Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Komedia klasike greke
E shtune, 29.02.2020, 05:25 PM
KOMEDIA KLASIKE GREKE
Nga
Xhelal Zejneli
Komedia klasike greke, pas
tragjedisë, është degëzimi i dytë i poezisë dramatike. Paraqitja e komedisë
ndërlidhet me kultin e perëndisë së vreshtit dhe të rrushit, Dionisit,
të cilit i faleshin, sidomos fshatarët. Për nder të tij organizoheshin festat
dionisiane në të cilat këndoheshin këngë
gëzimi, këngë demaskuese, satirike dhe tallëse.
Komedia klasike greke ka
njohur mbi 150 autorë me rreth 900 komedi nga të cilat kanë mbetur vetëm emrat,
titujt dhe fragmente të shkëputura.
I pari që shkroi pjesë
komike me bazë mitologjike ishte Epiharmi. Ky lindi në Sicili në një
koloni greke. Veprimtarinë letrare e zhvilloi në vitet e fundit të shekullit VI
para K. Shkroi rreth 40 komedi prej të cilave kanë mbetur vetëm fragmente.
Komedi shkroi edhe Eupolidi i cili në komeditë e veta demaskoi plagët
e shoqërisë së kohës. Me satirat e veta sulmoi njerëzit të cilët
me demagogji synonin të nxirrnin përfitime vetjake. Komeditë e këtilla
gjetën hapësirë të përshtatshme në një kohë kur ishte i gjallë interesi i
qytetarëve për problemet politike dhe shoqërore. Më vonë, kur qyteti-shtet –
Athina filloi ta humbë fuqinë e dikurshme, edhe komedia shkoi drejt rënies.
* * *
ARISTOFANI
– Më i madhi ndër
komediografët ishte Aristofani. Lindi në Athinë diku nga viti 445 para K.
Krijoi në kohën kur filloi të ndihej kriza ekonomike dhe ideologjike në
strukturën e shtetit demokratik skllavopronar. Shprehje e gjallë e krizës nëpër
të cilën kalonte Greqia, ishte lufta e Peloponezit ndërmjet Athinës dhe Spartës
që shpërtheu në vitin 431 para K. për të përfunduar në vitin 404 para K. Ishte
një luftë ku greku luftoi kundër grekut. Aty nga fillimi i luftës, Athinën e
pllakosi edhe epidemia e murtajës e cila shfarosi një të tretën e
popullsisë.
Ky realitet historik me
shumë trazira, u pasqyrua me forcë të madhe goditëse në komeditë e Aristofanit.
Me një satirë të fuqishme, demaskoi përfaqësuesit e padenjë të shtetit të
cilët fshiheshin pas parullave demokratike. Këtu bënin pjesë nëpunësit
që grabitnin arkën e shtetit, demagogët të cilët për qëllime të veta politike
mashtronin popullin, oratorët e shitur apo mercenarë, njerëzit që hiqeshin si
filozofë e që s’kishin ide filozofike të mirëfillta. Vepra e komediografit
të madh merr në shënjestër edhe degjenerimin moral të shoqërisë.
Aristofani shkroi 44 komedi.
Prej tyre kanë arritur vetëm 11: “Aharnianët”, “Kalorësit”, “Retë”,
“Grerëzat”, “Paqja”, “Zogjtë”, “Lisistrata”, “Thesmoforiet”, “Bretkosat”,
“Gratë në parlament” dhe “Pluti”.
Në komedinë “Retë”
autori trajton problemin e edukimit të rinisë me normat e moralit
tradicional. Fshatari Strepsiad, i rrënuar ekonomikisht nga i biri, i
edukuar keq nga e ëma, shkon në “mendimtoren” e Sokratit për të mësuar
artin e gënjeshtrës. Plaku kërkon të mësojë mënyrën sesi të mos i shlyejë
borxhet. S’mëson dot gjë. E dëbojnë nga mendimtorja. Tani e dërgon të birin. Ky
ia del t’i përvetësojë mësimet. Aftësohet për t’i përcjellë duarthatë të gjithë
ata që i trokitnin në derë për t’ia kërkuar borxhet. Më vonë djali e rreh të
atin dhe kërcënon të ëmën. I zhgënjyer nga ky lloj edukimi i të birit, Strepsiadi
shkon dhe i vë zjarrin mendimtores së mallkuar. Komedia përshkohet nga një
ironi e hollë qesëndisëse. Sipas Aristofanit, doktrina filozofike e Sokratit u
ngjan reve që e ndryshojnë formën sipas erërave që fryjnë.
Në komeditë “Kalorësit”,
“Aharnianët”, “Lisistrata” dhe “Paqja” autori
trajton çështjen e luftës dhe të
paqes. I jep një goditje satirike luftës së Peloponezit. Ishte kjo
një luftë e gjatë dhe e kobshme për hegjemoni e dominim midis qyteteve-shtete
të Greqisë.
Në komedinë “Kalorësit”
autori vë në pozitë komike edhe demosin (popullin),
i cili, i rrjedhur paksa nga trutë, hiqet për hunde nga demagogë të
tillë si Paflagoni, që me gënjeshtra e lajka synon të nxjerrë fitime për vete.
Në komedinë “Paqja”
autori flet për fshatarin Trigje i cili rend pas paqes. Ky hipën mbi një
brumbull dhe shkon në qiell për të liruar Paqen (Irenën) që luftënxitësit e
kishin mbyllur në një guvë. Me ardhjen e paqes në tokë jeta fillon të çelet.
Fshatarët e goditur nga pasojat e luftës nisin punën në arat, që për kaq vjet
me radhë ishin lënë pa zot. Aristofani rikujton edhe kohët e dikurshme kur
njerëzit jetonin në paqe e begati. Evokon me nostalgji kohën e dikurshme
plot virtyte e heroizëm.
Komediografi i madh trajton
edhe problemet politike. Sulmon furishëm të gjithë shkaktarët e
luftës së Peloponezit ku përplaseshin interesat e klasave sunduese të Spartës
dhe të Athinës. Shkaktarë kryesorë të luftës ishin demagogët që qëndronin në
krye të partive politike. Një prej tyre ishte edhe udhëheqësi i partisë
radikale në Athinë – Kleoni. Te Kleoni, autori sheh luftënxitësin
dhe mbrojtësin e flaktë të prirjeve hegjemoniste të Athinës në rivalitet me
Spartën. Të këtillë e paraqet Kleonin në komeditë “Kalorësit”, “Grerëzat”
etj.
Në komedinë “Kalorësit”,
tehun e satirës së tij autori e drejton edhe kundër
parlamentit të Athinës për paaftësinë e tij për drejtimin e vendit
dhe për prirjet luftënxitëse, duke u bërë kështu vegël në duart e demagogëve.
Parlamentin e ka paraqitur
edhe në komedinë “Aharnianët”, por tani me ngjyra të karikaturës
dhe të groteskut. Duke qenë se burrat u treguan të paaftë për të
drejtuar jetën e vendit, tani janë gratë që e marrin fuqinë në parlament dhe
bëjnë reforma që synojnë të eliminojnë dallimet sociale dhe t’u vijnë në
ndihmë të varfërve. Por, edhe këto reforma mbetën të parealizuara. Nuk
ishin veçse një ëndërr e bukur. Gjendja mbeti po ajo që qe.
Aristofani është komediograf
thellësisht realist, por shpesh mban edhe qëndrim romantik.
Është ëndërrues për të gjetur zgjidhje, qoftë dhe në fantazi apo në
mënyrë utopike, për problemet që kanë të bëjnë me fatin e shoqërisë
njerëzore. Në këtë frymë i ka shkruar komeditë “Gratë në parlament”,
“Zogjtë” dhe “Pluti”.
Në komedinë “Zogjtë”
dy qytetarë të Athinës, të pakënaqur nga jeta plot vështirësi dhe padrejtësi,
shkojnë të ndërtojnë një qytet midis qiellit dhe tokës për të jetuar ndër zogj
që bëjnë një jetë të qetë. Poeti është futur i tëri në botën e fantazisë përmes
së cilës vë në lojë një realitet konkret – Athinën dhe qytetarët e saj.
Për të nxjerrë fitime, disa prej tyre rendin për në qytetin e ri.
