anglo-amerikan, i shkolluar në Harvard, në Sorbënë dhe në Oksford; në
vitin 1948 iu dha çmimi “Nobel”;
Teodor de Banvil (Theodor Faullain de Banville, 1823-1891) poet dhe
romancier francez, me ndikim mbi simbolizmin;
Teofil Gotje (Théophile Gautier, 1811-1872) poet dhe romancier francez, iu kundërvu klasicizmit;
Tin Ujeviq (August Josip Ujevi? “Tin”, 1891-1953) poet dhe prozator kroat; shkrimin e
kishte profesion; përktheu në kroatisht poetë francezë, amerikanë dhe italianë;
Uolt Uitman (Walt
Whitman, 1819-1892) poet amerikan;
Viktor Hygoi (Victor Hugo, 1802-1885) poet, romancier dhe dramaturg francez, figurë
tejet e shquar e romantizmit francez;
Vladimir Majakovski (1893-1930) poet sovjetik; me entuziazëm të madh e priti
revolucionin e tetorit (1917); përfundoi me vetëvrasje;
Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, 1788-1824) poet anglez i epokës së romantizmit;
Zhan-Batist Molier (Jean-Baptiste Molière, 1622-1673) komediograf francez;
Zhak Prever (Jacques Prévert, 1900-1977) poet francez dhe skenarist filmi;
Zhan dë La Fonten (Jean de La Fontaine, 1621-1695) tregimtar dhe poet
francez;
Zhan Kokto (Jean Cocteau, 1889-1963) poet, dramaturg, romancier dhe autor filmash;
Zhan Moreas (Jean Moréas, Athinë, 1856 – Saint-Mandé, Paris, 1910). Moreasi ishte me
prejardhje greke. Emrin e vërtetë e kishte Ioannis Papadiamantopoulos;
Zhoris-Karl Uisman (1848-1907) romancier dhe kritik francez. Emri i vërtetë
i tij ishte Georges Charles Huysmans. Nga vija e të atit është pasardhës i
piktorëve të famshëm flamanë;
Zhorzh Rodenbah (Georges Raymond Constantin Rodenbach, 1855-1898) poet
simbolist dhe romancier belg.