E merkure, 06.11.2024, 10:07 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Gabriel Garcia Marquez

E enjte, 14.05.2020, 03:43 PM


GABRIEL GARSIA MARKEZ

Në sytë e botës ndoshta nuk je veçse një person, por në sytë e një personi je një botë e tërë. (Markez)

Ta shtrijmë urrejtjen tonë mbi akull, le të rrëzëllejë një diell i fortë, le ta shkrijë atë shtresë akulli, bashkë me të edhe urrejtjen tone. (Markez)

Nga Xhelal Zejneli

Gabriel Garsia Markezi (Gabriel José de la Concordia Garcia Márquez, 6.3.1927 – 17.4.2014) është shkrimtar kolumbian. Njihet me nofkën Gabo. Ishte më i madhi i njëmbëdhjetë fëmijëve të prindërve të tij. Kishte vëllezër dhe motra. Babai i tij kishte edhe fëmijë jashtëmartesorë. Para se t’u jepej shkrimeve, ishte gazetar, botues dhe veprimtar politik. Lindi në qytetin bregdetar Arakataka (Aracataca) të rajonit Magdalena të Kolumbisë veriore. U rrit te gjyshi dhe te gjyshja nga vija e së ëmës. Gjyshi quhej Nicolas Ricardo Marquez Mejla. Ai kishte qenë kolonel, veteran liberal, një nga themeluesit e qytetit Arakataka dhe kundërshtar i rreptë i të gjitha formave të tiranisë. Detajet e fëmijërisë së vet Markezit i qëndisi edhe në librat e tij. Gjyshi kishte një vajzë jashtëmartesore. Kishte marrë pjesë në beteja dhe në dyluftime. Gabos së vogël fjalët ia mësonte nga fjalori. Ia kishte treguar edhe akullin. Gjyshja quhej Trankilina Iguaran Kotes (Tranquilina Iguaras Cotes). Si supersticioze që ishte, i fliste nipit për shpirtrat, për parandjenjat dhe për shenjat e fatit. I fliste për botën e shpirtrave, fare e qetë dhe me bindjen se krejt çka tregonte, ishte më se e vërtetë.

Bota e gjyshit dhe e gjyshes ndihmuan me të madhe  për ndërtimin e botës markeziane.   Embrionet e veprave të ardhshme të Gabos kanë mbirë në shtëpinë ku e kaloi fëmijërinë, në tregimet për luftën civile, për masakrën, për vajtje-ardhjet e emtave dhe për vajzën jashtëmartesore të gjyshit. Gjyshi i vdiq kur Gabo ishte tetë vjeç. Kur gjyshja iu verbua, Gabo shkoi në Sukre (Sucre) te prindërit.

Biografët thonë se ka qenë i turpshëm dhe inteligjent. Tani filloi arsimimi i tij formal. E dërgojnë në Barankil (Barranquilla) për të ndjekur shkollimin në kolegjin “San Hose”. Në vitin 1940 shkolla jezuite i akordoi bursë për shkollim. Bursa u jepej nxënësve të talentuar. Gabo vazhdoi shkollimin në Sipakir afër Bogotas. Në vitin 1946 kreu maturën. Në vitin 1947, me sugjerimin e prindërve regjistroi drejtësinë në Universidad Nacional në Bogota. Po këtë vit botohet tregimi i tij i parë “Dorëzimi fatit për së treti”.

Në këtë kohë njohu vajzën 13-vjeçare e cila quhej Mercedes. Ajo i premtoi se do t’i qëndrojë besnike dhe do të martohet me të kur ta kryejë shkollimin. Pas katërmbëdhjetë vjetëve u martuan.

Në moshën 20-vjeçare lë Bogotanë dhe vendoset në Kartagjenë ku vazhdon studimet e drejtësisë. Në aspektin ekonomik bënte jetë të vështirë. Pas dy vjetëve, d.m.th. në vitin 1950 i ndërpreu studimet dhe iu rrek gazetarisë ku dëshmua si reporter i shkëlqyer. U dha edhe pas letërsisë dhe iu bashkëngjit klubit letrar “El grupo de Barranquilla”. I la përshtypje novela “Metamorfoza” e Kafkës. Prej tij mësoi se letërsia nuk ka përse të ndjekë narracionin dhe veprimin rigoroz. Filloi të shkruajë, ndërsa tregimin e parë e botoi në revistat liberale. Vendoset në Barankil ku përfshihet në grupin letrar “Shpella”. Këtij grupi i takonin edhe romancieri Alvaro Sepeda Samudio (Alvaro Cepeda Samudio, 1926-1972) dhe piktori Alehandro Obregon (Alejandro Obregon, 1920-1992).

Lexoi novelistin dhe romancierin amerikan Ernest Heminguei (Ernest Hemingway, 1898-1962), romancierin irlandez Xhejmz Xhojs (James Joyce, 1882-1941) dhe tregimtarin e romancierin amerikan Uilljem Fokner (William Faulkner, 1897-1962), i cili u bë edhe hero letrar i tij.

Tregimet “Heq dorë për së treti” dhe “Pushimi të martën” bashkë me disa të tjera të botuara nëpër revista, i mblodhi dhe i botoi me titullin “Varrimi i Nënës së Madhe”.

Udhëtoi nëpër Kolumbi dhe në vitin 1954 u ndal në Bogota. Këtu filloi të punojë si gazetar i gazetës ”El Espectador”. Në këtë kohë, me gabimin e faktorit njeri u fundos një luftanije kolumbiane. Shpëtoi vetëm një marinar. Qeveria u mundua ta shtrembëronte të vërtetën. Markezi shkroi një artikull që ishte në kundërshti me qëllimet e pushtetarëve. Si rrjedhojë, u detyrua të largohet nga mëmëdheu.

Udhëtoi nëpër Evropë ku punoi si gazetar për gazeta të ndryshme. Në vitin 1954 shkon në Romë për të raportuar lidhur me gjendjen shëndetësore të papës Piu XII (Pope Pius XII, 1876-1958). Në vitin 1955 shkon në Paris si korrespondent i Espektadorit. Më pas shkoi në Karakas të Venezuelës ku punoi si gazetar.

Në vitin 1956 u kthye në Kolumbi për t’u martuar me Mercedes Barça Pardo (Mercedes Barcha Pardo, 1932). Në vitin 1958 u kurorëzuan. Këtu lindi djali Rodrigo (1959), ndërsa djali tjetër Gonzalo (1962) lindi Meksiko-Siti.

Në vitin 1958, i frymëzuar nga revolucioni kuban, vajti në Havanë. Në janar të viti 1959 u takua me Fidel Kastron me të cilin lidhi miqësi që vazhdoi me dekada. Kjo ngjalli një mori reagimesh politike negative. Markezi ndihmoi në themelimin e zyrës së agjencisë kubane Prensa Latina në Bogota dhe u bë korrespondent i saj. Një zyrë e kësaj agjencie u hap edhe  në Nju-Jork. Si korrespondent i kësaj agjencie mori pjesë në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Më vonë, për qëndrimet antiamerikane, iu ndalua hyrja në ShBA. Deri në vitin 1971 iu ndalua edhe hyrja në Kolumbi.

Në këtë kohë, si anëtar i redaksisë së revistës “Aksion liberal” boton artikullin polemizues “Letërsia kolumbiane: mashtrimi i kombit”.

Në vitin 1959, me gruan dhe me djalin u vendos në Meksiko-Siti (Mexico City) ku u mor me gazetari dhe me kinematografi. Këtu i përjetoi edhe sukseset letrare më të mëdha. Markezi deklaron: “Kur mbërrita në Meksikë, kisha në xhep vetëm njëzet dollarë. Kisha me  vete gruan dhe tim bir por edhe fiks idenë – të merrem me film”. Jetoi kryesisht në Meksikë dhe në Evropë.

*   *   *

Në moshën 39-vjeçare, Markezi u afirmua në përmasa planetare. Botimi i veprave të tij anembanë globit i solli edhe të mira materiale. Një pjesë të parave ua dhuroi grupeve majtiste në Angolë, në Argjentinë, në Kolumbi dhe në Nikaragua. Ndihmoi edhe për themelimin e organizatës HABEAS që vepronte për të parandaluar shpërdorimin e pushtetit dhe për lirimin e të burgosurve politikë në Amerikën Latine. Për shkak të qëndrimeve politike të tij përsëri u detyrua të largohej nga Kolumbia. Qeveria kolumbiane e fajësoi se e ndihmon financiarisht grupin M-16. U strehua në Meksikë.

Dalja në dritë e librit “Vjeshta e patriarkut” në vitin 1975 i ndau kritikët letrarë. Shumë prej tyre pritnin vazhdimin e romanit “Njëqind vjet vetmi”. Me kalimin e kohës libri zuri vendin e merituar. Sipas disa kritikëve, kjo është vepra më e mirë e Markezit, ndërsa vetë ai ka shkruar se ajo është një “poemë për vetminë e njerëzve të pushtetshëm”.

Në këto vite Markezi i forcon lidhjet me poetin kilian Pablo Neruda (emri i vërtetë Neftali Ricardo Reyes Basoalto, 1904-1973, pseudonimin e mori në moshën 16-vjeçare sipas poetit dhe tregimtarit çek Jan Neruda, 1834-1891) me të cilin ishte njohur në vitin 1958. Në vitin 1971 Markezi shkon në Paris për ta takuar Nerudën. Me të dalë nga aeroplani mëson se Neruda është nderuar me çmimin “Nobel”. Menjëherë pas lajmit Neruda u thotë gazetarëve: “Nobelin e ka merituar Markezi dhe jo unë”. Romanin “Njëqind vjet vetmi” poeti kilian e ka quajtur “Don Kishoti i kohës sonë”. Neruda dhe Markezi janë shkrimtarët më të kërkuar të gjuhës spanjolle në internet, duke ia kaluar edhe tregimtarit dhe komediografit spanjoll Migel de Servantes (Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616). Poezinë me titull “Shqipëria” Neruda e shkroi në vitin 1950.

Në vitin 1982, njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, Markezi, mori çmimin “Nobel”. Sipas Akademisë suedeze Markezit i jepet çmimi “... për romanet dhe tregimet e shkurtra në të cilat elementet e fantastikes dhe të reales, në një botë të qetë, gërshetohen me imagjinatën e pasur, duke pasqyruar kësisoj jetën dhe konfliktet e një kontinenti të tërë”.

