Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Maqedonia - nyje e Gordit
E shtune, 10.02.2018, 09:27 PM
MAQEDONIA – NYJE E GORDIT
Nga Xhelal Zejneli
Në lashtësi, në gadishullin që më vonë u quajt ballkanik, jeton disa popuj. Midis tyre ilirët, helenët, dakët, maqedonasit, trakët etj. Bij të ilirëve janë shqiptarët. Grekët e sotëm thonë se janë pasardhës të grekëve të vjetër, por këtë nuk e dëshmojnë me prova të qëndrueshme. Dakët ishin popull i shprehjes gjuhësore trake. Jetonin në Daki, provincë e dikurshme romake në rajonin e Rumanisë së sotme. Konsiderohen paraardhës të rumunëve të sotëm. Dakët u romanizuan si pasojë e pushtimit të Dakisë nga perandori romak Mark Ulpie Trajani (sundoi në vitet 98-117). Në Maqedoninë antike flitej gjuha maqedonase. Sot e kësaj dite nuk dihet saktë në ka qenë vetëm një dialekt i greqishtes së vjetër, apo gjuhë e veçantë. Maqedonishtja bën pjesë grupin e gjuhëve të vdekura të familjes së gjuhëve indoevropiane. Në kohët e Greqisë së vjetër, Maqedonia ka qenë mbretëri, e cila në kohën e Filipit II (382-336 para K.) dhe Aleksandrit të Madh (356-323 para K.) u bë fuqi botërore.
Maqedonia është territor i vjetër ballkanik. Gjatë sundimit të perandorit Samuil (sundoi në vitet 976-1014) u bë qendër politike, kishtare dhe kulturore e Bullgarisë. Pretendimet bizantine-bullgare për Maqedoninë vazhduan edhe gjatë sundimit të dinastisë bullgare Asen (1187-1258). Në shekullin XIV Maqedoninë e pushtoi shteti serb dhe nën pushtetin e tij mbeti deri në pushtimet otomane. “Çështja maqedonase” në shekullin XIX dhe XX nënkuptonte ndezjen e sërishme të këtij konflikti të vjetër. Maqedonia ishte mollë grindjeje e tre shteteve të reja ballkanike – Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Secila prej tyre pretendonte për tërë territorin e Maqedonisë. Sofja dhe Beogradi kishin rënë dakord që Maqedonia të bëhet autonome, por Serbia i pranoi kërkesat e Bullgarisë ndaj Maqedonisë në jug të vijës së lakuar që shkon nga veriu i Kriva Pallankës deri në veri të Ohrit. Kujt do t’i përkisnin viset shqiptare – Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi dhe Kumanova – për këtë do të vendoska perandori rus.
Në shekullin XIX, në rajonin e Maqedonisë kanë banuar disa grupe etnike, si: bashkësia sllavishtfolëse, grekët, shqiptarët, turqit, vllehtë, hebrenjtë. Me fjalë të tjera, kemi një përzierje popujsh. Për shkak të kësaj përzierjeje, në restorantet e Francës ekziston e ashtuquajtura sallatë maqedonase. Asnjëra prej këtyre grupeve etnike, nuk përbënte shumicë, për të qenë mbartëse e ndonjë ideje kombëtare. Sipas Bullgarisë, sllavishtfolësit e këtij rajoni janë bullgarë dhe paraqesin shumicë ndaj grupeve etnike të tjera. Mbi këtë bazë, Bullgaria e ka kundërshtuar ndarjen e këtij rajoni. Ka synuar ta marrë të tërin.
Ballkani ishte fuçi baruti. Është koha e bellum omnium in omnes. Pas mbarimit të luftës së parë ballkanike, Turqia u largua nga pjesa më e madhe e gadishullit. Rajonin që braktisi, shtetet ballkanike e quajtën “zonë e kontestueshme në Maqedoni”. Bullgaria, nën ndikimin e diplomacisë austro-hungareze për ndarjen e presë nga lufta e sipërthënë, ndërmori në Bregallnicë sulmin kundër forcave serbe (VI. 1913). Serbisë së sulmuar iu bashkuan Mali i Zi dhe Greqia, më vonë edhe Rumania dhe Turqia. Bullgarët u mundën. Ky konflikt i armatosur njihet në histori si luftë e dytë ballkanike. Maqedonia nuk u bë autonome, por u nda sipas dispozitave të Paqes së Bukureshtit (1913). Më tepër se gjysmën e këtij territori, me Selanikun si qendër, e mori Greqia (Maqedonia e Egjeut), një pjesë të mirë e zhvati Serbia (Maqedonia e Vardarit, të cilën serbët e quanin Serbia jugore), ndërsa humbësja e luftës – Bullgaria, mori pak më tepër se një të dhjetën (Maqedonia e Pirinit). Bullgaria e humbi po ashtu edhe Dobruxhën jugore, e cila i takoi Rumanisë, por iu lejua të mbajë një pjesë të Trakës, duke fituar kësisoj daljen në Detin Egje.
Edhe rajoni historik e gjeografik i gadishullit – Trakia (lat. Thracia), u konsiderua si zonë e kontestueshme. Për të, ndërmjet Turqisë, Bullgarisë dhe Greqisë shumë herë është bërë tregti, e pikërisht në vitet: 1878, 1885, 1913, 1919, 1920, 1923 si dhe pas mbarimit të Luftës II Botërore. Pjesën në perëndim të lumit Maricë e ka Greqia, ndërsa atë në lindje të lumit – Turqia. Një pjesë të saj e ka Bullgaria.
Grekët e sotëm, Maqedoninë e quajnë Makedhonia. Ajo ka një sipërfaqe prej 34.177 km2. Sipas regjistrimit të vitit 1991, aty banojnë 2.263.000 banorë. Republikës së Maqedonisë ndërkaq, ka një sipërfaqe prej 25.713 km2. Duhet thënë se në veriperëndim të RM-së, që nga parahistoria, jetojnë shqiptarët autoktonë.
Për destabilizimin e Ballkanit, është e interesuar Serbia. Madje, ajo synon ta paraqesë gadishullin, si rajon krize. Zhytja e rajonit në krizë, ia çel rrugën Rusisë për t’u penetruar në të. Duke qenë se një pjesë e rajonit është e banuar prej popujve sllavë, Moska mëton ta konsiderojë atë si zonë të veten interesi apo sferë të veten ndikimi. Por, në gadishull jetojnë edhe popuj që nuk janë sllavë – shqiptarët. Po qe se kontesti rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës nuk zgjidhet deri në samitin e NATO-s, atëherë Maqedonia duhet të pranohet në aleancë me emërtimin e zgjeruar – IRJM. Duke qenë se Greqia është anëtare e strukturave euro-atlantike, rrjedhimisht, përballë Shkupit, ajo ndodhet në pozitë më të favorshme. Ajo nuk ka përse të ngutet për ta zgjidhur çështjen. Maqedonia duhet të jetë më e interesuar për kapërcimin e problemit, ngase zgjidhja e kontestit me grekët është conditio sine qua non për hyrjen e saj në NATO dhe në BE.
Duke mbajtur parasysh faktin se rreth tridhjetë për qind e popullsisë së Maqedonisë përbëhet prej shqiptarëve, atëherë pjesë e zgjidhjes së çështjes së emrit duhet të jetë edhe faktori politik shqiptar.
Në kontestin rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës, asnjëra palë nuk ka të drejtë ekskluzive. Grekët nuk kanë të drejtë ekskluzive për t’i dalë zot rajonit që mban emrin antik Maqedoni, për arsye se:
- me asgjë nuk e dëshmojnë se maqedonasit e lashtësisë kanë qenë grekë të vjetër apo një fis i helenëve;
- RP (RS) e Maqedonisë ka qenë njësi e federatës jugosllave, që prej viti 1945, Athina ndërkaq, në atë kohë, fare pak e ka kundërshtuar një gjë të tillë.
Grekët e vjetër i kanë konsideruar maqedonasit inferiorë, ndërsa politikani dhe oratori athinas Demosteni (384-322 para K), në një fjalim i ka quajtur maqedonasit barbarë. Grekët dhe romakët i quanin barbarë të huajt, d.m.th. popujt që nuk ishin grekë apo romakë.
Për t’i dalë zot rajonit me emër antik Maqedoni, nuk kanë të drejtë as sllavo-maqedonasit. Madje, fare s’kanë të drejtë. Identifikimi i tyre me maqedonasit e lashtësisë është veprim bizar, grotesk, absurd dhe komik. Kjo paraqet shtrembërim të historisë dhe histori të trilluar e të sajuar. Kur nuk ke histori, nuk do të thotë se mund ta trillosh atë. Askush s’ta lejon një të tillë. Një popull që e mohon prejardhjen e vet të vërtetë, zhytet në labirintet e së kaluarës dhe e humb rrugën në to. Për të pasur shtet, nuk është e domosdoshme të kesh gjuhë të veçantë. Austriakët, ndonëse flasin gjermanisht, e kanë shtetin e vet. Shembuj të tillë ka me të madhe. Gjuhë amerikane s’ka, por shtet amerikan – po. Me fjalë të tjera, shtet mbase edhe mund të kesh, por nuk mund të jesh komb, në kuptimin klasik. Fjala toponomastike Maqedoni, është term gjeografik. Nuk mund të jesh komb në kuptimin klasik, po qe se emërtohesh me një term gjeografik.
Duke qenë se sllavo-maqedonasit banojnë në një pjesë të rajonit që mban emrin antik Maqedoni, do të duhej të kishin të drejtë që në emërtimin e ri të shtetit, të figurojë edhe toponimia Maqedoni. Mirëpo, sllavo-maqedonasit nuk mund të ndërtojnë shtet në trojet shqiptare. Pjesa veriperëndimore e Maqedonisë, që nga parahistoria, është e banuar prej shqiptarëve.
Maqedonia është kreaturë serbokomuniste dhe kominterniste. Krijimi dhe ekzistimi i saj është në funksion të amortizimit dhe të asnjanësimit të aspiratave hegjemoniste dhe ekspansioniste të fqinjëve ballkanikë – Serbisë dhe Greqisë, pa përjashtuar as Bullgarinë.
Maqedonasit e sotëm janë sllavë. Si të tillë, nuk mund të identifikohen me ata të lashtësisë. Sllavët në gadishull kanë ardhur prej Karpateve në shekullin VI dhe VII. Teoria: Kemi qenë maqedonas antikë, ndërsa më vonë jemi asimiluar dhe jemi sllavizuar, është e pabazë. Teoria mbi prejardhjen antike të sllavo-maqedonasve, është aktualizuar kryesisht në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Aleksandri i Madh ndërkaq, ky bir i një princeshe të Epirit, ka jetuar para 2341 vitesh.
Gruaja e Filipit II – Olimpia (u nda nga burri më 337 para K.) ishte princeshë e Epirit, krahinë kjo e Ilirisë. Megjithëkëtë, shqiptarët kurrë s’kanë shfaqur pretendime për rajonin antik të Maqedonisë.
Sipas ligjeve greke, në Greqi jetojnë vetëm grekët. Ekzistimi i grupeve të tjera etnike mohohet. Përpos kësaj, që nga koha e pavarësisë nga sundimi turk, kanë bërë pastrimin etnik të territoreve. Bashkësitë etnike jogreke, me dhunë i kanë dëbuar prej vatrave stërgjyshore. Ndaj çamëve, grekët kanë ndjekur politikën e tokës së djegur. Po kështu edhe ndaj popullsisë sllavofone. Është për t’u habitur sesi BE-ja, një Greqi të tillë – jodemokratike – e ka pranuar në radhët e veta. Sipas Athinës, Shkupi ka ose një ditë mund të ketë pretendime territoriale ndaj pjesës greke të Maqedonisë. Duke qenë se grekët e ruajnë të drejtën ekskluzive për t’u identifikuar me maqedonasit e lashtë, atëherë del se edhe ata kanë pretendime territoriale ndaj IRJM-së. Duke qenë se Greqia është në vijën e parë të frontit përballë Turqisë, mu për këtë arsye, me dekada ka qenë e përkëdhelura e Perëndimit. Grekët hiqen se janë fuqia kryesore e rajonit. Megjithëkëtë, ka dhjetë vjet që janë në krizë. Brukseli duhet t’i vërë kusht Athinës: Në do ndihma financiare, ndiq politikë të fqinjësisë së mirë.
Politikën greke e përcaktojnë ultra-nacionalistët, shovinistët, e djathta ekstreme dhe kleri ortodoks grek - skajshmërisht reaksionar. Njësoj si ai serb.
Thonë se IRJM-ja mund të quhet: Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Veriut, Maqedonia e Vardarit, Republika e Maqedonisë – Shkupi, Maqedonia e Re. Një emërtim që do të përmbante një atribut sllav, kurrë s’do të pranohej prej shqiptarëve. Nga propozimet e sipërthëna, askund nuk figuron varianti ku të përfshihej edhe emri Ilirida. Sidoqoftë, të gjithë shqiptarët janë të interesuar që Maqedonia të integrohet në organizmat euro-atlantikë, ndaj tregohen konstruktivë dhe nuk bëjnë asnjë veprim që do ta dëmtonte zgjidhjen e kontestit me grekët. Duke qenë se Ilirida nuk është në kombinim, atëherë prej propozimeve të sipërthëna, më i pranueshëm për shqiptarët do të ishte emërtimi Maqedonia e Re. Ky emërtim ta përkujton edhe gazetën Nova Makedonija (Maqedonia e Re) që ka nisur të botohet fill pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç kësaj, pas Marrëveshjes së Ohrit, do të duhej të kishim një Maqedoni të re. Emërtimi i ri të IRJM-së, duhet të përkthehet apo të shqiptohet në gjuhën shqipe dhe të shkruhet në shqip me alfabetin e gjuhës shqipe. Ndryshe, shqiptarët nuk duhet të pranojnë kurrfarë marrëveshjeje, as me sllavo-maqedonasit dhe as me grekët. Dhe kjo çështje duhet të përcaktohet me kushtetutë dhe me ligj.
Identifikimin e sllavo-maqedonasve me maqedonasit antikë, nuk e ka mbështetur asnjë shtet i Evropës. E vetmja që e ka mbështetur një kuazi-histori të tillë është Turqia, ngase ajo është në konflikt historik me Greqinë.
Kontesti rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës, flet për krizën e identitetit të popullit sllavo-maqedonas. Të thuash se je maqedonas antik, edhe pse s’je i tillë, do të thotë të përpiqesh të krijosh histori të rrejshme. Të thuash se je maqedonas i kohës së Filipit II dhe të heqësh dorë nga kjo, do të thotë se nuk ke kurrfarë identiteti kombëtar. Dhe ky popull me identitet të diskutueshëm, që nga viti 1945 deri më sot, me ndihmën e Beogradit, ka ndjekur ndaj shqiptarëve politikë diskriminuese dhe restriktive.
Qeveria e Gruevskit dhe ideologjia nacionaliste, romantike, retrograde, anakronike, dhe antievropiane e VMRO-së, duke ngritur përmendore për figurat e lashtësisë dhe duke i emërtuar objektet dhe institucionet me emra të personaliteteve të periudhës antike, zgjidhjen e çështjes së emrit e ndërlikoi akoma më shumë. Para ca vitesh, VMRO-ja mbajti njëfarë kongresi, ndërsa një vmro-ist kishte thënë: Kongresin tjetër, do ta mbajmë në Selanik! Kjo tregon se VMRO-ja ka pretendime territoriale ndaj Maqedonisë së Egjeut.
Është në interes të Athinës dhe të Shkupit, por edhe të mbarë rajonit që problemi të zgjidhet sa më parë dhe në mënyrë racionale. Zgjidhja e kësaj çështjeje, për Maqedoninë paraqet perspektivë, e rrit stabilitetin e saj dhe i mundëson zhvillim ekonomik më dinamik. Moszgjidhja e çështjes, mund ta kthejë atë në nyje të Gordit, të cilën nuk do të mund ta zgjidhë kush, përpos shpatës së Aleksandrit të Madh.