Në komedinë “Pluti”
autori trajton problemin e mprehtë të ndarjes së padrejtë të pasurisë si dhe
kontrastin e madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Fshatari i varfër,
Kremili, perëndinë e pasurisë - Plutin, i cili ishte i verbër, e shpie te
perëndia e shëndetit – Asklepi, i cili e shëron dhe ia sjell shikimin. Pluti
tani i sheh gabimet e rënda që i kishte bërë gjatë jetës, ndaj premton se sot e
tutje do të bashkëpunojë vetëm te njerëzit e mirë, punëtorë dhe të virtytshëm.
Aristofani i vëren veset e këqija dhe anët e errëta të shoqërisë së kohës, prirjen
për t’u pasuruar në çfarëdo mënyre qoftë, pavarësisht nga dëmi që u
shkaktojnë të tjerëve.
Me veprat e veta, Aristofani
dyzet vjet me radhë e paraqiti pasqyrën e gjallë të jetës politike, shoqërore
dhe ideologjike të Athinës midis shekullit V dhe VI para K.
Në komeditë e këtij
komediografi më të madh të antikitetit spikatin shpesh nota të një lirizmi
të hollë, dashuria për të bukurën, nostalgjia për natyrën e virgjër
e të pamolepsur nga prapësitë, puna me djersë e bujkut, kontrasti midis
realitetit dhe ëndrrës, midis asaj që është dhe asaj që duhet të jetë.
Për veprën e Aristofanit,
poeti dhe eseisti gjerman me prejardhje hebraike Hajnrih Hajne (Heinrich
Heine, 1797-1856) thotë: “Vepra e tij është një pemë
madhështore ku kacavirren majmunët dhe këndojnë zogjtë”.
* * *
“BRETKOSAT” – Në të gjitha komeditë e Aristofanit, përpos në komedinë “Bretkosat”,
trajtohen çështje politike,
shoqërore, morale dhe filozofike. Në “Bretkosat” trajtohet
problemi i artit dhe i rolit të tij në shoqëri. Vepra u shfaq në vitin 405
para K., kur ende ishte i freskët kujtimi për dy poetët e mëdhenj, Eskilin dhe
Euripidin, i cili kishte vdekur një vit më parë.
Në “Bretkosat” të
flitet për Dionisin, me kultin e të cilit zuri fill poezia
dramatike. Dionisi është i dëshpëruar ngaqë në Athinë nuk po shfaqej ndonjë
poet i shquar tragjik. Duke qenë se teatri i Athinës kishte mbetur
shkretë, Dionisi vendos të zbresë në
botën e përtejme, për të sjellë përsëri në tokë poetin e parapëlqyer të tij –
Euripidin.
Ndonëse është perëndi,
Dionisi ka frikë të zbresë në botën e të vdekurve: Për t’u treguar trim, vesh
lëkurën e luanit që e kishte veshur dikur Herakliu kur kishte zbritur në botën
e nëntokës - në Had. Hadi është paraqitur si një vend i qetë, me pijetore,
kërcimtarë, furrtarë, mu si në botën e gjallë. Në këtë udhëtim, Dionisi, i
shoqëruar nga skllavi i tij Ksantia, takon përbindësh të ndryshëm, skena të
frikshme dhe tmerrohet. Takon edhe Eskilin, të ulur në fronin e
tragjedisë, të cilin synon t’ia zërë Euripidi. Midis dy poetëve
zhvillohet një dyluftim me fjalë, për të argumentuar secili epërsinë e vet ndaj
tjetrit. Pas debatit të tyre, Dionisi bindet se Eskili qëndron më lart se kundërshtari
i tij. E merr atë me vete për ta bërë zot në skenën e teatrit të Athinës.
Në fillim të udhëtimit të
tij që shoqërohej nga kori i bretkosave, nga e ka marrë dhe emrin
komedia, Dionisi takon Herakliun, të cilit i lutet t’ia tregojë rrugën për në Had.
Me të parë Dionisin të veshur me lëkurë luani, ai qeshën me të madhe. Dionisi i
mburret Heraklit, duke i folur për heroizmat e tij, duke i thënë se ka mbytur
edhe anije armike. I tregon sesi kur rrinte në anijen e vet dhe lexonte
tragjedinë “Andromeda” të Euripidit, një mall i fort ia pushtonte
zemrën.
