Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Odiseu i kohës moderne - Xhejms Xhojsi
E hene, 21.10.2019, 08:55 PM
ODISEU I KOHËS MODERNE - XHEJMS XHOJSI
Kam frikë prej fjalëve të mëdha të cilat të gjithëve na bëjnë kaq të dëshpëruar – Xhojs
Nga Xhelal
Zejneli
Xhejms Xhojsi (James Augustine
Aloysius Joyce, 2.2.1882-13.1.1941) është shkrimtar irlandez. Lindi në
Ratgard afër Dublinit, vdiq në Cyrih. Babai Xhon kishte dymbëdhjetë fëmijë. Dy
djem i vdiqën nga tifoja. Pos tyre, Xhojsi kishte gjashtë motra dhe tre
vëllezër. Xhojsi ishte më i madhi. U edukua në një familje nën frymën rigoroze
katolike. Nëna dëshironte që i biri të bëhej klerik. Në moshën 16-vjeçare u
shkëput, si nga religjioni, ashtu edhe nga familja. Ishte dëshmitar i rënies së
prijësit irlandez Çarls Stjuart Parnelit (Charles Stewart Parnell).
Irlandezët, nën ndikimin e një pjese të klerit, u kthyen kundër prijësit të
tyre. Më 1891 shkroi poemën për vdekjen e Parnelit.
Si hero dhe si prijës shpirtëror të vetin, Xhojsi zgjodhi Odisenë. Një
pjesë të madhe të jetës e kaloi nën ndikimin e theksuar të filozofisë së Toma
Akuinit. Më 1898 u regjistrua në University College Dublin. Diplomoi
për gjuhët moderne – angleze, frënge dhe italiane. Në vitin 1900 shkroi një ese
për dramën e Henrik Ibsenit, e cila ishte një program poetik që ngre
lart “lëshimin e ajrit të freskët” në konventat letrare të amullta. Në
vitin 1901 shkroi artikullin “Teatri letrar irlandez”. Shkrimi nuk iu
botua, d.m.th. iu censurua. Në vitin 1902 la Irlandën
përgjithmonë. U kthye vetëm dy herë për të qëndruar për pak kohë. Itakën e vet
e kërkoi në Trieste, në Paris dhe në Cyrih. Pas diplomimit, më 1902 vajti në
Paris për të studiuar mjekësinë. I ndërpreu studimet për t’u kthyer në
vendlindje ku i kishte vdekur e ëma nga kanceri.
Më 16 qershor të vitit 1904 njoftohet me Nora Barnakl, gruan e tij
të ardhme. Ajo luajti rol të rëndësishëm në jetën dhe në krijimtarinë e
Xhojsit. Këtë e dëshmojnë letrat e shumta që ia kishte dërguar. E dëshmojnë
edhe veprat e tij. E lanë Dublinin, vajtën në Cyrih. Duke u shpërngulur nëpër
qytete të ndryshme të Evropës, jetoi ndaras nga gruaja dhe nga dy fëmijët e
tyre. Në çaste dëshpërimi i shkruante asaj letra me shumë dashuri dhe
sinqeritet, me pasion dhe erotikë. “Ti
më ke bërë njeri” i thotë Xhojsi Norës. Ajo e pranoi rolin e zonjës së
pashkolluar në shërbim të gjeniut. Martesën e zyrtarizuan në vitin 1931,
d.m.th. 27 vjet pasi ishin njoftuar. Tani Xhojsi kishte fituar famë botërore.
Përkundër faktit se shpeshherë jetonin të ndarë dhe ballafaqoheshin me rrethana
jetësore të vështira, dashuria e tyre ishte një prej më të mëdhave që mbahen në
mend në botën letrare.
Më 1904-1905 punoi si profesor i anglishtes në Pullë. Si profesor
anglishtes punoi 10 vjet edhe në Trieste. Më 1905 i lindi djali Xhorxh, ndërsa
pas dy vjetëve – vajza Lucia. Më 1909 u kthye në Dublin për ta botuar
përmbledhjen me tregime “Dublinasit”, por nuk ia doli. Vepra mbeti e
pabotuar. Më 1915 vajti në Cyrih ku gjeti mbështetjen financiare të Viverit (Harriet
Shaw Weaver). Më 1920 shkon në Paris ku qëndron njëzet vjet. Semjuel
Beketin e kishte sekretar joformal. Qëllonte që me orë të tëra të qëndronin
bashkë në studion e Xhojsit, pa këmbyer ndër vete as edhe një fjalë të vetme.
