E marte, 08.10.2024, 07:18 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Mithat Frashëri - Kthimi në gjirin e tokës mëmë

E hene, 12.11.2018, 09:10 PM


MITHAT FRASHËRI - KTHIMI NË GJIRIN E TOKËS MËMË

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Veprimtari politik, prozatori, publicisti, përkthyesi Mithat Frashëri (1880-1849) lindi në Janinë. Kjo figurë e shquar njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Në letrat shqipe, emri i tij haset edhe si Mid’hat Frashëri. Shquhet sidomos në lëmin e veprimtarisë publicistike si dhe në fushën e angazhimit politik për arritjen e qëllimeve të lëvizjes kombëtare. Është i biri i politikanit dhe ideologut të Rilindjes – Abdyl Frashërit (1839-1892) dhe nip i figurave po aq të shquara – Naimit dhe Samiut. U rrit në Stamboll, ku familja Frashëri u bë qendër e lëvizjes kombëtare. Pas vdekjes së të atit, për arsimimin e tij u kujdesën Naimi dhe Samiu, të cilët u bënë edhe mësuesit e tij. Nën ndikimin e tyre dhe si autodidakt, mori një kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja. Kjo i mundësoi të shërbejë në administratën osmane.

Qysh si i ri iu përkushtua çështjes kombëtare. Në moshën 17-vjeçare ndihmoi Kristo Luarasin (1875-1934) dhe Kosta Jani Trebickën ( - 1944) për botimin e almanakut kulturor të njohur me emrin “Kalendari kombiar” që shtypej në shtypshkronjën Luarasi në Sofje. Kjo revistë, me disa ndërprerje, u botua në vitet 1897-1928.

Një vit pas vdekjes së të ungjit – Naimit, botoi një biografi të shkurtër të tij, me titull Naim be Frashëri, Sofje 1901, me pseudonimin Mali Kokojka. Libri u ribotua në Tiranë më 1923 dhe më 1941. Ky libër është burim kryesor për jetën dhe për veprimtarinë e apostullit të shqiptarizmitNaimit.

Në periudhën e viteve 1905-1910, punoi në administratën osmane, në vilajetin e Selanikut, si drejtor për çështje politike.

Në korrik të vitit 1908, tani me pseudonimin Lumo Skëndo, filloi të botojë në Selanik gazetën përjavshme Liria. Botimi i saj zgjati deri në vitin 1910. Ndërkaq, në vitin 1909 themeloi revistën mujore “Dituria”. Ky organ periodik i ilustruar, me interes kulturor, letrar dhe shkencor, në fillim doli në Selanik, për të vazhduar në Konstancë (1916) si dhe në Tiranë (1926-1929). Me dokumentet dhe me shkrimet që botuan për çështje të historisë, të gjuhës, të folklorit dhe të traditave të popullit shqiptar, të dyja këto revista luajtën rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare dhe kulturore.

Kongresin e Manastirit për themelimin e alfabetit të gjuhës shqipe që u mbajt në Manastir prej 14 deri më 22 nëntor 1908, Mithat Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe u caktua në Komisionin  e alfabetit.

Mithat Frashëri luajti një rol të madh në klubin patriotik të Selanikut që kishte një qëndrim relativisht pajtues ndaj xhonturqve, e që më pas pati kundërshtimin e figurave kombëtare më radikale. Në vitin 1909, Klubi i Selanikut i drejtuar prej tij, lëshoi thirrjen për mbajtjen e Kongresit të Elbasanit. Në këtë kongres, Mithat Frashëri mori pjesë si delegat i Shkupit, i Selanikut dhe i Çamërisë. Në vitet 1910-1912 qëndroi në Bukuresht dhe në Sofje dhe u përfshi në veprimtaritë e kolonive atdhetare të atjeshme. Veprimtaria politike e Mithat Frashërit mori një karakter më kombëtar gjatë luftërave ballkanike dhe shembjes përfundimtare të Perandorisë Osmane, kur Shqipëria ndodhej para rrezikut që i kanosej nga politikat ekspansioniste të fqinjëve  ballkanikë – Greqisë, Serbisë, Malit të ZI dhe të Bullgarisë. Politikat e vendeve të sipërthëna buronin nga Ideologjia: e Naçertanies së Garashaninit, nga Megali ideja e Jan Koleti-t dhe nga ëndrrat e Shën Stefanit.

Më 28 nëntor 1912, Mithat Frashëri mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe nënshkroi aktin e shpalljes së pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit (1844-1919) u emërua ministër i Punëve Botore.

Më pas u bë konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Beograd. Në vitin e mbrapshtë, Mithat Frashëri mbështeti qeverinë e Princ Vidit (Wilhelm Wied, 1876-1945), ku u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe të Punëve Botore. Mithat Frashëri mori pjesë në kabinetin e kryeministrit të Shqipërisë - Turhan Pashës (1839-1927).

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, u internua në Rumani. Nga data 5 maj 1916 drejtoi të përdyjavshmen e Bukureshtit L’indépendance albanaise, një nga të shumtat organe jetëshkurtra të lëvizjes kombëtare shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore. Më pas e shohim  në Itali, në Zvicër dhe në Bullgari, ku bashkëpunoi me shtypin. Në Lozanë u takua me kushëririn e vet Mehdi Frashërin (1874-1963). Atje shkroi një numër artikujsh publicistikë dhe studimorë.

