Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Ultranacionalizmi sllavo-maqedonas
E diele, 30.09.2012, 07:34 PM
ULTRANACIONALIZMI SLLAVO-MAQEDONAS DHE RIDEFINIMI I MAQEDONISË
Shqiptarët në rajon, nuk kërkojnë kurrfarë të drejtash të posaçme, për arsye se ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.
Nga Xhelal Zejneli
Forcat e armatosura maqedonase të
luftës së 2001-shit, shikuar nga këndvështrimi shqiptar, nuk kanë qenë
mbrojtës. Në të vërtetë ata kanë mbrojtur një sistem, një regjim dhe një
pushtet antidemokratik. Kanë mbrojtur një kushtetutë, sipas së cilës Maqedonia
përkufizohej si shtet unitar, monoetnik dhe centralist. Një kushtetutë nga e
cila, ndaj shqiptarëve nxirreshin ligje diskriminuese dhe restriktive. Lufta e
2001-shit nuk u zhvillua në tokat sllavo-maqedonase, por në ato shqiptare.
Rrjedhimisht, “mbrojtësit” maqedonas të luftës së 2001-shit,
nuk ishin veçse agresorë dhe pushtues.
Reagimi i Bashkimit Demokratik për
Integrim lidhur me tendencën e VMRO-së për të nxjerrë ligj për të
ashtuquajturit mbrojtës maqedonas të 2001-shit - nuk është në
përputhje me peshën e problemit. Fjalimet disaorëshe të disa deputetëve të
subjektit politik të sipërthënë, në stilin e Fidel Kastros apo të Hygo Çavezit
nuk janë përgjigje përkatëse ndaj ultra-nacionalizmit, antishqiptarizmit dhe
arrogancës së kryeministrit maqedonas Gruevskit dhe partisë që udhëheq ai.
Miratimi i ligjit të lartpërmendur nuk duhet të parandalohet me veprime
procedurale, por me qëndrim politik të prerë. Problemi i
shqiptarëve në Maqedoni nuk është miratimi ose jo, i ligjit për “mbrojtësit”maqedonas
të luftës së sipërthënë. Ligji mund edhe të mos miratohet, por çështja
shqiptare në Maqedoni vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Prej viti 2006 e këndej,
qeveritë e VMRO-së dhe të kryeministrit maqedonas – Gruevskit ndjekin politikë
ultra-nacionaliste dhe antishqiptare.
Thelbi i kësaj politike është:
- Të krijohet shteti maqedonas, si
pronë e sllavo-maqedonasve;
- Të krijohet kombi maqedonas;
- Sllavo-maqedonasit të jenë
trashëgues të vetëm të shtetësisë së këtij vendi, të shkëputur nga Jugosllavia;
- Sllavo-maqedonasit të jenë i vetmi
popull shtetformues apo shtetndërtues;
- Maqedonia të jetë shtet unitar,
monoetnik dhe centralist;
- Ligjet e shtetit të jenë
restriktive dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve;
- Ndaj shqiptarëve të zbatohet
represion dhe opresion;
- Të zhbëhet karakteri dyetnik i
shtetit;
- Të komprometohet lufta e 2001-shit;
- Të diskreditohet Marrëveshja e
Ohrit;
- Të zhvleftësohet faktori politik
shqiptar në Maqedoni;
- Të defaktorizohet faktori shqiptar
në Maqedoni;
Shqiptarët në Maqedoni të shndërrohen
në pakicë apo në minoritet të shpërfillur; të merren vite me radhë me të
njëjtat probleme; të merren kryesisht, jo me çështje politike, por
me çështje infrastrukturore apo kulturore, si: ndërrimi i
dritareve të ndonjë shkolle, ndërtimi i ndonjë salle fizkulture, ndërrimi i
tjegullave të pullazit të pallatit të kulturës, meremetimi i hamamit etj.
Punimet e sipërthëna, faktori politik shqiptar t’i shpallë arritje historike të
popullit.
Prej vitit 2006 e këndej, për të mos
thënë dhe më herët, Marrëveshjen e Ohrit sllavo-maqedonasit e interpretojnë
ashtu si duan vetë, d.m.th. e keqinterpretojnë, e interpretojnë njëanshëm.
Marrëveshjen e Ohrit, sllavo-maqedonasit asnjëherë nuk e kanë njohur. Atë s’e
njohin as sot. Sipas tyre, kjo marrëveshje tanimë është jetësuar plotësisht,
ndaj për të s’ka se ç’bisedohet. Po ta pyesësh sot një ministër shqiptar të
qeverisë së përtashme, në ka mbetur diçka pa u realizuar nga Marrëveshja e
Ohrit, ai s‘ka për të thënë asgjë. D.m.th. është realizuar e
tëra. Por, ai do të shtojë se MO-ja, gjatë zbatimit në praktikë, has në
vështirësi. Përgjigjja e këtillë e ministrit shqiptar të kabinetit të Gruevskit
është e pakuptimtë. Implementimin apo zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, më parë
se qytetari i rëndomtë maqedonas, e vështirëson vetë VMRO-ja, d.m.th. vetë
faktori politik, që është edhe partnere e bashkëqeverisjes me partinë e
ministrit. Ndaj një VMRO-je të tillë BDI-ja duhet të manifestojë vendosmëri dhe
kapacitet politik.
Duke qenë se nga Marrëveshja e Ohrit
s’paska mbetur gjë pa u realizuar, atëherë shtrohet pyetja: A vëren
qytetari i rëndomtë shqiptar ndryshime në jetën e tij të përditshme, dhjetë
vjet pas miratimit të kësaj marrëveshjeje?!
Çështjet me dimension politik, nuk
zgjidhen me veprime të cilat pala sllavo-maqedonase mund t’i quajë ekzibicionizëm
politik. Çështjet me peshë politike zgjidhen me një marrëveshje
politike midis faktorëve politikë të të dyja bashkësive etnike. Në
të vërtetë, marrëveshja politike është pjesë e njëmarrëveshjeje
historike ndërmjet dy popujve. Po qe se për çështjet me vlerë
politike, midis faktorëve politikë të të dyja bashkësive etnike nuk mund të
arrihet marrëveshje politike, atëherë del se nuk qenka arritur paraprakisht
kurrfarë marrëveshjeje historike. Marrëveshjet historike ndërmjet
dy popujve u prijnë marrëveshjeve politike të faktorëve të tyre politikë.
Refuzimi i zgjidhjes së statusit të dëshmorëve të 2001-shit dhe miratimi i
njëanshëm i ligjit për “mbrojtësit” maqedonas, dëshmon se
midis faktorëve politikë të të dy popujve, jo vetëm që nuk është arritur një
marrëveshje politike, por pala sllavo-maqedonase as që ulet të bisedojë për një
çështje të tillë, madje as me partnerin “e bashkëqeverisjes”. Me
këtë, pala sllavo-maqedonase jo vetëm që e vë në dyshim dhe e
kontestonMarrëveshjen e Ohrit, por automatikisht e suprimon atë. Me
fjalë të tjera, marrëveshja historike midis shqiptarëve dhe
maqedonasve, e arritur në vitin 2001, mu në flakën luftës, madje në prani të
ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, me këtë politikë ultranacionaliste dhe
irracionale të Gruevskit - bëhet inekzistente.
Para këtij irracionalizmi të VMRO-së
faktori politik shqiptar nuk duhet të rijë inferiorë. Kjo politikë bizantine
dhe e djallëzuar nuk mposhtet me retorikë të zbrazët.
Një ministër shqiptar i qeverisë së
përtashme maqedonase, njëherazi edhe politikan i lartë i partisë së vet, para
ca ditësh tha: “Po qe se miratohet ligji për “branitelat”, atëherë mund
të iniciohet ndryshimi i Kushtetutës”. Ky politikan i lartë shqiptar, në
mënyrë të drejtpërdrejtë e pranoi se Kushtetuta e Maqedonisë, për shqiptarët
është diskriminuese?! Por, ky ministër dhe politikan nuk e tregoi mënyrën se si
do ta imponojë ndryshimin e kushtetutës së sipërthënë. Po qe se statusi politik
i shqiptarëve në Maqedoni nuk ka ndryshuar me Marrëveshjen e Ohrit që
ishte rezultat i luftës së 2001-shit, atëherë në ç’mënyrë do të ndryshojë sot,
në kohë paqeje, sikundër prononcohet për mediumet ministri shqiptar i kabinetit
të Gruevskit?!
Shqiptarët shpesh thonë: “Marrëveshja
e Ohrit ka garanci ndërkombëtar...”
Duke qenë se ndërkombëtarët janë
garantë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, atëherë shtrohet pyetja: “Ku
janë ndërkombëtarët për ta parandaluar interpretimin e njëanshëm dhe
nëpërkëmbjen e saj nga pala sllavo-maqedonase?!”
Faktori politik shqiptar në Maqedoni,
menjëherë pas mbarimit të luftës së 2001-shit, në frymën e Marrëveshjes së
Ohrit, me palën maqedonase duhej të arrinte marrëveshje politike, për sa vijon:
- Për mbrojtjen e vlerave të luftës
së 2001-shit dhe për përfshirje e saj në historinë e Maqedonisë si dhe në
tekstet e historisë;
- Për zgjidhjen e statusit të
dëshmorëve të luftës së 2001-shit;
- Për mbrojtjen e të drejtave të
familjeve të dëshmorëve të luftës së 2001-shit;
- Për zgjidhjen e statusit të
invalidëve të luftës së 2001-shit;
- Për mbrojtjen e të drejtave të
invalidëve të luftës së 2001-shit si dhe të familjeve të tyre;
- Për jetësimin në kohë të
Marrëveshjes së Ohrit;
- Për kremtimin ligjor të ditës së
nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Statusi i luftëtarëve të luftës së
2001-shit duhej të zgjidhej qysh para dhjetë vjetësh dhe jo sot. Kjo ishte puna
e parë që duhej bërë. Kjo çështje duhej të zgjidhej me ligj. Ky
nuk është problem social, por politik. Dëshmorët e luftës së 2001-shit
meritojnë respekt legjitim, legal dhezyrtar. Derisa në
krye të Ministrisë së Mbrojtjes të RM-së të jetë një shqiptar, duhet besuar se
ai, në varrezat e tyre do të bëjë homazh. Por, kur në krye të kësaj ministrie
të vijë një sllavo-maqedonas, athua ky do t’u bëjë homazh dëshmorëve
shqiptarë?! Kuptohet se jo. Pikërisht për këtë arsye,çështja e
lartpërmendur duhet të zgjidhet në mënyrë parimore.
Pa zgjidhjen ligjore të kërkesave të
mësipërme, faktori politik shqiptar – pavarësisht nga sugjerimet
eventuale të miqve perëndimorë - nuk duhej të hynte, as në qeveri dhe
as në parlament. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar, assesi
nuk do të duhej të hynte në sistem. Përkundrazi, në vitin 2006 faktori
politik shqiptar, pa asnjë marrëveshje politike konkrete me VMRO-në, rendi që
sa më parë të hyjë në qeveri, qoftë edhe si humbëse e zgjedhjeve.
Me të parë VMRO-ja se synimi i
faktorit politik shqiptar në Maqedoni paska qenë zënia e pozitave për qëllime
personale dhe jo realizimi i interesave të përgjithshëm, tha: “Jepu
këtyre pushtet pa pushtet dhe sundo mbi ta sa të duash dhe si të duash”.
Po qe se faktori politik shqiptar,
interesat kombëtarë nuk i mbron në mënyrë parimore dhe me vendosmëri para
VMRO-së, atëherë nuk do të mund t’i mbrojë as para LSDM-së, nën premisën që kjo
parti një ditë të vijë në pushtet. Opozita e sotme maqedonase mund t’i thotë
faktorit politik shqiptar:“Po të kishit qenë të interesuar për të
drejta kombëtare, do të kishit shkaktuar krizë politike në qeverinë e
VMRO-së. Ne tani, njësoj si pararendësit tanë, nuk mund t’ju ofrojmë
asgjë më shumë sesa pushtet pa pushtet për një grup njerëzish”.
Të dështuar në planin politik, do
ministra shqiptarë të kabinetit të VMRO-së, shqiptarëve të shtypur dhe
varfëruar ua tregojnë fshatrat e Potemkinit, duke u
thënë: “Sapo të hyjmë në NATO, investimet e huaja do të vërshojnë dhe
vendi do të lulëzojë.“ Këtë demagogji s’ke mundur ta lexosh as
në Fermën e kafshëve të Xhorxh Oruelit. Si
do të integrohet Maqedonia në NATO dhe në BE me problemet, siç janë: përplasjet
e brendshme ndëretnike; mosmarrëveshjet me Greqinë; acarimi i marrëdhënieve me
Bullgarinë; kontesti me Serbinë rreth kishës.