Vajza e Xhojsit – Lucia e adhuronte autorin e Godosë, por Beketi e refuzoi.
Vajza e Xhojsit, Lucia u vendos në një klinikë neuropsikiatrike. Pas
vdekjes së babait, atë e vizitoi vetëm një herë i vëllai, ndërsa nëna –
asnjëherë. Me kalimin e kohës, Xhojsi iu paraqitën probleme me sytë. Pas disa
operacioneve u verbua plotësisht. Më 11 janar 1941 u operua dhe
ra në komë. Pas dy ditëve u zgjua dhe i kërkoi fëmijët e vet. Vdiq pa i parë. U
varros në varrezat Fluntern të Cyrihut. Pranë tij u varrosën edhe gruaja Nora e
cila ndërroi jetë më 1951. Aty pranë u
varros edhe i biri Xhorxhi.
* * *
Në aspektin letrar, Xhojsi u formua nën ndikimin e Homerit (shek.
VIII para K.), të poetit italian Dante Aligier (Dante Alighieri,
1265-1321), të filozofit dhe teologut dominikan italian të traditës
skolastike Toma Akuin (Tommaso d’Aquino, rreth 1225-1274), të
babait të tragjedisë moderne Shekspir (William Shakespeare,
1564-1616), të dramaturgut norvegjez - realistit dhe natyralistit Henrik
Ibsen (Henrik Ibsen, 1828-1906), të filozofit, astronomit dhe
okulistit italian që e dogjën si heretik - Gjoradno Bruno (Giordano
Bruno, 1548-166), të filozofit dhe shkrimtarit italian Gjanbatista Viko
(Giambatistta Vico, 1668-1744), të novelistit dhe dramaturgut rus Anton
Pavlloviç Çehov (1860-1904), të prozatorit, dramaturgut dhe
publicistit rus Llav Nikollaeviç Tolstoj (1828-1910) dhe të
poetit e dramaturgut irlandez Uilliam Batler Jejts (William Butler
Yeats, 1865-1939).
* * *
Jeta e Xhojsit dhe vepra letrare e tij determinohen:
- nga lidhja obsesive me Irlandën, e cila, përkundër mërgimit vullnetar në
të cilin jetoi që nga fillimi i lidhjes së tij me Nora Barnakle, ka qenë temë e
përhershme e veprave të tij;
- nga protesta kundër provincializmit dhe ngushtësisë shpirtërore të
mjedisit të vet; si dhe
- nga rezistenca që i bëhej për ta legalizuar lidhjen e vet me Norën, që
është pjesë e kësaj revolte.
Lidhur me krijimtarinë letrare të Xhojsit ka pasur polemika të ashpra.
Megjithëkëtë, ai ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e prozës
letrare të shekullit XX. Me eksperimentet në teknikën narrative dhe në
strukturën e romanit si dhe në përdorimin e përroit të ndërgjegjes i dha
një drejtim të ri letërsisë moderne.
Në fillim, Xhojsi i përkiste grupit të imazhinistëve, me poetin dhe
kritikun amerikan Ezra Paund (Ezra Pound, 1885-1972) dhe
me poetin, kritikun e dramaturgun amerikan, laureat i Çmimit Nobel - Elliët
(Tomas Stearns Eliot, 1888-1965).
Katolik, i cili me non serviam të vet e flaku religjionin,
por pa e shlyer nga vetëdija e vet, me veprat e veta dëshmoi synimin që me
çfarëdo kushti të arrijë lirinë, duke u ngritur mbi çdo gjë – mbi
familjen, mbi shoqërinë dhe mbi religjionin – të cilat e pengonin që në veprat
e mëvonshme, vlerën më të madhe ta gjente në vitalitetin e njeriut të
vogël të rëndomtë.
Por ajo që e bën të veçantë dhe të pakrahasueshëm, është aftësia e tij që
katarzën t’ia kalojë gjuhës, duke luajtur me të, në rrafshin e
strukturës së veprës, të renditjes së fjalëve në fjali, e në fund me zgjedhjen
dhe me renditjen e shkronjave në fjalë.
* * *
Veprat kryesore të Xhojsit janë:
Përmbledhja me 15 tregime “Dublinasit” (Dubliners,1914)
është shkruar në manirin natyralist-simbolist. Vepra bazohet në
ngjarjet nga jeta e Norës, gruas së Xhojsit. Këtu flet për format e ndryshme “të
paralizës shpirtërore” të njeriut të vogël irlandez. Ka përdorur
teknikën e epifanisë (përshkrim i ndonjë tabloje apo situate që në
shikim të parë duket trivial, që simbolikisht përmbledh thelbin e frymës së
kohës apo të psikës së personazhit). Për ta botuar përmbledhjen, i duheshin
tetë vjet. Botuesit kërkonin nga autori që një pjesë të tekstit, ose ta
ndryshojë, ose ta heqë plotësisht. Fjala “bloody” (e përgjakshme),
kryeredaktorëve u dukej e papërshtatshme. Flakja e kësaj fjale ishte kusht për
botimin e veprës. Në këtë përmbledhje tregimesh pasqyron përditshmërinë
dhe gjendjet shpirtërore të ndryshme të heronjve të vet.
Romani “Portreti i artistit në rini” (A Portrait of the
Artist as a Young Man, 1916) është një autobiografi shpirtërore tipike në
të cilën përshkruan procesin e rritjes dhe të çlirimit shpirtëror të artistit
në një mjedis konvencional, që në aspektin religjioz dhe kombëtar është i
hipersensibilizuar. Në këtë vepër Xhojsi për herë të parë e përdor
teknikën e monologut të brendshëm.
“Uliksi” (Ulysses, 1922) është një ndër
romanet më të rëndësishme të shekullit XX.
Veprën filloi ta shkruajë që në vitin 1914. E shkroi për tetë vjet. Bëri
përpjekje të mëdha për të gjetur botues. Duke e konsideruar veprën si
kontraverse, botuesit nuk pranonin ta botojnë. Më në fund, më 1922 romani u
botua. Edhe pas botimit, vepra hasi në vështirësi të mëdha. Pesëqind kopjet që
më 1922 u dërguan në ShBA, u dogjën ose u asgjësuan. Index librorum
prohibitorum i mesjetës, vazhdonte të ishte gjallë edhe në shekullin
XX.
Romani shënoi kthesë në letërsi për arsye se autori përdor stil të ri të
pasur me teknika letrare siç është “përroi i ndërgjegjes” (stream
of consciousness). Vepra ka edhe parodi dhe humor. Karakteristika themelore
e romanit është të shkruarit kaleodoskopik dhe struktura e
formës. Libri përbëhet prej 18 kapitujve. Çdonjëri prej tyre përshkruan
nga një orë të 16 qershorit dhe çdonjëri është i ngjyrosur me ngjyra të
ndryshme. Përpos kësaj, ato përputhen me nga një episod të “Odisesë”
së Homerit.
Në të flet për njeriun e rëndomtë dhe për përpjekjen e tij për ta tejkaluar
banalitetin e jetës dhe për t’i dhënë kuptim asaj. Mënyra tradicionale e të
rrëfyerit shndërrohet në fishekzjarr virtuoz të stilit që imiton teknika të
ndryshme të rrëfimit, që nga ato realiste deri te përroi i
ndërgjegjes. Ky roman është një prej kërcimeve më të mëdha në teknikën
romaneske, por edhe sintezë e synimeve moderniste. “Uliksi” konsiderohet
bibla e modernizmit evropian në prozë.
Gjashtëmbëdhjetë qershori është dita kur zhvillohet veprimi te “Uliksi”.
Ndër ithtarët e Xhojsit të shtrirë në mbarë botën, kjo ditë njihet si Bloomsday,
dita e Blumit. Në mbarë botën, në Irlandë e sidomos në Dublin, për nder të “Uliksit”
organizohen manifestime të shumta. Dublinasit dhe turistët shëtisin nëpër
rrugët nëpër të cilat ka ecur Leopold Blumi, hanë e pinë nëpër kafeteritë në të
cilat ka qëndruar ai më 16 qershor 1904. Është dita kur Odiseu i kohës moderne
takoi Penelopën e tij – Norën, ditë që mbeti në përjetësi. Asociacionet
xhojsiste në mbarë botën organizojnë edhe leximin publik të “Uliksit”.
