Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Maqedonia e Veriut - raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale
E shtune, 18.05.2019, 10:50 AM
MAQEDONIA E VERIUT – RAUNDI I DYTË I ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE
Nga
Xhelal Zejneli
Në
periudhën e viteve 1991-2019, kryetar shteti në Maqedoni kanë qenë: Kiro
Gligorovi, Boris Trajkovski, Branko Cërvemkovski, Gjorgji Ivanovi. Në zgjedhjet
e 5 majit të viti 2019, kryetar i këtij vendi u zjgodh Stevo Pendarovski.
Në
vitet 1991-1994, kryetar shteti i Maqedonisë, i zgjedhur nga Kuvendi i shtetit,
ishte K. Gligorovi. Më 1994 kryetari i Maqedonisë u zgjodh prej qytetarëve. I
mbështetur nga LSDM-ja, Gligorovi u ndesh me Lubisha Georgijevskin. Gligorovi
mori 715.087 vota (52.44%).
Në
zgjedhjet e dyta për kryetar shteti të mbajtura më 1999, Boris Trajkovski i
VMRO-së mori 582.808 vota (53.2%) dhe fitoi përballë Tito Petkovskit. Në
raundin e parë të këtyre zgjedhjeve u ndeshën edhe dy shqiptarë: Muharem
Nexhipi i propozuar nga Partia Demokratike Shqiptare, i cili mori 155.978 vota
(15%) dhe Muhamed Hallili i propozuar nga Partia e Prosperitetit Demokratik, i
cili mori 45.731 vota (4.1%). Boris Trajkovski humbi jetën në aksident ajror në
Mostar të Bosnjës dhe Hercegovinës më 26.02.2004.
Në
zgjedhjet e treta për kryetar shteti, të mbajtura në vitin 2004, Branko
Cërvenkovski i LSDMS mori 550.317 vota (62.6%), duke fituar përballë Sashko
Kedevit. Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve kishte edhe dy kandidatë
shqiptarë: Gëzim Ostreni i BDI-së i cili mori 134.208 vota (14.8%) dhe Zudi
Xhelili i mbështetur nga PDSH-ja, i cili mori 78.714 (8.7%).
Në
zgjedhjet e katërta për kryetar shteti të mbajtura në vitin 2009, Gjorgji
Ivanovi i VMRO-së mori 453.616 vota (63.14%), duke fituar përballë Lubomir
Fërëkovskit të LSDM-së. Në raundin e dytë Ivanovi u mbështet nga BDI-ja. Në
këto zgjedhje për kryetar shteti garuan edhe dy kandidatë shqiptarë: Imer
Selmani i partisë që e drejtonte ai - Demokracia e Re, i cili mori 147.547
(14.95%), Agron Buxhaku i BDI-së, i cili mori 73.629 vota (7.46%) si dhe
Mirushe Hoxha e mbështetur nga PDSH-ja, e cila mori 30.225 vota (3.06%). Para
kësaj, Imer Selmani i përkiste PDSH-së. Ndërkohë u shkëput prej partisë mëmë
dhe krijoi partinë e vet.
Në
vitin 2014 u mbajtën zgjedhjet e pesta për kryetar shteti. Ivanovi u
rikandidua. I mbështetur nga PDSH-ja në raundin e dytë, ia doli të merrte
534.910 vota (55.25%), duke e mundur Stevo Pendarovskin i cili mori 398.077
vota (41.14%). Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve garoi edhe kandidatio shqiptar
Iliaz Halimi i PDSH-së i cili mori 38.966 vota (4.48%).
Emrave
të kandidatëve shqiptarë që garuan për kryetar shteti i shtohet edhe Blerim
Reka, i cili garoi në zgjedhjet e 21 prillit të vitit 2019. Me fjalë të tjera,
në periudhën e pluralizmit, për kryetar shteti në Maqedoni kanë garuar nëntë
shqiptarë.
Ndonëse
të zgjedhur edhe me votat e shqiptarëve, asnjëri nga kryetarët e sipërthënë të
Maqedonisë nuk ka treguar kurrfarë sensi politik për kërkesat politike të
arsyeshme të shqiptarëve. Madje disa prej tyre haptazi kanë manifestuar
qëndrime antishqiptare. Ka prej tyre që kanë ndërmarrë edhe veprime opresive
ndaj shqiptarëve. Në kabinetet e tyre gjithmonë ka pasur edhe këshilltarë
shqiptarë.
*
* *
Në
raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar shteti u ballafaquan Stevo Pendarovski
i LSDM-së dhe Gordana Siljanovska e VMRO-së. Kryeministri Zoran Zaev,
Pendarovskin e cilësoi si kandidat konsensual. Kishte të tillë që e quajtën
kandidat qeveritar. Ky në të vërtetë u mbështet nga 31 parti apo subjekte, përfshi
edhe tri partitë shqiptare – BDI-në, PDSH-në dhe Alternativën. Lista zgjedhore
përmban 1808.131 zgjedhës. Votimi u realizua në 3512 vendvotime. Në votim morën
pjesë 844.360 votues apo 46.70% e trupit zgjedhor. Censusi prej 40% u tejkalua
për 6.70%. Të pavlefshme dolën 30.437 fletëvotime apo 3.6%.