Fjalimi që lexoi Markezi me rastin e ndarjes së çmimit mban titullin “La soledad de América Latina” (Vetmia e Amerikës Latine). Para akademikëve suedezë Markezi theksoi me modesti: “... me pak gjëra që i kisha nëpër duar u përpoqa ta paraqes jetën time në mënyrë origjinale”. Ishte kolumbiani i parë dhe latinoamerikani i katërt që merrte çmimin “Nobel” për letërsi.

*   *  *

Vazhdoi të shkruajë, të hulumtojë dhe të jetë politikisht aktiv. Paratë e çmimit “Nobel” vite me radhë u ruajtën në bankën e Zvicrës. Markezi bleu gazetën kolumbiane Cambio që botohej në 15.000 kopje. Me kalimin e mediumit në duart e Markezit tirazhi u rrit në 50.000 kopje.

Në vitin 1996 Markezi shkroi librin “Lajmi për rrëmbimin” në të cilin flitet për narkomafinë kolumbiane.

Në vitin 1999 shkrimtari gjenial u ballafaqua me probleme shëndetësore. Iu konstatua diagnoza limfoma e ne-Hodkinit. Mediumet shkruan se bëhej fjalë për limfë me malinjitet të ulët.

Në vitin 2002 botoi pjesën e parë të autobiografisë “Të jetosh për të rrëfyer”. Për dy javë u shitën 50.000 kopje. Pjesa e parë e kujtimeve, pos tjerash flet edhe për raportet e prindërve të tij, për të përfunduar me vitin 1955, përkatësisht me botimin e tregimit të parë. Libri zbardh prejardhjen e personazheve dhe të rrëfimeve të veprave “Njëqind vjet vetmi”, “Kolonelit nuk ka kush i shkruan” dhe “Kronikë e vdekjes së paralajmëruar”. Në pjesën e dytë shkruan për jetën e vet deri në botimin e romanit “Njëqind vjet vetmi”. Në pjesën e tretë pasqyron miqësitë me disa nga udhëheqësit apo politikanët botërorë më të njohur, si: Fidel Kastro (Fidel Castro, 1926-2016) apo presidenti amerikan Bill Kliton (William Jefferson Clinton, 1946-) i cili ishte president në vitet 1993-2001.

Për qëndrimet kritike ndaj politikës së jashtme të Uashingtonit, më i madhi shkrimtar i gjallë i planetit - Markezi, e kishte të ndaluar hyrjen në ShBA. Me t’u zgjedhur president, Klintoni i dha fund kësaj ndalese shumëvjeçare. Klintoni dhe Markezi janë takuar të paktën tri herë. Takimi i parë midis tyre ka ndodhur në gusht të vitit 1995 në një drekë të realizuar në Masaçusets (Massachusetts). Në këtë drekë ka qenë i ftuar edhe Karlos Fuentes. Herën tjetër janë takuar në vitin 2007. Gjatë aferës “Levinski” Markezi botoi një artikull në gazetën kolumbiane “Cambio”, me ç’rast midis tjerash shkruan: “Presidenti Klinton ka bërë me Monika Levinskin atë që burrat e kanë bërë me femrat, pas shpinës së grave të veta, që nga krijimi i botës”.

Pyetjes në është komunist, Markezi gjithmonë i është përgjigjur se nuk është dhe se nuk i takon asnjë partie politike. Besonte se një ditë bota do të bëhet socialiste. Socializmin e kuptonte ndryshe nga sistemet socialiste ekzistuese. E kuptonte si sistem i përparimit, i lirisë dhe i barazisë. Pas udhëtimeve nëpër vendet socialiste shkruante artikuj në të cilët i pasqyronte mospajtimet e veta me ndodhitë e atjeshme. Besonte se socializmi është e vetmja zgjidhje e mirë për Amerikën Latine.

Kur erdhi në moshë të shtyrë, pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Meksiko-Siti ku vdiq më 17 prill 2014 në moshën 87-vjeçare. Me rastin e vajtjes në amshim të shkrimtarit magjik, u prononcuan dhe dërguan telegrame ngushëllimi personalitete të njohura të botës: kryetarë shtetesh, shkrimtarë të famshëm etj. Në telegramin e presidentit rus Vladimir Putin (1952) dërguar gruas së tij, Mercedes Barça Pardo thuhet: “... e la këtë botë shkrimtari dhe mendimtari i madh, njeriu i cili gjithmonë u qëndroi besnik idealeve fisnike, humanizmit dhe drejtësisë. Veprat e tij kanë frymëzuar breza të tërë, jo vetëm në Amerikën Latine por në mbarë botën...”.

Markezi është takuar edhe me Obamën. Ky takim ka ndodhur në Meksikë. Me rastin e vdekjes së shkrimtarit, më 17.04.2014 është prononcuar edhe presidenti Barak Obama: “Bota humbi njërin nga shkrimtarët më vizionarë. Ishte krijuesi më i parapëlqyer imi. Unë dhe brezi im kemi jetuar me veprat e tij...”.

Në vitet 2010-2018 kryetar i Kolumbisë ishte Kalderoni (Juan Manuel Santos Calderon, 1951, laureat i çmimit “Nobel” për paqe në vitin 2016). Me rastin e vdekjes së Gabos ai shpalli tri ditë zie në Kolumbi dhe deklaroi: “Markezi është bashkatdhetari ynë më i dashur dhe më i admiruar i të gjitha kohëve...”.

KRIJIMTARI LETRARE   Si krijues letrar Markezi u ndikua nga Franc Kafka (1883-1924), nga tragjediografi grek Sofkliu (496-406 para K.) dhe nga Fokneri. Nga Sofokliu e mori temën e shpërdorimit të pushtetit dhe të forcës, ndërsa nga Fokneri mësoi për transformimin e fëmijërisë në një të kaluar mitike. Kështu sajoi fshatin në të cilin do të zhvillohet veprimi i romanit “Njëqind vjet vetmi”. U ndikua edhe nga prozatorja dhe eseistja angleze Virxhinia Ulf (Wirginia Woolf, 1882-1941), nga prozatori anglez me prejardhje polake Jozef Konrad (Josepj Conrad, 1857-1924, emri i vërtetë Teodor Konrad Nalecz Korzeniowski) si dhe nga romancieri e tregimtari francez Sent-Ekzyperi (Antoine de Saint-Exupéry, 1900-1944). Pilot me profesion, Sent-Ekzyperi u zhduk gjatë një fluturimi vëzhgues mbi detin Mesdhe.

*   *   *

Tregimet e hershme, të botuara nëpër revista i mblodhi dhe i botoi në përmbledhjen “Sytë e qenit të kaltër” (1972). Tre romanet e shkurtra “Gjethi në erë” (1955), “Kolonelit nuk ka kush i shkruan” (1961) dhe “Ora e ligë” (1962) si dhe përmbledhja me tregime “Varrimi i Nënës së Madhe” (1962) janë skica brilante. Lëndën e tyre e përfshiu përfundimisht në tërësinë e rrumbullakuar të romanit “Njëqind vjet vetmi” (1967).

Në vitin 1986 Markezi u kthehet temave romantike. Këtu bën pjesë vepra “Dashuria në kohë të kolerës”. Është një tregim i fuqishëm poetik dhe komik për dashurinë në shtigje të gjata në të cilin është përshkruar edhe rrëfimi mbi dashurinë e prindërve të tij. Pasojnë “Gjenerali në labirint”, përmbledhja me tregime “Dymbëdhjetë pelegrinët” dhe “Për dashurinë dhe djajtë e tjerë”.

Në vitin 1952, tregimin e dikurshëm “Shtëpia” botuesi ia refuzoi. Në vitin 1955 Markezi ndodhej në Evropë. Miqtë e tij, pa e njoftuar autorin, dorëshkrimin ia dorëzojnë një botuesi tjetër dhe libri e pa dritën.

Në janar të viti 1965 Markezi me familjen ndodhen në Akapulko. Për romanin legjendar “Njëqind vjet vetmi” thotë: “Me të arritur në Acapulco, pa e ditur as vetë si, më doli para syve një zbulim i çuditshëm. Përjetimi ishte aq i fuqishëm saqë kapitullin e parë, fjalë për fjale isha në gjendje ta diktoja mu aty”. Sikur një goditje vetëtime ia ndriçoi Makondon, këtë metaforë të tragjedisë latinoamerikane. Me fjalë të tjera, për këtë vepër u frymëzua kur u kthye në shtëpinë e gjyshes në Arakatakë. Shtëpia “e mallkuar” ia ngjalli kujtimet, ndërsa qyteti i lindjes iu duk i vdekur dhe i ngrirë në kohë. U kthye me familjen në shtëpi, u mbyll në dhomë dhe nisi të shkruajë. Shkroi çdo ditë, tetëmbëdhjetë muaj pandërprerë. Sipas do shënimeve, gjatë krijimit të kësaj vepre Gabo paskësh pirë nga gjashtë pako cigare në ditë. Për ta ushqyer familjen dhe për të blerë letër shkrimi kishte shitur automjetin dhe pajisjet elektrike të shtëpisë. Gjërat që i kishin mbetur i kishte vënë nën hipotekë me qëllim që t’ia dorëzonte dorëshkrimin botuesit.

Pas një viti pune, tre kapitujt e parë Markezi ia dërgoi prozatorit meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1929-2012), autorit të kryeveprës “Vdekja e Artemio Kruzit” (La muerte de Artemio Cruz, 1962) në të cilën, nëpërmjet oportunizmit të individit që i tradhton idealet e revolucionit, jep pasqyrën tronditëse të një shoqërie të deformuar.

Duke iu afruar përfundimit të veprës, Gabo vuri në roman veten, gruan e vet dhe miqtë. Në faqen e fundit shpalosi edhe titullin e veprës.

Romani doli në dritë në qershor të vitit 1967. Që javën e parë u shit i tërë tirazhi prej 8.000 kopjeve. Romani u përkthye në dhjetëra gjuhë të botës. U shitën 30 milionë kopje. U bë një prej veprave më të lexuara të letërsisë botërore. U vlerësua si më i miri roman i Evropës i shkruar nga një joevropian. U vlerësua me një numër të madh çmimesh letrare. Vepra u bë burim ushqyes për mbarë shkollën e realizmit magjik.

Në tetor të vitit 1967 Markezi shkon në Barcelonë ku takohet me shumë shkrimtarë dhe botues. Nga të katër anët vijnë kërkesa për ta intervistuar mjeshtrin magjik. Pas një viti vendosi të ndërpresë dhënien e intervistave.

*   *   *

Stili i Markezit radhitet në realizëm magjik. Ky stil nënkupton ekzistimin e dy realiteteve paralele: kombinimin e fiksionit dhe të botës reale. Elementet e fantastikes Markezi i lidh me ato të së përditshmes, duke arritur kësisoj një harmoni të përkryer, kështu që lexuesi elementet e fantastikes nuk i përjeton si të huaja.

Në romanet e para “Kolonelit nuk ka kush i shkruan” dhe “Ora e ligë” përdor teknika narrative të reja siç janë monologu i brendshëm dhe rrëfimi jolinear duke i kombinuar me teknikat tradicionale të realizmit. Markezi ka një stil tejet kreativ.

Në Makondon e imagjinuar të “Njëqind vjet vetmisë” autori integron nivele të ndryshme: personalen dhe të përgjithshmen, historiken dhe mitiken, magjiken dhe realen. Sjell temat e dhunës dhe të vetmisë të cilat do t’i shtjellojë me hollësi në veprat e veta të mëvonshme.

Tema kryesore janë: vetmia e heronjve dhe dashuria. Vetmia është një ndjenjë që e përjeton çdo qenie njerëzore. Kundër saj është e pamundur të luftosh. Dashuria ndërkaq është shpëtim i vetëm nga determinizmi fatal që lind nga vetmia dhe nga egoizmi. Në vepër ndërthuren e ardhmja, e tashmja dhe e kaluara.

*   *   *

“Njëqind vjet vetmi” ((Cien años de soledad) mbulon njëqind vjet historie të fshatit imagjinar Makondo, duke ndjekur familjen Buendia përgjatë shtatë brezave. Me një mendjehollësi gjeniale, ngjarjet e pabesueshme autori i paraqet si të jenë të natyrshme, ndërsa dukurive të rëndomta u jep pamje të mbinatyrshme. Kur fshatarët e Makondos për herë të parë shohin akull, habiten aq shumë saqë u duket si një zbulim epokal, por kur jevgjit u sjellin qilim fluturues, kjo s’u duket aspak më e çuditshme se një kalë druri që sillet rrotull.

Po kështu autori i përshkruan edhe ngjarjet historike. Masakra e neokolonialistëve mbi popullin është paraqitur si diçka e turbullt dhe misterioze, gati si një përjetim në gjumë, ndërsa vërshimi i luleve apo epidemia e gjumit konsiderohen dukuri konkrete dhe e natyrshme.

Një vendbanim pa emër që ishte strofull e fabulave të deriatëhershme, tani quhet Makondo. Protagonistë anonimë që hasen në mënyrë intertekstuale në mjedisin e ngushtë të këtyre prozave, tani marrin emra. Korniza është e mbushur me ngritjen dhe tatëpjetën e familjes Buendia, nëpërmjet së cilës thyhet historia e qytetërimit në Amerikën Latine. Me mistifikimin e realitetit, me hiperbola, me narracionin që duket si e njëtrajtshme apo monotone, me gjykimet inventive, humorin dhe kthesën borgesiane në fund, Markezi krijoi një vepër e cila sapo u botua, u përfshi në radhët e krijimeve letrare klasike.

Në këtë vepër është paraqitur jeta e fshatit të izoluar të Amerikës Latine në të cilin ngjarjet e pazakonshme janë pasqyruar si ngjarje më se të zakonshme. Nëpërmjet fateve të ardhacakëve të parë dhe të pasardhësve të tyre, pasqyrohet jeta e një fshati të humbur që nga themelimi i tij njëqind vjet më parë.

“Njëqind vjet vetmi” është quajtur nga kritika “roman i rëndë”. I rëndë për t’i rënë në fije dhe për ta kuptuar. Është një vepër e ngjeshur. Nuk dimë në ndodhemi në botën reale apo në ndonjë botë joreale. Aty njerëzit, në tragjizmin e tyre të qetë dhe këmbëngulës, në pasionet dhe vetminë e tyre, në mbërthimin nga besëtytnitë, në gjakftohtësinë e tyre që mbizotëron mbi mirësinë dhe egërsinë, mbi jetën dhe vdekjen, janë sa realë, aq edhe jorealë.

Markezi 39-vjeçar sakaq fitoi afirmim planetar. U bë më i merituari edhe për afirmimin e boom-it latinoamerikan. Që atëherë kjo letërsi u vu në qendër të vëmendjes të publikut kulturor botëror.