Romani “Zgjimi i Fineganit” (Finnegans Wake, 1939) që
e shkroi për 15 vjet, është vepra më intriguese e Xhojsit. Veprimi në roman
zhvillohet natën dhe pjesërisht është vazhdim i “Uliksit”. Të gjitha
teknikat e sapokrijuara të Xhojsit janë përdorur skajshmërisht. Janë braktisur
të gjitha konventat për rrjedhën e veprimit, për ndërtimin e personazheve,
madje edhe për përdorimin e gjuhës së paramenduar. Vepra bazohet në lojën e
thellë të fjalëve. Libri përfundon me fillimin e fjalisë së parë, ndërsa fillon
me fundin e saj. Libri në të vërtetë ka një rrjedhë rrethore. Xhojsi thotë se
lexuesi ideal do të duhej të vuante nga “pagjumësia ideale” dhe kur ta
lexonte librin do të kthehej përsëri në fillimin e tij, për ta lexuar sërish,
duke u futur kësisoj në një rreth ideal. Në këtë roman autori arrin kulmin në
përdorimin e teknikave narrative si dhe në shtresimin polisemik të gjuhës në
boshtin sintagmatik dhe paradigmatik, madje që në rrafshin e fjalës. Me titullin
aludon për vazhdimësinë e traditës irlandeze, ndaj kjo mund të interpretohet
si: Irlandezët zgjohen përsëri. (Fini ka qenë prijës i ushtrisë së
lashtë irlandeze, Fianna).
Sipas Gjanbatista Vikos, titulli “Zgjimi i Fineganit” mund të
sugjerojë edhe vështrimin mitik të historisë si rrotullim qarkor. Në roman
ndërthuren e larta dhe e ulëta, seriozja dhe komikja. Me këtë roman
Xhojsi arrin kulmin e gjenialitetit krijues të vet. Sapo u botua, romani u
shpall si një ndër veprat më të mira në Evropë dhe në Amerikë.
* * *
Me teknikën narrative, Xhojsi ushtroi ndikim mbi modernistët, sidomos mbi
autorët e romanit të përroi të ndërgjegjes, sikundër janë prozatorja dhe
eseistja angleze Virxhinia Vulf (Virginia Woolf, 1882-1941, përfundoi
me vetëvrasje) dhe prozatori amerikan, laureat i Çmimit Nobel - Fokner (William
Faulkner, 1897-1962).
Duke e paraqitur ritmin e mjedisit urban, Xhojsi frymëzoi shkrimtarin dhe
eseistin gjerman Deblin (Bruno Alfred Döblinin,
1878-1957) dhe shkrimtarin amerikan Pasos (John Dos Passos, 1896-1970).
Me temën e ekzilit dhe të subversitetit ndaj idiomës së
gjuhës angleze, ushtroi ndikim mbi shkrimtarët irlandez, sidomos mbi
dramaturgun dhe romancierin Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989).
Xhojsi ushtroi ndikim edhe mbi romancierin dhe eseistin anglo-indian
Selman Ruzhdi (Sir Ahmed Selman Ruchdie, 1947-), tregimtarin,
poetin dhe eseistin argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges,
1899-1986), prozatorin meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes,
1929-2012), tregimtarin dhe eseistin peruan, laureat i Çmimit Nobel
Mario Vargas Losa (1936-), teoricienin, kritikun dhe
romancierin italian Umberto Eko (Umberto
Eco, 1936-2016), shkrimtarin amerikan Filip Rot (Philip
Roth, 1933-2018), poetin, dramaturgun dhe kritikun letrar të
Karaibeve, laureat i Çmimit Nobel - Derek Volkot (1930-2017), shkrimtarin
dhe mendimtarin anglez Entoni Barxhis (Anthony Burgess, 1917-1993)
dhe shkrimtarin amerikan Filip K. Dik (Philip Kindred
Dick, 1928-1982).