Në
raundin e parë Pendarovski mori 322.581 vota (42.81%), ndërsa Gordana
Siljanovska – 318.341 vota (42.25%). Sikundër shihet, në raundin e pari
Pendarovski mori 4240 vota më shumë se oponentja e tij. Në balotazhin e 5
majit, Pendarovski mori 436.212 vota (51.66%), përkatësisht 113.631 vota më
shumë se në raundin e parë. Në raundin e dytë Gordana Siljanovska mori 377.713
vota (44.73%), përkatësisht 59.372 vota më shumë se në raundin e parë. Në
balotazh Pendarovski mori 58499 vota më shumë se oponentja e tij.
Si
në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin, zgjedhjet në Maqedoni u realizuan pa
as më të voglin problem. Pas fitores së Pendarovskit, partitë politike
shqiptare – BDI, PDSH dhe Alternativa, u prononcuan se ishin pikërisht ato që i
kontribuan më së shumti fitores së tij, duke shtuar njëherazi se Aleanca për
Shqiptarët dhe Lëvizja Besa i bojkotuan zgjedhjet. Para balotazhit, dy partitë
opozitare shqiptare thanë se nuk do të bëjnë tregti me votat e votuesve të tyre
dhe se votuesit e tyre janë të lirë të veprojnë sipas bindjeve të veta, duke
shtuar se në balotazh duhet të mbështetet opsioni euro-atlantik. Nga ky
prononcim rezulton se ata formalisht dhe zyrtarisht nuk kanë bërë thirrje për
bojkotimin e zgjedhjeve, ndërsa mbështetja e opsionit integrues nënkupton
mbështetje për Pendarovskin.
Në
komunat me shumicë shqiptare apo të administruara nga shqiptarët, pjesëmarrja
në votim, si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin pothuajse është e
barabartë.
Raundi
i parë: Bogovinë - 18.76%; Bërvenicë – 32.52%; Çair – 30.67%; Çashkë – 44.02%;
Dibër – 44.09%; Gostivar – 25.91%; Haraçinë – 24.64%; Kërçovë – 33.35%; Likovë
– 18.57%; Saraj – 23,32; Strugë – 31.73%; Studeniëan – 20.82%; Tearcë – 26.11%;
Tetovë – 29.48%; Vrapçisht – 19.33%; Zhelinë – 17.74. Përqindja mesatare e
daljes në votim në komunat e sipërthëna është 27.56%.
Raundi
i dytë : Bogovinë - 16.78%; Bërvenicë – 33.53%; Çair – 34.63%; Çashkë – 54.74%;
Dibër – 28.31%; Gostivar – 24.05%; Haraçinë – 32.37%; Kërçovë – 35.54%; Likovë
– 27.01%; Saraj – 28.75; Strugë – 30.78%; Studeniëan – 31.1%; Tearcë – 24.98%;
Tetovë – 28.51%; Vrapçisht – 19.28%; Zhelinë – 16.20. Përqindja mesatare e
daljes në votim në komunat e sipërthëna në balotazh është 29.6%. Me fjalë të tjera,
në komunat me shumicë shqiptare pjesëmarrja në votim në balotazh, në krahasim
me raundin e parë, është për 1.6% më e madhe. Duhet shtuar se komunat si
Gostivari, Vrapçishti, Zhelina dhe Bogovina qeverisen nga Aleanca për
Shqiptarët, përkatësisht nga Lëvizja Besa. Mosdalja eventuale në votim e një
pjese të votuesve të dy partive opozitare shqiptare në komunat e sipërthëna
mund të jetë kompensuar me daljen më të madhe në votim të tri partive të tjera
– BDI-së, PDSH-së dhe Alternativës. Askush nuk mund ta konstatojë me saktësi se
të kujt janë votat në kutitë e votimit. Një gjë e tillë mund të konstatohet
vetëm përafërsisht.
Në
raundin e parë, në 16 komunat me shumicë shqiptare Pendarovski ka marrë 57.382
vota, ndërsa në të dytin – 115654 sish. Me fjalë të tjera, 58.272 vota më shumë
se në të parin. Këtu kemi një rritje enorme votash. Gordana Siljanovska
ndërkaq, në këto komuna, në raundin e parë ka marrë 29.155 vota, ndërsa në të
dytin – 34.778, duke shënuar një rritje prej 5623 votash.
Nuk
duhet harruar se një pjesë e shqiptarëve e kanë votuar Pendarovskin pavarësisht
nga BDI-ja, PDSH-ja apo Alternativa. Përveç kësaj, ka shqiptarë që jetojnë dhe
që kanë dalë në votim edhe në komunat e tjera, si: Kumanova, Shuto Orizare,
Jegunovca, Manastiri. fshatrat e Velesit, Krushevë, Prespë, Resnjë, Ohër.