Në vitin 1919, Mithat Frashëri është përfaqësues i Federatës “Vatra” Konferencën e Paqes në Paris. Më 25 nëntor 1920, në cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar, përfaqësoi përsëri Shqipërinë në Konferencën e Paqes si dhe në Lidhjen e Kombeve. Në Paris jetoi deri në vitin 1922. Këtu vazhdoi veprimtarinë publicistike në shtypin francez për të afirmuar qëndrimin e Shqipërisë në ristrukturimin e Evropës së pasluftës. Në artikujt dhe në broshurat politike në shtypin evropian mbrojti të drejtat e shqiptarëve dhe tërësinë e tokave të Shqipërisë nga synimet e fqinjve. Artikujt e tij u botuan në organe si France-Orient, L’Europe nouvelle, Mercure dë France, Revue de Genéve dhe Les Peuples libret.

Në vitin 1923-1925 Mithat Frashëri ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku protestoi kundër shpërnguljes me dhunë të popullsisë çame për në Turqi. Në dhjetor të vitit 1925 dha dorëheqje nga kjo detyrë për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes me të cilën Shën Naumi iu dha Jugosllavisë.

Në vitet 1926-1939 hapi në Tiranë librarinë Lumo Skëndo. Vetë ai kishte një bibliotekë të pasur me rreth 20.000 vëllime. të cilën, në shkurt të vitit 1938 e ofroi për krijimin e një Instituti Studimesh Shqiptare.

Në fund të vitit 1942 rihyri në arenën politike. Themeloi dhe drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar, lëvizje nacionaliste që ishte në kundërshti me ideologjinë komuniste. Në përfundim të luftës, përkatësisht në vjeshtë të vitit 1944, u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Italinë e jugut, e më pas në Londër ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Kishte si synim formimin e një koalicion të forcave opozitare antikomuniste në Angli dhe në ShBA. Vdiq më 3 tetor 1949 në hotelin Lexington në avenynë Lexington të Nju-Jorkut, ku ishte vendosur qendra e Komitetit.

*   *   *

Biblioteka e Mithat Frashërit u konfiskua dhe u bë pjesë e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Ai zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare, kulturore dhe politike. Është autor i një game të gjerë veprash edukative: tekste shkollore, përkthime, artikuj gazetash, broshura politike dhe rrëfenja didaktike. Deri në vitin 1926 kishte botuar rreth njëzet vepra shqip. Në botimet joletrare bëjnë pjesë: Istori e shkrimit shqip, botuar më 1901 në revistën Dituria. Kjo konsiderohet si një nga historitë më të para të letërsisë shqiptare; Këndime për shkollat e para, Selanik 1910; Istori e mbretëris otomane, Stamboll 1912; Letra mi një udhetim në Svicrë, Sofje 1915; dhe Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi? Tiranë 1924 – traktat 61 faqesh për gjendjen morale, materiale dhe psikologjike të Shqipërisë.

Kalendari kombiar për vitin 1926, shtypshkronja Luarasi ,Tiranë 1926 u ribotua Fjalori greqisht-shqip i Marko Boçarit (1790-1823), i hartuar në vitin 1809.

Në vitin 1915 botoi në Sofje artikujt “L’affaire de l’Epire. Le martire d’un puple” (Çështja e Epirit. Dhimbja e një populli); ”La population de l’Epire” (Popullsia e Epirit); “Pritmi i Shqipërisë”.

Më 1919 botoi në Lozanë artikujt “Albanais et slaves” (Shqiptarët dhe sllavët); “Les Albanais chez eux et a l’étranger” (Shqiptarët mes tyre dhe jashtë); “Rivendikimet shqiptare”.

*   *   *

Përktheu disa autorë të njohur nga letërsia botërore, si Gyjom Telli, Sofje 1898 (Guillaume Tell), të poetit dhe shtetarit frëng Lamartinit, (Alfons de Lamartin, 1790-1869), i cili pati jetuar vetë një kohë në Ballkan; “Bëje të mirën pa hithe në det” ,Sofje 1900 (Thust du was gutes, wirf s ins Meer), një rrëfenjë moralizuese gjermane e Franc Hofmanit. Përktheu edhe pjesë nga romani “Robinson Kruso” të shkrimtarit anglez Daniel Defoë (1660-1731)Robinson, Selanik 1909. Përktheu nga studiuesi suedez Johan Tunman (Johann Thunmann 1746-1778) dhe Psikologji e edukatesë, Tiranë 1923 (Psychologie de l’éducation) nga psikologu frëng Gystav Lë Bon (Gustave Le Bon, 1841-1931).

*   *   *

Mithat Frashëri është një nga veprimtarët dhe krijuesit e rrallë të kohës që nuk botoi ndonjë poezi. Sidoqoftë, ai botoi një përmbledhje me poezi në prozë, tregime të shkurtra dhe përsiatje me titullin “Hi dh shpuzë” , Sofje 1915. Këto tregime për vuajtjet nën zgjedhën turke, për gjakmarrjen mes shqiptarëve dhe për luftërat në Ballkan janë me vlerë, ndonëse përshkohen nga një notë didaktike. Në këtë vepër shfaqen tiparet e një proze të mirëfilltë me gjuhë të pasur artistike, ndjeshmëri dhe analiza psikologjike.

Mithat Frashëri është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora