Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Irracionalizmi i një politike destruktive
E marte, 04.02.2014, 07:41 PM
IRRACIONALIZMI I NJË POLITIKE DESTRUKTIVE DHE REPRESIVE
Nga Xhelal Zejneli
Prej vitit 2006 e këndej, qeveria e VMRO-së është duke ndjekur ndaj shqiptarëve politikë represive dhe opresion. Qëllimi i kësaj politike irracionale është disiplinimi dhe pacifizmi i shqiptarëve. Lufta e 2001-shit, ndër qarqet nacionaliste sllave, krijoi kompleks inferioriteti. Për ta flakur këtë ndjenjë përulësie, në intervale kohore të caktuara, ndaj shqiptarëve të pafajshëm dhe të pambrojtur, ndërmerren veprime violente. Mbi ta pra, pa kurrfarë preteksti, ushtrohet dhunë. Të nëpërkëmbur tej mase, pozita e shqiptarëve në Maqedoni sot, të përkujton reprezaljet e boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd të viteve 1985-1990. Qeveria e VMRO-së e viteve 2006-2013, tenton t’i kthejë shqiptarët në kohën e tiranisë rankoviqiste.
Antishqiparizmi në Maqedoninë dyetnike është duke u bërë praktikë dhe rrezikon që një ditë të marrë përmasa dramatike. Ai manifestohet në forma të ndryshme, si:
- zbatimi i masave bizantine të frikësimit ndaj shqiptarëve të Manastirit, të Krushevës, të Prespës dhe të Resnjës;
- diskriminimi i egër i shqiptarëve të fshatrave të Prilepit dhe të Velesit, i zbatuar nga pushtetarët sllavë;
- sulmet e kohëpaskohshme ndaj të rinjve shqiptarë nëpër autobusët e qarkullimit urban të Shkupit nga grupe të rinjsh sllavo-maqedonas;
- sulmet e kohëpaskohshme, me pasoja të rënda, ndaj nxënësve shqiptarë nëpër oborret e shkollave, nga grupe të rinjsh sllavo-maqedonas;
- sulmet e pareshtura ndaj ndërtesës së Kongresit të Alfabetit në qytetin e Manastirit;
- vendosja e përmendores së Car Dushanit, në kuadër të projektit Shkupi 2014, në kundërshti të plotë me vullnetin e shqiptarëve;
- tekstet shkollore të historisë, të gjeografisë, të artit muzikor, të njohurive mbi shoqërinë - me përmbajtje antishqiptare;
- botimi i enciklopedisë nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve në vitin 2009, me një mori të pavërtetash për shqiptarët;
- ekspeditat ndëshkuese të forcave të armatosura të Gruevskit në Sopot, në vitin 2006;
- ekspedita ushtarake dhe policore në fshatin Brodec të Tetovës në vitin 2008;
- vrasja kriminale e katër shqiptarëve, më 13 maj 2010, me ç’rast humbi jetën edhe Harun Aliu, një prej pjesëtarëve prominent të UÇK-së;
- brohoritjet nëpër stadiume: vdekje shqiptarëve, dhoma gazi për shqiptarët, shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur, përfshi këtu edhe fjalët triviale ndaj femrës shqiptare;
- ndërtimi i kryqit, të gjatë 57 m, në qendrën e banuar “Aeroporti” të Shkupit, gjë që në një vend shumëkonfesonal, për bashkësitë josllave, paraqet provokim (kryqi nuk vendoset për qëllime fetare, por për të sllavizuar çdo cep të Maqedonisë);
- pritja si hero nga funksionarë të lartë të shtetit, e Johan Tarçullovskit, të dënuar në Hagë për vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Luboten në luftën e 2001-shit, me rastin e kthimit të tij nga burgu i Sheveningenit, ndërsa statusi i dëshmorëve shqiptarë të së njëjtës luftë vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Brohoritjet e sipërthëna nuk janë raste të izoluara siç i interpretoi në mënyrë degutante një funksionar i lartë shqiptar i qeverisë së përtashme të VMRO-së. Ato janë bërë praktikë e rregullt dhe dëshmojnë për edukimin ksenofobik të të rinjve sllavo-maqedonas.
Në malin Sharr të Tetovës, ndodhet qendra rekreative dimërore Kodra e Diellit. Rreth saj ndodhen një varg fshatrash malore të banuara me popullsi 100% shqiptare. Në këto shpate skijimi, në kohë krize ekonomike dhe papunësie frapante, qeveritarët sllavo-maqedonas ndërtuan një kompleks manastiri. Shtrohet pyetja: Kujt i shërben një kishë, në bjeshkët e Sharrit, ku nuk ekziston asnjë fshat i banuar nga sllavo-maqedonas?!
Në kalanë e Tetovës, pikërisht aty ku më 14 mars 2001 u dëgjuan në këtë rajon krismat e para të luftës së 2001-shit, qeveritarët sllavo-maqedonas, po ashtu ngritën një kishë, ndonëse në këtë zonë nuk banon askush. Rreth gjysmë kilometri pranë kalasë në të cilën u ngrit kisha, ndodhet fshati Llacë, i banuar me 100% popullsi shqiptare. Kujt pra i duhet kjo kishë në kalanë e Tetovës, ku nuk banon as edhe një banor sllavo-maqedonas?!
Emërtimi i skiliftit të Kodrës së Diellit rrëzë Sharrit mbi Tetovë, që gjatë zgjedhjeve e quajtën kryeqendër të shqiptarëve të kësaj ane - pa i pyetur shqiptarët dhe kundër vullnetit të tyre - flet në mënyrë eklatante për shkallën dramatike të shpërfilljes së përfaqësuesve shqiptarë në institucionet e sistemit. Kjo dëshmon njëherazi edhe për indolencën, për indiferencën, për mosinteresimin dhe për mosbrengosjen totale të establishmenttit shqiptar, lidhur me dushanizimin e trojeve shqiptare, në Evropën e shekullit XXI. Do funksionarë shqiptarë, duke u marrë me politikë të lartë – integrimin e këtij vendi në organizmat euro-atlantikë - vërtet nuk kanë kohë të preokupohen me punë të vogla.
Vendosja e simboleve sllave në hapësirat shqiptare nga qeveritarët sllavo-maqedonas të përkujton sllavizmin e emrave toponomastikë të trojeve shqiptare nga ekspansionisti serb Car Dushani në shekullin XIV.
Ndërtimi
i kishave në hapësirat etnike shqiptare, në zona të pabanuara apo të banuara me
popullsi 100% shqiptare, nuk ka kurrfarë qëllimi fetar. Këtu kemi të bëjmë me
sllavizmin e hapësirave shqiptare. Nga kjo
Politika e represionit mbi shqiptarët, e filluar që nga luftërat ballkanike, vazhdoi me intensitet të madh, që nga viti 1945 deri në ditët tona.
Maqedonia është vend dyetnik. Ngritja e simboleve sllave në hapësirat shqiptare nuk është në funksion të bashkëjetesës midis dy bashkësive etnike. Përkundrazi, kishat dhe kryqat, që ndërtohen jo për qëllime fetare, por për të manifestuar dhe për të imponuar praninë sllave në hapësirat shqiptare, janë në kundërshti edhe me synimet e Uashingtonit dhe të Brukselit, për një Maqedoni multietnike dhe multikulturore. Kjo fushatë e egër kundër shqiptarëve vetvetiu imponon pyetjen:
- në ç’pozitë ndodhen shqiptarët dhe cili është statusi i tyre;
- cili është roli i faktorit politik shqiptar dhe çfarë kapaciteti politik posedon ai;
- cila është përgjegjësia e BDI-së, si bashkëqeverisëse e shtetit.
Partia shqiptare në pushtet, nga strategjia represive e partnerit të koalicionit nuk mjafton të distancohet vetëm me komunikata dhe deklarata defensive, të shndërruara në klishe, të tipit: “E dënojmë aktin e dhunës dhe kërkojmë nga organet kompetente t’i zbulojnë fajtorët. U bëjmë apel qytetarëve të ruajnë gjakftohtësinë, në mënyrë që të mos bien pre e provokimeve”. Një subjekt që ka pushtet, duhet të marrë masa konkrete. Ndryshe, formulimi retorik i sipërthënë, s’ka se si të mos jetë demagogji.
Lidhur me politikën destruktive të VMRO-së, do nga komandantët e luftës së 2001-shit, nuk shfaqën as edhe një reagim verbal. Ca prej tyre, sapo u krijuan rrethanat për t’u përfshirë në institucionet e sistemit, bënë çmos ta shfrytëzojnë një mundësi të tillë dhe të zënë pozita në organet ligjvënëse dhe ekzekutive. Nuk duhet besuar që ata, me t’u integruar në sistemin unitar, monoetnik dhe centralist të Maqedonisë, ideologjinë kombëtare ta kenë lënë në plan të dytë, për të mos thënë - të jenë zhveshur prej saj. Shtrohet pyetja: Cili ishte qëllimi i shqiptarëve:
- të zgjidhin kauzën kombëtare, apo
- të zënë pozita në sistemin njëetnik të shtetit dykombësh, për t’i shërbyer një politike mefistofeliane.
Në hapësirën politike shqiptare mungon mendimi kritik dhe kritika politike. Historia dëshmon se nuk ka qenë e vështirë për një sundimtar të nënshtrojë një popull të shndërruar në masë sociale të varfëruar, ku mediumet kanë qenë nën mbikëqyrjen e shtetit dhe të faktorit politik, ku opinionin e kanë krijuar analistët mercenarë dhe romantikët e vonuar, ndërsa mediokriteti është përuruar në kryevlerë.
Pala sllave duhet ta dijë se shqiptarët kurrë s’kanë për t’u nënshtruar. Noli, ky vigan liberator, thotë: S’të tremb romani as veneciani, as serb Dushani, as turk sulltani.