Në
raundin e parë ka pasur 32.696 fletëvotime të pavlefshme. Prej tyre, 4522
fletëvotime të tilla dalin në komunat me shumicë shqiptare, ndërsa 28.174 të
tilla – në komunat në pjesën juglindore të vendit. Në raundin e dytë ka pasur
30.437 fletëvotime të pavlefshme ose 3.6%. Në komunat me shumicë shqiptare, në
raundin e dytë rezultojnë 5486 fletëvotime të pavlefshme ose 964 më shumë se në
të parin.
Pjesëmarrja
në votim në komunat me shumicë shqiptare – 29.16% nuk mund të konsiderohet e
vogël. Sipas Zaevit, votat janë të qytetarëve dhe jo të partive politike.
Askush, sipas tij, votat nuk i ka në xhep. Sidoqoftë, pa votat e shqiptarëve
kryetari i Maqedonisë nuk zgjidhej. Shqiptarët për një e mbështetën opsionin
euro-atlantik dhe vepruan në mënyrë konstruktive dhe stabilizuese.
Sikundër
shihet, secili kandidat për kryetar shteti merr shumë më pak vota se
pararendësi i tij. Rënia e interesimit të qytetarëve në shkallë vendi për të
dalë në votim ndodh për shumë arsye. Qytetarët e këtij vendi:
-
janë të lodhur nga tranzicioni i stërzgjatur,
-
janë të zhgënjyer me të ashtuquajturën klasë politike, shqiptare apo
sllavo-maqedonase;
-
janë të ngopur me premtimet që nuk realizohen;
-
janë të zhgënjyer nga udhëheqësit e tyre;
-
janë të dëshpëruar nga mungesa e shtetit ligjor, e shtetit të së drejtës;
-
janë të demoralizuar nga korrupsioni dhe abuzimet në nivelet e larta të
pushtetit,
-
janë deprimuar nga nepotizmi në nivelet e larta të pushtetit, qoftë vendor,
qoftë qendror;
Në
një shtet ku pushtetari apo oligarku del përmbi ligjin, askush nuk vjen të
investojë. Në shtetin e partizuar demokracia është iluzion. Shteti me
administratë vendore dhe qendrore përmasash gjigante, është larg integrimit në
BE. Është utopi të shpresosh se do të hyjë në BE shteti buxheti i të cilit, si
në shkallë vendore ashtu edhe në atë qendrore, shkon për rrogat e të punësuarve
fiktivë. Të rinjtë thonë se në një vend të këtillë nuk ka perspektivë, ndaj na
duhet ta braktisim.
Rënia
e numrit të votuesve në shkallë vendi tregon se mijëra qytetarë të këtij vendi,
vitet e fundit i kanë marrë në sy rrugët pa kthim të Perëndimit. Vendi
ballafaqohet edhe me ikjen e trurit.
Maqedonia
ballafaqohet me probleme politike, ekonomike dhe sociale. Kryeministri Zaev duhet
t’u rreket reformave me vendosmëri. Reformat – jo vetëm në gjyqësor – duhet të
kryhen, jo pse i kërkon BE-ja, por për të ndërtuar shtet ligjor me një
demokraci funksionale. Ndryshimet duhet të përfshijnë edhe departizimin dhe
depolitizimin e institucioneve të caktuara të shtetit. Ndryshe, kur të vijë
koha e të na pranojnë në BE, Maqedonia dhe i tërë Ballkani Perëndimor,
rrezikojnë të mbeten me popullsi të moshuar. Nevojiten ndryshime dhe kjo
s’bëhet dot pa të rinjtë. Cikli politik i kësaj nomenklature dhe koniunkture
politike duhet të marrë fund. Ndryshimet eventuale kozmetike në qeveri nuk kanë
ndonjë vlerë të madhe.
*
* *
Pasi
i humbi zgjedhjet presidenciale, VMRO-ja paralajmëroi se do të ndjekë një
politikë infernale. Kjo është logjikë e humbësit që paralajmëron politikë
destruktive. Sipas Hristijan Mickovskit, fituese e zgjedhjeve presidenciale
është partia e tij. Për të, vota janë vetëm ato të sllavo-maqedonasve dhe jo
ato të shqiptarëve. Për kandidaten e VMRO-s, Gordana Siljanovskën kanë votuar kryesisht
votuesit sllavo-maqedonas, ndërkaq Pendarovski ka marrë një numër të
konsiderueshëm të votave të shqiptarëve. Mbi këtë bazë, VMRO-ja mund të kërkojë
edhe zgjedhje parlamentare të parakohshme. Në këto rrethana, duket sikur partia
e Mickovskit është në epërsi ndaj LSDM-së. Mickovski duhet ta dijë se ndarja e
votave sipas përkatësisë etnike, është kundërshti me parimet themelore të
demokracisë.
Për
ta parandaluar rikthimin në pushtet të forcave të mundura retrograde,
anakronike dhe antihistorike, qeveria e Zaevit duhet të veprojë për nxjerrjen e
Maqedonisë nga tranzicioni i pafund, të punojë për sjelljen e investimeve të
huaja.
Nuk
duhet shpresuar që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare tri partitë shqiptare
të dalin bashkë me LSDM-në, siç ndodhi me këto për kryetar shteti.