Nuk hyhet në BE pa i zgjidhur
mosmarrëveshjet ndëretnike si dhe kontestet me fqinjët. Ky është parim themelor i Brukselit. Serbia për shembull, kurrë
s’ka për ta parë integrimin evropian pa e njohur realitetin ekzistues në rajon,
me Kosovën si shtet të pavarur, demokratik dhe sovran në kufijtë ekzistues.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni,
në momente krizash, prononcohet heshtazi: “Ne dalim nga qeveria, por
s’na lënë ndërkombëtarët”. Ose: “Ne dalim nga qeveria, por
s’na lënë qendrat politike shqiptare të vendosjes. Uashingtoni, Brukseli,
Tirana dhe Prishtina na thonë se dalja e faktorit politik shqiptar nga qeveria
e Shkupit mund ta destabilizojë, edhe Maqedoninë edhe rajonin”. Atëherë
shtrohet pyetja:”Cili popull hyn në qeveri kundër interesave të
veta”?! Ose: “Pasi stabiliteti i Maqedonisë – dhe i rajonit –
vareshka prej hyrjes së shqiptarëve në qeveri, atëherë shtrohet pyetja tjetër:
Me se shpërblehen shqiptarët për hyrjen në qeveri?!”
Interesi i një grupi apo i një
koniunkture nuk paraqet interes të përgjithshëm.
Trysninë eventuale të lartpërmendur,
qendrat politike ndërkombëtare – Uashingtoni dhe Brukseli – duhet ta ushtrojnë,
jo mbi faktorin politik shqiptar, por mbi palën maqedonase. Shqiptarët luftojnë
për të drejta themelore dhe primordiale. Lufta e tyre është imperativ.
Sllavo-maqedonasit ndërkaq, synojnë të ndërtojnë shtet në tokë të huaj – në atë
ilire, për t’i shndërruar shqiptarët rrënjës në qiraxhinj pa tapi.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni,
sidomos BDI-ja që është partnere “e bashkëqeverisjes”duhet t’ua
bëjë me dije, edhe faktorit ndërkombëtar edhe qendrave politike shqiptare të
vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës, se politika e qeverisë së Gruevskit është
antishqiptare deri në skajshmëri dhe se shqiptarët, në një qeveri të tillë nuk
kanë ç’të kërkojnë. Nocioni koalicion ka kuptiminbashkëqeverisje.
Faktori politik shqiptar, prej vitit 2006 deri më sot nuk ka bashkëqeverisur
fare. VMRO-ja ka qeverisur vetë. Faktori politik shqiptar, në gjashtë vitet e
fundit nuk ka qenë veçse dekor i pushtetit sllav.
Faktori politik shqiptar, në interes
të përgjithshëm, duhet të ndajë pushtet me faktorin
politik maqedonas dhe jo të ushtrojë pushtet mbi popullin e vet.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni
duhet ta dijë se me politikën e tij defensive përballë VMRO-së - diskreditohet,
jo vetëm para të tashmes, por edhe para historisë.
Mungesa e një marrëveshjeje politike
ndërmjet partnerëve “të bashkëqeverisjes” i shtyn shqiptarët
të ndërmarrin veprime të cilat nga pala sllavo-maqedonase cilësohen si
joligjore, si p.sh.: vendosja e kurorave me lule në kompleksin e varrezave të
dëshmorëve në fshatin Sllupçan të Likovës nga ministri i përtashëm i Mbrojtjes;
ndërrimi i emrave të katër shkollave në Komunën e Çairit në Shkup; ekzekutimi i
himnit kombëtar shqiptar me rastin e përurimit të ndonjë objekti shkollor si
dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës etj.
Projektligji i hartuar për “mbrojtësit” maqedonas
të 2001-shit, duhej të ishte pjesë e një marrëveshjeje politike midis faktorit
politik shqiptar dhe atij maqedonas, para se të krijohej qeveria. Sikur midis
partnerëve “të bashkëqeverisjes” të ekzistonte një marrëveshje
politike, të gjitha veprimet e sipërthëna do të kryheshin pa tensione midis
palëve. Kjo dëshmon se qeveritë në Maqedoni krijohen pa marrëveshje
politike të përpikta. Po qe se midis palëve nuk mund të arrihet marrëveshje
politike para se të krijohet qeveria, atëherë faktori politik shqiptar nuk
duhet të jetë pjesë e saj.
Politika serioze, afatgjate dhe e
mirëfilltë nuk është improvizim, ekzibicionizëm apo marketing politik. Faktori politik shqiptar duhet të manifestojë
kapacitet politik. Veprimi politik i tij duhet të paraqesë vlerë politike.
Veprimi politik që nuk paraqet vlerë dhe efekt politik, ka ngjyra populizmi.
Ndërkombëtarët - Duket sikur faktori ndërkombëtar, çështjen shqiptare
në rajon e ndan në tri shkallë:
- e para, konsolidimi ekonomik dhe
social i Shqipërisë dhe përfshirja e saj në familjen perëndimore;
- e dyta, çlirimi i Kosovës nga
kolonialistët serbë, sovraniteti i saj mbi tërë territorin e vet, konsolidimi
ekonomik dhe social si dhe përfshirja e saj në familjen perëndimore;
- e treta, sigurimi i të drejtave për
shqiptarët në Maqedoni, nëpërmjet një marrëveshjeje me palën maqedonase.
Nga sa më sipër del se faktori
ndërkombëtar influent, çështjen shqiptare në Maqedoni, në fazën e përtashme,
nuk e trajton si çështje territoriale apo si çështje të një
populli që duhet të jetështetformues. Si duket, ndërkombëtarët nuk janë
të entuziazmuar për të krijuar tre kombe shqiptare në rajon. Duket sikur
thonë: “Me konsolidimin e Shqipërisë dhe me pavarësimin e Kosovës,
detyrimi ynë ndaj shqiptarëve – për këtë fazë - është përmbushur.”
Ndërkombëtarët e kanë një refren që
është bërë klishe: “Të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon.” Ata
duhet ta dinë se askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët ta ruajnë stabilitetin
e Maqedonisë, kësaj kreature artificiale dhe johistorike, kominterniste dhe
serbokomuniste, në dëm të vetë shqiptarëve. Brukseli dhe Uashingtoni sugjerimet
e veta për ruajtjen e paqes në rajon duhet t’ua
drejtojnë maqedonasve dhe jo faktorit politik shqiptar. Nuk janë
shqiptarët ata që e turbullojnë ujin në gadishull, por janë maqedonasit pa
identitet, ata që duan të krijojnë shtet në tokë të huaj.
Ku është parë në histori që një
komunë me shumicë shqiptare nuk mund t’i ndryshojë emrat e shkollave, në të
cilat nxënësit shqiptarë janë në përqindje absolute?! Ndryshimi i emrave
të shkollave nuk është kurrfarë çështjeje politike. Në pjesën veriperëndimore
të këtij vendi në të cilën shqiptarët paraqesin shumicë absolute, qindra rrugë,
në mos dhe mijëra sosh, mbajnë emra sllavësh, përfshi edhe emrat e figurave
jugosllave të kohës së komunizmit. Shqiptarët i kanë heronjtë dhe
personalitetet e veta, që nga ilirët deri në ditët e sotme. I kanë
personalitetet e luftërave çlirimtare kundër sundimtarëve të egër gjatë
historisë. I kanë martirët e luftërave çlirimtare kundër pushtuesve dhe
kolonizatorëve të shekullit XX. I kanë figurat emblematike të artit dhe të
shkencës, ndaj s’kanë nevojë për emra sllavësh.
A nuk e shohin ndërkombëtarët se
shqiptarët në Maqedoni nuk e respektojnë: as himnin e këtij vendi, as flamurin
e tij dhe as stemën?! Nuk i respektojnë ngase i kanë të vetat. A s’e shohin
ndërkombëtarët se në kremtimin e 21-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së
këtij vendi nuk mori pjesë asnjë shqiptar?! Çfarë shteti është ky kur 30 për
qind e popullsisë e injoron himnin, flamurin, stemëndhe ditën
e pavarësisë?! A mund të ketë perspektivë një shtet i tillë?! Në
Jugosllavinë e AVNOJ-it(KAÇKJ), përpos dy a tre shqiptarëve
të ndershëm, s’pati shqiptar që tregoi respekt për himnin jugosllav.
Si pasojë, Jugosllavia, ky krijim artificial i Versajës dhe i Kominternës, u
zhbë si flluskë sapuni.
Mu këtu shpie edhe politike
irracionale e Gruevskit. Megalomania dhe arroganca e politikanëve serbë, të
inspiruar nga Memorandumi antihistorik i akademikëve retrogradë, i solli serbët
te shkopi i lypësit.