Që këtu nis të shpaloset
tendenca e Aristofanit për ta vënë në lojë Euripidin. Herakliu e pyet: “Përse
të mori malli për Euripidin”? Dionisi i përgjigjet po me pyetje: “Po ty
...të ka marrë malli ndonjëherë për lakra”? Me “mallin për lakra” Aristofani
ironizon me Euripidin, i cili, sipas gojëdhënës, ishte bir i një shitëseje
perimesh.
Dionisi i zhgënjyer nga
poetët tragjikë që ishin gjallë, i thotë se do të shkojë poshtë në Had për ta
marrë me vete Euripidin. Në rrugë e sipër, Dionisi dhe skllavi i tij Ksantia
arrijnë në ferr në pallatin e Plutonit. Rojtari i tij, Eaku, me të parë
Dionisin, pandeh se është Herakliu, ndaj i vërsulet. Ksantia kënaqet kur e sheh
padronin e tij të hajë dru. Dionisi përpiqet t’ia bëjë me dije rojtarit se
është perëndi, se është Dionisi, i biri i Zeusit. Rojtari e pyet skllavin në
janë të vërteta pohimet e tij. Ky i përgjigjet: “Më për këtë duhet të hajë
dru, madje pak e ka. Po qe hyj, dhembje s’do të ndjejë”.
Me këtë situatë komike
autori duket sikur synon të shpërfillë paprekshmërinë e perëndive.
Përmes komizmit zbulon kontrastin midis asaj që thonë dhe asaj që janë
në të vërtetë. Rojtari sërish i mëshon perëndisë së vreshtit dhe të rrushit dhe
e pyet në i dhemb. Ky ia kthen: “S’ndjeva dot gjë”. Rojtari: “Po
ç’janë këta lot”? Dionisi: “Ndjej erë qepësh”. Tani rojtari ua
mëshon të dyve: edhe Dionisit edhe skllavit të tij - Ksantias. Por, edhe
skllavi hiqet sikur s’ndjen dhimbje. Atëherë rojtari, Eaku bën be për hyjneshën
Demetra, duke thënë se nuk ia del dot të mësojë se cili prej këtyre dyve është
perëndi. Më në fund, që të dy i fton të hyjnë në pallat në mënyrë që dilemën ta
zgjidhin Plutoni dhe Persefona.
* * *
Në pjesën e dytë të
komedisë bëhet fjalë për problemin e artit dhe për rolin e tij në shoqëri.
Nis një diskutim i gjatë. Çdo krijues letrar mbron veprën e vet dhe i shpalos
të metat dhe mangësitë e tjetrit. Në të vërtetë, kjo pjesë e “Bretkosave” është
një shkrim i çmuar i kritikës letrare që sapo kishte filluar të
hedhë hapat e parë në shekullin V.
Si pikënisje në këtë debat
letrar, dy poetët pranojnë mendimin se arti duhet t’i edukojë njerëzit.
Çdonjëri prej tyre përpiqet të provojë epërsinë e vet ndaj tjetrit. Duke qenë
se debati zhvillohet pa gjetur zgjidhje, atëherë Dionisi kërkon që fjalët dhe
vargjet t’i vënë në peshore për të parë se vepra e kujt peshon më tepër.
Peshorja anon herë nga njëri, herë nga tjetri, por më shpesh nga Eskili. Deshi
s’deshi, Dionisi e merr autorin e “Prometeut të mbërthyer” për ta kthyer
në botën e të gjallëve.
Me konservatorizmin e vet,
Aristofani ishte kundër risive që kishte sjellë Euripidi në skenën e teatrit
grek. Tek Euripidi vërejmë prirjen për të sjellë në vepër gjërat që ndodhin
në jetën e përditshme, gjërat që i jetojmë, prirjen për t’i ulur heronjtë në
nivelin e njerëzve të zakonshëm, me virtytet dhe dobësitë e tyre.
Aristofani nuk mund ta
përfytyrojë rolin edukues të tragjedisë. Heronjtë tragjikë, sipas tij,
janë figura vigane dhe monumentale. Për babanë e komedisë antike –
Aristofanin, poet i skenës heroike është babai i tragjedisë
antike – Eskili.