E hene, 07.10.2024, 08:43 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: William Shakespeare

E shtune, 01.08.2020, 08:06 PM


UILLJËM SHEKSPIRI

Nga Xhelal Zejneli

Uilljëm Shekspiri (William Shakespeare, Stratford-upon-Avon, është pagëzuar më 26.3.1564 – Stratford-upon-Avon, 23.3.1616) është dramaturg dhe poet anglez, aktor teatri dhe regjisor. Përgjithësisht konsiderohet si më i madhi shkrimtar anglez dhe si më famshmi dhe më i shfaquri dramaturg botëror. Veprat i janë përkthyer në të gjitha gjuhët e botës.

Pothuajse për asnjë shkrimtar tjetër nuk dihet aq pak si për Shekspirin. Personaliteti i tij, veprat e të cilit njihen në mbarë botën e arsimuar, sot e kësaj dite është enigmë. Lindi në vitin 1564 në qytezën Stratford të Avonit, në dukën Warwickshire, në të njëjtën kohë kur vdiq në Romë skulptori, piktori, arkitekti dhe poeti italian i epokës së renesancës Mikelanxhelo (Mechelangelo di Lodovico Buonarroti Simoni, 6.3.1475 – 18.2.1564). Prindërit e Shekspirit kishin tetë fëmijë: tre djem dhe pesë vajza. Shekspiri ishte më i madhi prej vëllezërve. U pagëzua më 23 prill 1564, kështu që supozohet se ka lindur më 23 prill 1564. Babai Xhon Shekspir (John Shakespeare) ishte një qytetar i kamur dhe me autoritet, tregtar-zejtar, anëtar i Këshillit komunal. Më 1571 Xhoni u zgjodh prefekt i Stratfordit. Nëna e Shekspirit quhej Meri Shekspir (Mary). Mbiemri i saj i vajzërisë ishte Arden. Shekspiri ndoqi shkollën në qytetin e lindjes. Në shkollë mësoi latinishten, lexoi Ovidin, Ciceronin, Virgjilin, Plautin dhe Terencin.

Shënim: Ovidi (Publius Ovidius Naso, 43 para K. – 18, pas K.) është një prej poetëve më të mëdhenj romakë dhe një prej më të njohurve poetë dashurisë në letërsinë botërore.

Ciceroni (Marcus Tullius Cicero, 106-43 para K.) politikan dhe konsull romak, orator i shquar dhe prozator, i vrarë në konflikte, si ithtar i republikanizmit.

Virgjili (Publius Vergilius Maro, 70-19 para K.) poet i madh romak, bashkëkohës i historianit dhe politikanit romak Jul Cezarit (Gaius Iulius Caesar, 100 – 44 para K.); i Ciceronit; i poetit romak Horacit (Quintus Horatius Flaccus, 65 – 8 para K) dhe i perandorit romak Augustit (Imperator Caesar divi filius Augustus, 23.9.63 para K. – 19.8.14, themelues i Perandorisë Romake dhe i pari perandor i saj);

Plauti (Titus Maccius Plautus, 254-184 para K.) është komediografi më i madh romak;

Terenci (Publius Terentius Afer, Kartagjenë, 195-159 para K.) është komediograf  romak.

*   *  *

Supozohet se Shekspiri e ka ndërprerë shkollimin në vitin 1578, kur punët e të atit e kishin marrë tatëpjetën. Prania në shtëpi e djaloshit 14-vjeçar u pa si e domosdoshme. Që atëherë e deri në moshën 18-vjeçare, për të nuk ka kurrfarë të dhënash të shkruara. Nga data 18 shtator ekziston një dokument që tregon për martesën e Shekspirit me Ann Hathaway nga fshati i afërm Shotery, e cila ishte tetë vjet më e madhe. Si duket, nuk ishte fatlum në martesë, për arsye se shpesh shkruante kundër martesave të hershme. Më 1583 i lindi vajza Susana (Susann), ndërsa më 1585 – binjakët: vajza Judith dhe djali Hamnet. Prej atëherë dhe deri në vitin 1592, për Shekspirin nuk dihet gjë. Në këtë vit për herë të parë përmendet si aktor dhe si dramaturg. Pas vitit 1592 shquhet në Londër si aktor dhe si dramaturg i suksesshëm. Në vitin 1594 është aktor në shoqatën e shquar të aktrimit Lord Chamberlain’s Men, të angazhuar edhe në oborrin e mbretëreshës Elizabeta I (Elizabeth I Tudor, 7.9.1533-24.3.1603).