Kësaj rruge shkojnë edhe
sllavo-maqedonasit. Depresiacioni dhe zhvleftësimi i ditëpërditshëm i denarit,
inflacioni i heshtur dhe ngritja e vazhdueshme e çmimeve janë pasojë e
investimeve të gabuara në projektet donkishoteske siç është ai i Shkupit
2014.
VMRO-ja merr forca nga shumë anë: Nuk
është pa mbështetjen e ndërkombëtarëve; e shfrytëzon politikën stabilizuese,
paqeruajtëse dhe të fqinjësisë së mirë të Tiranës dhe Prishtinës; e shfrytëzon
impotencën politike të faktorit politik shqiptar në Maqedoni.
VMRO-ja duhet të dijë se kombet u
krijuan në shekullin e kombeve – d.m.th.në qindvjeçarin XIX
dhe jo në atë XXI. Shqiptarët, duke qenë se në këtë pikëpamje u vonuan, sot e
kësaj dite vuajnë të zitë e ullirit. Faktori ndërkombëtar mund ta mbështet
krijimin e një Maqedonie si shtet dyetnik apo shumetnik, por kurrë s’ka për ta
mbështetur ideologjinë nacionaliste dhe romantike të VMRO-së të tipit të
shekullit të XIX – retrograde, johistorike, destabilizuese dhe luftënxitëse.
Politika e VMRO-së i rikthen proceset
politike prapa. Pozita e shqiptarëve sot është
sikur para 2001-shit. Madje ka edhe të tillë që thonë se shqiptarët në Maqedoni
kurrë s’kanë qenë më keq se sot.
VMRO-ja, me politikën e saj
nacionaliste dhe antishqiptare, përkundër krizëz së thellë ekonomike dhe
sociale që mbizotëron në këtë vend, vazhdon ta ketë mbështetjen e një pjese të
madhe të votuesve sllavo-maqedonas. S’ka dyshim se mbështetja më e madhe i vjen
për shkak të shpërfilljes së interesit shqiptar. Po qe se kjo parti
sllavo-maqedonase, sa herë që të vijë në pushtet, do t’i margjinalizojë
shqiptarët, atëherë shtrohet pyetja: “Në ç’mënyrë shqiptarët do t’i
zgjidhin problemet e veta politike, ekonomike dhe sociale”?! Ç’kuptim
ka veprimi politik i faktorit politik shqiptar që i fiton zgjedhjet, që
hyn në qeveri dhe s’arrin dot t’i realizojë kërkesat themelore të shqiptarëve?!
Me fjalë të tjera, ç’kuptim ka pjesëmarrja e qytetarëve dhe e
faktorit politik në procesin politik dhe demokratik, përderisa të qenët në
qeveri është joefektiv?!
Midis ultranacionalizmit gligorovist
e VMRO-ist, në një anë dhe shkallës së ulët të organizimit të faktorit
shqiptar, çështja shqiptare në Maqedoni përplaset midis Scilës dhe
Haribdës.
Në vitin 2006, në qeveri hyri
subjekti politik që i humbi zgjedhjet, d.m.th. që nuk e mori verdiktin e
shumicës së elektoratit shqiptar. Rrjedhimisht, u shtrua pyetja: Përse
shqiptarët të dalin në zgjedhje, përderisa nuk përfillet vota e shumicës?! Situata
sot, është akoma më e rëndë. Në qeveri nuk i shkon fjala as partisë që i fiton
zgjedhjet. Duke qenë se hyrja në qeveri e faktorit politik shqiptar është bërë
e pafrytshme dhe joefektive, atëherë shtrohet pyetja: A duhet shqiptarët të
marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, përderisa subjekti që
hyn në organin ekzekutiv – madje edhe si fituese - nuk përfillet fare?!
Faktori politik shqiptar në Maqedoni,
që nga viti 1991 deri më sot, asnjëherë nuk ka hyrë në qeveri me një
marrëveshje politike konkrete dhe të përpiktë, ndonëse gjithmonë ka deklaruar
se ka hyrë në koalicion me marrëveshje. Në shtetet dyetnike siç
është Maqedonia, koalicionet krijohen me një marrëveshje
politike paraprake, të hartuar me shkrim dhe me afate të përpikta
të realizimit të agjendës. Ndryshe, hyrja në qeveri nuk është veçse ulje në
kolltuqe, e një grupi njerëzish. Në politikën kombëtare nuk vlejnë
fjalët e mëdha, por arritjet konkrete. Diskursi atdhetar, i pambuluar
nga arritjet reale, nuk është veçse retorikë e zbrazët. Me të
tillë “nacionalizëm të zjarrtë”, shqiptarët janë të ngirë.
Nëpërkëmbja e interesit shqiptar
shkakton pakënaqësi latente në popull. Cili shqiptar do ta ndjejë si të veten,
një Maqedoni ku i injorohen liritë themelore?! Në një vend të tillë
nxiten tendencat qendërikëse. Atëherë, çfarë stabiliteti dhe çfarë
perspektive ka ky shtet?! Nacionalizmi i VMRO-së nuk është në dobi të vetë
popullit maqedonas. Historia e dëshmon se shtetet me turbulenca
ndëretnike, nuk ia dalin të ndërtojnë, as ekonomi dhe as demokraci.
Sllavo-maqedonasit synojnë që
çështjen shqiptare në Maqedoni ta zhveshin nga dimensionipolitik e kombëtar dhe
ta shndërrojnë në çështje sociale, kulturore dhe infrastrukturore.
Ata kanë për qëllim t’i zhveshin shqiptarët nga ideali i lirisë. Por, politika
dritëshkurtër e tyre mund të ndikojë nëhomogjenizimin dhe
në radikalizmin e faktorit shqiptar. Si rregull,
homogjenizimi i njërës bashkësi etnike determinon edhe homogjenizmin e palës
tjetër. E homogjenizuar mbi baza etnike, Maqedonia do të kthehej në fillim të
viteve ’90 të shekullit XX. Me veprimet politike retrograde, ajo do të mbetej
në margjinat e proceseve integruese.
Politika e VMRO-së synon
homogjenizimin etnik maqedonas dhe ka primesa të theksuara populizmi. Te spektri politik shqiptar ndërkaq, VMRO-ja
dhe qendra të jashtme të caktuara, kanë për qëllim të nxisin fragmentarizimin e
faktorit politik shqiptar si dhe lindjen efraksionizmit. Faktori
politik shqiptar nuk duhet të lejojë të shndërrohet në parti qytezash: njëra ta
fitojë Gostivarin, tjetra të kontrollojë Tetovën, e treta – Çairin e Shupit.
Një faktor politik i tillë, që të kujton feudet e
mesjetës është larg synimeve kombëtare dhe ndodhet nën shkallën e përgjegjësisë
historike. Përballë shovinizmit sllav, shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të rinë
duarkryq. Mundësitë ndodhen brenda vetë shqiptarëve dhe jo jashtë tyre.
Suprimimi i Marrëveshjes sh Ohrit nga
ultranacionalistët sllavo-maqedonas, do t’i detyrojë shqiptarët të
kërkojnë ridefinimin e Maqedonisë. Shqiptarët do të
kërkojnë federalizmin e saj, si shtet i dy popujve shtetformues:
shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve. Federalizimi i
Maqedonisë është kërkesa minimale e shqiptarëve. Është e drejtë e
patjetërsueshme e tyre që Maqedoninë ta përkufizojnë si shtet me dy
entitete (me dy njësi politiko-territoriale): me entitetin
shqiptar dhe me entitetin sllavo-maqedonas.
Gligorovistët dhe VMRO-ja duket sikur
pyesin me ironi: “Derisa shqiptarët sot nuk kanë kapacitet të
mjaftueshëm për ta imponuar interpretimin e drejtë të Marrëveshjes së Ohrit dhe
jetësimin e saj, atëherë në ç’mënyrë dhe me çfarë forcash do ta bëjnë
federalizmin e Maqedonisë, për të mos thënë – krijimin e entitetit shqiptar në
të?!”
Mirëpo, historia nuk përfundon me
kaq. Edhe akademikët serbë nuk besonin se Kosova mund të çlirohet, por ajo sot
është shtet i pavarur, i njohur prej 92 vendeve të botës. Shqiptarët në
Maqedoni do t’i arrijnë objektivat politikë me riorganizimin e
faktorit politik shqiptar. Faktori politik shqiptar i riorganizuar, për një
Maqedoni që qëndron mbi këmbë të qelqta, ka fuqi tërmetore. Pa shqiptarët në
sistem s’ka Maqedoni, ka sistem paralel. Shqiptarët nuk do
të lejojnë që të drejtat e tyre të jepen në shtratin e Prokrustit.
Për stabilitetin e Maqedonisë
kujdeset SHBA-ja. Por Uashingtoni nuk mund ta mbështesë nacional-romantizmin e
VMRO-së – historikisht të vonuar.
Shoqëria shqiptare duhet t'ia vërë në
dijeni palës maqedonase se shqiptarët në Maqedoni nuk janë popull me
kapacitet politik të kufizuar, d.m.th. popull jopolitik.
Popujt jopolitikë dhe pa potencial politik, vështirë i arrijnë synimet
kombëtare, akoma më vështirë ato politike dhe tejet vështirë – aspiratat shtetformuese dhe shtetndërtuese.
Shoqëria shqiptare duhet t’ua bëjë me dije gligorovistëve dhe VMRO-istëve se
shqiptarët në këtë vend nuk janë popull me mendësi provinciale dhe
fshatarake, sikundër pandehin ata. Popujt me psikologji katundi dhe
qyteze vështirë ia dalin të fitojnë lirinë, aq më pak të bëhen shtetformues.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni
nuk do të mund t’i bëjë ballë palës maqedonase, duke dërguar në organet
ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit, individë me kapacitet politik,
profesional dhe moral të kufizuar, si dhe me shkallë të ulët të ndërgjegjes
kombëtare. A mund t’i ketë përfaqësuar me devotshmëri shqiptarët një ministër
shqiptar, emri i të cilit publikohet zyrtarisht se ka qenë në shërbimin
antishqiptar?! Shqiptarët në Maqedoni antishqiptarizmit të VMRO-së nuk do të
mund t’i bëjnë ballë me sukses: me nivelin profesional të pamjaftueshëm të
establishmentit shqiptar në organet ligjvënëse dhe ekzekutive të
shtetit si dhe me korrupsionin e një pjese të caktuar të nomenklaturës shqiptare
në organet e pushtetit.
Politika kombëtare nuk është interes
i një grupi të ngushtë njerëzish. Një numër i
madh i deputetëve dhe i ministrave shqiptarë, që nga viti 1991 deri më
sot, nuk kanë qenë në krye të detyrës, as në pikëpamje kombëtare,
as në pikëpamje intelektuale dhe as në atë profesionale. Ky antishqiptarizëm i
paparë i qeverisë së Gruevskit nuk është punë rasti. Ai e sheh se kë ka
përballë dhe me kë ka punë. Kur shqiptarët turren të hyjnë në qeveri –
qoftë edhe si humbës - dhe rendin që sa më parë t’i shijojnë
privilegjet e pushtetit, mos prit aty politikë kombëtare.
S’është vështirë të manipulosh me një
popull:
- që ka një inteligjencie oportuniste
dhe konformiste;
- që është varfëruar dhe që të vetmin
preokupim e ka sigurimin e bukës;
- që si pasojë e skamjes është
zhveshur nga çdo ideal jete;
- që ka mediume të kontrolluara nga
faktori politik dhe nga pushteti;
- që ka analistë politikë mercenarë,
në shërbim të pushtetit sllav.
Sundimtari, kolonizatori dhe
pushtuesi, një popull së pari e degradon ekonomikisht, pastaj në pikëpamje
kombëtare, më pas politikisht dhe në fund edhe moralisht. Partitë
politike shqiptare janë shndërruar në ente punësimi. Të shndërruara në
ente të tilla, ato s’mund të jenë faktorë politikë, ato s’mund të kenë
potencial politik, ato s’mund të kryejnë mision historik dhe nuk mund të bëjnë
punë historike. Si ente punësimi, ato s’mund të kenë autoritet politik para
palës sllavo-maqedonase e cila e ka shtetin dhe i kontrollon të gjitha poret e
pushtetit.
Roli i faktorit politik shqiptar
është reduktuar në përurimin e ndonjë shkolle të meremetuar - katundi. I
katandisur në një gjendje të tillë dhe i zhveshur politikisht, faktori politik
shqiptar në Maqedoni është shndërruar në faktor kulturor dhe infrastrukturor.
Përkundër zhvillimeve politike të
pavolitshme, faktori politik shqiptar në Maqedoni vazhdon të jetë nën nivelin e
përgjegjësisë historike. Shqiptarët në Maqedoni duhet ta ndërpresin luftën e
egër midis tyre - për pushtet qytezash dhe katundesh. Mjerimi i shqiptarëve
qëndron në faktin se gjithmonë tentojnë ta mundin njëri-tjetrin dhe asnjëherë
kundërshtarin e vërtetë.
Qëndresa e popullit shqiptar në
Maqedoni është imperativ i çastit historik.