*   *   *

Boom-i latinoamerikan ishte një lëvizje letrare e viteve 1960-1970 e një grupi romancierësh relativisht të rinj të Amerikës Latine veprat e të cilëve u përhapën me të madhe  në Evropë dhe në mbarë botën. Ishin të ndikuar nga modernizmi evropian dhe ai amerikan. Ky grup shkrimtarësh i kontestoi konvencionet e etabluara të letërsisë latinoamerikane të deriatëhershme. Lëvizjes boom i takonin: tregimtari dhe romancieri argjentinas Hulio Kortasar (Julio Cortázar, 1914-1984), tregimtari dhe eseisti argjentinas, me gjak arbëreshi Ernesto Sabato Ferari (Ernesto Sábato Ferrari, 1911-2011), prozatori meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1929-2012), romancieri meksikan Huan Rulfo (Juan Rulfo, 1918-1986), tregimtari dhe eseisti peruan, kundërshtar i Markezit Mario Vargas Josa (Mario Vargas Llosa, 1936-), prozatori kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1928-2014), prozatori kilian Hose Donoso (José Donoso, 1924-1997), tregimtari kuban dhe kritiku i filmit Gijermo Kabrera Infante (Guillermo Cabrera Infante, 1929-2005) dhe prozatori uruguajan Huan Karlos Oneti (Juan Carlos Onetti, 1909-1994).

*   *   *

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, pas Sartrit, Kamysë etj. në Evropë nuk kemi shkrimtarë të mëdhenj, as romane të mëdha që shënojnë kthesë dhe epokë. Studiuesit letrarë thanë : kemi krizën e romanit. Mungesa e veprave të mëdha në kontinentin e vjetër dhe në mbarë botën u plotësua me krijimet e shkrimtarëve hispanoamerikanë që i takonin boom-it.

Në këtë periudhë u përhapën dhe u mirëpritën në Evropë dhe në mbarë botën edhe veprat e mëdha të Ismail Kadaresë (1936).

*   *   *

I ngopur me formulën narrative dhe me jehonën e madhe të “Njëqind vjet vetmisë” dhe duke mos dashur t’i nënshtrohet manirit, të gjitha prozave të tjera Markezi u jep tipare llojllojshmërie. Në vitin 1972 boton përmbledhjen me tregime “Rrëfim i pabesueshëm dhe pikëllues për Erendirën e padjallëzuar dhe gjyshen e saj të pashpirt”. Pas kësaj, me veprën “Vjeshta e patriarkut” (1974) i del hakut traditës së romanit për diktaturën. Është vepër me thurimë të dendur në të cilën zëri i tregimtarit dhe ai i protagonistit ndërthuren dhe shkrihen, shpeshherë pa rregulla drejtshkrimore. Në veprën “Kronikë e vdekjes së paralajmëruar” (1981) me përpikëri e ka ndërtuar mozaikun e ngjarjeve nga kronika e zezë: vrasjen e paralajmëruar të cilën askush nuk dëshiron ta parandalojë. “Dashuria në kohë të kolerës” (1985) është një histori dashurie e konceptuar në formë fejtoni. Flitet për pritjen gjashtëdhjetëvjeçare të Florentin Arizës që dashuria rinore e tij të mbetet si ka qenë. Libri “Aventura e Miguel Litinit, klandestin në Kili” (1986) ka lindur në bazë të rrëfimit të filmuesit kilian i cili i maskuar, viziton atdheun. Në fund i dorëzohet në kabinën e anijes lumore në të cilën dy pleqtë lundrojnë në amshim. “Gjenerali në labirintin e vet” (1989) të përkujton Ungjillin apokrif. Figura historike e Simon Bolivarit (1783-1830) këtu merr përmasa njerëzore dhe, i zhveshur nga barra e retorikës, bëhet protagonist i ëndrrës artistike. Me përmbledhjen “Dymbëdhjetë pelegrinët” (1992) autori i kthehet tregimit të shkurtër të cilin e konsideron si zhanër më të rëndë për çdo shkrimtar. Pas dy vjetësh iu shfaq monodrama “Tiradë dashurie plot vrer për mashkullin në poltronë” e cila në vitin 1995 doli edhe si libër. Romani “Për dashurinë dhe djajtë e tjerë” (1994) flet për dashurinë e parealizueshme në Kartagjenën koloniale midis klerikut dhe çupës të cilën e fajësojnë se është e mbërthyer nga djalli. “Lajmi për rrëmbimin” (1996) është një fejton i realizuar në mënyrë brilante për një rrëmbim të vërtetë, me emra dhe vende konkretë.

Opusi fiksional i Markezit buron kryesisht nga mistifikimi i realitetit, që në rrafshin verbal ka të bëjë me trajtimin specifik të kohës dhe të hapësirës. Përtëritja ciklike dhe ngjeshja e kohës si dhe ngushtimi i ambientit në korniza të aleph-it (gjithësia në miniaturë) të tregimtarit, poetit dhe eseistit argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986) janë teknika karakteristike të veprave “Njëqind vjet vetmi” dhe “Vjeshta e patriarkut”. Lehtësia fiktive e narracionit nuk është veçse maskë e një modeli të ndërlikuar mbi të cilin mbështetet kjo prozë. Lidhshmëria intertekstuale e tyre, përkundër llojllojshmërisë së përmbajtjes, e jep unitetin e projektit kreativ.

Duke paraqitur diçka lokale dhe duke synuar globalen apo universalen, Markezi me veprat e veta e ngriti Amerikën Latine në topos letrar.

Topos: (greqisht – vend) – Vende të përgjithshme, mjete stilistike të përhershme, motive të tipizuara, figura, krahasime, klishe, skema ideore dhe shprehëse që përdoren në letërsinë evropiane që nga antika deri në iluminizëm.

*   *   *

Biografinë e parë të autorizuar të Markezit e hartoi profesori letërsisë hispano-amerikane Gerald Martin, i lindur në Londër në vitin 1944. Dorëshkrimi i tij kishte mbi dy mijë faqe. U detyrua ta shkurtonte në 600 faqe. Jetën dhe veprimtarinë e Markezit e hulumtoi gati 20 vjet. Kishte shfrytëzuar qindra dokumente. Kishte ecur  gjurmëve të jetës së Markezit dhe kishte folur me 300 njerëz të cilët e kishin shënuar jetën e tij. Ishte takuar me Fidel Kastron, e kishte intervistuar ish-kryministrin spanjoll Felipe Gonzales (1942), kishte folur me Karlos Fuentes, me Mario Vargas Josa (Mario Vargas Llosa), me poetin, eseistin e romancierin kolumbian Alvaro Mutis Jaramillo (1923-2013). Kishte folur me gruan e Markezit, me djemtë e tij, me të ëmën, me vëllezërit dhe motrat, me agjentin letrar, me përkthyesit, me miqtë e tij më të ngushtë, me bashkëpunëtorët profesionalë, pa i anashkaluar as rivalët e tij.

Biografia e Markezit lexohet edhe si histori e Amerikës Latine e shekullit XX. I nxitur nga botuesi, Gerald Martini i kishte hyrë çështjes së biografisë qysh në vitin 1990. Si një profesor universitar u pajtua ta shkruajë biografinë me kusht që ta autorizonte vetë bardi i letërsisë latinoamerikane. Dëshironte që Markezi ta konsideronte të denjë për një punë të tillë.

Për ta takuar Markezin, vajti në Havanë ku mbahej kongresi i shkrimtarëve. Nuk ishte punë të vendoste kontakt me të. I shkoi në shtëpi dhe me orë të tëra e priti para dere. Pas një kohe dha krye redaktorja e shkrimtarit. E vendosi në hotel dhe i premtoi se do t’i mundësonte ta takojë gjeniun. Në takimin që zgjati vetëm 30 minuta, mjeshtri i madh ia besoi barrën dhe i tha: “... shkruani ç’të doni, por të mos vijë puna që punën Tuaj ta kryej unë...”.

Libri doli në vitin 2009 me titullin “Gabriel Garsia Markez: Një jetë” (Gabriel Garcia Márquez: Una vida), pesë vjet para vdekjes së shkrimtarit. Porsa pa dritën u përkthye në shumë gjuhë të botës. E botuar në gjuhë të huaja biografia ka 654 faqe. U quajt libër i jetës i profesorit anglez Gerald Martin.

Libri fillon me Prologun me nëntitull: “E kaluara e mjegullt: 1800-1899. Pasojnë tri pjesët kryesore (Në shtëpi: Kolumbia: 1899-1955; Në botën e jashtme: Evropa dhe Amerika Latine: 1955-1967; Njeri i botës: Fama dhe politika: 1967-2005). Libri ka 25 kapituj, pa e llogaritur fotoalbumin që ndodhet në mes dhe shtojcën në fund të tij ku janë përfshirë  gjenealogjitë familjare, kapitulli i fusnotave dhe i komenteve, regjistri i njësive bibliografike  dhe 30 faqe kushtuar treguesit të emrave.

Gerald Martin është personi i fundit që ka folur me Markezin për jetëshkrimin e tij, ndërsa personi i parë që e ka intervistuar atë është  Luis Harss.

*   *   *

Realizmi magjik – Termin realizëm magjik e krijoi në vitin 1925 kritiku i artit figurativ Franc Roh (Franz Roh, 1890-1965) për të përcaktuar me të krijimtarinë në lëmin e artit figurativ në fazën post-ekspresioniste. Më vonë, ky drejtim ndërlidhet me prozën e Borgesit, Markezit, të romancierit, dramaturgut dhe poetit gjerman Gynter Gras (Günter Grass, 1927-2015) dhe të romancierit anglez Xhon Robert Faulz (John Robert Fowles, 1926-2005).

Realizmi magjik ndërlidhet edhe me krijimtarinë e Franc Kafkës (1883-1924), të prozatorit dhe dramaturgut rus, i cili kreu mjekësinë në Kiev Mihail Bulgakov (1891-1940) dhe të Salman Ruzhdiut.

Shkrimtar më i njohur i realizmit magjik konsiderohet Markezi, qysh me romanin “Vjeshta e patriarkut” që është një rrëfim përrallor për tiranin në prag të vdekjes. Karakteristikat e realizmit magjik në veprën e Markezit vërehen në motivet: vdekja, dhuna, magjia, alkimia. Vdekja është gjithmonë e pranishme. Të vdekurit në Makondo ekzistojnë bashkë me të gjallët.

Realizmi magjik është drejtim letrar në të cilin elementet e fantastikes ndërthuren me realitetin, duke u njëjtësuar me të dhe duke krijuar një tërësi të harmonishme, të bazuar në qëndrimin objektiv. Në këtë zhanër mitet dhe magjia ndërthuren me realitetin e ekzistencës së përditshme.

“Realizmi mrekullibërës”, “realizmi magjik” apo “realizmi çudibërës” është stil fiksioni që botën bashkëkohore e pasqyron në mënyrë realiste, por duke i shtuar edhe elemente magjike. Për shkak të konvencioneve të përrallave, të miteve dhe të alegorive, ndonjëherë e quajnë edhe fabulizëm. Realizmi magjik shpeshherë ka të bëjë me fiksionin, e veçmas me letërsinë, me magjinë apo me të mbinatyrshmen, të paraqitur në mjedisin real apo tokësor.

Janë terma kryesisht përshkrues dhe jo terma rigorozë të kritikës. Profesori amerikan i letërsisë Metju Shtreher (Matthew Strecher) realizmin magjik e përkufizon si “diçka që ndodh kur sulmohet mjedisi real konkret, diçka tepër e çuditshme të cilës vështirë mund t’i besohet”.

Duke qenë se shumë shkrimtarë janë cilësuar si realistë magjikë, kjo e ka ndërlikuar edhe përkufizimin e këtij nocioni.

Irena Gynter është marrë me rrënjët gjermane të këtij termi përfshi edhe raportet ndërmjet artit dhe letërsisë.

Realizmi mrekullibërës shpeshherë ndërlidhet me letërsinë latinoamerikane, sidomos me themeluesit e zhanrit, si: Markezi, prozatori dhe poeti guatemalas Migel Anhel Asturias (1899-1974), Borhesi, shkrimtarja meksikane Elena Garo (Elena Garro, 1916-1998, grua e poetit, romancierit dhe diplomatit meksikan Octavio Paz, 1914-1998), romancieri meksikan Huan Rulfo (Juan Rulfo, 1918-1986), romancieri venezuelas Romulo Galegos (Romulo Gallegos, 1884-1969) dhe shkrimtarja kiliano-amerikane Izabel Alende (Isabel Allende, 1942).

Përfaqësues kryesorë të realizmit magjik në letërsinë angleze janë: romancieri dhe eseisti britaniko-indian Salman Ruzhdi (Ahmed Salman Rushdie, 1947) me romanin “Fëmijët e mesnatës” (Midnight’s Children, 1981), shkrimtarja amerikane Alis Hofman (1952) dhe shkrimtari filipinas Hoakin (Nikomedes “Nik” Marquez Joaquine, 1917-2004).

*   *   *

Veprat e Markezit: “Njëqind vjet vetmi” (Cien años de soledad, 1967), “Vjeshta e patriarkut” (El otoño del patriarca, 1975), “Kronikë e vdekjes së paralajmëruar” (Crónica de una muerte anunciada, 1981), “Dashuri në kohë të kolerës” (El amor en los tiempos del cólera, 1985), “Aventura e Miguel Litinit, klandestin në Kili” (Las Aventuras de Miguel Littín Clandestino en Chile, 1986), “Për dashurinë dhe djajtë e tjerë” (Del amor y otros demonios, 1994), “Lajmi për rrëmbimin” (1996), “Të jetosh për të rrëfyer” (Vivir para contarla, 2002) (autobiografi).

Tregimet dhe novelat: “Kolonelit nuk ka kush i shkruan” (El coronel no tiene quien le escriba, 1961), “Varrimi i Nënës së Madhe” (Los funerales de la Mamá Grande, 1962), “Ora e ligë” (La mala hora, 1962), “Sytë e qenit të kaltër” (Ojos de perro azul, 1972), “Dymbëdhjetë pelegrinët” (Doce cuentos peregrinos, 1992), “Udha mbarë, zoti president!”, “Kujtim për kurvat e mia të pikëlluara” (2004), botuar në shqip me titullin “Kujtim kurvash të trishta”.

*   *   *

Markezi është laureat i shumë çmimeve dhe i mirënjohjeve, si: Premio de la Novela ESSO për “Ora e ligë”, 1961; Doctor Honoris Causa (doktor nderi, i pari) i Universitetit Kolumbia në Nju-Jork, 1971, Premio Rómulo Gallegos për romanin “Njëqind vjet vetmi” 1972, Medalla de la legión de honor francés, Paris, 1981, Condecoración Águila Azteca, Meksikë, 1982, Premio cuarenta años de Círculo de Periodistas, Bogota, 1985, Miembro honorario del Instituto Caro y Cuervo  Bogota, 1993, Doutor Honoris Causa da Universidade de Cádiz (doktor nderi, i dyti) 1994.

Shtëpia në Arakatakë në të cilën kishte lindur dhe e kishte kaluar fëmijërinë Markezi, para dyzet vjetësh ishte rrënuar. Rindërtimi i shtëpisë i bërë nga qeveria kolumbiane përfundoi më 25 mars 2010. Shtëpia me 14 hapësira u shndërrua në muze.

Në lindje të Los Anxhelosit në Kaliforni, në zonën Las Rozas të Madridit dhe  në Saragosë të Spanjës ka rrugë që e mbajnë emrin e Markezit.

Në Bogota, El Fondo de Cultura Económica de México ndërtoi qendrën kulturore e cila e mban emrin e tij.




(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora