Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Tragjedia e poetit
E diele, 21.12.2014, 06:39 PM
TRAGJEDIA E POETIT
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Lajmi për vdekjen aksidentale të djalit 19-vjeçar të poetit të shquar Visar Zhitit – Atjonit, preku zemrat e shqiptarëve në të gjitha hapësirat arbërore.
Jetëshkrimi i këtij liriku të madh s’ka se si të mos e renditë atë në qerthullin e “mauvais poètes”. Në këto çaste të rënda për poetin kur janë duke u bërë homazhet e fundit për të birin që vajti në qiell, nuk mund të mos e përkujtojmë golgotën që përjetoi ai gjatë regjimit që ishte jotolerante ndaj artit dhe poezisë moderne.
Visar Zhiti lindi në Durrës, në vitin 1952. Hoqi përndjekje të tmerrshme, pa kurrfarë shkaku tjetër, veç poezisë. Është bir i aktorit të teatrit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visari u rrit në Lushnjë, ku dhe kreu shkollën më 1970, e pastaj punoi si mësues në fshatrat afër Kukësit. Më 1973 ishte duke përgatitur për botim përmbledhjen Rapsodia e jetës së trëndafilave, kur shpërtheu fushata për spastrimin e intelektualëve e Plenumit të Katërt të PPSh-së. Zhiti, babai i të cilit kishte pas rënë më parë në konflikt me autoritetet, do të ishte një nga ata që u përzgjodhën si kurbanë për të trembur shtresën e intelektualëve. Dorëshkrimi i përmbledhjes me poezi, që ia kishte dorëzuar redaksisë së shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, u gjet që përmbante gabime ideologjike të rënda dhe u ekspertizua se nxin realitetin. Sa subjektive dhe idiote ishin gjykimet politike për veprat letrare, mund të shihet nga reagimi ndaj poezisë së mëposhtme të Zhitit:
Jo, jo.
Nuk i lyej kurrë këpucët
te lustraxhinjtë!
S’i dua njerëzit te këmbët e mia
Për vargjet e sipërthëna, poeti u akuzua se ishte kundër klasës punëtore. Dorëshkrimi i paraqitur u interpretua si agjitacion dhe propagandë antikomuniste.
Pas viteve pasigurie me shpatën e Damokleut të partisë mbi krye, poeti u arrestua më 8 nëntor 1979 në Kukës, ku qe ende mësues. Pas kësaj, muajt i kaloi në izolim të plotë. Për të mos e pësuar nga mendja, krijoi 97 poezi. Në prill të vitit 1980 u dënua – për vargje bodleriane - me 10 vjet burg, u transferua në burgun e Tiranës dhe që andej – në kampin e minierës së bakrit në Spaç si dhe në kampin e akullt malor të Qafë Barit, ku punoi derisa u lirua më 28 janar 1987. Pasi doli nga burgu, përkatësisht nga internimi, iu lejua të punojë në një fabrikë tullash të Lushnjë.
Në vjeshtë të vitit 1991 vajti në Itali dhe punoi si gazetar në Milano deri në korrik të vitit 1992. Më vonë u bë drejtor i po asaj shtëpie botuese – Naim Frashëri, që dikur e kishte lënë në dorë të fatit.
Vëllimet poetike të Zhitit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe janë botuar në disa vende të botës. Me krijimtarinë letrare të tij, janë marrë kritikë letrarë eminentë, të vendit dhe huaj.
Zhiti është autor i disa librave, përkatësisht përmbledhjeve poetike:
Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
"Koha e krisur”, Tiranë, 1993
Hedh nj? kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
Rruget e ferrit: burgologji (2001)
Të gjithë adhuruesit e vargut zhitian dhe shumë shqiptarë në gadishull dhe në diasporë, ndajnë dhimbjen e thellë me poetin e madh, për humbjen në lule të moshës, të të birit Atjon Zhiti.