Shënim: Elizabeta I Tjudor ishte mbretëreshë e Anglisë dhe e Irlandës, prej vitit 1558 derisa vdiq, më 1603.

*   *   *

Më 1596 i vdes djali, Hamneti. Më 1597 bleu në Stratford një pronë të quajtur New Place dhe u bë bashkëpronar i teatrit Globe. Më 1601 i vdes babai. Më 1607 e bija Susana iu martua me mjekun e njohur londinez John Halla. Më 1608 Shekspirit i vdes e ëma. Po atë vit, Shekspiri tërhiqet nga Londra për t’u kthyer në qytetin e lindjes. Më 1612, në një gjykatë të Londrës paraqitet si dëshmitar në një kontest gjyqësor. Po këtë vit, i vdes i vëllai Zhilberti (Gilbert), ndërsa pas një viti, edhe vëllai tjetër, Rikardi (Richard). Po këtë vit, pra më 1612, shkatërrohet nga një zjarr teatri Globe.

Më 1616 iu martua e bija Judith, ndërsa në prill të po atij viti - sipas kalendarit Julian, në të njëjtën datë kur edhe lindi - Shekspiri vdes. Vdiq në moshën 52-vjeçare në Stratford të Avonit. U varros në kishën e Shën Trinit (Holy Trinity) në afërsi të oltarit.

Në vitin 1623, mbi varrin e Bardit të Avonit (Bard of Avon) u vendos busti përkujtimor me mbishkrimin latin:

Ivdicio pylium, genio socratem, arte maronem, terra tegit, populus maeret, olympus habet

(Për nga mençuria Nestor, për nga gjenialiteti Sokrat, për nga arti Virgjil. Dheu të mbulon, populli të vajton, Olimpi e ka).

Gruaja e Shekspirit, Ana (Anne) vdiq në vitin 1623, shtat vjet pas vdekjes së tij. Po atë vit, pa dritën në Londër botimi i parë i të gjitha veprave të Shekspirit. Pasardhësja e fundit e drejtpërdrejtë e Shekspirit, mbesa Elzabeta (Elizabeth), bijë e Suzanës dhe e Dr. Xhon Hallit, vdes në vitin 1670. Me vdekjen e saj, fisi i Shekspirit u shua.

Disa vepra Shekspiri ia ka dedikuar një të riu biond për të cilin është thënë se i ngjaka LaurësPetrarkës (Francesco Petrarca, 1304-1374). Për këtë arsye, disa biografë kanë folur për homoseksualizmin e Shekspirit. Këta që mendojnë kështu, thonë se epoka e renesancës kur ka jetuar Shekspiri, paskësh qenë epokë e eksperimentimeve. Kjo e dhënë nuk është dëshmuar me asnjë të dhënë.

*   *   *

Shekspiri është dramaturgu më i madh dhe personaliteti qendror i dramaturgjisë botërore. Në jetën teatrore të Londrës merr pjesë: si dramaturg, si anëtar dhe si aksionar i shoqatës së artistëve. Thuhet se ka marrë pjesë edhe si aktor.

Një pjesë e veprave të tij u shfaqën sa qe gjallë. Më pak se gjysma e veprave të përgjithshme të tij (botimi-kuarto), iu botuan derisa ishte gjallë. Në vitin 1623, d.m.th. pas vdekjes së poetit, doli vëllimi i parë i dramave të tij, që quhet botimi-folio. Më vonë u shtrua çështja e kronologjisë së opusit të madh të autorit si dhe çështja e autorësisë.

Të dhënat për jetën e Shekspirit janë të pakta. Sipas disa studiuesve, në moshën 13-vjeçare ai e ndërpret shkollimin. Studiuesit kanë shtruar pyetjen: Si është e mundur të ketë krijuar vepra me vlera universale, një njeri i cili e ka ndërprerë shkollimin në moshën 13 apo 14-vjeçare?! Këta studiues e kanë vënë në dyshim autorësinë e Shekspirit për veprat që  njihen si të tij.

Shkrimtari gjerman Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) thotë: “Vepra letrare është krijim i gjeniut, ndaj nuk duhet dyshuar në autorësinë e Shekspirit për veprat e veta, ngase ai ishte gjeni”.

Shënim: Disa studiues kanë vënë në dyshim edhe ekzistimin e Homerit (shekulli VIII para K.) apo autorësinë e tij ndaj epëve “Iliada” dhe “Odiseja”. Rrjedhimisht, u krijua ajo që quhet “çështje homerike” që fillon me shekullin III para K. e që vazhdon deri në ditët tona. Të parët që u morën me “çështjen homerike” ishin gramatikanët aleksandrinë.

*   *   *

Shekspiri ka shkruar 36 drama, dy poema narrative dhe përmbledhje tingëllimash (sonetesh). Dramaturgët, sipas praktikës teatrore të asaj kohe, tekstet e veta ua shitnin shoqatave teatrore, si dorëshkrime. Për këtë arsye, kronologjia e viteve të krijimit të veprave letrare të Shekspirit, nuk është përcaktuar saktësisht.

Botimi i parë i shtypur i dramave të përmbledhura të Shekspirit, me gjithsej 35 tituj prej 36 sish, i ashtuquajturi botim i parë folio (First Folio), u shfaq në vitin 1623, d.m.th. pas vdekjes së autorit. Pas shumë kundërthëniesh, për përcaktimin e datave, sidomos të dramave të krijuara midis viteve 1585-1601 dhe 1605-1607, përfshi edhe ato të krijuara pas vitit 1609, është arritur një unitet mendimesh.

Mosmarrëveshje të konsiderueshme shkakton edhe sot klasifikimi i opusit dramatik të tij, sipas zhanreve. Shumë drama të tij kanë një shtresim strukturor të theksuar dhe specifik si dhe polivalencë ideore e tematike. Për këtë arsye, ndarja e ngulitur në komedi, në drama historike, në tragjedi dhe në romanca, ka sjellë më shumë ngatërresa se dobi. Mosmarrëveshjet rreth klasifikimit rezultojnë kryesisht prej supozimeve të trashëguara mbi burimet letrare dhe kulturore të dramaturgjisë së Shekspirit, e cila me modelin klasik aristotelian pak ka të përbashkët, madje kur është fjala edhe për tragjeditë më të famshme të tij.

Teatri shekspirian i renesancës së vonshme ushqehet nga shumë tradita të tjera letrare, teatrore dhe kulturore, sikundër janë traditat antike, mesjetare dhe të renesancës, duke përfshirë edhe komedinë romakePlautit dhe të Plutarkut, tragjedinë teatrale të retorizuar dhe sensacionale e të vrazhdët të Senekës, mirakulat (dramat kishtare) dhe moralizimet mesjetare me frymëzim religjioz, të cilat deri në shekullin XVI flasin qartas për gjurmët e shkrirjes së elementeve komike dhe farsës, me temën e madhërishme.

Shënim: Seneka (Lucius Annaeus Seneca, Kordovë, rreth viti 4 – Romë, 64) është filozof, tragjediograf dhe satirik romak; Plauti (Titus Maccius Plautus, midis 254 dhe 251 – 184 para K.) është komediografi më i madh romak; Plutarku (Plutarkhos, 46 – pas viti 120) është shkrimtar grek. Studioi filozofinë në Akademinë e Platonit. Qëndroi disa herë në Romë në shërbimin diplomatik të qytetit të vet. Me ligjëratat nga etika dhe për bindjet politike romanofile, fitoi mbështetjen e perandorëve Trajanit dhe të Hadrianit. Për punën e bërë, u pranua në kolegjin e klerikëve të delfit.

*  *   *

Shënim: Trajani (Marcus Ulpius Traiaus, Italica, Spanjë, 18.9.53 – Selinus, 8.8. 117) është perandor romak; mbretëroi prej 27.1.98 deri më 8.8.117; Hadriani (Publius Aelius Hadrianus Augustus, lindi në Hispania Baetica, 24.1.76 – vdiq në Baieae, Itali, 10.7.138), është perandor romak i cili mbretëroi në vitet 117-138.

*  *   *

Shekspiri hoqi dorë nga parimi klasik i tri njësive. Kështu veproi edhe në tragjedinë më të famshme të tij, “Hamleti”. Dramat e tij kanë një thurje të shumëfishtë. Në to tragjikja dhe komikja, fantastikja dhe realja gërshetohen. Me lojërat gjuhësore virtuoze, dramat bëhen më të ndërlikuara. Të gjitha këto duhet kuptuar si zgjedhje poetike e qëllimshme që përputhet me pikëpamjet dhe me preokupimet tematike të autorit.

Shekspiri krijoi në kohën e ndryshimit të theksuar të koncepteve, që karakterizohet me dilemat etike dhe njohëse. Në poetikën dramaturgjike të Shekspirit të periudhës post-renesancës, të manirizmit dhe barokut, gjendja e tillë pasqyrohet në prosedetë ingjenioze të kundërvënies dhe të amalgamave të çuditshme të konvencioneve të largëta stilistike, tematike dhe të zhanrit, me synimin e rishqyrtimit të sistemeve të trashëguara të vlerave dhe të hierarkive absolute të tyre. Në drama, kjo rezultoi me një polifoni të veçantë, me studimin policentrik të vlerave dhe me shumësinë kuptimore.

Në veprat e tij, të vështruara në këtë mënyrë, vërehet qartas konsekuenca e preokupimeve ideore dhe tematike të autorit. Njëherazi, të paktën pjesërisht, sqarohet sekreti: Përse veprat e tij janë tërheqëse dhe interpretohen pareshtur në përmasa universale?!

Veprat e para dramatike të Shekspirit, siç janë komedia “Zemërakja e zbutur” dhe “Mundim i kotë dashurie”, drama historike nga jeta e mbretërve anglezë siç është pjesa e parë e “Henriku VI” dhe “Rikardi III” apo tragjedia e famshme më e hershme e autorit “Rome dhe Zhylieta”, edhe pse mbështetjen në konvencionet e asaj kohe, dëshmojnë qartë për temat mbizotëruese të autorit dhe për problematikën, të cilën, me lidhje më të ndërlikuara dhe më të pavarura do ta zhvillojë në veprat e veta më të rëndësishme.

“Zemëraken e zbutur” dhe në “Mundim i kotë dashurie” kemi një kritikë të butë plot humor të dobësive njerëzore, të lidhur ngushtë me shkaqet e çrregullimit të rendit shoqëror dhe me mundësitë e rimëkëmbjes së fisnikëruar të tij.

Të ashtuquajturat “komedi të arta”, si për shembull “Shumë zhurmë për asgjë”, “Tre mbretërve” dhe më e mira prej tyre “Ëndrra e një nate vere” temën e vijuese e zhvillojnë shkëlqyeshëm, duke sjellë mjedise imagjinare krahasuese, kryesisht pastorale, si vende të zgjidhjes së konflikteve të shkaktuara nga pengesat, siç janë normat shoqërore rigoroze dhe rrethanat e paparashikuara me të cilat ballafaqohen të rinjtë e dashuruar.

Dramat historike të hershme paralajmërojnë problematikën e posedimit ligjor dhe të përvetësimit kundërligjor të pushtetit, me pasoja afatgjata të shpërdorimit të pushtetit për fatin e kombit dhe të shtetit.

Shekspiri i tha Evropës: “Vdekjen do t’ua sjell në skenë”! E kumtuar shkallë-shkallë, kjo problematikë mbetet përherë në qendër të interesimit të Shekspirit, duke i formësuar mjediset e dramave në të ashtuquajturat komedi të errëta, siç është “Troila dhe Kresida” si dhe në tragjeditë e tij kryesore: “Hamleti”, “Otello”, “Mbreti Lir” dhe “Makbethi”.

Shënim: Disa nga tragjeditë kryesore të Shekspirit i shqipëroi Fan Noli (Theofan Stlian Noli, 1882-1965): “Otello”, botuar më 1916, ndërsa “Makbethi”, “Hamleti” dhe Jul Qesari” u botuan në Bruksel në vitin 1926.

*   *   *

Në to, duke theksuar në veçanti, për shkak të subtilitetit, karakterizimin psikologjik të personazheve të dramave, Shekspiri përqendrohet në pasqyrimin e rrënimit tragjik të  shoqërisë dhe të njeriut, të shkaktuar nga dobësia e karakterit të individit të pushtetshëm: Pavendosmëria e hiperintelektualizuar e Hamletit, xhelozia irracionale e Otellos, sundimi arbitrar dhe pakujdesia e Lirit, ambicia e tepruar e Makbethit.

Në të njëjtën kohë, për shkak të shtresimit të strukturës formale dhe tematike, të ndërlidhur me virtuozitetin gjuhësor të pakapërcyeshëm, këto tragjedi janë studime të mirëfillta të karakterit, të moralit dhe të sjelljes njerëzore.

Dramat e vonshme të Shekspirit, të ashtuquajturat romanca, më e famshme ndër të cilat është “Stuhia”, për dallim nga dramat paraprake, paraqesin kthesë zhanri (p. sh. prania e karakterit të mbinatyrshëm, karakterizimi bardhë - e zi më i theksuar, zgjidhjet melodramatike të hareshme etj.). Në to ende vërehet preokupimi i thellë i autorit me shkaqet e konfliktit shoqëror dhe koncepti shekullar për pandryshueshmërinë e natyrës njerëzore të brishtë.

Përmbledhja me 154 tingëllima, “Tingëllima”, (1609) është shpallur poezi dashurie më madhështore dhe më misterioze e letërsisë botërore. Duke përdorur formën lirike të ngulitur të tingëllimës dhe duke i ndryshuar konvencionet e saj, Shekspiri arrin po atë shumësi kuptimore pregnante (të ngjeshur mirë) dhe konkretësinë që buron nga përvoja, me të cilën karakterizohen edhe dramat e famshme të tij.

*   *   *

Skena teatrore në kohën e Shekspirit ka qenë tejet e varfër. Dekori nuk ka qenë realist, por vetëm ka aluduar apo ka simbolizuar një mjedis të caktuar. Kjo rrethanë ka ndikuar dukshëm edhe në krijimtarinë e Shekspirit, për arsye se më tepër është theksuar dialogu dhe konflikti dramatik.

Krijimtaria letrare - Shekspiri e filloi veprimtarinë letrare të vet me të ashtuquajturat drama mbretërore, me përmbajtje nga historia angleze. Tetralogjia e parë përbëhet nga: “Henriku VI” në tri pjesë; “Rikardi III”; “Rikardi II”; “Henriku IV”; “Henriku V.

Drama nga historia angleze janë: “Mbreti Gjon” dhe “Henriku VIII”.

Temat nga historia romake shtjellohen në tragjeditë: “Tit Androniku”; “Jul Cezari”; “Antoni dhe Kleopatra” dhe “Koriolani”.

Tragjeditë më të njohura, njëherazi janë edhe veprat më të fuqishme të Shekspirit: “Hamleti”; “Otello”; “Mbreti Lir”; “Makbethi”.

Drama “Tregtari i Venedikut”.

Komeditë: “Gratë e hareshme të Vindsorskut”; “Komedia e lajthitjeve”; “Zemërakja e zbutur”; “Ëndrra e një nate vere”; “Shumë zhurmë për asgjë”; “Veproni si të doni”; “Tre mbretërve” apo “Si të doni”; “Troilo dhe Kresida”; “Veprën e zbukuron fundi”; “Masë për masën” etj.

Përmbledhja “Tingëllima”, një prej më të bukurave të letërsisë angleze dhe botërore.

Shekspiri ka shkruar një numër të madh veprash. Autorësia e çdo drame që thuhet se është i tij, nuk mund të përcaktohet në mënyrë të sigurt. Supozohet se ka shkruar 34 drama, 154 tingëllima dhe disa poezi. Krijimtaria e tij ndahet në disa kategori:

- dramat e hershme, kryesisht komeditë dhe dramat me përmbajtje nga e kaluara angleze dhe antike, si dhe përpjekjet e para për krijimin e tragjedive;

- koha e pjekurisë ku bëjnë pjesë tragjeditë e mëdha;

- periudha e vonshme e krijimtarisë, ku bëjnë pjesë “komeditë e errëta” apo dramat  problemore dhe “romancat”.

Përpos opusit dramatik, Shekspiri është edhe autor poemash apo poezish. Përmbledhja e tij me poezi dashurie konsiderohet si më e mira në letërsinë angleze dhe botërore.

Dramat e hershme – Karakteristikë e krijimtarisë së hershme të Shekspirit janë: humori ngacmues i epokës renesancës, shpeshherë i thurur me paturpësitë e shfaqura në farsat mesjetare, që është veti kryesore e komedive; gjuha e pasur në të cilën retorika e lartë përzihet  me shprehjet vulgare, përqendrimi në temën e pushtetit dhe të makinacioneve politike (dramat historike) ose në ngatërresat që shfaqen në dashuri dhe në zgjidhjen e tyre (komeditë).

Shekspiri ka krijuar qindra fjalë. Krejt opusi i tij ka rreth 30.000 fjalë të ndryshme, ndërsa opusi i dramaturgut francez Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699) ka rreth 4.000 fjalë.

Në këtë periudhë që zgjatë përafërsisht deri në vitin 1600, Shekspiri realizoi disa nga dramat që për publikun ishin më të adhuruara, si: “Romeo dhe Zhylieta”, burleskë që shndërrohet në tragjedi, tejet e popullarizuar për shkak të motivit të dashnorëve adoleshentë të pafat; “Tregtari i Venedikut”, pjesë hibride në të cilën autori oscilon ndërmjet pasqyrimit karikues të fajdexhiut çifut dhe dimensionit tragjik që e merr gjatë veprimit tregtari i Venedikut Shylock, përkundër vullnetit të shkrimtarit; “Henriku IV” në të cilën ka paraqitur njërin nga personazhet e paharruara të letërsisë botërore, vitalistin tokësor dhe realist Falstaff. Ky ishte njeri me shpirt dhe mençuri shndritëse, mishërim i vërtetë i begatisë së jetës në kohën e renesancës; “Rikardi III”, paraardhës i tragjedive të mëdha, hero-kriminel apo antihero që fascinon me bravurat politike makiaveliste dhe personale.

Në këtë periudhë, shkrimtari i vuri bazat e tragjedive të veta të mëdha, ndërsa me harenë, vitalitetin e erosit joshës dhe kënaqësinë himnizuese në të cilën ngre lart rininë, shëndetin dhe lirinë, krijoi komedi renesance me vlera të përhershme.

Periudha e pjekurisë – Në kapërcyell të shekullit XVII fillon “periudha tragjike” e krijimtarisë së Shekspirit. Duke i përthithur dhe duke i tejkaluar ndikimet fillestare të veta, poetin anglez Xhefri Çauçër (Geoffrey Chaucer, 1340 - 25.10.1400) dhe dramaturgun anglez, i cili vdiq dhunshëm Kristofer Marlo (Christopher Marlowe, 1564-1593), Shekspiri solli realizime unike me të cilat e rilindi letërsinë evropiane dhe botërore, efektet e të cilave i panë vetëm brezat e ardhshëm.

Duke qenë se dramat e ardhshme paraqesin disi lindjen shpirtërore të njeriut modern të Perëndimit, duhet parë konceptin e autorit për botën që shkëlqen nëpër ato vepra. Për aftësinë e tij, gati të mbinatyrshme për të krijuar personalitete me aurë tragjike për të cilat mund të thuhet se janë “më të mëdha se jeta”; për prirjen për të pasqyruar gjendje të disociacionit psikik; për prirjen për të paraqitur ndarjet, obsesionin dhe pasionet e shfrenuara, që nga xhelozia deri në makutërinë për pushtet; për përqendrimin në kozmosin njerëzor pa interpretime teologjike dhe spiritualë - gjeniu i Shekspirit shpesh është karakterizuar si neopaganik dhe kuazishamanik.  E tërë kjo flet për botëkuptimin shekullar të fuqishëm dhe antidogmatik të natyrës së shkrimtarit.

Shënim: Shamanizmi është formë spiritiste-magjike e religjionit te disa popuj primitiv.

Por, leximi i mëvonshëm i dramave të tij si dhe zbulimet nga biografia e Bardit, që janë grumbulluar në më shumë se 100 vitet e fundit, nuk lënë vend për të dyshuar se Shekspiri ka qenë katolik, madje jo vetëm formalisht, ndonëse jo edhe dramaturg katolik. Shpirti i babait të Hamletit në purgator, sakramenti i martesës, referencat subtile të ikonografisë së kulturës katolike që shtrihen nëpër tërë opusin e Shekspirit - e bën të ndërlikuar veprën e tij.

Shekspiri ka absorbuar edhe skepticizmin edhe prometeizmin edhe humanizmin e antikës së rilindur. Ka absorbuar edhe motivet mesjetare të vjetrimit dhe të neverisë së korporealitetit, si dhe ekspresionin e intensifikuar të manirizmit, që paralajmëroi një periudhë të re dilemash dhe rishqyrtimesh.

Origjinaliteti i Shekspirit qëndron në radhë të parë në llojllojshmërinë e invencionit të tij: askush para tij nuk e ka bërë paraqitjen aq fascinuese të individualizmit, as që ka dhënë pasqyrën më bindëse të unit të ndryshueshëm dhe në rritje; askush nuk ka dhënë një numër aq të madh skenash të paharrueshme të seksualitetit dhe të dashurisë, të pasioneve që qarkullojnë në bazën e shoqërisë njerëzore, të familjes; askush nuk i ka paraqitur parathënësit e nihilizmit, siç janë: Edmundi te “Mbreti Lir”, Jago në “Otello” dhe personazhi më karizmatik i letërsisë botërore, Hamleti.

Tema qendrore të Shekspirit, përpos këtyre që u theksuan, janë: forca shkatërruese e kohës; qëndrimi ambivalent ndaj dashurisë fizike dhe seksualitetit, që shtrihet prej lartësimit deri në mohimin total; verbimi dhe vetëmashtrimi si veti thelbësore e jetës njerëzore; mungesa e Zotit apo e çfarëdo parimi transcendental në “theatrum mundi” të tij; paqëndrueshmëria dhe zhgënjimi, si i fatit ashtu edhe i njerëzve – ndaj të tjerëve dhe vetvetes.

Origjinaliteti më i madh i Shekspirit qëndron në zbulimin e mutabilitetit (ndryshueshmërisë) të individualitetit njerëzore si dhe në apoteozën e misterit që është strofull e fshehur e ekzistencës njerëzore. Personazhet e tij nuk mund të analizohen nga këndvështrime  psikologjike dhe sociale, as të shpjegohen me interpretime teologjike apo spiritiste. Duke qëndruar deri në fund poet dhe jo analizues apo filozof, Shekspiri mbetet mitograf universal i shqetësimit të përhershëm të fatit njerëzor që nuk mund të përfshihet në asnjë shabllon.

Ndër tragjeditë e mëdha dallohen: “Hamleti”, vepër të cilën e ka përmirësuar disa herë. Me paraqitjen e intelektualit si një hero karizmatik, me morinë e temave në tekst dhe në nëntekst, kjo vepër përbën një prej bazave të kulturës shpirtërore të Perëndimit; “Otello” në të cilën luftëtarin xheloz të përmasave heroike e ka verbuar Sotona, i personifikuar si Jago; “Antoni dhe Kleopatra”, me arketipin e gruas fatale Kleopatrës, e cila ia ka shkuar modelit të vet historik; “Makbethi” në të cilin mbizotërojnë heroi-kriminel, mbreti Makbeth dhe gruaja e tij edhe më e paharrueshme, zonja Makbeth (lady Macbeth); “Mbreti Lir”, vepër me tendosje të skajshme, për të cilën është thënë se me disa vepra të tjera të korpusit perëndimor, që nga Platoni e Bibla deri te Dostojevski e Prusti, shpall botërisht fillimin dhe fundin e karakterit dhe të fatit njerëzor.

periudhën e vonshme të krijimtarisë, bashkë me majat tragjike të sipërthëna, bëjnë pjesë edhe të ashtuquajturat komedi të errëta apo dramat problemore (“problem plays”). Midis tyre dallohen “Troilo dhe Kresida” dhe “Masë për masën”. Në këto drama nuk ka katarzë tragjike, as personazhe të mëdha, të paharrueshme. Toni mbizotërues është cinizmi dhe neveria nga luhatja dhe poshtërsia njerëzore, nga format trupore të ekzistimit, nga makinacionet politike dhe nga kompromiset në jetën shoqërore në përgjithësi. Plot ironi therëse, këto drama në njëfarë mënyre janë pararendëse e vizurës ekzistencialiste që mbizotëroi në shekullin XX.

Opusin e dramave të veta, Shekspiri e përfundoi në frymën e qetësimit. Dramat e tij të fundit “Cimbelin”, “Tregim dimri” dhe “Stuhia” janë vlerësuar në mënyra të ndryshme. Duhet thënë se, në pikëpamje kronologjike, drama të fundit të tij janë “Henriku VII” dhe “Dy fisnikët”. Por, sipas studiuesve këto s’janë veçse arnime në të cilat Shekspiri është vetëm një prej autorëve. Rëndom, si vepra të fundit të tij merren “romancat” e vonshme. Në këto drama, të quajtura romanca (që nuk ka lidhje me kuptimin shqip të këtij termi), flitet për botën e fantazmave të banuar nga shpirtrat dhe ku ndodhin ngjarje të pazakonshme. Thurjet dhe konfliktet, potencialisht të natyrës tragjike, zgjidhen në mënyrë të çuditshme dhe përrallore. Personazhet nuk kanë dimension realist. Më tepër u ngjajnë personazheve të përrallave dhe të rrëfenjave popullore.

Fundi i krijimtarisë së Shekspirit është interpretuar në mënyra të ndryshme: sipas disa studiuesve, autori është rezignuar dhe e ka shterur energjinë krijuese, ndaj përdor zgjidhje të lehta dhe happyend-in e formës përrallore. Nuk i ka mbetur forcë për t’u ballafaquar me realitetin jetësor. Sipas studiuesve të tjerë, romancat (dramat) e tij të fundit flasin për një urti, të shprehur në të perënduar të jetës. Edhe pse Shekspiri vdiq në moshën 52-vjeçare, duket sikur është ngirë prej çdo gjëje, ndaj tani ka nevojë të prehet. Në veprat e mëvonshme këtë e ka shprehur shumë herë. Me fjalë të tjera, pas një pune të rrëmbyeshme dhe të pafrenueshme, pas komikes dhe optimizmit të veprave të hershme, pasoi periudha e vështirë e tragjikes në të cilën shkrimtari eci buzë greminës së çmendurisë (tragjeditë e mëdha). Krahas tyre apo disi më vonë, vijnë pjesët problemore neveritëse ironike kundër-ekzistencialiste. Kjo do t’i ndihmojë që fundin e jetës ta pretë në raporte pajtim dhe faljeje, në pasqyrimin vizionar të jetës si një ëndërr (vargjet e famshme nga “Stuhia”).

Sidoqoftë, dramat e fundit të shkrimtarit kanë mbetur përgjithmonë në kujtesën e publikut, duke ia përcaktuar letërsisë angleze dhe amerikane, edhe bazat e traditës së veprave përrallore- surreale.

Ndikimet – Shekspiri është një prej shkrimtarëve botërorë imagjinativ më të mëdhenj. Është autor që bën pjesë në elitën më të ngushtë të shkrimtarëve më të shquar. Ai nuk është vetëm autor i një elite të ngushtë dhe të arsimuar. Mbase është më i popullarizuari shkrimtar botëror. Veprat e tij paraqesin kthesë në teatrot e botës. Ato kanë bërë jehonë të madhe edhe në arte të tjera: në muzikë, në artin figurativ dhe në film. Bardi i Avonit ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në letërsinë botërore. Mbase edhe më tej do të gëzojë popullaritet dhe simpati, si te publiku laik, ashtu edhe ndër ekspertë dhe ndër shkrimtarë, për arsye se:

- koncepti i tij mbi jetën dhe shpirti i lirë nuk janë të prangosur nga dogmat e kohës;

- të pasqyruarit e llojllojshëm të përjetimeve njerëzore shtrihen prej tragjedisë deri në komedi, prej pesimizmit deri në optimizëm, prej ekzistencializmit natyralist deri në romancën vizionare të fantazisë.

Veprat

Tragjeditë: Romeo dhe Xhulieta (Romeo and Juliet, 1593), Tit Androniku (Titus Andronicus, 1594), Jul Cezari (Julius Caesar, 1599), Troilo dhe Kresida (Troilus and Cressida, 1601-1602), Hamleti (Hamlet, 1602), Otello (Othello, 1604), Mbreti Lir (King Lear, 1605), Makbethi (Macbeth, 1606), Antoni dhe Kleopatra (Antony and Cleoptra, 1607), Koriolani (Coriolanus, 1608), Timoni i Athinës (Timon of Athens, 1608, Cimbelin (Cymbeline, 1610).

Komeditë: Mundim i kotë dashuri (Love’s Labour’s Lost, 1590), Dy fisnikë nga Verona (The Two Gentlemen of Verona, 1591), Komedi lajthitjesh (The Comedy of Errors, 1593-1594), Ëndrra e një nate vere (A Midsummer Night’s Dream, 1594), Tregtari i Venedikut (The Merchant of Venecie, 1595), Zemërakja e zbutur (The tamina of the Shrew, 1596), Shumë zhurmë për asgjë (Much Ado About Nothing, 1599), Gra të hareshme (The Merry Wives of Windsor, 1599), Tre mbretërve apo si të doni (Twelfth Night, or What You Will, 1599-1600), Si t’ju vijë më mirë (As You Like It, 1600), Çdo gjë është mirë kur përfundon irë (All’s Well That Ends Well, 1602-1604), Masë për masën (Measure for measure, 1604), Perikli (Pericles, Prince of Tyre, 1608), Rrëfim dimri (The Winter’s Tale, 1610), Stuhia (The tempest, 1611), Dy kushërinj fisnikë (Two Noble Kinsmen, 1634).

Dramat historike: Henriku VI (Henry VI, 1591), Rikardi III (Richard III, 1593), Tikardi II (Richard II, 1594), Mbreti Gjon (King John, 1594), Henriku IV (Henry IV, 1596-1597), Henriku V (Henry V, 1599), Henriku VIII (Henry VIII, 1612).

Poezitë: Venera dhe Adonisi (Venus and Adonis, 1593), Përdhunimi i Likrecies (The Rape of Lucrece, 1594), Pelegrini i pasionuar (The Passionate Pilgrim, 1599), Feniksi dhe breshka (The Phoenix and the Turtle, 1601), Vërejtja e dashnorit (A Lover’s Complaint, 1609), Tingëllima (Shakespeare’s Sonnets, 1609).



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora